Çfarë do të thotë ‘zgjidheni vetë’

0
48

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 13.05.2010

Janë shtuar zërat nga Europa që i kërkojnë klasës politike shqiptare ta zgjidhë vetë krizën e saj. Ditët e fundit, komisioneri për zgjerimin, zoti Stefan Fule, e ka përsëritur dendur këtë kërkesë, duke referuar edhe mjetet që Shqipëria ka e duhet të përdorë, siç janë Gjykata, Kushtetuta, Institucionet.

Në pamje të parë, ky qëndrim duket si shprehje respekti dhe besimi në aftësitë e elitës dhe institucioneve shqiptare. Shqipëria ecën e duhet të ecë vetë tani që është bërë anëtare e NATO-s dhe po kërkon të marrë statusin e vendit kandidat në BE!

Mirëpo, po të mbahet parasysh dështimi i deritanishëm i përpjekjeve të Europës për zgjidhjen e krizës sonë politike, vetiu të shkon mendja se ky qëndrim nuk ka të bëjë me shprehjen e respektit. Duket me shumë si lodhje e Europës me ne, madje edhe si braktisje, qoftë edhe e çastit. Zgjidheni vetë!

Ne që nuk zgjidhem gjë deri me sot në praninë e delegacionit të madh të Këshillit të Europës, me ndihmën e zyrtarëve më të lartë të Komisionit për Zgjerimin, me ecejaket aktive dhe fort dashamirëse të ambasadorëve Widhers të SHBA-së, Montobio të Spanjës, Lohan të BE-së dhe Boch të OSBE-së, ne pra që i kthyem duarbosh gjithë këta partnerë, gjithë këta miq, gjithë këta ndërmjetës, duhet ta zgjidhim vetë, duhet të vrasim veten e të zgjidhim vetë!

Në fakt, në këtë kontekst, kjo formulë me shumë kuptime, ka edhe kuptimin e ndëshkimit. Ju ndëshkojmë ta gjeni vetë zgjidhjen për krizën tuaj! Koha ka filluar! Po nuk e gjetët, kriza do t’ju përpijë në vorbullën e saj të gjithëve.

A vërtetë besojnë në Europë se qeveria dhe opozita e Shqipërisë mund të ndërtojnë vetë, pa ndërmjetësim, një dialog të frytshëm që do t’i jepte fund krizës? Nuk besoj! Të kërkosh dialog brenda institucioneve, të kërkosh zgjidhje brenda parlamentit – kjo është parimore. Ne duhet t’i falënderojmë zyrtarët europianë që nuk mërziten të na përsërisin pa pushim mesazhe të tilla të drejta.

Por, ne emër të mirësjelljes, e kemi për detyrë t’u themi: këto mesazhe nuk mjaftojnë më, nuk tingëllojnë më dhe nuk lidhen më me krizën shqiptare. Kuvendi i Shqipërisë e konsumoi botërisht vullnetin e shumicës qeveritare për të mos e zgjidhur krizën, duke ngritur një komision hetimor të njëanshëm, të pavlefshëm, që ka mbetur në letër.

Kriza shqiptare ka ekspozuar para botës dobësitë e institucioneve që janë dobësitë e demokracisë në këtë vend. Kriza e refuzimit të transparencës së zgjedhjeve ka bërë vetvetiu, pa dashje, një transparencë të një lloji tjetër: transparencën e frikës së qeverisë për t’u përballur me hetimin parlamentar të kutive të votimit; transparencën e një sistemi ku arbitrariteti ka vënë në gjunjë garancitë.

Shumëkush në Europë dhe në Shqipëri nuk e kishte ditur këtë. Por e mori vesh, falë krizës që po nxjerr në dritë të vërtetën e Shqipërisë.

Shumica e PD-së, me mbështetjen e PS-së, ka prishur vitin e kaluar disa balanca jetike të pushteteve, duke i lenë krizat eventuale pa menaxhim institucional, në mëshirën e fatit, apo në mëshirën e palëve antagoniste.

Presidenti i Republikës, edhe pse nuk i mungon dashja dhe vullneti, është rezervuar të konsumohet në role dhe në zgjidhje që nuk i sheh të mbështetura qartë në kompetencat e tij.

Në këto kushte, për tu bërë ajo që po kërkon Europa, nuk mbetet gjë tjetër, veçse Berisha t’i telefonojë Ramës për të vendosur së bashku zgjidhjen e ngërçit. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë.

