Ky është momenti

0
38

Skënder Minxhozi

Skënder Minxhozi

Një formulë kompromisi po merr shtat në një hapësirë të papërcaktuar mes zyrave të shtetit, selive të partive, grevës së urisë dhe rezidencave të huaja diplomatike në Tiranë, për t’i dhënë një fund krizës zgjedhore. Qëllimi imediat, të nxjerrë nga greva e urisë 200 deputetët dhe protestuesit e opozitës dhe të zgjidhë krizën elektorale. Qëllimi afatmesëm, ndoshta që të rregullojë edhe disa punë të tjera që vetë kriza imediate i kishte nxjerrë në periferinë e vëmendjes së opinionit publik. Paketa e përfolur në orët e fundit që thuhet se do t’u ofrohet palëve, përmban në fakt shumë prej atyre elementeve zgjedhore, me të cilat politika dhe mediat janë marrë gjatë këto muaj.

Pra, hetimin me short të një numri dokumentesh zgjedhore (jo të fletëve të votimit) që gjenden në kutitë, marrjen e një angazhimi të qartë se ky s’do të jetë një rinumërim, por thjesht hetim, si dhe (siç përflitet) gjetjen e një pike të përbashkët takimi për çështje të tilla si reforma e ardhshme zgjedhore, rinovimi i anëtarëve të Gjykatave Kushtetuese e asaj të Lartë, apo ndoshta edhe problemin e kandidaturave për Avokatin e Popullit, Prokurorin e Përgjithshëm, RTVSH etj., etj.

Kjo pjesë e dytë e këtij projekti ende në mendjet e ndërkombëtarëve, më shumë sesa në letër, duket si një element shtesë që synon t’i heqë disi marrëveshjes hijen e rëndë të përplasjes zgjedhore, si dhe të hedhë bazat për një paqëtim politik në vend edhe për javët e muajt e ardhshëm. Një negociatë e ethshme njoftohet mes ambasadave kryesore në Tiranë dhe dy partive të mëdha, pas së cilës do të mësohet nëse greva e urisë do të prekë kufijtë biologjikë të durimit të protestuesve, apo nëse do të ketë më në fund një pikë kthimi nga ky absurd nëntëmujor, që e ka hallakatur dhe e ka bërë zhele imazhin e Shqipërisë dhe reputacionin e politikanëve të saj.

Opozita e ka ofruar si kompromis hapjen e kutive me short gjatë bisedimeve në tryezën e Bamir Topit në shkurt, ashtu siç ka pranuar hapjen e tyre në qarqet për të cilat nuk ka vendime nga Kolegji Zgjedhor, ose edhe hapjen e kutive të materialeve shoqëruese, siç po flitet këto orë. Mazhoranca nga ana e saj ka vijuar të ngulë këmbë se asnjëra nga këto zgjidhje nuk përbën bazë për një kompromis, duke treguar me gisht Gjykatën Kushtetuese, Komisionin e Venecias apo edhe “ushtrinë” e 100 prokurorëve, që s’dihet sesi do të viheshin në lëvizje nga ekzekutivi apo legjislativi.

Rinumërimi nga një hetim i prokurorisë i kutisë së Ruzhdies, duket se i bëri edhe më refraktare pozicionet respektive, pasi shumica ndjeu konkretisht se një hapje e kutive mund të zbulonte zullumin e 28 qershorit, kurse opozita nuhati erën e suksesit politik mbi Berishën.

Në tetë muaj krizë janë hedhur në tapet të gjitha kombinacionet e mundshme për ta zgjidhur krizën elektorale. Çfarë shkruhet më lart s’ka asgjë të re në thelb, përveç faktit se tashmë litari i krizës është holluar aty ku s’mban më dhe se vendi ndodhet përballë një axhende tejet delikate europiane, e cila mund të përcaktojë shumë për të ardhmen e tij. Litari është holluar tej mase, tashmë në mejdanin e politikës s’ka mbetur më asnjë centimetër vend për të manovruar. Impakti i këtij kolapsi mund të jetë i pakthyeshëm shumë shpejt dhe Shqipëria duket e papërgatitur për t’u përballur me një krizë kaq komplekse, në një situatë të brendshme dhe të jashtme aspak rozë.

Që tani PD e PS të rikthehen në njërën nga skemat e kompromisit të mësipërm, ky s’përbën asnjë lajm. Përveç konfirmimit, edhe një herë më shumë, se klasa politike në Shqipëri është e paaftë për të gjetur vullnet politik dhe mirëkuptim për të zgjidhur çfarëdo lloj krize a kolapsi. Pse duhen 200 jetë njerëzish në ‘sininë’ e bulevardit, që qeveria të reflektojë më në fund mbi nevojën e një hetimi të plotë parlamentar? Pse duhet të injorojë kaq me cinizëm dhe mungesë sensibiliteti një Kryeministër, këtë paradë urie e dëshpërimi, duke bërë sikur poshtë dritares së tij nuk ka njerëz, por zhavorr?

Pse duhet nga ana tjetër që opozita t’i humbë zgjedhjet, për të kuptuar se ka vepruar në terr të plotë dhe në mendjemadhësi e naivitet, kur ka dhënë konsensusin para zgjedhjeve, për një reformë elektorale që sot po anatemohet si e keqja absolute? Gabimet dhe kokëfortësia e lidershipit politik kanë krijuar historikisht kosto në këtë vend. Ky është një rast flagrant i faturës së kripur që u duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët, për shkak të paaftësisë, makutërisë dhe verbërisë së udhëheqësve të saj. Kësaj radhe kostoja mund të jetë e pakthyeshme. Në rrafshin politik, social dhe financiar.

Nëse rifutja e Presidentit Topi në këtë negociatë të dytë, me shtysën e ndërkombëtarëve, do të rezultonte sërish pa sukses brenda fillimit të javës së ardhshme, skenarët e pritshëm mund ta bëjnë të duket si një periudhë e lumtur dhe e qetë, krizën e deritanishme. Shqipëria nuk e meriton këtë karfosje karakteresh të shtrembra në majën e shtetit. Meritojmë më mirë dhe më shumë. Meritojmë të dalim më në fund nga ky tunel 20-vjeçar, ku i jemi hakërryer njëri-tjetrit rregullisht në bulevard, për t’u fshehur më pas kur ka qenë puna për të shpëlarë çorbat që kemi gatuar. Nëse ka një moment për të thënë “Mjaft”, është pikërisht ky. Më vonë asgjë mund të mos hyjë më në punë.