Bamir Topi – Sali Berisha
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka reaguar pak minuta pas përfundimi të takimit që pati Berisha me gazetarët. Në komuntanë përshtyp thuhet se në propozimin e Topit për nënkryetarë të KLD-së nuk ka asnjë shkelje kushtetuese dhe se veprimet e Berishës janë presion ndaj presidentit.
“Akti kushtetues i Presidentit është ndeshur me një fushatë bllokuese dhe denigruese të ndërmarrë nga zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe mazhorancës, përfshirë sot edhe Kryeministrin e vendit. Në përpjekje për zhvendosjen e krizës politike nga parlamenti në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe për tërheqjen e vëmendjes nga skandalet politike të radhës, – Kryeministri dhe zëdhënësi i tij në Ministrinë e Drejtësisë, shpallën publikisht synimin e tyre për të deleguar në detyrën e lartë të Zëvendëskryetarit të KLD-së njërin prej kandidatëve të preferuar politikë, të zgjedhur në mënyrë të debatueshme në Parlament.
Duke refuzuar votën konkurruese dhe procedurat kushtetuese, ata zgjodhën edhe këtë herë mjetet e presionit mediatik dhe verbal, shantazhin politik mbi Institucionin e Presidentit dhe të anëtarëve të tjerë të KLD-së, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues në vend dhe integritetin e institucioneve kushtetuese”, thuhet në reagimin e presidencës.
Sipas Topi këto sulme denigruese nga Presidentit, lidhet me mentalitete e sjellje të periudhës kur vendi drejtohet nga partia – shtet. Më tej thuhet se ata që po shkelin Kushtetutën janë përfaqësuesit e mazhorancës.
“Praktika e shkeljes së Kushtetutës faktikisht është bërë nga të tjerë, duke nxjerrë akte ligjore në kundërshtim me të, duke mbajtur në sirtaret e parlamentit pa asnjë përgjigje dhe vendim siç edhe vijon të ndodhë, dekrete presidenciale për emërim në Gjykatën e Lartë, duke kryer emërime antikushtetuese në Forcat e Armatosura apo duke imponuar cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe zëvendësimin e drejtuesve të tyre me individë me karrierë të qartë politike e partiake”, nënvizohet në reagimin e presidencës. /F.S/