Elsa Lila: Në grevë si qytetare, jo për politikë

0
22

Lorenc Vangjeli / INTERVISTE, 11.05.2010

“Të dielën, shumë pas mesnate, gati në të gdhirë, ndodhesha tek ura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më bëri përshtypje semafori i kryqëzimit. Si në të gjithë semaforët e botës, ngjyrat, e kuqja, jeshilja dhe portokallia zëvendësonin njëra-tjetrën. Vetëm metra më tej ishin çadrat e grevistëve të urisë së opozitës. Sapo kisha dalë nga çadrat ku kisha takuar grevistët. Dola prej çadrave shumë më e dobët sesa hyra. Ata njerëz ishin më të fortë se unë dhe ndoshta shumë më të fortë se gjithçka kisha besuar më parë. Dhe pastaj, dy imazhet krejt të ndryshëm, semafori dhe sakrifica njerëzore që kisha parë, befasisht, krejt befasisht më dhanë vullnet e besim për të qenë me vullnetin tim pjesë e bindjes për të hyrë në grevë, pjesë e sakrificës njerëzore”.

Elsa Lila, këngëtarja e njohur shqiptare, banuese në Romë prej shumë vitesh, të dielën në mëngjes, foli përpara një mase të madhe protestuesish të opozitës dhe një çast më pas, hyri në çadrat e grevistëve të urisë. Jashtë kishte lënë lot të njerëzve të prekur, brenda në grevë gjeti gjithashtu lot. Dhe minuta më pas, kur edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, mbaroi fjalimin e tij në protestë, në të gjithë sheshin jehoi kënga e saj e hershme po me “pikë loti që pikon”. Organizatorët e mitingut e kishin gjetur atë këngë në momentin e fundit, sepse edhe ata vetë, i kishte gjetur në befasi të plotë vendimin e këngëtares së famshme.

Elsa, në ç’moment vendosët që të hyni në grevë urie?

Pothuaj gjithë prillin e kam kaluar në Shqipëri. Një fatkeqësi familjare më bëri të qëndroj gjatë në shtratin e gjyshes sime të mirë, të shtruar në spital. Ikja e saj më ktheu sërish në Shqipëri. Unë nuk jam një krijesë laboratori apo një krijesë televizive. Jam larg, shumë larg modelit të Make Up-it që shitet shpesh nga ambientet artistike. Nuk jam një vajzë e rritur me përkëdhelje, me jetën jam ndeshur si me një mike dhe armike të betuar shpesh herë dhe herë kam fituar, herë jam dhembur prej saj. Por dhembja që kam provuar nga shumë e shumë fate njerëzore në netët e gjata që kam kaluar në spital, dhembja që kam provuar kur kam qenë dëshmitare në ato duele të njëanshme të jetës dhe vdekjes, më ka treguar një anë dramatike të vetë jetës.

Sidomos të asaj shqiptare. Kam respekt pafund për ata mjekë e infermierë që i qëndruan gjyshes sime në kokë dhe kam dëgjuar prej tyre histori dhembjesh pafund. Kur shkova në Vlorë, në atë “qytet” të madh mermeri të njerëzve të heshtur, kur në çdo cep të Vlorës flitej vetëm për grevën e urisë, jam prekur. Në kthim, në Tiranë, do të ndaloja vetëm dy ditë. Të martën do të fluturoja sërish në shtëpinë time në Romë. Biletën e kisha në çantë, por doja vetëm të prekja me dorë dhe të shihja në sy grevistët. Me shumë vështirësi, leja mu dha vetëm në mbrëmjen e të shtunës, pas protestës. Pata leje të hyja vetëm për pak minuta, por ndenja brenda disa orë.

Ajo çfarë ndodhi aty ishte dhe vendimi im i pakthyeshëm. Jam vlonjate, jam shqiptare dhe nëse ju pëlqen, jam dhe kokëshkretë si çdo artist në këtë botë. Kur po dilja nga çadrat, me erdhi turp për dobësinë time; brenda kisha gjetur njerëz, të cilët bindja, zemra dhe vullneti i kishte bërë pabesueshmërisht të fortë. Ky ishte momenti im i parë që vendosa të hyja në grevë. Pastaj semafori mbi urë, lokalet në Bllok, muzika, të rinjtë që bënin jetën e tyre normale e madje edhe indiferentët dhe kundërshtarët e grevës, të gjitha gjërat e tjera, aq të zakonshme në Tiranë, si në çdo qytet tjetër normal të botës, ndërkohë që pak metra larg tij konsumohej një dramë e jashtëzakonshme njerëzore, më bënë të hedh këtë hap. Fola me Edi Ramën dhe i thashë vendimin tim. Ai më njeh si artiste. Nuk më tha “Po!”, por unë i thashë që nuk prisja që të më thoshte askush “Jo!”. Askush nuk do të mundte të më pengonte në këtë vendim timin.

