Ardian Klosi, 05.05.2010
Heinrich Heine dhe dy shqipëruesit e tij të mirënjohur, Poradeci dhe Schwartz.
Problematika dhe kufijtë e përhershëm të përkthimit poetik: një fushë e bukur apo një këmishë ngushtuese?
Muzikalitet, ritëm i brendshëm apo përkthim literal, origjinalitet apo besnikëri e detyruar?
Katër vjet më parë dëshironim të përkujtonim si Shoqatë gjermano-shqiptare e kulturës „Robert Schwartz” Heinrich Heinen, poetin e madh të Gjermanisë, në 150-vjetorin e vdekjes. Për kolanën poetike që desha të hartoja me këtë rast, natyrisht që mendimi i parë ishte te “Gjermania. Përrallë dimri”, më i shquari poem satirik-filozofik i mërgimtarit të Parisit që ai e shkruante për atdheun e tij pasi e vizitoi në vitin 1844. Dhe natyrisht që si tekst për aktorët duhet të merrja përkthimin e njeriut që i kishte dhënë emrin Shoqatës, kolegut e mikut Schwartz.
Por duke kërkuar në skedat e Bibliotekës Kombëtare shoh që veç këtij shqipërimi, botim i vitit 1990, ekzistonte dhe një “Gjermania. Përrallë dimri” tjetër, botim i vitit 1959, po nga “Naim Frashëri”, nën shqipërimin e Lasgush Poradecit.
Me thënë të drejtën s’kisha patur dijeni. Ndoshta tirazhi i vogël i botimit të atëhershëm, ndoshta aludimet e shumta për fakte të Gjermanisë së messhekullit 19, ose dhe arsye përkthimi e kishin hedhur këtë libër shpejt në harresë. Libri që ndodhet në BK ishte krejt i shkalafitur nga përdorimet, emri i përkthyesit aty në f. 2 me gërma fare të vogla.
Mirëpo ai nuk mund të shpërfillej. Midis kolegut dhe pagëzorit të Shoqatës Schwartz dhe Lasgushit, njërit prej poetëve kryesorë të shqipes në shekullin e 20, po aq përkthyes-mësues, nuk ishte e lehtë të zgjidhje ose të lije, të mënjanoje ose të nxirrje në pah.
Për më tepër bëhej fjalë për një mbrëmje letrare ku tekstet do t’i lexonim së bashku me aktorët Timo Flloko dhe Ema Andrea, pra jo për një botim me riprodhim të madh, por një deklamim poetik në një mbrëmje të vetme ku në fund të fundit rëndësi kishte përkthimi i saktë dhe fjala e bukur. Nga ana tjetër, prej kësaj vepre që përbëhet prej 27 kapitujsh me afër 500 strofa katërvargëshe gjithsej, do të merreshin vetëm disa episode të caktuara, jo më shumë se gjithë-gjithë 100 strofa.
Kështu vendosa që t’i vështroja gjatë punës të dyja shqipërimet. Kjo punë më nxori në disa përfundime që vlejnë të shtjellohen këtu, pasi kanë të bëjnë me problematikën dhe kufijtë e përhershëm të përkthimit poetik: një fushë e bukur apo një këmishë ngushtuese? muzikalitet, ritëm i brendshëm apo përkthim literal, origjinalitet apo besnikëri e detyruar?
Në një vështrim të parë shqipërimi i Schwartzit lexohej rrjedhshëm e pa shumë pengesa, kurse shqipërimi i Lasgushit donte më shumë punë, por edhe erudicion pasi p.sh. të gjitha fjalët frëngjisht ishin lënë frëngjisht, pos që emrat e përveçëm ishin lënë të gjithë, me grafi si në origjinal.
Një lexim më i kujdesshëm dhe krahasimi me origjinalin më tregoi se nga shqipërimi i Lasgushit nuk mund të hiqej dorë. Në tërësinë e vet ky përkthim i qëndronte më besnik Heines, veç kësaj një numër zgjidhjesh poetike ishin të mrekullueshme. Në tërësinë e vet shqipërimi i Schwartzit lexohej rrjedhshëm. Por nuk mund të niseshe me përshtypje të përgjithshme, gjithçka duhej matur me origjinalin.
