Një sms për vajzat e grevës

0
43

Hervin Çuli

Hervin Çuli, 06.05.2010

Dilema të mëdha mbartin këto ditë të nxehta. Greva e urisë e 200 qytetarëve, në emër të votës së lirë,ka bërë që vapa e parakohshme të ndjehet më tepër! A bënë mirë socialistët që shkuan deri në vetëflijim? A ka një fund të lumtur e gjitha kjo? Po Berisha do të tërhiqet nga barrikada e tij? Po me dritat, si do t’ia bëjmë? Po me taksat? Po me ilaçet? Po me bukën, në fund të fundit?

Partia në pushtet thotë se rritja jonë ekonomike, sipas statistikave, është e lavdishme. Por njerëzit nuk hanë statistika, nuk paguajnë statistika në vend të dritave, nuk pinë statistika në vend te ilaçeve…! Ku jemi pra? Përveç daljeve të vazhdueshme në manifestimet e pasdites në mbështetje të grevistëve, pulti i televizorit më është çmendur nga kalimet e njëpasnjëshme në bisedat politike apo edicionet e lajmeve.

Nuk kam lënë asnjë aktor publik, pa e dëgjuar me vëmendjen më të madhe, me shpresën se mendimet e urta do të dominojnë skenën politike. Por fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh! Podiumet politike dhe mediatike janë mbushur me politikanë të rinj, me një cinizëm për t’ua pasur zili dhe vetë Udhëheqësi. Të gjithë në një vrimë i bien! Nuk i hapim kutitë sepse shkelet Kushtetuta. Thua se Kushtetuta është Bibla që ata e vendosin nën jastëk, pasi i janë falur për çdo natë! Po nëse nesër do të ishim përpara një lufte që do të kushtëzohej vetëm nga ndryshimi i Kushtetutës!? Mos vallë Udhëheqësi do të flijonte mijëra e mijëra jetë, sepse kështu na thuakërka Kushtetuta!!!???

Edhe po të dëgjosh ata që kanë larë duart me gjak në kohën e Enverit, refreni i përhershëm i justifikimit për krimet e tyre është: “Kemi zbatuar ligjet e kohës”. “Ashtu ishte sistemi” – thonë ata. Sikur nuk ishin ATA njerëzit e asaj kohe, siç janë dhe KËTA të kësaj kohe që i bëjnë ligjet. Dhe mendja të vjen vërdallë, kur dëgjon se ligji nuk të lejoka të kontrollosh funksionimin e demokracisë që si gërmën e parë të alfabetit, ka atë dhe vetëm atë, VOTËN E QYTETARIT. Por tmerri më i madh është se, ata që përditë kanë përdhunuar ligjin si një togë ushtarësh të uritur për seks, flasin në emër të tij, dhe “zot na ruaj” në emër të moralit.

E pra në vend të të urtëve që gjejnë rrugëzgjidhje, Partia në pushtet fton në skenë Lenka Cukot e saj. Nuk e di në i ngjan nga fytyra aktorja Rajmonda Bulku, kooperativistes Lenka, por nga gjuha dhe niveli janë padyshim njësoj. “Kooperativistja” do jetë bërë me të vërtetë xheloze, kur e sheh veten të klonuar dhe të kuruar pas njëzetë e kusur vjetësh. Të presësh me padurim të gjendet një zgjidhje dhe përkundër të të ofrohet roli më i keq i një aktoreje të paaftë, kjo është të zësh kokën me duar.

Kam menduar shpesh këto orë të nxehta se greva e urisë është shumë delikate dhe ndofta një ekstrem që mund të ishte kursyer nga organizatorët, edhe pse kanë monopolin e së drejtës. Por sapo ndërgjegjja merr kohën e reflektimit, ja behin duke të nxirë ekranet gjindje të tilla, që në vend të urtësisë ofrojnë injorancën më të thellë. Këtu, UNI kapriçoz i njeriut të lirë irritohet, dhe përfundimisht kupton se paska ardhur dita e së vërtetës. Dhe falë zotit, Edi Rama e paska kuptuar këtë shumë mirë. Falë Zotit, po e kuptojmë ngadalë- ngadalë edhe të gjithë ne. Nën petkun e humanizmit, një nga aktoret me nivelin më të ulët artistik dhe intelektual, gërmëzon në një konferencë shtypi rolin më të dobët të karrierës së saj.