Me kë e diskutuat këtë vendim tuajin dhe si e pritën familjarët?

Me askënd. Vetëm me veten. Thjesht vura në dijeni motrën time, Enin, babanë në Itali dhe pasi hyra në grevë, u thashë të tjerëve. Doja të isha një dëshmitare e asaj çfarë po ndodhte, ndodhi që bindja ime më bëri të jem tani edhe pjesë e saj.

Pse vendosët të hyni në grevë dhe çfarë mendoni se do të arrini në përfundim të saj?
Unë nuk jam në politikë. Nuk më tërheq politika. Unë jam artiste. Dhe tani, nëse do të donit, më quani dhe artiste e angazhuar. Më mirë akoma, jam një qytetare e angazhuar. Natyrisht, si një shqiptare që i dhemb zemra për vendin, unë di mirë se çfarë po ndodh, di çfarë kërkon opozita dhe çfarë mohon ta japë pozita. Por, unë nuk jam në grevë për të bërë politikë. Unë jam në grevë, sepse si qytetare e dua vendin tim ndryshe. E dua pafundësisht për ta dashur atë më të mirë. Sakrifica krejtësisht e vërtetë e atyre njerëzve të gatshëm për vetëflijim dhe ajo mirësi e pambarimtë që ata dëshmonin në dhembjen e tyre, ishin shtysa për të mos u kthyer pas. Jashtë kam dëgjuar shumë për urrejtjen. Brenda në grevë dëgjova të flitej për dashurinë.

Në këto 24 orët e para, cili ishte momenti më i bukur dhe më i keq i grevës?

Nuk kam përgjigje për këtë pyetje. Nuk është as bukur, as keq. Është luftë. Një luftë e ndershme, dinjitoze, e urtë për të vërtetën individuale dhe kolektive të protestuesve. Dua të jem një shpirt më shumë në këtë luftë në krah të dashurisë.

Cili është mesazhi më i bukur që keni marrë?

Edhe për këtë pyetje nuk kam një përgjigje të vetme. Nuk mund të bëj hierarki mesazhesh, ky është i bukur, ky është më i bukur a ku di unë. Sapo hyra në grevë dhe uria ime nisi të konsumonte minutat e para, pashë grevistë që qanin. Është e rrallë të shohësh një burrë shqiptar që qan. Nuk është turp që një burrë të qajë, turp do të ishte për atë që nuk e sheh lotin, që e përbuz lotin, që e urren lotin. Loti nuk është dobësi. Ndodh që dobësitë më të mëdha, fshehin forcën më të paimagjinueshme. Siç ndodh e kundërta. Arroganca dëshmon pafuqi. Nëse loti ju duket mesazh, më besoni, rrallë ndodh që një artist të marrë një lot kaq të vërtetë sa ai që mora, kaq të madh sa loti që dhashë brenda në grevë.

Si ju pritën grevistët?

Me lot. Me lule. Më dhanë rrobat e tyre. Qeshën me mua. Më thanë se mund të më gostitnin vetëm me ujë. Gostia zgjati shumë, por ndërkohë nuk e dija që duhet t´u nënshtrohesha rregullave të hekurta të grevës. Një vlonjat si unë, Fatmir Xhafaj, ma bëri të qartë shpejt një gjë të tillë. Duhet të shtrihesha dhe të mos vija shumë rrotull, por unë doja të takoja çdo grevist. E përqafova çdo grevist. Pastaj, me vajzat e grevës, me Shegën, Oltën, Ledin, Florën, Anilën, Ermonelën, vajzat e tjera të stafit, vazhduam të bisedojmë deri shumë vonë nën zë. Ishte ftohtë, por rrallë di ndonjë kohë tjetër që të kemi qeshur aq shumë. Tani ato i kam motrat e mia dhe gjithë këta që janë rrotull, janë vëllezërit e mi. Tani jam një familje shumë e madhe.