Dhe kështu pas krahasimit të imtë, duke marrë herë një strofë prej njërit poet herë prej tjetrit, herë duke lëmuar vargje të caktuara, herë duke përkthyer strofa të tjera krejt mirëfilli, i bindur se i afroheshe ashtu autorit më mirë, doli së fundi një tekst që mund të kishte të meta të ndryshme, si bie fjala mungesën e një fryme a një dore të vetme (me të mirat dhe kusuret e saj!), por në tërësinë e vet ishte shumë pranë origjinalit dhe kishte një rrjedhshmëri e ritëm të brendshëm që nuk mund të qortohej…
Këtë e provuan edhe suksesi dhe përsëritjet e mbrëmjes në disa raste – tri herë të tjera në Tiranë dhe një herë në Ulqin – reagimi i publikut në deklamimet e Timo Fllokos, që kishte rolin e poetit, dhe dialogët e tij me Ema Andrean, ku kjo luante herë nënën e poetit e herë perëndeshën mbrojtëse të Hamburgut, Hamonian.
Dy shqipërues kaq të nderuar, njëherëshi mësues, njëri dhe poet i rrallë, patjetër që do të ma ndjenin atë amalgamë që krijova me “Gjermania. Përrallë dimri”.
Secili prej tyre përkthimin letrar e ka bërë në kushte të vështira, sidomos Lasgushi, që përktheu pas Lufte lirikë të shumtë rusë, gjermanë, rumunë, francezë etj. thjesht për të mbijetuar, pasi si shkrimtar nuk mund të jetonte më, ca më keq nuk mund të shkruante i lirë.
Schwartzi shqipërimet letrare i bënte në orët e vona të natës pasi gjithë dita i shkonte, edhe atij për arsye mbijetese, me përkthime veprash të udhëheqësit dhe kashte tjetër propagandistike.
Në kushte normale, sikur t’ua kishin lënë gjithë kohën e duhur për përkthimin e kësaj kryevepre të poezisë e të satirës, sot do të kishim dy variante të “Gjermanisë” në shqip që do t’i kishin qëndruar kohës mjaft mirë e s’do të kishte qenë nevoja të vinte një i tretë për të nxjerrë rezultanten më të mirë prej të dyjave.
Pavarësisht nga këto rrethana historike, le të vimë te karakteristikat e secilit përkthyes pasi ato dhe na interesojnë më shumë:
Lasgushi përkthen me masë e me shije poetike të veçantë. Ai e respekton më së miri metrikën e origjinalit, siç thamë katërvargësha tetërrokësh ABAB, ku rimat janë vetëm BB, shpesh në mënyrë lakonike duke i gjetur këto rima pa sforcim të madh e pa tradhti të madhe ndaj origjinalit. Po sjellim ndonjë shembull:
Një vashë e vogël harpës i bij.
Këndonte me zemrën plotë
Dhe zërin fals, po u preka fort
Nga këng’ e saj fjalëngrohtë.
ose
Kur ardha te zonja mëmë, ajo
U tremb prej gazit q’e zuri;
Thërriti befas: “O biri im!”
Dhe të dy duart i thuri.
Sot që lexojmë këtë përkthim të Lasgushit ndiejmë hijeshinë e papërsëritshme të gjuhës së tij që përbëhet në radhë të parë nga fjalët e shumta popullore dhe nga trajtat e veçanta dialektore, të cilat ai i fut me vetëdije të plotë, madje edhe duke na tërhequr vëmendjen me poshtëshënime që aksh fjalë përdoret në Pogradec.
Ja disa shembuj fjalësh, për shumicën e përdoruesve të panjohura: sheputka, kokonka, tagarkë, pepellashë, qimegjalla (një lloj krimbi), torozhen (një lloj shpendi), shi tonét (dmth. i butë, Pogradec), kllanik (vatër, Pogradec), rruskudan (pallavraxhi, Pogradec) etj.
