“Diell” që Elhaida çon në Eurosong

0
27

Elhada Dani fiton Festivalin e 53-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Vendi i dytëpër Bojken Lako Band, i treti për Lindita Halimin

Valeria Dedaj, 29.12.2014

Këngëtarja shkodrane Elhaida Dani triumfoi në natën finale të Festivalit 53 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Ajo fitoi të drejtën ta prezantojë Shqipërinë në Festivalin e ardhshëm Europian që zhvillohet në Vjen të Austrisë pranverën e ardhshme. “Sinqerisht kjo do të thotë shumë për mua. Faleminderit që më dhatë mundësinë që të përfaqësoj vendin tim në një Festival kaq të rëndësishëm siç është Eurovizion. Faleminderit që po bëni këtë ëndërr timen realitet”, ishin fjalët e saj, para se të niste interpretimin e këngës “Diell”, si fituese për publikun. Tekstin e këngës e kanë shkruar Viola Trebicka dhe Sokol Marsi. Kompozimi dhe orkestrimi është i Aldo Shllakut.

Elhaida për këngën “Diell” shprehet për “Shekulli”-n se: “Qysh në titull kuptohet se është një këngë optimiste, që transmeton energji pozitive. Kjo është edhe ajo që unë dua të arrij të përcjell te publiku. Është një këngë që flet për dashurinë, dhe sesi ajo mund të transformojë jetën e një njeriu. Unë e gjej veten shumë te ky tekst, pasi dashuria është energjia më e madhe, që ne japim edhe marrim në jetën tonë. Këtu dashuria është në një koncept më të gjerë, sesa dashuria për një person. Prandaj kur unë dua dikë apo diçka kjo gjë më bën më të lumtur, edhe më rrezatuese, si dielli”.

Po a ishte Eurovizioni një nga pikësynimet e Elhaidës?

Ajo tregon para natës finale se është edukuar që të shijojë çdo etapë të një aktiviteti ku është pjesë. “Nuk mund të flas aspak për Eurovizion, nëse unë nuk shijoj më përpara Festivalin. Nëse unë e shijoj Festivalin, edhe më pas më hapen dyert e Eurovizionit do të isha e lumtur. Por këtë e marr edhe si një përgjegjësi shumë të madhe, pasi do të më duhet të përfaqësoj Shqipërinë në një event të madh. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, për të cilën unë nuk e di nëse jam ende gati për ta marrë mbi shpatulla”.

Aktualisht ajo vazhdon që të jetë e angazhuar gjatë gjithë kohës me koncerte në Shqipëri edhe Itali. Gjithashtu është duke punuar për albumin e saj të ardhshëm, që parashikohet të dalë në treg në fund të vitit 2015. Këngët e këtij albumi do të jenë në italisht dhe në anglisht. “Kam menduar t’i sjell këngët në këto gjuhë pasi synoj një treg më të gjerë sesa ai italian dhe shqiptar. Bashkëpunëtorët janë me të vërtetë të mëdhenj, me të cilët unë ndihem e nderuar që punoj”.

Krijimtaria e Elhaida Danit

Ka studiuar piano që në moshën 6-vjeçare në shkollën ‘Prenk Jakova’ në Shkodër. Ka marrë pjesë në talent–show “Star Academy”, ku është shpallur fituese në vitin 2009. Më pas ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare, si në Rumani, Bullgari etj. Vitit 2011 ishte shumë i suksesshëm për të. Në gusht të këtij viti, ajo ishte një nga konkurrentët e Suncane Skale. Në vitin 2009 ka regjistruar këngën e saj të parë “Si asnjëherë”, por konkurrimi i saj në festivale fillon në Kënga Magjike 2008 ku këndoi “Fjala e fundit” dhe më pas në vitin 2011, në Festivalin e Këngës në RTSH ajo këndoi “Mijëra vjet” dhe u nderua me çmimin “Melodia më e mirë”. Viti 2012 është një vit i paharruar për Elhaidën pasi publikoi albumin e saj të parë dhe më pas në Top-Fest u shpall fituese e çmimit të madh me këngën “S’je më”.

The Voice of Italy

Në vitin 2013, Elhaida Dani merr pjesë në “The Voice Of Italy”, pasi në serialin tjetër talent-show, “Amici” di Maria de Filippi nuk e pranojnë. Këngëtarja me zërin potent bëri një performancë të jashtëzakonshme duke çuar në këmbë publikun dhe 4 trajnerët: Riccardo Cocciante, Raffaella Carrà, Piero Pelù” dhe Noemi. Ajo kishte zgjedhur këngën “Mama Knows Best” të këngëtares Jessie J, të shkruar nga Jessica Cornish dhe Ashton Thomas. Kënga kërkonte një zë të fortë dhe me ekstension vokal dhe performanca e Elhaidës mori komplimenta nga të gjithë trajnerët.

