Lum si ne sa shumë intelektualë kemi

0
50

Hervin Çuli

Hervin Çuli, 11.05.2010

Intelektual! Sa fjalë e madhe! Sa shumë abuzime bëhen me këtë fjalë! Madje dhe Lartmadhnia e ka shumë për zemër këtë fjalë! Sa shumë ngarkohet mashtrimi, kur popullit të thjeshtë i thua se ka firmosur peticionin një intelektual! Imagjinoni sa ton peshon gënjeshtra kur nuk është një, por janë dyzetë e një intelektualë. Pale pastaj kur bëhen 126 intelektualë! E them këtë sepse jo çdo njeri i spikatur në fushën e tij mund të quhet intelektual. Imagjinoni pastaj kur nuk është i shquar çfarë tmerri është! Dhe… nuk besoj që të 126 janë të gjithë personalitete që na drithërojnë me peshën e tyre.

Me këtë fjalë që i bën njerëzit e mençur të sfiliten, duke punuar natë e ditë për ta cikur, abuzohet deri aty sa nganjëherë të vjen ndot se sa rëndom përdoret. Madje tani e shohim andej këndej gazetave e televizioneve, të kthyer edhe në profesion! Kam parë që fasha e titrimit për disa syresh, ka qenë jo profesioni përkatës, por Filan Fisteku/ INTELEKTUAL! Në një letër të hapur në formë peticioni, 41 njerëz të art- kulturës (tani janë bërë 126), iu drejtuan kryetarit të opozitës Edi Rama me mesazhin: “Ti po bëhesh penguesi i liberalizimit të vizave dhe greva duhet të mbarojë menjëherë, se nuk është e hirshme”.

Madje ata i bëjnë këtë thirrje Zotit Rama: “Ktheju Parlamentit se Zoti (se ç’hyn Zoti këtu, dreqi e merr vesh) është kundër vetëflijimeve”. Pa i hyrë me detaje analizës së LETRËS, po i jap të drejtën vetes jo t’i gjykoj, por t’i analizoj deri diku motivet dhe individët që e kanë nënshkruar PETICIONIN. Do ta filloja nga ata, të cilët ndër 41 të parët kanë peshën më të madhe, dhe që padyshim janë individualitete të padiskutueshme. Do t’i veçoja sepse personalisht i kam respektuar dhe do t’i respektoj gjithë jetën, për vlerat e mëdha që i kanë sjellë shoqërisë shqiptare. Atyre do t’u përulesha për intelektin (tek disa) për talentin (tek të tjerët), edhe pse do ma vriste veshin po t’i quaja të gjithë intelektualë.

Padyshim te disa prej tyre vishet mirë ky koncept, (intelektualizmi) sepse e kanë dëshmuar nëpërmjet kontributit të përditshëm publik me idetë, veprën dhe opinionet e tyre. Të tjerë në këtë grupim do t’i respektoja pa fund për talentin e jashtëzakonshëm, që kanë dëshmuar ndër vite. I përulem shkrimtarit Fatos Kongoli, përkthyesit Edmond Tupja, zyshës time të dashur Drita Pelingu, aktoreve të mëdha Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, këngëtares Mariana Leka, piktorëve Ali Oseku dhe Orion Shima, mjeshtrit Zhani Ciko, kompozitorit Agim Krajka, koreografit Agron Alia, valltarëve Rexhep Celiku e Lili Cingu, këngëtares Irini Qiriako dhe ndonjë tjetri që mund ta kem harruar nga mosvëmendja apo subjektiviteti im njerëzor.

I kërkoj ndjesë tenorit A.K, që nuk po e përmend në këtë grupim nga mungesa ime e informacionit. Por mënyra si e kishin fyer mu duk makabre. Meqë pjesa më madhe ka tituj ose dekorata,( që dreqi e di pse duhet t’i përdorin ende, sidomos në funksion të një Partie që çrrënjos realizmin socialist) tenorin e kurorëzuan me titullin shpjegues “këngëtar i njohur në skenat botërore”. Imagjinoni Domingon që firmos një peticion dhe për shpjegues të ishte zgjedhur shprehja e mësipërme. Këngëtarin, me sa duket për ta shitur sa më mirë e quajnë mall cilësie, sepse vjen nga jashtë. Të paktën kështu e kishte diferencuar një gazetë.