Ja disa nga trajtat e shumta të toskërishtes verilindore: mbesoj, mproj, medje, vojtje, tashinë (për tashti), i qojtur, i letë, gas, sundovi, ardha, shij (për shihte), pshteti, mos u këthe, zëmbak, robe, dërmoj etj. etj.
Mirëpo sa është i kujdesshëm për të futur në shqipërim fjalë nga qyteti i tij amtar ose për të dhënë një strofë që i pëlqen veçanërisht, e që mund të jetë një situatë lirike, një trishtim dashurie, përshkrim natyre etj., aq dhe nuk kujdeset por ecën shpejt kur duhen dhënë situata politike, të ngarkuara me aludime për personazhe dhe fakte të kohës. Ja ndonjë shembull strofash që është e vështirë t’i kuptosh po nuk e njohe Gjermaninë e periudhës së pararevolucionit të 1848s:
Sa kavaleresk! na vjen në kujtim
romantizmi që vate e iku,
Kastelana Jeanne de Montfaucon,
Baroni Foqué, Uhland, Tieck-u
Po, po, më pëlqen përkrenarja, dëshmor
Për frymë naltmadhërore!
Një mbretërore spiritë ajo ish,
Me pointe, majuckë thumbore.
Kur mbërritëm si brez i fundit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet 80, ishin proverbiale komentet e Lasgushit, zakonisht në vargje, për normën në përkthim, së cilës i nënshtroheshin veç tij edhe të tjerë emra kaq të nderuar të letrave tona si Mitrush Kuteli, Sotir Caci, Bujar Doko, Petro Zhej etj. Për prozën kjo normë ishte 6 faqe në ditë, por poezinë, në mos gaboj 100 vargje. Nën marshimin e kësaj norme duket se janë përkthyer edhe do pjesë të “Gjermania.
Përrallë dimri”, se ndryshe nuk mund të shpjegohet që Lasgushi të lejonte konstrukte të tilla aspak të shqipes si: diamante kurore arthmërie, fitim punëtoresh duar, valixha m’u vizitua (nga doganierët), i kalorësve kostum i ri, një mbretërore spiritë, fantomërisht, fantastërisht etj.
Sikurse e përmendëm janë lënë në frëngjisht thuajse gjithë fjalët e origjinalit: malheur, page, gentilhomme ose nuk ka kujdes të veçantë për të përdorur ekuivalentet shqipe për fjalët neolatine si eveniment, fantomë, akcent, herë-herë ka pakujdesi të tilla si “hyra në vendin jashtë” (do të thotë që “u ula në karrocë në fronin jashtë”) ose “I futnja nganj’herë gishtrinjt’e mij,/ Dhe ngjante shpesh nganj’herë”.Shqipërimi i Lasgushit i ngjan një skulpture të çuditshme, të punuar ku me daltë të hollë e fine, ku me të rëna të trasha.
Të duket nganjëherë si punë e papërfunduar, të vjen ta marrësh ti në dorë daltën që e hodhi një ditë i mërzitur në oborrin e shtëpisë poeti dhe thua: sa keq, sikur të ishte gjallë e ta rimerrte në duar, s’do qe ndonjë punë e madhe ta kthente në shqipërim të sosur.
Me njohuritë e thella të gjermanishtes (kishte jetuar dhjetë vjet në Berlin dhe Graz, ku pat mbrojtur dhe doktoratën më 1933) dhe poezinë që e kishte të brendshme, por dhe ironinë e hollë e cila i shkonte aq mirë asaj të Heines, i plotësonte gjithë kushtet e nevojshme që “Gjermania” të këndonte në shqip si bie fjala dikur “Korbi” i Poes ose “Skënderbeu” i Longfellow-t nën dorën e Nolit.
Shqipërimi i Schwartzit ka natyrë tjetër. Ai është më rebel, më i drejtpërdrejtë dhe më afër kohës sonë.
