Malaj: Duhet vullnet njerëzor dhe politik për zgjidhjen e krizës

0
18

Deputeti socialist flet nga çadra ku po zhvillohet greva e urisë

Nga çadrat e grevës së urisë, deputeti i selisë rozë, Arben Malaj, në një intervistë për “Tirana Observer” shpjegon pse opozita mori këtë vendimin për të hyrë në grevë dhe si mund të zgjidhet kriza në kushtet aktuale. Deputeti socialist rrëfen edhe negociatat në Parlamentin Evropian. Ai flet për gjendjen e grevistëve, dhe thekson se duhet vullnet njerëzor dhe politik për të zgjidhur krizën. Edhe pse me vështirësi të mosushqyerjes prej ditësh, Malaj tregohet mjaft i kthjellët për zgjidhjet e situatës politike.

Zoti Malaj, u mbushën plot dhjetë ditë që 22 deputetë dhe 180 mbështetës të Partisë Socialiste janë në grevë urie për transparencën e zgjedhjeve, mund të na thoni cila është gjendja shëndetësore e gjithsecilit si po e përjetoni ju grevën?
Motivi i kësaj grevë është jetik për demokracinë në vendin tonë. Ndoshta greva e urisë nuk është mënyra më e mirë për të ndikuar në përmirësimin e transparencës së votës dhe të demokracisë, por mbeti e vetmja përballë mungesës së vullnetit dhe sidomos përballë arrogancës me të cilën kjo maxhorancë reagon ndaj kërkesave jo vetëm të opozitës. Vendimi im për pjesëmarrje në këtë grevë është i motivuar fort edhe nga fakti se ka rreth një vit që vendi ndodhet në një ngërç politik. Ndodh për herë e parë në tranzicion që kjo periudhe të jetë kaq e gjatë.

Asnjëherë më parë nuk ka pasur qëndrime kaq kategorike, kaq këmbëngulëse dhe mosbashkëpunuese, sa kjo që po manifeston PD këtë herë. Greva e urisë ka rritur sensibilitetin publik në vend dhe tek ndërkombëtarët për pasojat negative që situata politike po krijon mbi integrimin ekonomik dhe mbi zhvillimet ekonomike e sociale në vend. Kudo krizat politike dëmtojnë ekonominë, por në rastin e vendeve si Shqipëria me institucione kushtetuese të dobëta dhe me gjendje ekonomike të rënduar, efektet përkeqësuese rriten më shumë shpejtësi.

Kam vlerësuar dhe shpresoj që greva e urisë të mund të ndikojë pozitivisht mbi të gjithë faktorët politike për ta kthyer vendin në normalitet dhe për ta fokusuar politikën tonë në sfidat e integrimit dhe në reformat ekonomike aq shumë të domosdoshme. Kam marrë pjesë në greve i bindur se është një akt fisnik dhe që në mënyrë paqësore do të ndikojë të mos zgjatet periudha e ngërçit politik dhe të mos varfërohen më tej shqiptarët pavarësisht përkatësisë tyre partiake.

Ju javën e kaluar përfaqësuat opozitën në Bruksel, ndërkohë që PE nuk arriti dot të përpilonte një deklaratë për Shqipërinë, ju duket diçka pozitive apo negative? Cilat ishin arsyet e vërteta e dështimit të Parlamentit Evropian për krizën politike në Shqipëri?
Duket se kriza politike në vend për fat të keq u eksportua edhe në Bruksel. Maxhoranca mbajti të njëjtin qëndrim kategorik si ndaj nesh edhe ndaj draft-deklaratës së përgatitur nga delegacioni i Parlamentit Evropian. Pati përpjekje dhe dashamirësi maksimale nga delegacioni Parlamentit Evropian për të miratuar një deklaratë të përbashkët. Mos miratimi i deklaratës për shkak të bllokimit nga maxhoranca shqiptare, do të ketë efekte jo pozitive në procesin e integrimit.

Shpresoj që kjo situatë politike të mos ndikojë negativisht liberalizimin e vizave. Nëse kjo situatë vazhdon, patjetër që do të vonohet përfitimi i statusit të vendit kandidat. Humbjet nga mos përfitimi i statusit janë shumë të konsiderueshme, sidomos për ekonominë e vendit tonë. Do të vonohemi akoma më shumë në përfitimin nga politikat dhe fondet e BE-së që janë shumë të domosdoshme për tu investuar në infrastrukture, zhvillimin rural, etj.

