Karsten Ankjær Jensen
Luis Tanushi
Bashkimi Evropian kërkon që të zgjidhet një president jashtë palëve politike, që të shpreh unitetin e popullit dhe frymën e Kushtetutës. Ambasadori danez, Karsten Jensen, përfaqësues i Presidencës daneze të Komisionit Evropian, është shprehur se nuk është e domosdoshme që presidenti i ardhshëm shqiptar të jetë politikan.
Sipas tij, mjafton të ketë integritet që të përmbushë kriterin e përfaqësimit të unitetit kombëtar. Ambasadori danez, i cili është i shquar për frymën e tij kritike ndaj qeverisë me mendime të shprehura hapur, në këtë intervistë i bie ndesh politikës që merret me kalkulime matematike të votave. Ai bën thirrje për “një president që të mos jetë zgjatim i qeverisë, por as i opozitës”.
-Si duhet të jetë presidenti i ri i shqiptarëve?
Mendoj se shqiptarët kanë nevojë për një president të pavarur, me integritet të lartë; që mund të jetë simbol i unitetit të qytetarëve dhe që mund të bashkojë popullin shqiptar.
A mund të jetë një president i tillë vetëm nga njëra parti, nga PD apo nga PS, apo duhet të kërkojmë një tjetër?
Nuk mendoj se lidhjet partiake domosdoshmërisht janë të rëndësishme. Nëse shihni historinë shqiptare, ju keni pasur presidentë që vinin nga parti të ndryshme që e kanë përmbushur detyrën për të qenë përfaqësues të popullit. Megjithatë, mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që të zgjerojmë këndvështrimin. Presidenti nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht një politikan. Unë mendoj se shumë njerëz në Shqipëri kanë integritetin e nevojshëm që të jenë mishërim i unitetit kombëtar dhe interesit kombëtar-
– Cili është profili që faktori ndërkombëtar mbështet për figurën e zyrtarit më të lartë të shtetit. Dhe a është e mundur që për herë të parë në historinë e Shqipërisë figura e presidentit të jetë një femër. A mund të kemi një presidente femër?
Sigurisht që mundeni. Nuk është çështje seksi, mendoj se nuk është as çështje moshe; unë mendoj se në të gjitha fushat, mes grave, mes të rinjve, mes të vjetërve, mund të gjeni njerëz që kanë integritetin e nevojshëm për të zënë këtë post.
A duhet të zgjedhim një president me 71 vota, apo me 84 të tilla?
Kushtetuta e thotë se si duhet të ecin procedurat, gjithsesi unë mendoj se është e rëndësishme të shihet edhe fryma kushtetuese. Dhe fryma është që personi që zgjidhet president duhet të përfaqësojë të gjithë popullin, ai nuk mund të jetë thjesht një zgjerim i qeverisë p.sh apo i opozitës. Dhe, e kam thënë edhe herë të tjera, mendoj se këto zgjedhje presidenciale do të jenë test për demokracinë shqiptare, kjo është një kohë kur Shqipëria mund të tregojë se e kupton vërtet sjelljen demokratike dhe dëshiron t’a mbajë vendin në rrjedhën demokratike.
Kandidat me “duar të pastra” për president
Si ta kuptojmë një kandidat për president me “duar të pastra”? Teza e hedhur në një intervistë të mëparshme nga Ambasadori danez Jensen, ka të bëjë me sa duket me shqetësimin e diplomatëve për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit nga radhët e politikës aktive, ose nga radhët e atyre që kanë qenë në politikë, por janë tërhequr. Në këtë prizëm, Jensen e shikon si shumë të rëndësishme zgjedhjen e një presidenti të pavarur dhe të “panjollosur”.
Edhe në një intervistë të mëparshme Jensen është shprehur se Shqipëria ka pasur disa presidentë të vlefshëm, që kanë mbrojtur pavarësinë e institucionit. “Mendoj se është në interesin jetësor të Shqipërisë që në korrik të zgjedhë një president me duar të pastra, të pandjekur nga e kaluara dhe e tashmja. Një president me të cilin të gjithë do të shtrëngonin duart dhe më e rëndësishmja të jetë një përfaqësues i të ardhmes së Shqipërisë dhe jo i të shkuarës,” ka thënë Jensen
Parlamenti do të caktojë jo më vonë se data 27 prill në kalendarin e punimeve axhendën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ndërsa procedurat për zgjedhjen e tij do të fillojnë jo më vonë se data 20 maj.
——–
Jensen, ambasador i Danimarkës në Shqipëri, në të kaluarën ka punuar drejtor departamenti në një nga drejtoritë e Ministrisë së Jashtme të Danimarkës dhe në misione diplomatike. Ka studiuar fillimisht në Universitetin e Aalborg dhe më pas në Universitetin e Konektikat-it