Kriza e Greqisë, kriza e euros dhe kriza politike e BE-së

0
45

Arben Malaj

Arben Malaj

Kriza e Greqisë po nxjerrë në pah krizën reale të BE-së. BE duket se mund të paguajë koston e diferencës së dy shpejtësive të ndryshme, midis shpejtësisë së integrimit ekonomik dhe vonesave të integrimit politik.

Ndoshta, inspiruesit dhe themeluesit e Europës së Bashkuar kanë shpresuar se duke krijuar një bashkim ekonomik, me avantazhet e tij do t’i detyronin liderët e Europës të mos e pengonin projektin e Shteteve të Bashkuara të Europës.
Kriza e euros sot po tregon krizën e lidershipit politik të BE-së. Frika se euro ishte një hap konkret drejt një Europë Federale, është shprehur qartë nga ish-kryeministri anglez, John Major në 1996 kur theksonte se: “Një monedhë e vetme kondicionon politikat e Europës. Bëhet fjalë për një Europë federale që po hyn nga dera e pasme”.

Krijimi i një tregut të përbashkët dhe përdorimi i monedhës së përbashkët kanë në themel heqjen e barrierave, reduktimin e kostove, nxitjen e tregtisë, bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik të një hapësire gjithnjë e më të madhe.
Kur liderët politikë europianë do të prezantonin përdorimin e euros, 155 ekonomistë gjermanë në shkurt 1999 do të publikonin një letër të hapur, duke arsyetuar se suksesi i monedhës së përbashkët do të ishte në rrezik nga problemet e vështira që kishin vendet anëtare me financat publike.

Ekonomikisht është ndoshta deri paradoksale që të kemi një monedhe unike të bazuar në politika unike monetare, ndërsa politikat fiskale të jenë kombëtare. Euro do të kishte jo pak sfida, siç do të qartësonte Otmar Issing, shefi i këshillit ekonomike të Bundesbank-ut gjerman: “Nuk ka shembull në historinë e një bashkimi të qëndrueshëm monetar që nuk është i lidhur me një shtet”.

Krijimi i euros nuk u shoqërua me hapa konkretë drejt integrimit politik të Europës, Kushtetuta e Europës dështoi në vendet themeluese të saj, traktati i Lisbonës u zhvesh nga shumë koncepte baze të Kushtetutës europiane, duke mos krijuar një moment të ri të lidershipit politik drejt integrimit politik të Europës së Bashkuar.
Liderët politikë të Europës së Bashkuar që dorëzuan sovranitetin e tyre kombëtar për politikat monetare, nuk u pasuan nga hapa konkretë për politikat fiskale. Kriteret e Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes nuk u respektuan nga shumë vende anëtare, jo vetëm gjatë krijesë globale.

Pas krizës së Greqisë, që e rriti shqetësimin për të ardhmen e euros, u diskutua për krijimin e FMN-së së Europës së Bashkuar, në fakt më shumë e domosdoshme është “Ministrinë e Financave” e Europës së Bashkuar. Sot ne kemi një Bashkim Europian që përcakton dhe imponon rreth 80% të legjislacionit që përdorin vendet anëtare dhe ka në dispozicion një buxhet që është rreth 1.3 % të të ardhurave kombëtare bruto të vendeve të EU-së. Krizat globale janë bërë më sistematike dhe kostot e përballimit të tyre do të jenë shumë më të mëdha. Sot ne kemi një eurozonë ku treguesit fiskalë të vendeve anëtare ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin.

Europa e Bashkuar do të synojë që çdo vend anëtar të jetë njëkohësisht edhe vend i eurozonës dhe Europa e Bashkuar të jetë jo më e vogël se Europa gjeografike.

“Tani ne duhet të përballojmë detyrën e vështirë të ecjes përpara drejt një ekonomie të vetme, drejt një bashkimi të vetëm politik. Për herë të parë që nga rënia e Perandorisë Romake, ne kemi mundësinë të bashkojmë Europën”, – do të deklaronte ish-presidenti i Komisionit Europian, Romano Prodi në vitin 1999 ne momentin e prezantimin të euros.

Tani, në kushtet e rritjes galopante të deficiteve dhe borxheve publike, sfidat po bëhen më të vështira për eurozonën, por edhe për vetë projektin e Europës së Bashkuar.

Dështimi i monedhës do të jetë një hap pas shumë i rëndë për Europën e Bashkuar. Propozimet për të rritur cilësinë e statistikave të vendeve anëtare, propozimet për të përsosur sistemet paralajmëruese për krizat e ardhshme, propozimet për të përsosur bashkëpunimin në nivel rajonal europian dhe global, janë të detyrueshme, por ndoshta të pamjaftueshme për ta shpëtuar euron dhe projektin e Europës së Bashkuar.

Kriza e Greqisë dhe kriza e euros, ndoshta janë momenti historik për liderët europiane për të rimenduar rreth sovranitetit të vendeve anëtare lidhur me politikat e tyre fiskale. Hapi i parë ndoshta mund të jetë krijimi i një strategjie antikrizë dhe fondet përkatëse në BE për ndërhyrje në vendet që preken nga krizat. Aktivizimi i paketave antikrizë duhet të jetë e drejtë e strukturave të Brukselit dhe jo e vendeve anëtare, të cilat influencohen shumë nga zhvillimet e brendshme politike.

Veprimi i shpejtë bëhet i domosdoshëm, sidomos tani që influenca psikologjike apo manipulimi i tregjeve financiare është bërë lehtësisht i arritshëm. Gjatë krizave, çdo vonesë në vendimmarrjen e vendeve të veçanta të BE-së i rrit risqet dhe humbjet me ritme alarmante.

“Është detyrimi ynë të mbrojmë përfitimet që patëm nga krijimi i euros”, – deklarojnë liderët e Gjermanisë dhe Francës.

Angazhimi i Gjermanisë dhe Francës për të asistuar Greqinë në kapërcimin e krizës, ka ndikim për të qetësuar tregjet si dhe do të lehtësojë konsensusin e BE-së për të asistuar vendet e tjera që mund të preken nga kriza.

Por, sfida e politikave fiskale është sfida reale e krizës së euros, që është kriza e projektit të konsideruar si projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i BE-së.
Jo thjesht kapërcimi i kësaj krize, por e ardhmja e euros dhe e projektit politik të BE-së do të kërkojë hapa konkretë drejt integrimit edhe politik të Europës së Bashkuar.

Situatat e vështira shpesh në historinë e BE-së kanë lehtësuar marrëveshjet e mëdha për reformat jetike të së ardhmen e BE-së. Kancelaria gjermane, Merkel dhe Presidenti francez, Sarkozy këto ditë deklaruan: “Jemi plotësisht të bindur se duhet të ruajmë solidaritetin, stabilitetin dhe unitetin e eurozonës”.