Adrian Thano, 12.05.2010
GREVISTËT DHE RAMA
“Instancë më vete” e quante pardje në artikullin e tij, Preç Zogaj, çadrën e grevistëve të urisë. Preçi është si gjithmonë i qartë dhe inteligjent, por ka diçka që ai nuk e thotë akoma. Edhe të tjerë nga opozita stepen ta thonë.
Dyshoj se do mund ta mbajnë të ndrydhur për shumë kohë, me gjasë qysh nesër ky “zbulim” mund të jetë vjetruar. Bëhet fjalë për një distancë të qartë mes lidershipit të PS-së dhe grevistëve. Distanca nuk është mbi atë që duan; ajo është e njëjtë dhe e qartë. Distanca është në mënyrën se si ajo që duan, DUHET arritur.
Disa shenja të jashtme, ndoshta të vogla të kësaj distance të rëndësishme, mund të kapen edhe në gjuhën e parullave: “Hap kutitë ose largohu” – është “parulla zyrtare” e lidershipit të PS. “Hap kutitë ose këput qafën”, – shkruanin në parullat e tyre protestuesit lezhjanë e shkodranë pak ditë më parë.
Qëndrimi i grevistëve të urisë (sidomos i qytetarëve jo-deputetë) dhe i protestuesve jashtë çadrës, – mbi mënyrën si duhet vepruar dhe si duhet të sillen përballë shurdhërisë së qeverisë – është shumë më radikal se ai që kumton lidershipi i PS-së.
Mjaftojnë pak orë brenda çadrës së urisë që të kuptosh se distanca mes dy kumteve jo vetëm ka marrë formë tashmë, por po bëhet e papërballueshme edhe për vetë Ramën.
S.Berisha po e sulmon Ramën egërsisht.
Ashtu siç i ka hije, në fund të fundit. Ka ngritur kundër tij, një koalicion anti-njeri të paprecedent që i ka kaluar tashmë edhe kufijtë e absurdit. Në fakt, S.Berisha bën mirë ta falënderojë Edi Ramën.
Sepse Rama sot është moderuesi, madje frenuesi, i një energjie popullore antiqeveritare që është ku e ku më e fortë dhe më radikale se kumti i tij politik, kumt ky, i kompleksuar jo pak nga formimi i tij qytetar dhe nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar.
Por, është e vërtetë gjithashtu që kjo distancë mes Ramës dhe qëndresës, – deri më tash shpëtimtare për Berishën – po zvogëlohet me shpejtësi. Sa më shumë kalojnë orët, aq më shumë i afrohemi asaj pikës që një pushtet i mençur do ta shmangte: pikës ku qëndresa nuk ka më asgjë për të humbur.
GREVISTËT DHE S. BERISHA
“…Vetëm një popull shpirtmadh do t’i jepte kaq shumë mundësi këtij burri të vogël…”- thotë një varg i një përralle të vjetër arabe. Vetëm Shqipëria mund të vazhdojë të bashkëjetojë me një politikan si kryeministri i sotëm.
Do mjaftonte vetëm 1 maji i këtij viti që marrëdhënia të thyhej përjetë. Një kryeministër që vë gjysmën e popullit të këndojë kundër gjysmës tjetër që vuan, mund të jetë çfarë të dojë, por jo kryeministër.
Ndoshta, kjo është disi “e hollë” për t’u vënë re në një CV politike si ajo e Berishës.
Ai është shndërruesi i partisë së shpresës post-diktaturë në një sekt torollakësh dhe hajdutësh; është krye-shtetari i dështuar i 97-ës së tmerrshme; opozitari i papërmbajtshëm i grushteve të shtetit, klouni i “sukseseve” ku gëlojnë fantazmat e Gërdecit.
Sot na fton t’i harrojmë këto të gjitha. Madje i kërkon popullit të tij të shkatërruar, ta trajtojë si ajatollah, duke shtuar se i dëshiron edhe 20 apo 30 vjet të tjera mundësish politike (!).
PS e sotme kërkon ndjeshmëri dhe përgjegjësi nga njeriu i kontrastit të mësipërm. Kurse grevistët e urisë e kanë të qartë që nuk kanë ç’presin prej tij.
Ai nuk ka asnjë përgjigje për ta.. Siç nuk ka përgjigje për izolimin që vazhdon ende pas 20 vitesh, për 97-ën, për 98-ën, për humbjen e dinjitetit, për kaosin me pronat, për shitjen e tregjeve dhe interesave shqiptare, për përçarjen e re klasore, për Gërdecin, përmbytjet, përdhunimin e Kushtetutës, tentativën për të prekur deri edhe integritetin territorial të vendit, mungesën e drejtësisë, të shanseve të barabarta, gjendjes së mjerë të arsimit, të shëndetësisë, konfliktit të ri të sotëm etj, etj – shkurt për një katrahurë ku fajtor, sipas personazhit grotesk që qeveris sot vendin, mund të jetë gjithkush e gjithçka, që nga komunistët, bijtë e komunistëve, nipat e komunisteve, CIA, Asfalia, eklipsi hënor, UFO-t, etj., por kurrë ai vetë. Sepse ai harron që është shtetar.
