Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Kryeministri i vendit Sali Berisha urdhëroi në minutën e fundit deputetët e partisë demokratike në delegacion ndërparlamentar të Integrimit në Bruksel të mos nënshkruajnë deklaratën e përbashkët mes BE dhe Shqipërisë, që pasqyron detyrimet që ka Shqipëria në plotësimin e kushteve si vend kandidat për anëtarë të BE. Sipas një prej europarlamentarëve, zotit Victor Bostinaru, kompromisi u arrit me të dyja palët, por në fund zoti Beja pati një telefonatë nga Tirana dhe bllokoi negociatat.
Ky gjest ka alarmuar zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian pasi konsiderohet si rast i paprecedent që një vend, i cili kërkon të anëtarësohet në BE, të mos marrë përsipër detyrimet që i burojnë nga ky proces. Mbi të gjitha është e rënde që njeriu, i cili vrapoi me një dosje nën sqetull, i vetëm një vit më parë të dorëzonte me ngulm dhe kundër vullneti të BE kërkesën në Pragë, tani që duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për këtë proces urdhëron mos firmosjen e deklaratës nga ku burojnë këto detyrime.
Ky gjest mund të ketë kosto të rëndë për Shqipërinë, pasi mund të ndikojë te një opinion negativ i Komisionit për hapjen e negociatave. Ajo që zoti Berisha ka llogaritur me këtë gjest, është acarimi i skajshëm i marrëdhënieve dhe përpjekja për t’ia faturuar krizës politike, provokuar nga opozita, mbetjen e Shqipërisë jashtë dyerve të Evropës. Pasi u sigurua se liberalizimi i vizave është një proces teknik dhe nuk varet nga kriza politike, Berisha duket se nuk është relativisht i interesuar për të avancuar në procesin e integrimit, pasi me standardet ku e ka çuar shoqërinë shqiptare, ai do të detyrohet të dorëzojë një nga një pushtetet e paligjshme që ka fituar përmes represionit dhe shkeljes së ligjit.
Sot Shqipëria është republika e vetme evropiane, qeveria e së cilës nuk ka respektuar dhe nuk ka zbatuar asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit kundër saj, është republika ku liria e medias përkeqësohet me nga 8 shkallë për çdo vit, ku liria ekonomike njeh rënie dhe korrupsioni dhe trafiku i drogës kanë pesëfishuar pushtetin e tyre.
Kjo republikë natyrisht që e ka të vështirë të disiplinohet në strukturat evropiane ku duhet të hyjmë. Kryeministri Berisha i gjendur mes krizës me opozitën dhe detyrimeve për t’u sjellë si lider perëndimor, ka zgjedhur të shtyjë në kohë portretin e tij perëndimor dhe të vazhdojë të sillet me opozitën dhe krizën politike si një feudal i vogël, i cili nuk lejon t’i preket sovraniteti i principatës së vet, as nga Bashkimi Evropian.
I bindur se do të dështojë në këtë proces, ai kërkon të përfshijë BE në anën e vet për të mposhtur një herë opozitën në Tiranë dhe pastaj t’i hapë rrugë procesit të integrimit. Bllofi i tij i djeshëm në Bruksel kur me një telefonatë anulon gjithë negociatat mes BE dhe Shqipërisë, i ngjan pak a shumë sjelljeve të diktaturave të fundit në Ballkan, të cilët delegacionet parlamentare i konsiderojnë thjesht kukulla, që komandohen me telefona. Dhe ky detaj mjafton më shumë se çdo raport ndërkombëtar për të kuptuar në Bruksel kush qeveris në Tiranë.