Muhedin Brokaj, Ish-Ushtarak, 13.05.2010
Fëmijë të mirë! Jam një prind paksa më i moshuar se babai juaj. Edhe unë kam fëmijë dhe i dua shumë. Po kaq dashuri kam për të tjerë që s’janë në lidhje familjare me mua. Jam rritur dhe edukuar si i tillë në familje, shkollë dhe shoqëri.
Kjo është arsyeja e vetme dhe i vetmi motiv që kam rriskuar skajmërisht jetën time për të shpëtuar në kohë të ndryshme 6 persona: 5 nga mbytja (3 në det, 1 në lum dhe 1 në liqen të Pogradecit), si dhe kam shpëtuar një grua nga thikat e keqbërësit. Nuk kam qenë në ndonjë skuadër shpëtimi, jam ndodhur rastësisht.
Kam ndier kënaqësinë që shpëtova ata njerëz nga vdekja e sigurt. Për mua ky ka qenë i vetmi “shpërblim”. Ah, jo. Edhe një faleminderit prej tyre. Asgjë më shumë. Më besoni. Babai juaj kur kishte të veshur bluzën e bardhë, me siguri ka shpëtuar shumë jetë njerëzish. Ka marrë falënderime e mirënjohje, si dhe rrogën duke qenë brenda profesionit të tij.
Po tani? Unë jam një pensionist, tmerrësisht i pashpërblyer për aq sa kam dhënë ashtu si edhe kolegët e mi ish-ushtarakë. Babai juaj? Që kur braktisi Hipokratin ka bërë më të pabesueshmen! Ka vrarë e plasur zemra shumë më shumë nga sa ka shëruar dikur! Nga Tropoja juaj e deri në skajin më jugor të Shqipërisë.
Natyrisht, jo si bandit me revolver në dorë. Kur të shuhet dashuria dhe ndjeshmëria dhe të pushton makutëria e sundimtarit, ka mënyra të tepërta për të vrarë. Këto nuk i them vetëm unë dhe as ju nuk i dëgjoni për herë të parë.
Babai juaj thotë se ka takuar sa e sa sheikë, kryeministra dhe presidentë. Ka puthur dhe dorën e shenjtërisë së tij, Papës së Romës. Po çfarë na ka sjellë? Çuditërisht urrejtje e sjellje pa etikë. Janë fajet e babait tuaj pse shumica e shqiptarëve e kanë dënuar në ndërgjegjen e tyre maksimalisht rëndë. Lus zotit të mbetet vetëm ëndërr dhe të shuhet gradualisht.
Fëmijë të mirë! Ju jeni të mençur dhe duhet të çmoni e vlerësoni pikërisht ata që bëjnë kritika, qofshin të ashpra dhe i thonë të vërtetat në sy. Ju dhe babai juaj ruajuni nga sahanlëpirësit dhe servilët mizerabël. Ata janë llumi i racës njerëzore.
Situata është në prag katastrofe. Urrejtja dhe pakënaqësitë kanë pushtuar vendin. Protestat e demonstratat janë beteja. “Në beteja, shpirti e bën njeriun kaq të fortë sa që e kthen në statujë, tërë ai mish bëhet granit” – ka shkruar Viktor Hygo.
Një rast të tillë e kam përjetuar personalisht me 40 shokë të mi ish-studentë ushtarakë të kthyer në atdhe para kohe nga një vend ish-mik. Dhe kur? Në kohën e tmerrshme të diktaturës. E nisëm pikërisht më 4 shtator 1961, në Pashaliman, ku “na syrgjynosën” për të vazhduar studimet e mëtejshme.
Qeveri në alarm, ne të vendosur. Në dhomat e izolimit, 4 prej nesh rruajtën kokën dhe vetullat. E pa parë, e pa dëgjuar. Ju as nuk mund ta imagjinoni çdo të thoshte një veprim i tillë në atë kohë. Kur rregullorja e disiplinës të detyron të të qethin kokën me makinë vetëm “zero”, dhe ti detyron berberin të të rruajë kokën dhe vetullat, do të thoshte të prisje dënim të rëndë, të flijoheshe.
Por ndodhi çudia: Pas edhe disa masave të tjera represive ndaj nesh, erdhi një zgjidhje: Kushte më të mira jetese dhe program mësimor alternativ. Kështu ndodhi në ato vite të largëta, në zemër të diktaturës.
Shumë “kapiten pas furtune” nuk kanë për të besuar. Aq më tepër që atëherë e mbuloi heshtja e qëllimshme dhe që po qëndron ende në “kafazin” e mbyllur në Pashaliman. Edhe unë nuk mund ta shtjelloj me gjatë aktualisht, sepse nuk është ky qëllimi i kësaj letre.
Ti Argita dhe ti Shkëlzen jeni të rinj. Do të jetoni edhe shumë vjet pas largimit nga kjo botë të babait tuaj edhe të shumë prej nesh. Jeni edhe të pasur. Ta gëzoni. Por që të mos mbeteni të turpëruar, kam një lutje: Tundeni fort babanë tuaj dhe i thoni: Mjaft më! Besoj se ndjeshmërinë e prindit nuk e ka humbur. Bashkim Shehu e mallkoi të atin, Mehmetin, pas vdekjes. Vonë.
Ju përqafoj sinqerisht. Muhedin Brokaj, VLORË