Piero Pelù e pyeti nëse emri i saj ishte “uragan”, por këngëtarja u përgjigj: “Quhem Elhaida dhe vij nga Shqipëria”. Në mes të “betejës” së trajnerëve se kush ta merrte në skuadër Elhaidën, u fol për herë të parë për një kandidaturë për fitoren e këtij programi të zhvilluar për herë të parë në Itali dhe të transmetuar në RaiDue. Elhaida vendosi të shkojë në skuadrën e këngëtarit Riccardo Cocciante, derisa në fund u shpall edhe fituese e “The voice of Italy”.

Nata e tretë e Festivalit

Tenori Shkodran Tolaj dhe këngëtarja Besinana Mehmeti ishin të parët që hapën natën finale të Festivalit të 53-të Këngës të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Pas konkurrimit këngëtarja shprehu pakënaqësinë e saj para publikut për provat e lëna pezull ditën e djeshme gjatë paradites. “Nuk kemi qenë në prova gjenerale, por jemi këtu për hir të jurisë që na solli deri këtu, por edhe për hir të publikut”. Ndërsa Floriana Garo, disi e befasuar nga deklarata e këngëtarëve, vazhdoi normalisht prezantimin. Kënga e radhës u interpretua nga Bojken Lako, derisa Turjan Hyska sqaron publikun me detaje. Sipas tij, fillimisht është bërë shorteu se kush do të niste i pari prezantimin e këngës. “Provat janë zhvilluar gjatë paradites së djeshme, por këngëtarët përkatës nuk kanë qenë në orarin që u është caktuar. Duke patur parasysh se këtu çdo gjë është shumë korrekte, ato nuk u bënë më pas nga këngëtarët që nuk ishin”.

Kështu vijoi konkurrimi deri në fund të Festivalit. Gjatë performancës së mbrëmshme pas këngëve konkurruese kitaristi Genc Dashi guxoi t’i binte kitarës këmbëkryq për disa minuta te shkallët e skenës, duke interpretuar edhe këngën popullore “Tundu bejkë tundu”, një gjë e pazakontë për skenën e Pallatit të Kongreseve. Kjo ishte ajo që Dashi ka pretenduar nga ky festival: një performancë sa më e çlirët. “39 vjet kam qenë në këtë skenë edhe nuk shkulem dot”, u shpreh ai, derisa në skenë vijnë dy prezantueset Floriana Garo dhe Liberta Spahiu.

Ato prezantuan këngën e radhës, të interpretuar nga Rona Nishliu. Rona Nishliu ndau çmimin e interpretimit më të mirë për këngën “Himn” të interpretuar nga Gjergj Leka. Çmimi u vendos nga Orkestra e Radio Televizionit Publik Shqiptar. “Gjëja më e bukur është se unë tani po bëhesha gati të ikja në shtëpi. Por gjeja më e rëndësishme është se mbiemri im është Leka dhe ky çmim ka shumë rëndësi. Unë i them faleminderit drejtorit të këtij festivali Martin Lekës, edhe orkestrës. Gëzuar edhe ju, edhe bereqet inshallah, edhe paguani dritat”, tha ai.

Votat e 7 anëtarëve të jurisë

Juria votoi për dhjetë këngë. Në vendin e tretë “S’të fal” nga Linda Halimi. Në vendin e dytë “Të ndiej” nga Bojken Lako. Vendi i parë për Elhaida Danin.

Evi Reçi

8 pikë “S’të fal”, Lindita Halimi
10 pikë “Të ndiej”, Bojken Lako
12 pikë “Diell”, Elhaida Dani

Fatos Baxhaku

8 pikë “Kështjella”, Shkodran Tolaj edhe Besiana Mehmeti
10 pikë “Diell”, Elhaida dani
12 pikë “Të Ndiej”, Bojken Lako Band

Rona Nishliu

8 pikë “S’të fal”, Lindita Halimi
10 pikë “Të ndiej”, Bojken Lako Band
12 pikë “Diell”, Elhaida Dani

David Tukicci

8 pikë për “Kështjellën”, Shkodran Tolaj edhe Besiana Mehmeti
10 pikë “S’të fal”, Lindita Halimi
12 pikë “Diell”, Elhaida Dani

Alida Hisku

8 pikë “S’të falë”, Linda Halimi
10 pikë “Himn”Gjergj Leka
12 pikë “Diell”, Elhaida Dani

Genc Dashi

8 pikë “Kështjella”, Shkodran Tolaj
10 pikë “Të ndiej”, Bojken Lako Band
12 pikë “Diell”, Elhadia Dani

Agim Doçi

8 pikë “Të ndiej”, Bojken Lako Band
10 pikë “Himn” ,Gjergj Leka
12 pikë “Diell”, Elhaida Dani