Harron që paguhet, jo për të gjetur justifikime, por për ta mbrojtur popullin e tij nga këto, edhe sikur të jenë të gjitha të vërteta. Pra, nuk ka asgje te re në shurdhërinë e tij përballë grevistëve. Ai prapë nuk do sillet si shtetar. Ai do vazhdojë të tentojë të bëjë atë që ka bërë këto 20 vjet: të mbështetet tek VESET e shoqërisë, tek ngacmimi dhe aktivizimi i tyre si themel dhe kolonë pushteti.
Shqipëria e sotme ka dy bashkautorë të njohur, dy protagonistë politikë të këtyre 15-20 viteve të fundit, ish-kryeministrin e djeshëm, mëtuesin e sotëm presidencial F. Nano dhe ish-presidentin e djeshëm, kryeministrin e sotëm S. Berisha. Në këtë thelb, të aktivizimit dhe përdorimit të VESEVE të shoqërisë për të organizuar dhe kontrolluar pushtetin dhe shoqërinë, këta të dy janë krejtësisht të njëjtë.
Janë po kaq të ngjashëm edhe në mitomaninë që shoqëron fundin e tyre. Fatos Nano ishte kryeministri turist i një populli emigrantësh, ky i sotmi është kryeministri me Ipad i një vendi ku studentët e shkëlqyer vrasin veten.
Shqipëria ndihet sot e lodhur përballë asaj që këta të dy kanë prodhuar. E lodhur prej atyre që i ngulen pushtetit si mizat në kakë e nuk të lenë rrugë tjetër për t’i hequr prej andej, veç t’i godasësh fort e të bësh mut dynjanë.
GREVISTËT DHE NDËRKOMBËTARËT
Në disa intervista në “Shekullin” e djeshëm, grevistët e urisë e artikulonin qartë atë pyetjen që e bëjmë sot të gjithë: “Si është puna me këta ndërkombëtarët ?”. Vërtet si është puna me ndërkombëtarët?
Dhe për cilët ndërkombëtarë e kemi fjalën?
Bashkimi Europian sot është në ditë të këqija. Kriza e fortë ekonomike në përgjithësi dhe ajo greke në veçanti, kanë shkaktuar çarje të eurozonës, ngacmim të plagës së vjetër identitare, forcim të euroskepticizmit, etj.
Sa për parantezë, në rrethanat e sotme, qeveria jonë na nxjerr ne shqiptarëve edhe pak nastradinër në këtë trokitjen tonë të nxituar e të paduruar në derën e një shtëpie të mbytur në hallet e veta. Është njësoj si të dëgjosh zhurmë, potere dhe kambana morti në vilën e fqinjit tënd dhe ti nga kasollja jote të shkosh e të trokasësh në derë me saze e me këngë e t’i thuash: “Erdha unë, të pimë nga një lëng…”
Ka që thonë se në këto rrethana, situata në Shqipëri nuk i intereson askujt. Në fakt, jo tamam, askujt. Fqinjët tanë, i kanë kthyer sytë këtej. Shumë aktive Italia, p.sh. Të dërguarit e Berluskonit premtojnë viza, afate pas afatesh dhe flasin si zëdhënës të qeverisë së Tiranës.
Si është e vërteta? E vërteta është që deti është bërë kos. Shqipëria ka sot një kryeministër që firmos gjithçka, në këmbim të “mbeshtetjes nderkombetare”. Ardian Klosi në artikullin e djeshëm në “Shekulli” për nënshkruesit e një letre të hapur kundër grevës së urisë, shkruan: “…
Nënshkruesit e kësaj letre të hapur janë të shqetësuar për shtyrjen e liberalizimit të vizave, por jo për legjitimitetin e pushtetit që kemi mbi kokë sot, të shqetësuar për shëndetin e grave në çadër, por jo për shëndetin e keq të Shqipërisë, të shqetësuar për nocione të përgjithshme si destini ose liria, por jo të shqetësuar se kryeministri i tyre u fal fqinjëve të jugut DET dhe fqinjëve të perëndimit TOKË nga të SHQIPËRISË, që ta kthejnë në depozitë mbeturinash…”. etj.
Po, e vërtetë! Det, fqinjëve të jugut, Tokë fqinjëve të Perëndimit. Kërkesa që fqinjët tanë kanë shekuj që i bëjnë pa i arritur dot, i firmosi kryeministri i sotëm brenda pak muajsh. Këto firma jane edhe pergjigja për disa nga qendrimet e sotme “nderkombetare”. Për disa, sigurisht. Në përgjithësi qëndrimi ndërkombëtar është pro transparencës.
Se nuk ka si të jetë ndryshe. Por, mes tyre, ka nga ata që, Shqipëria u intereson vetem për aq kohë sa në pushtet është një firmosës i zellshëm si Berisha, politikani që në gjithë karrierën e vet, armikun numër 1 ka opozitën e popullit të vet.
