Prof. Dr. Rami Memushaj, 13.05.2010
Po bëhen ditë që duket sikur shteti nuk ekziston më.
Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” prej dy javësh është kthyer në një skenë ku, nën dritaret e zyrës së kryeministrit dhe të kryetares së Kuvendit Popullor, po luhet një dramë e dhimbshme e më shumë se 200 njerëzve, burra e gra, të cilët janë hedhur në një grevë urie.
Dhe greva e tyre po arrin në kufijtë e qëndresës fizike njerëzore. Veç mitingjeve të përditshme në këtë shëtitore, ku mblidhen mijëra qytetarë nga të gjitha anët e vendit, protestues nga veriu në jug po bllokojnë rrugët kombëtare.
Dhe në një situatë të tillë të nderë kryeministri i vendit po bredh fshatrave të Veriut me gërshërë në xhep për të prerë shirita përurimesh.
Njëlloj si paraardhësi i tij Ramiz Alia, që endej maleve të Veriut për të trumbetuar arritjet e socializmit në një kohë kur sistemit monist i kishte ardhur fundi, edhe kryeministri ynë kërkon t’i shmanget realitetit, duke bërë sikur çdo gjë është normale.
Shpërfillja e gjithë këtyre që po ndodhin është me shumë rrezik.
Zoti Berisha nuk duhet ta ketë harruar se shembja e shtetit më 1997-ën ndodhi pikërisht se ai i nënvlerësoi protestat paqësore të qytetarëve dhe kërkesën e grevistëve të urisë për dorëheqjen e kryeministrit të asaj kohe. Duke mos i dhënë zgjidhje të shpejtë dhe të arsyeshme problemit, ai ndoqi rrugën e dhunës, që çoi në shembjen e shtetit.
Për një kryeministër nuk është mençuri politike të injorojë një dramë që po ndodh me jetët e dyqind e ca vetëve poshtë dritareve të zyrës së tij.
Nga pikëpamja humane, kjo pashpirtësi nuk i ka hije si njeri, si prind, si mjek dhe si politikan që është betuar para Kushtetutës t’i shërbejë popullit. Është pikërisht ai dhe jo kush tjetër që duhet t’i japë zgjidhje situatës: ose t’i japë fund grevës duke i nxjerrë grevistët nga çadrat, ose të ulet në bisedime me opozitën.
Rruga e mesme që ka zgjedhur kryeministri, duke shpresuar në dorëzimin e grevistëve dhe të opozitës, mbart rreziqe të paparashikuara.
Personalizimi i konfliktit politik, duke e kërkuar burimin e së keqes te kreu i opozitës, është një thjeshtëzim folklorik i problematikës.
Problematika është shumë më e thellë se një konflikt midis dy individësh. Opozita, radhët e së cilës janë shtuar edhe me përfaqësues të së djathtës, nuk mund të injorohet.
E mirë ose e keqe, kjo është opozita dhe shumicës që qeveris i bie barra të merret vesh pikërisht me këtë opozitë. Nuk mund të ketë të ardhme vendi pa opozitë dhe pa e dëgjuar opozitën. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh e as ka ndodhur që pozita qeverisëse ta modelojë opozitën sipas dëshirave të veta. Kjo mund të ndodhë në regjime që shtiren si demokratike, të cilat e duan opozitën si fasadë.
Duke huazuar sjellje dhe propaganda të diktaturave fashiste e komuniste, si antimitingjet alla-Ramiz Alia dhe protestimet alla-gjeneral gramafoni të grave “demokrate”, të grupeve të të përndjekurve e të lloj-lloj grupeve të nxitura, letrat e porositura të intelektualëve që janë vënë në rresht, deklarimet agresive të zëdhënësve e të tellallëve të shtetit etj., kryeministri po e shpërfytyron qeverisjen duke i dhënë asaj një natyrë fashistoide.
Veprime të tilla që nuk i shkojnë një shteti demokratik, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e përçajnë skajshmërisht shoqërinë shqiptare edhe deri tani të shkërmoqur.
Po më e keqja është se këto veprime e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen. Pra, shpërfillja e dramës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” është një gabim i rëndë.
Ashti si injorimi i grevës dhe i protestave të qindra mijëra qytetarëve nga të katër anët e vendit, edhe tregimi i muskujve duke keqpërdorur policinë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë etj., nuk kanë rezultat tjetër veçse acarimin e situatës. Protestat janë paqësore, por provokimi i protestuesve me anë të forcave të rendit dhe duke përdorur lloj-lloj mënyrash të tjera, mund ta përkeqësojë gjendjen.
Duke vepruar në këtë mënyrë, është si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Përdorimi i dhunës kundër protestuesve paqësorë (ka muaj që protestohet, po nuk është thyer asnjë xham) do të ketë si produkt vetëm rrënimin e autoritetit të shtetit, edhe kështu shumë të brishtë.
Veç kësaj, të mos harrohet edhe një rrethanë tjetër: jemi një vend i vogël, me lidhje të shumta historike, miqësie, krushqie, shoqërore midis krahinave, ndryshe çfarë mendojnë disa. Këto lidhje i paralizojnë edhe forcat e rendit, të cilat nuk mund të veprojnë si simotrat e tyre në Greqi, Itali etj.
Kjo qe edhe arsyeja pse u shemb shteti më 1997, kur ushtarët dhe militantët e dërguar kundër protestuesve zhveshën uniformat dhe hodhën armët. Larg qoftë që shteti të shembet edhe një herë: kjo do të ishte një katastrofë për vendin, që nuk do t’i falej më kryeministrit tonë. Prandaj kësaj radhe duhet t’i bëjë mirë llogaritë dhe t’i japë zgjidhje të arsyeshme e të urtë situatës.
Populli thotë: “Guri s’dredh, burri dredh”. Kuptimi i kësaj shprehje është që, në situata të caktuara, një politikan i mençur dhe largpamës, duhet t’i rishikojë qëndrimet, duke ndjekur rrugën e arsyes. Të veprosh në këtë mënyrë, është burrëri dhe mençuri. Të udhëhiqesh nga pasionet dhe nga këshillat e këshilltarëve të këqinj nuk është burrëri, po kryeneçësi dhe mungesë mençurie.
Ka ardhur çasti që kryeministri ynë ta lërë kryeneçësinë dhe t’i kthehet rrugës së urtësisë. Dhe sa më shpejt ta hedhë këtë hap, aq më mirë do të jetë për të dhe për të gjithë Shqipërinë.