Pas deklarimeve të Berishës, ja 5 kushtet për heqjen e vizave me SHBA

0
44

Nga Muhamed Veliu, TCH, 17 Maj 2013

Pas deklarimit të 3 ditëve më parë nga Durrësi se qeveria shqiptare do të punojë për hequr vizat me SHBA, Top Channel e pyeti kryeministrin Berisha gjatë konferencës për shtyp në Korçë, se si mund të realizohet kjo.

“Ambasada amerikane ka thënë një të vërtetë. Do të kërkojmë edhe ndihmë për të plotësuar kushtet dhe do të na ndihmoni, sepse është një marrëdhënie më e veçantë, nuk them se është speciale, por miqësore. Shtetet e Bashkuara kanë një vullnet për të na ndihmuar. Ne do të punojmë, do të marrim listën e kritereve”, ka deklaruar Berisha.

Pavarësisht premtimit për dedikim të kryeministrit Berisha, nëse ai fiton një mandat të tretë qeverisës, në realizimin e kërkesave që duhet të përmbushë Shqipëria për të hequr vizat, realiteti i procedurave duket tejet strikt.

Në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, seksioni i vizave, sqarohen me detaje se cilat janë 5 kushtet për t’u bërë pjesë e programin “Waiver”, i cili deri më tani i ka mundësuar 37 vendeve lëvizjen drejt Amerikës pa viza.

Kushti i parë dhe më i vështirë momentalisht për Shqipërinë mbetet shkalla e lartë e refuzimit të vizave prej ambasadës amerikane në Tiranë, i cili për vitin 2012 ishte 40.5% e aplikantëve, ndërkohë që për të përfituar nga program Waiver, ky refuzim duhet të jetë 3%.

Në 6 vitet e fundit, statistikat e Departamentit Amerikan të Shtetit na tregojnë se niveli i refuzimeve të vizave është konstant mbi 35%.

Numri më i madh i refuzimeve është shënuar në vitin 2006 me 54.5%, pasuar nga viti 2007 me 49,5%. Nivele disi më ulëta refuzimi ka në vitet 2008 deri 2010, ndërsa kurba e refuzimeve vijoi të rritet për 2011-ën dhe vitin pasardhës.

Albania 40.5% 2012
Albania 42.3% 2011
Albania 37.7% 2010
Albania 39.6% 2009
Albania 38.7% 2008
Albania 49.5% 2007
Albania 54.5% 2006

4 kushtet e tjera që duhet të plotësojë një vend për të hyrë në programin Waiver janë:

1- Shkëmbimi i të dhënave mes agjencive të sigurisë dhe atyre amerikane.
2- Pasjen në përdorim të pasaportave me standardin e-Passports.
3- Shkëmbimin e informacionit për pasaportat që prodhohen, ato që lëshohen, përfshi ato të humbura apo të vjedhura.
4- Ekzistencën e agjencive me standardet më të larta në luftën kundra terrorizmit, ato ligjzbatuese, përfshi ato të ruajtjes së kufirit.

Megjithatë në faqen e Departamentit të Sigurisë Kombëtare theksohet se pavarësisht se shtetet i plotësojnë kushtet e kërkuara nga qeveria amerikane, kjo nuk është një garanci absolute për heqjen e vizave.

Por çfarë është programi i vizave Waiver?

Në të përfshihen të gjithë ata persona që duhet të pajisen me vizën e tipit B për qëllim vizite në SHBA lidhur me turizmin apo biznesit për 90 ditë u jepet e drejta të mbërrijnë në Amerikë pa vizë nëse përmbush disa kushte të hartuara nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Për të udhëtuar nëpërmjet programit Waiver qytetarët duhet të jenë të regjistruar në sistemin e autorizuar ESTA përpara se të hipin në bordin e avionit.

Ky sistem siguron legjitimitetin e udhëtarit drejt USA.

“Programi i Udhëtimit pa Vizë (Visa Waiver Program) sanksionohet me ligj dhe ekzistojnë një numër kërkesash statutore që duhen plotësuar përpara se një vend të merret në shqyrtim për anëtarësi në VWP.

Ligji aktual kërkon që vendet të kenë një nivel refuzimi vizash për vizitorë prej më pak se tre përqind dhe të hyjnë në marrëveshje për të bashkëndarë mes tyre të dhëna për udhëtarë që paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara, ndër kërkesa të tjera.

Niveli i refuzimit në Shqipëri për vitin fiskal 2012 ishte 40.5 përqind”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane në Tiranë dërguar Top Channel.