Vetëm pas një jave grevë, Presidenti Bamir Topi rinisi takimet me faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Besoni se do të zgjidhet kriza nga partnerët e Shqipërisë?
Fillimisht dëshiroj të përsëris falënderimin dhe mirënjohjen që si deputet i Shqipërisë i shpreha drejtpërdrejtë Komisionerit të Zgjerimit, Fule, kreut të delegacionit të Parlamentit Evropian z.Kukan dhe gjithë kolegëve europarlamentare. Ne duhet tu jemi mirënjohës SHBA dhe BE-së, që gjatë këtij tranzicioni të vështirë kanë asistuar nga afër Shqipërinë dhe i kanë dhënë mbështetje për integrimin në strukturat euro-atlantike. Ne patëm mbështetjen e tyre unike për anëtarësimin në NATO. Ne presim mbështetjen unike për lëvizjen e lirë dhe statusin e vendit kandidat.

Mbështetja e tyre dje nuk është thjesht për të zgjidhur këtë ngërç politik, por për të përmirësuar rrënjësisht funksionimin demokratik të vendit, si parakusht për t`i dhënë stabilitet politik dhe prosperitet ekonomik. Angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë rrit shpresat që të gjendet një zgjidhje dhe që mundësisht ajo të jetë pikënisje e një procesi reformash përmirësuese të demokracisë dhe ekonomisë, që duhet të materializohet në përmirësime të konstatueshme në jetën e përditshme të çdo shqiptari.

Mazhoranca edhe pas kaq ditësh grevë nuk ka lëshuar asnjë sinjal tolerimi për zgjidhje, si do shkohet më tej ndërkohë që gjendja e grevistëve sa vjen e rëndohet?
Ky qëndrim i maxhorancës po krijon një kosto të rëndë ekonomike, sociale dhe politike për vendin. Maxhoranca nuk po dëgjon thjesht opozitën, por nuk po dëgjon as mesazhet e drejtpërdrejta nga komuniteti ndërkombëtar. Komisioneri i Zgjerimit Fule nga Kosova paralajmëroi se zgjidhja duhet të jetë sa më e shpejtë sepse ngërçi politik rrezikon opinionin e Komisionit të Zgjerimit për kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat. Jo vetëm kaq, por kundër-mitingjet dhe seancat parlamentare plot cinizëm dhe urrejtje, janë përgjigjet e vetme që ne dhe publiku shikojmë nga ana e maxhorancës.

Maxhoranca po tregon se nuk ndjen përgjegjësi për sfidat e vendit dhe është stoike në qëndrimet e saj, duke injoruar kërkesat për transparencë të votës, duke injoruar edhe grevën e urisë së deputetëve të opozitës dhe mbështetësve të tyre. Ky qëndrim ka një motiv: ethet e pushtetit dhe të zgjedhjeve. Ndaj në politikë qartësohet se: Një politikan interesohet për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një burrë shteti për të ardhmen e vendit. Kjo maxhorancë po e dëmton rëndë demokracinë dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Sipas jush cila është zgjidhja e krizës në kushtet kur nuk do të pranohet hapja e kutive, dhe besoni se nëpërmjet grevës do të keni rezultat?
Gjithmonë ka një zgjidhje, kur ekziston vullneti njerëzor dhe politik. Deri tani jo vetëm në raport me grevën e urisë, por edhe nga deklaratat dhe aktivitetet konkrete të PD, sidomos në aktivitetin parlamentar, konstatohet mungesa e vullnetit, arroganca, mentaliteti i konflikteve dhe mentaliteti krizëdashës i kësaj maxhorancë. Zgjidhje ka dhe nuk duhet vonuar.

Zgjidhja duhet të vijë nga përgjegjësia e pasojave të krizës politike. Zgjidhja duhet të vijë si detyrim ndaj sfidave integruese të vendit. Ajo nuk duhet të synojë thjesht mbylljen e grevës së urisë, por duhet të shoqërohet me një paketë reformash përmirësuese në Kushtetutë dhe kodin zgjedhor, reforma që eliminojnë përsëritjen e krizave të tilla. Unë jam optimist që reagimi publik në rritje, greva e urisë dhe angazhimi i ditëve të fundit i partnerëve ndërkombëtarë do të imponojnë zgjidhjen e kësaj krize.