Greva e urisë, ora e rërës

0
38

Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka, 07.05.2010

NË RESPEKT TË VETVETES

Batica njerëzore e 30 prillit dhe dinamika e shpejtë e situatës bën që politika të mos e ketë më luksin e kohës në shtyrjen pafund të zgjidhjes së rebusit të votës së 28 qershorit.

Në emër të lirisë, të respektimit të ligjit, por dhe të solemnitetit të shumë njerëzve kurajozë dhe me integritet që me grevën e urisë po i bien fort kambanave për urtësi, kurajë dhe burrëri në politikë, konsensusi duhet të jetë imediat.

Greva e urisë, si formë proteste demokratike, ekstreme për dikë, por civile, qytetare e dinjitoze deri në amshim për të gjithë, meriton respektin e vëmendjen e të gjithëve, sepse askush nuk mundet të shpërfillë lajtmotivin e saj – lirinë, për të cilën ndoshta për inerci demokratët janë më të ndjeshëm teksa sakrifikuan të parët për të.

Respekti për lirinë, qoftë kjo e votës apo më tej, është respekt dhe dinjitet për veten, kusht esencial për respektim prej të tretëve. Drejt Perëndimit që synojmë na duhet dinjitet dhe ai na respekton nëse respektojmë vetveten dhe ajo fillon nga respekti ndaj lirisë.

VOTIME “MË TË MIRA” – KREDI APO DEBI POLITIKE?

Vota është e para. Ajo delegon përgjegjësi dhe imponon përgjegjshmëri. Nëse jo e lirë, ajo mund të shndërrohet në alibi të abuzimit dhe demagogjisë pa limit. Nëse e dyshimtë ajo domosdo do sqarim.

Opozita nuk mund të intimidohet, sepse dyshon. I mbetet shumicës ta provojë që ajo është në gabim në dyshimin e saj përmes një hetimi sipas termave të vetë opozitës që konfirmon mirëbesimin reciprok të domosdoshëm për ecurinë e reformave demokratike në vend.

Votimet e 28 qershorit, pranohen tashmë nga të gjithë se ishin një shans i humbur për një vend të NATO-s për të dëshmuar maturi zgjedhore integrale. Të bësh votime “më të mira” se të mëparshmet nuk mund të shërbejë si medalje për klasën politike në përgjithësi dhe pushtetarët në veçanti.

Mbresa, në të kundërt, nuk ka qenë inkurajuese si për shoqërinë shqiptare që inspiron normalitet demokratik dhe shpejt ashtu dhe për miqtë dhe sponsorët tanë perëndimorë që investuan mbështetje dhe besim pa limit deri dhe përtej meritës sonë.

Votime “më të mira” nuk është kreditim për një klasë politike, por pohim se kësaj shoqërie, klasa politike në përgjithësi dhe ajo në pushtet në veçanti, i ka ende borxh, borxh ky që pas 20 vjetësh, sado i vogël të paraqitet, flet shumë për ndjeshmërinë në rritje demokratike të vendi anëtar të NATO-s.

Për më tepër, kur është kaq vështirë të identifikohet se ç’masë e këtij përmirësimi të procesit zgjedhor mund t’i atribuohet performancës së pushtetit dhe sa inercisë së viteve.

“BYPASS” LEGAL

Ndërsa opozita ka moralin më sublim me vete kur kërkon zhbirimin e procesit zgjedhor dhe askush nuk mund të mos dojë çfarë ajo kërkon, përtej insinuatave dhe akuzave të saj ndaj shumicës që e kanë fillimin tek vendimi minimalisht joprofesional i Komisionin Qendror Zgjedhor dhe inercisë së mëtejshme në Kolegjin Zgjedhor, duke i dhënë avantazhin e dyshimit, edhe mazhoranca ka të drejtën për të pohuar sinqeritetin e saj për ta bërë publike, nëse e mundur, transparencën zgjedhore, në mos të tjerave për të konfirmuar për mendjet më skeptike fitoren e saj dhe për të lançuar e qetë më tej programin e saj qeverisës për vitet në vazhdim. Nëse realiteti është ky, atëherë ka konvergjencë për transparencën e votimeve, ndërkohë që debati mbetet në formën e realizimit të saj.

Duke besuar në vullnetin e shumicës, nëse ajo vërtet beson se i ka duart e lidhura prej vendimeve të gjykatave, për hir të vlerës superiore të lirisë së informimit, ajo mund dhe duhet të iniciojë, tashmë me urgjencë në kushtet e grevës së urisë, iniciativat e saj për “bypass” legal të tyre deri në lançim zgjedhjesh të parakohshme nëse e nevojshme, nëse për të vërtet shteti është më i rëndësishëm se pushteti në një kontekst kur vendi po “ndahet” më dysh dhe opozita e shpërfillur në ekstrem prej saj nuk zgjedh, por detyrohet drejt masave më ekstreme për sensibilitet të kauzës së saj.

NUMËRIMI MBRAPSHT

Topi tashmë është në fushën e shumicës parlamentare, por loja nuk mund të zgjasë shumë, sepse ora e rërës tashmë është përmbysur nga grevistët e urisë. E fundit që nuk shkon dhe nuk pritet është shpërfillja deri në karshillëk ndaj protestës së opozitës.

Diku një koncert, diku një fjalim jo vetëm që nuk rrisin domosdoshmërisht asetin politik të shumicës, por mund të komprometojnë panevojshmërisht atë, sepse përballë një mase protestuesish kryeparulla e të cilave është “dua të shoh votën time” apo “duam punë” mund të ngjallë komente një masë tjetër njerëzore që indirekt për kompensim nënkupton parulla krejt të kundërta.

Ndërsa askush nuk kundërshton transparencën, koha nuk pret për ta bërë atë. Detyrimin për të e ka së pari mazhoranca.

Dhe bashkë me të dhe shansin që historia i jep sot asaj për të krijuar një precedent demokratik dhe inkorporuar kredon politike që shoqëron çdo veprim që normalizon demokracinë në këtë vend me shtrirjen e dorës ndaj opozitës që tashmë e ka bërë sfidën e saj.

Koha nuk kërkon martirë të lirisë, por burra shteti sikur u dëshmua nga ana e opozitës dhe liderit të saj një vit më parë me integrimin në NATO, pavarësisht kontekstit social dhe politik në vend, përvjetori i së cilës sot për ironi monopolizohet dhe instrumentalizohet përkundrejt të njëjtës opozitë që kontribuoi aq shumë në të.

Të gjithë jemi në një barkë dhe fatin e kemi të njëjtë. Për hir të atyre që me koshiencë nuk stepen sot të sakrifikojnë deri dhe jetën për lirinë pa kushte, për hir të brezit të ’90-të që bëri histori, duke e kurorëzuar lirinë politike që sot gëzojmë të gjithë, për hir të atyre që vinë më pas dhe do ta mësojnë këtë ngjarje përmes teksteve të historisë, koha thërret për urtësi dhe kompromis. Të gjithë mund të jemi fitues.