Fatkeqësisht është edhe i vetmi që do t’i mbahet mend. Është i vetmi që do të mbahet mend, sepse nga padija, fisnikërinë e quan skllavëri. Është i vetmi që do të mbahet mend, sepse nën drejtimin amatoresk të Zhozit, “aktorja Bulku” nuk mund ta kuptojë se FJALA bëhet e vërtetë dhe emocionuese, jo nga mënyra si e thua, por nga mënyra se si e mendon. Ndaj teksti i shkruar nga Zhozi dhe i lexuar si mos më keq nga Bulku, tingëlloi i neveritshëm dhe i denjë për t’u qëlluar me vezë nga spektatori. Është i vetmi që do të mbahet mend, sepse as syzet nuk mund të krijojnë një figurë artistike të besueshme, po nuk u lidhën organikisht me peshën e mendimit që i përfaqëson.

Është i vetmi që do të mbahet mend, sepse ka guximin të fyejë disa vajza, që për nga shkollimi dhe formimi peshojnë më rëndë se një tabor me Rajmonda apo Çiljeta. Si “nënë dhe familjare shembullore”, kjo zonjë që sot është në piramidën ku vendosen fatet tona, ka guximin të na pështyjë të gjithëve në fytyrë. Kjo është të fyesh në mënyrën më të paskrupullt inteligjencën e një populli që lëngon. Kjo do të thotë, që ka ardhur koha t’i qasemi një qytetërimi tjetër, përkundër atij anadollakut që ka si parim moton: “shpif shpif se diçka do të mbetet”. SATRAPI i njeh mirë veglat e veta. Sa më injorant të jesh, aq më shumë i shërben gërhimës së tij. Por ai nuk mund t’i mësojë bagëtisë, artin e gënjeshtrës pa të bërë syri tërr, që e zotëron me një talent të paimagjinueshëm.

E pra më vjen turp, që Oltës i shkrova vetëm një sms, që Enkelejdës, shoqes time të dikurshme të klasës, nuk ja kisha numrin e celularit, që Klodin nuk e vizitoja dot në spital…. Sot kam mundësi që duke sfiduar frikën t’ua transmetoj përkrahjen dhe respektin tim nëpërmjet mediave. O sot, o kurrë! Të gjithë duhet të jemi aty. Kjo është një betejë që Satrapi nuk mund ta fitojë në asnjëlloj mënyre, sepse pastaj jo vetëm kutitë nuk do të hapen, por dhe kutia e jetës sonë do të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Nëse ai fiton këtë betejë, do të nënshkruajmë të gjithë sëbashku kapitullimin ndaj diktaturës dhe diktatorëve. Nëse do të fitojë ai, vetëm dallkaukë, spiunë e puthadorë do të rriten në këtë vend. Nëse fiton AI, nuk është çudi që nesër të gjendemi në burg, po përmendëm fjalën “Liri”.

Vajza: Fëmijët tuaj do të jenë krenarë për sakrificën e nënave të tyre. Do të ndjehen krenarë sepse do të jetojnë në një vend të lirë, ku nuk ka më Sali Berisha që i shoqërojnë. Prandaj, të gjithë duhet të jemi në shesh me sloganin “Hap Kutitë”, që në thelb nuk ndryshon me kumbimin e 20 vjetëve më parë, kur gjëmonte i bekuari togfjalësh LIRI- DEMOKRACI! Kjo verë do jetë vërtetë e nxehtë! Do të jetë një verë tipike Indiane! Tipike Gandiste!