Meqë jemi këtu, po e ndajmë me lexuesit e Shekullit, një pyetje. Kërkoj ndjesë nëse duket pak bizarre, por më duket e drejtë. Pak javë më parë patëm një vizitë qeveritare në Beograd e më pas një lajm zyrtar për një ftesë në Tiranë për kryeministrin serb. Garnitura ishte ajo e përhershmja: shumë buzëqeshje, shumë dashuri, shumë suksese, marrëdhënie të shkëlqyera etj.
Serbia është një vend që ende nuk ka kërkuar falje zyrtare për genocidin në Kosovë, spastrimin, vrasjet, përdhunimet, gjymtimet e atjeshme që tronditën botën. Pyetja është kjo: Si ka mundësi që kryeministri i Shqipërisë gjen forca të tejkalojë këtë dramë të madhe ende të freskët dhe të jetë i gatshëm të ftojë, të lusë, të presë, të falë kryeministrin e Serbisë dhe nuk e gjen këtë forcë për t’u ulur me shefin e opozitës së popullit të tij? As duke pasur 200 shqiptarë, që po sakrifikohen përpara zyrës së vet.
GREVISTËT DHE MEDIA
Nëse dikush do të donte sot të ndërtonte një identikit gazetari shqiptar do ta kishte të pamundur. Por, në vend të këtij identikiti të munguar, do gjente lehtësisht një model të rremë, mjafton të kërkonte në kufijtë mes Çilit të koncerteve të majit dhe Çilit të debateve televizive. Pushtetit i duhen me aq mend sa e para ose me aq interesa biznesi sa i dyti.
Të parët sajdisen e më pas shpërdoren si fasadë torollakësh, të dytët janë të kapur për shkak të shndërrimit në biznesmenë me nevojë të pashmangshme për të pasur akses në buxhete, licenca e shërbime të tjera të administratës shtetërore.
Mes dy çilave të mësipërm, çilen turli tipash të tjerë, tregtarët e përhershëm të flamujve, aplikantë për maskë politikani, mitomanë me paga pornostaresh etj.
Për publikun janë të gjithë “gazetarë”.
Në kaosin e 20 viteve të fundit, ky publik nuk pati as rastin të merrte vesh kush quhet gazetar. E jo vetëm publiku. Në këtë pikë, ka një problem të madh që nuk nisi sot. Se kush quhet gazetar në këtë vend është ende e pamundur ta thuash. Nuk ka ende një deontologji precize për të qenë “ligjërisht gazetar”.
Ka plot që e kanë vjedhur përgjatë këtyre viteve emrin “gazetar” dhe ia kanë dhënë vetes pa merak. Janë pikërisht këta në krye të sulmeve ndaj opozitës së sotme, e disa prej tyre janë ç’njerëzorë, janë skandalozë dhe të turpshëm në fyerjen që u bëjnë grevistëve të urisë.
Nuk i njohëm sot, sepse këta kanë kohë që sillen vërdallë në një karnaval të madh të përnatshëm televiziv, ku secili ka zgjedhur maskën e vet dhe feston. Populli opozitar, grevistët e urisë, kritikët e këtij absurdi që po qeveris, kanë të drejtë që habiten e irritohen me ta.
Por, së paku duhet bërë e qartë që ky soj nuk ka të bëjë me gazetarinë. Edhe nëse kanë ndonjë lidhje me të, ata janë tredhur tashmë në “gazetarinë” e tyre nga i njëjti sistem i vesit, që premion maskën, abuzimin, patetizmin, urrejtjen, por kurrë të vërtetën, meritën, zotësinë, bashkëjetesën.
Kolegu B.Prifti botoi tri ditë më parë një shënim për sjelljen e mediave shqiptare këto muaj. Nuk kam çfarë të shtoj se ai i ka thënë të gjitha. Media e ka humbur edhe busullën edhe moralin. Kjo është e vërteta. Dhe ka ndodhur, sepse në media gazetarët janë racë në zhdukje.
Këtij reparti pseudo-mediatik, që i është bashkuar ushtrisë me pagesë anti-Ramë, i mbivendoset sot për fat të keq edhe paaftësia e stafit të Ramës që merret me mediat. Ky staf dështoi fatalisht të bënte pjesën e vet në fushatën elektorale të 2005-ës dhe po dështon edhe tani në menaxhimin mediatik të protestave. Nuk e gjen dot sot një kronikë televizive apo një lajm pro opozitës në median ndërkombëtare.
Nuk ka asnjë kundërveprim ndaj propagandës së absurdit qeverisës, që sajon përditë “letra” e “deklarata”. Dhe është e pashpjegueshme gjithashtu sjellja e tyre në disa raste edhe ndaj mediave që kanë qenë historikisht mike të opozitës në këtë vend, si “Shekulli”. Aftësia e tyre duhet ritestuar.