Nuk po i marr nëpër gojë firmëtarët e mbetur(nga 41 kuptohet se 126 janë shumë) edhe pse e respektoj shumë karrierën e tyre. E bëra këtë ndarje thjeshtë sipas gjykimit tim. Nuk pretendoj të kem monopolin e së vërtetës, por shfrytëzoj lirinë që kam për t’u shprehur, pa cenuar askënd. Nëse dikush nga të pa përmendurit mërzitet, i kërkoj ndjesë. E para nuk jam i bindur që personalitetet (e përzgjedhur nga unë) e kanë ditur të gjithë përmbajtjen e peticionit. Rëndom ndodh në Shqipërinë e çudirave që hartuesit e fletërrufeve, tjetër tekst bëjnë dhe tjetër u ofrojnë firmëtarëve. Nuk besoj për shembull që zysha ime t’i kërkojë Ramës të kthehet në Parlament! Kjo tingëllon pa sens, kur bëhet fjalë për principe më të rëndësishme se sa cic-micet “hy, mos hy”.

Veçse besoj, që Drita Pelingu si një grua e mençur dhe me zemër të madhe, mund t’i thotë Ramës se është kundër grevës së urisë. “Me jetën nuk bëhet shaka” – mund të mendojë Pelingu! Kjo është shumë normale, pasi shpreh mendimin e një personaliteti publik. Por që ta them troç! Më çudit modeli i peticionit. Intelektualët s’para janë nga ata që vihen në radhë, duke ta falur firmën pa teklif. Si mundet një intelektual t’ia besojë “vulën” e tij një hartimshkruesi tjetër!!!? Pavarësisht dyshimeve të mia, kryesorja është se Intelektuali përgjithësisht mban qëndrim publik, nëpërmjet angazhimit publik. Është forca e argumentit të tij që i bën dhe diktatorët më të pashpirt të kthejnë frikshëm kokën, dhe jo një peticion me tre kërkesa të paargumentuara.

Padyshim miku im dhe një nga ata njerëz që i dua dhe i respektoj pa fund, përkthyesi Edmond Tupja e ka bërë këtë. Edhe pse ndaj mendim të kundërt me profesor Tupen, e kam dëgjuar me vëmendje dhe jam përpjekur të zhbiroj në thëniet e tij të vërtetën tjetër, që mund të jetë më e fortë se e imja. Prandaj s’e kuptoj pse profesori duhet të firmoste një fletërrufe që nuk përfaqëson fjalën e tij?! Po ashtu, shkrimtari i madh Fatos Kongoli mund të shprehet publikisht nëpërmjet arsyetimeve personale për krizën politike! E kështu me radhë do të thosha për të gjithë të respektuarit e mi, që e kanë me pash lirinë në shtyp e në televizion për të artikuluar. Madje kemi nevojë t’i dëgjojmë, se po plasim duke u ushqyer me po të njëjtën gjellë analistësh.

Sa për artistët e tjerë (ndër 41 kuptohet se 126 janë shumë) do të thosha se rastësisht ose jo, firma është produkt i konfliktit me interesin. Pa pasur asnjë ngarkesë negative për ATA, disa të vërteta duhen thënë. Pa përmendur emra (që nëse duhet do t’i përmend në një shkrim tjetër), lista përmban disa ish-drejtorë institucionesh artistike (flas për drejtorë të qyteteve ku qeverisin tashmë socialistët) në kohën e PD-së. Ka dhe disa drejtorë apo ish drejtorë në kryeqytet. Njëri madje, burrë dhe piktor i nderuar, u shkarkua nga Berisha si drejtor i Galerisë së Arteve, jo nga performanca drejtuese, por sepse guxoi të hapte një ekspozitë të piktorit Edi Rama.

Lista përmban edhe personazhe që nëpërmjet një marketingu të gënjeshtërt kanë vjelur para nga Ministria e Kulturës së PD-së, kanë majmur ekonominë familjare, duke shirë me të katër duart në këtë rrumpallë, për interesa kryekëput personale, që nuk i kanë sjellë asnjë vlerë publikut shqiptar. Njëri syresh në listë ka qenë dikur nënkryetar bashkie në kohën e PD-së, dhe sot është drejtor diku gjetkë. Një miku im piktor brenda në listë është djali i ish Drejtorit të Galerisë(një personalitet i padiskutueshëm artistik), dhe vëllai i Drejtorit aktual të Galerisë. Një aktore ka punuar në Presidencë si shefe protokolli, por tani me thënë të drejtën nuk e di ku punon.