Unë mendoj se ketë zgjidhje pret ajo pjesë e Europës që na kërkon me sinqeritet ta zgjidhim vetë problemin. Nuk po thotë kush nuk ekziston problemi. Po thonë “zgjidheni”. Kushdo që ka dy para mend e merr vesh se kjo thirrje i drejtohet pikësëpari kryeministrit të vendit.

Por “telefonata” e Berishës duket një utopi për momentin. Berisha është përfshirë në një lojë nervash me opozitën, me mendimin se sakrifica e grevistëve të urisë ka një limit, ndërsa ai është komod në pritjen e tij.

Ai nuk po kërkon zgjidhje, siç e këshillon Europa, por po pret të dorëzohen grevistët, të tërhiqet Rama. Është e çuditshme se si mund ta mendojë këtë një politikan profesionist, që e ka provuar vetë se çdo të thotë të ngresh në këmbë një lëvizje politike kaq popullore.

Në lëvizje të tilla ka një moment ku lëvizja e drejton liderin po aq sa lideri lëvizjen. Në mos me shumë. Në këtë pikë është sot lëvizja e opozitës për transparencën e kutive.

Kushdo ka të drejtë ta lexojë sipas mendjes së vet kërkesën e Europës “zgjidheni vete”. Shumë njerëz e lexojnë edhe si një nxitje për t’u derdhur edhe me shumë në protesta demokratike të pandalshme.

Përvoja ka treguar se krerët politikë të Shqipërisë dhe vetë kryeministrit aktual nuk vinë të zgjidhja e duhur në kohën e duhur, por vetëm kur mbushet kupa. Këto zgjidhje kanë kosto të lartë dhe nuk u dihet asnjëherë fundi.
Barra është edhe besim, thotë një fjalë e urtë.

Ne e falënderojmë Europën që na nxit ta zgjidhim vetë krizën. Pa u futur në kuptimet e shumta të kësaj këshille, duhet t’i themi Europës me ndershmëri, sot dhe jo nesër: Duam ta zgjidhim vetë, por gjërat janë pleksur në atë mënyrë sa nuk e bëjmë dot.

Kemi nevojë për ndihmë urgjente nga Europa dhe SHBA-ja. Kemi nevojë për ndihmë konkrete, që nuk mbetet në rrafshin e parimeve të përgjithshme. Kemi nevojë që Europa të hyjë në përmbajtjen e krizës.

Kemi nevojë që zyrtarët e Komisionit për Zgjerimin, por edhe të tjerë që merren me Shqipërinë, te lexojnë raportin e OSBE-ODHRI-i, ku përtej dy tre fjalive me karakter politik që janë shtuar në Vjenë, vëzhguesit e terrenit kanë listuar të gjitha shkeljet e Kartës së Kopenhagenit në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, përfshirë numërimin e keq dhe shumë të keq në një të tretën e territorit. Po aty, vëzhguesit kanë “gdhendur” frazën fatale se besimi i shqiptarëve te zgjedhjet është dëmtuar rëndë.

Më tej, Europa do të na ndihmonte shumë po të shohë e reflektojë mbi kutinë e Ruzhdijes, e vetmja që është hapur. Do të na ndihmonte shumë po të shohë se dy parti politike, PDK dhe LZHK, kanë bërë padi penale për manipulim të zgjedhjeve, e para në prokurorinë e Shkodrës, e dyta në atë të Tiranës, por, si në një përbetim të përgjithshëm kundër transparencës, edhe rruga e prokurorisë rezulton e mbyllur për opozitën.

Së fundi, Europa do të na ndihmonte shumë nëse e merr dhe e sheh me sytë e vet Kushtetutën e Shqipërisë, nëse bindet vetë se cili është neni, cila është klauzola që ndalon hetimin parlamentar të kutive.

Të gjithë jemi dakord që hetimi të respektojë Kushtetutën dhe të garantojë transparencën. Por, me këtë formulë qeveria luan sikur Kushtetuta nuk lejon hapjen e kutive. Europa ka dëgjuar qeverinë dhe ne nuk mund ta qortojmë pse i ka besuar qeverisë sonë.

Por është momenti ta shohë me sy, është momenti ta kërkojë të përkthyer nenin që ndalon transparencën. Ky nuk është cenim i sovranitetit. Posaqë Shqipëria synon të bëhet pjesë e Europës, Europa ka të drejtë ta luajë këtë rol në Shqipëri. I lutemi!