Si është gjendja në kampin e grevistëve?

Duhet të hysh brenda për të kuptuar se çfarë force të pabesueshme jep besimi. Sot, kanë dalë për të shkuar në spital disa vëllezër. E di që fjalët “motra, vëllai”, janë nga fjalët më të përdorura në Vlorë? Kështu e thërrasim këtu njëri-tjetrin. Unë e di që do të kthehen sërish vëllezërit që kanë ikur në spital. Mezi po pres të rikthehet edhe Elisa. O zot, sa e tretur ishte kur iku! E nxorën me barelë pak përpara se të flisja unë në miting. Këtu ka dhembje, këtu ka kurajë. Këtu, kam bindjen se njerëz të fortë po shkruajnë një histori, para së gjithash, njerëzore. Një histori kurajoje europiane. Shpejt ne shqiptarët do të krenohemi për këto ditë kur vetë shoqëria jonë po përjeton evolucion dhe emancipim. Evolucioni dhe emancipimi shoqërohen me dhembje. Jam krenare që jam pjesë e kësaj dhembjeje, e kësaj force.

Momenti i hyrjes suaj në grevë a shënon një afrim me politikën dhe më konkretisht me PS-në?

E kuptoj që kjo është një pyetje tipike shqiptare. Kur bën një veprim secili nga ne sheh se cili është fitimi i llogaritur pas tij. Po saktësoj diçka. Kam një jetë europiane në Itali, kam pasaportë italiane. Kam shtëpinë time dhe njerëzit që i dua dhe më duan, si në Tiranë, si në Romë. Kam një jetë timen, që e kam krijuar gjithashtu me sakrifica, që edhe në Itali, nuk e bën dot kushdo. Kam artin tim, koncertet, miqtë, dritat, lulet, udhëtimet nëpër botë.

Kam gjithçka për të quajtur se është e mjaftueshme që dikush të më konsiderojë të lumtur. Por, unë jam shqiptare dhe kur vendi im dridhet, kur vendi im ka temperaturë, edhe mua më dhemb shpirti. Politika është profesion. PS-ja është një parti politike, kurse unë jam artiste. Përtej të gjitha këtyre, qëndron qytetari për të cilin, i majtë apo i djathtë, buka, uji, puna, liria, demokracia e dinjiteti, janë ushqim i domosdoshëm. Nëse do të mundja, në mënyrën time të deritanishme, të bëja diçka sado modeste për bukën, ujin, lirinë, demokracinë, dinjitetin dhe pasaportën europiane të qytetarit shqiptar, unë do të isha krenare.

A e sheh Elsa Lila veten nesër si politikane apo deputete?

Prapë e njëjta pyetje? Unë jam shpirt i lirë. Dikush në grevë më quajti Gavrosh. Dikush tjetër edhe Zhan D´Arkë. Unë nuk jam as njëri dhe as tjetra. Unë jam një vajzë shqiptare, një artiste. Nga e diela, jam edhe një qytetare e angazhuar që dua të jem e shërbyer nga qeveritë e vendit tim, që dua të shërbej me çfarë të mund për këtë vend që më dhemb.

Takimi me grevistët

Pata leje të hyja vetëm për pak minuta, por ndenja brenda disa orë. Ajo çfarë ndodhi aty ishte dhe vendimi im i pakthyeshëm. Jam vlonjate, jam shqiptare dhe nëse ju pëlqen, jam dhe kokëshkretë si çdo artist në këtë botë. Kur po dilja nga çadrat, me erdhi turp për dobësinë time; brenda kisha gjetur njerëz, të cilët bindja, zemra dhe vullneti i kishte bërë pabesueshmërisht të fortë. Ky ishte momenti im i parë që vendosa të hyj në grevë. Pastaj semafori mbi urë, lokalet në Bllok, muzika, të rinjtë që bënin jetën e tyre normale e madje edhe indiferentët dhe kundërshtarët e grevës, të gjitha gjërat e tjera, aq të zakonshme në Tiranë, si në çdo qytet tjetër normal të botës, ndërkohë që pak metra larg tij konsumohej një dramë e jashtëzakonshme njerëzore, më bënë të hedh këtë hap.