Një këngëtare shumë e mirë, pasi u kthye nga jashtë, kaloi një kalvar me mundime për të gjetur të drejtën dhe më në fund hyri në TOB, vetëm pas një telefonate të Berishës, me delegim kuptohet, për te Zhani Ciko. Këtë rast që mund të duket si thashethem e njoh personalisht. Një këngëtare ka bashkëshortin pjesë të PD-së. Një prezantuese e njohur është Drejtoresha e Qendrës së Ushtrisë me varësi nga Arben Imami. Nuk po i turrem këtu motivit të rrogëmarrjes së rehatshme, yshtur nga bekimi apo dhunimi i drejtorit! A mjaftojnë!?

Për momentin them se janë boll! Boll pa ju futur 85 të tjerëve, që turravrap (me përjashtime sporadike) ofrohen si mallra stok para falimentimit të dyqanit. Ka dhe ndër 85 të tjerët, tek- tuk ndonjë emër që e kemi dëgjuar apo shijuar, që çuditshëm futet në turmë edhe pse vlen më tepër se një peticion i tërë. Këtu do të përulesha padyshim përballë dok. Halim Kosova, këngëtarit të madh Avni Mula e ndonjë tjetri që nuk e kam shquar dot.

E pra, a nuk po përdoren këta njerëz nga Berisha si kompensim për të “mirat” që u ka ofruar? DIKUSH patjetër i kontaktoi këta njerëz të nderuar! Nuk ma do mendja se u gjendën të gjithë sëbashku një ditë të bukur, në çastin e duhur dhe në vendin e duhur. Më të moshuarve që kanë një mal me vite mbi shpinë, them se u kanë trokitur në derë. Afërmendjes nuk kanë dalë të “shkretët” në mes të vapës, vetëm e vetëm sepse duhej të hidhnin një firmë.

Gjithsesi një pyetje më vjen ethshëm për ta bërë. Po ja drejtoj njerëzve që shquhen për ekselencë dhe mençurinë e tyre. Do t’i drejtohesha profesor Tupes, që është shumë i hapur dhe nuk do t’i mbetet qejfi me mua. A nuk do të ishte më e pranueshme që peticioni(nëse duhej bërë me patjetër) t’i drejtohej Sali Berishës?! Ai, i plotfuqishmi Sali e ka më të thjeshtë me kutitë sesa opozita, që edhe nëse ka lajthitur pretendon se lufton për votën e lirë? A nuk është më mirë profesor, që të hapen këto të mallkuara kuti?!

Personalisht, vetëm nëse kanë bomba apo ndonjë sëmundje të keqe, mund ta justifikoja mos hapjen e tyre, përballë pretendimit se aty fshihet një vjedhje makabre. Sipas mendimit tim, më duket shumë e thjeshtë të mbarojë greva. Madje më duket e thjeshtë të zhduket i ashtuquajturi JUDA RAMA nga PD-ja, pas kësaj zallamahije që na ka shkaktuar nëse nuk provon asgjë me kutitë. Është shumë e thjeshtë profesor, që si rrjedhojë të marrim vizat, të cilat çuditërisht i vuajnë më tepër ata që i duan për shëtitje (siç tha një deputete në Parlament), sesa ata që i duan për hall! Dhe pastaj, mundet të jetojmë edhe më të lumtur me Berishën!!! Ja pra, mjafton që të hapen kutitë!

Po largohem drejt fundit me trishtimin që disa burra me një barrë mend si JU, i shoh të firmosin fjalë që nuk i kanë qëndisur vetë. Me trishtimin që një nga modelet më të bukur të mendjes së hapur, e shoh të rreshtuar në një armatë firmëtarësh. Me trishtimin se edhe nga krahu tjetër mund të mblidhen qindra firma dhe firmëtarë, për t’ia realizuar qëllimin Berishës për t’i parë shqiptarët si tanët dhe të atyre. Me trishtimin që për herë të parë në historinë e popujve të lirë kemi një peticion intelektual kundër opozitës. Po largohem dhe me keqardhjen se padyshim më ka shpëtuar ndonjë frazë cinike që me kokëfortësi s’e kam redaktuar. Por këto kohë të turbullta, na e kanë mpirë mendjen deri në atë pikë sa të mos kuptojmë se sa shumë intelektualë paska në Shqipëri.