Don Robert JAKAJ: Zbulimi i bustit “Atë Gjergj Fishta” në Jagodë

0
44

Klinë më 12 Prill 2012

Më 12 Prill në fshatin Jagodë të Klinës në oborrin e Shkollës Fillore “Atë Gjergj Fishta“ nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, ku merrnin pjesë personalitete të shumta, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, nga Ipeshkvia e Kosovës, nga Bashkësia Islame në Klinë, studiues, arsimtar, nxënës e qytetarë të shumtë, por në mesin e tyre edhe nga Lezha e Shqipërisë dhe nga diaspora, të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të Bustit të Atë Gjergj Fishtës. Më këtë rast u tha se Atë Gjergj Fishta me veprimatarinë e tij fetare, politike, diplomatike, filozofike dhe letrare u bë një nga figurat më të rëndësishme të letrave shqipe dhe i çështjes sonë kombëtare. Ai ishte dhe mbetet Homeri i letërsisë shqipe.

Tash e tutje shkolla e fshatit Jagodë të Klinës, do të ketë pamje më të mirë me bustin e venë të njërit ndër figurat më të çmuara të Rilindjës sonë kombëtare, Atë Gjergj Fishtës, i cili nga të pranishmit me rastin e zbulimit të bustit të tij është konsideruar si personi i cili ka bërë unifikimin e shqiptarëve.

Z. Sokol Bashota, Kryetar i Klinës, nën patronatin e të cilit u mbajt ky manifestim, tha se është nder që një shkollë e Klinës ta ketë bustin e këtij kolosi të letrave shqipe, i cili bëri që bota t’i njeh shqiptarët si komb.“Kontributi i Atë Gjergj Fishtës, përkushtimi i tij ishte që të na mësojë germat e para të gjuhës sonë plot vlerë , të na mësojë se si duhet atdheu dhe si duhet të luftohet e punohet për të”, tha Bashota.

Ndërsa Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë se Kosovës, Dr. Don Lush Gjergji, përkujtoi se figura e Gjergj Fishtës gërshton në vetë atdhedashurinë, filozofinë, letërsinë dhe humazmin.
Megjithatë ka lavdëruar veprën e Fishtës dhe me pas ka kritikuar disa qarqe që po mundohen të ulin vlerat e njerëzve të mëdhenj shqiptarë.

“Sot nuk janë më të tjerët që na sulmojnë e pengojnë, por jemi ne, disa prej nesh, të cilët edhe personalitetet e mëdha historike i vënë në dyshim duke u nisur nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nënë Tereza e Gjergj Fishta, si një vetëvrasje historike, shpirtërore e kulturore, si përdhosje e historisë dhe rrezikim i së tashme dhe së ardhmes”, është shprehur Don Lush Gjergji.
Z. Viktor Tusha, kryebashkiaku i Lezhës së Shqipërisë, tha:

“Ardhja ime sot është e veçantë, pasi që vij bashkë me një bashkëqytetar që quhet Atë Gjergj Fishta, i cili tashmë edhe pa monumente është i madh, por me këtë sot i bëjmë nder atij siç na bëri ai neve vite të tëra për kontributin e madh në lirinë e Shqipërisë”. Gjithnjë sipas tij Atë Gjergj Fishta ishte përkrahës i flaktë i shqiptarizmës, të cilën e gdhendi me pendën e tij, duke e vënë në analët botërore.

Poashtu Tusha i ka përgëzuar nismëtarët dhe gjithë ata që kanë kontribuar për ngritjen e këtij busti si një transmetim vlerash për brezat që vijnë.

Ndërkohë Zëvendës Ministri i Drejtësisë, z. Daut Xhemajli, që përfaqësonte Qeverinë e Kosoves e ka vlerësuar Fishtën si personalitet profetik të kulturës shqiptare i cili më krijimtarinë e tij ishte i gjithanshëm. Sipas tij Fishta krijoi rrugën e unitetit shqiptar për fe dhe atdhetari. “Atë Gjergj Fishta dha një kontribut të madh në hartimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit dhe ishte një edukator në rrugën e qytetërimit evropian”, tha Xhemajli.

Gjatë këtij manifestimi si mysafir special ishte i pranishëm edhe njëri nga artistët më të mëdhenj që Shqipëria ka, z. Reshat Arbana. Është i njohur nga të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, i cili me një personalitet të jashtëzakonshëm, me cilësi artistike e frymëzim të madh interpretoj vargjet e kolosit, Atë Fishtës.

Në vazhdim me kumtesa shkencore për jetën dhe veprimtarinë e Atë Gjergj Fishtës u paraqiten edhe krijuesit Prof. Prend Buzhala nga Klina dhe Prof. Dr. Anton Nikë Berisha nga Italia. Ideator për ndërtimin e bustit të Atë Gjergj Fishtës OFM ka qenë famullitari i vendit Don Robert Jakaj, ndërsa kontributi është bërë nga vëllezërit Pal e Pren Nikollaj, bashkatdhetarë shqiptarë nga fshati Jagodë, por që punojnë dhe jetojnë në SHBA, ndërsa merita kryesore i shkon edhe skulptorit të mirënjohur Prof. Gani Bajraktari i cili diti ta punoi bustin me një mjeshtri të jashtëzakonshme.

Jagodë, 12.04.2012

Publikue në: http://kosova.albemigrant.com/?p=7104