Sikurse në gjithë përkthimet e tjera, kujdesi kryesor i Schwartzit ishte që autori i huaj të komunikojë me lexuesin shqiptar sikur të jetë shqiptar. Për këtë synim të parë ai e kthen komunikimin gati në gjuhë bisedore, çka shpesh Heines i shkon, sidomos në ato pjesë të poemës që kanë më fort natyrë polemike e politike, por jo gjithmonë.
Në zgjedhjen e fjalorit bisedor ku gjen shumë shprehje “të forta” të tipit: na lënë ujin në dorë, ç’budallenj që jeni, o zog shëmtirë, në më rënç në dorë, ta jep mu në tru, s’ua ka kush ngenë, i ha meraku etj. nuk mungojnë fjalët turke (këto Lasgushi ka kujdes të mos i qasë) si avaz, halle, bandill, qese, ibret, lezet, milet, goxha, sefte, sajdis, zarar, ilet, dynja, defter, hem-hem, alamet, namuz etj.
Edhe pse ka strofa të një bukurie të veçantë (Schwartzi e ka treguar që ishte dhe ai poet i hollë lirik), shpesh nuk është ai kujdes i Lasgushit për muzikalitetin e vargut dhe ritmikën. Vargje 10 ose dhe 12 rroksh alternohen me 6 e 7-rrokësh, megjithëse struktura bazë e poemës është 8-rrokshi. Nga ana kuptimore ka nevojë për krahasime dhe korrigjime.
Por doemos që dhe ky variant shqip i poemës ka përligjen dhe të drejtën e vet të ekzistencës. Në mënyrë të ngjashme me variantin e Lasgushit, edhe për këtë mund të themi se një punë redaktuese, për një besnikëri më të madhe gjuhësore-poetike do të kish nxjerrë më fort në pah ato që ishin vlerat kryesore të Schwarzit si shqipërues: prirjen divulguese, gjuhën rebele, aktualizimin e një poeti të një shekulli e gjysmë para përkthimit.
Në mbyllje të këtij vështrimi krahasues po japim një shembull të thurjes që u përdor për mbrëmjet poetike „Gjermania. Përrallë dimri”, fjalimin e famshëm të poetit drejtuar ujqërve, nga kapitulli XII:
Ah, ishin ujqër të uritur
Dhe ulërinin ato egërsira
Me sytë e untë që u shkëndijonin
Si gaca zjarri nga errësira.
E morën vesh që kisha ardhur
Dhe sikur donin t’më nderonin
E përshkënditën pyllin mbarë
Në kor filluan të këndonin.
Madje m’u duk si serenadë,
Dhe meqë shprehnin kaq nderim
Mora një pozë edhe u fola
Me fjalë e gjeste gjithë ngazëllim:
„Vëllezër ujqër! Ndihem fort i lumtur
Këtu mes jush, mes kësaj brohorie!
Ju jeni kaq fisnikë dhe më pritët
Me ulërima dashurie!
Atë që ndiej në këto çaste
S’e shpreh dot fjalë e shkretë!
Kjo orë e bukur do më mbetet
E paharruar përjetë!
Për mirëbesimin falënderoj,
Kështu ju më nderoni,
Dhe në çdo kohë ju sprova jepni
Dëshmi besnikërie tregoni.
Vëllezër ujqër! Ju s’dyshuat kurrë
Tek unë – dhe as nuk ju morën mendtë
Nga maskarenjtë që ju thanë
Se paskam kaluar te qentë,
Se qenkam renegat dhe se te qingjat
I lartë oborrtar u bëkam së shpejti…
Që t’i mohoja këto profka
Nuk ma lejonte dinjiteti!
Lëkurë e qengjit që nganjëherë
E hidhja supeve, trupin të ngrohja
S’më ka shtyrë kurrë (ju betohem!)
Fatin e qingjave të ëndërroja.
Jo, nuk jam qingj, nuk jam as qen,
s’jam oborrtar, as peshk trutharë –
Kam mbetur ujk, me zemër ujku
Dhe dhëmbë të mprehtë si dhe më parë.
Jam ujk, jam ujk dhe gjithëmonë
Bashkë me ujqërit do ulërija –
Më keni pas, veten ndihmoni,
Që t’ju ndihmojë dhe Perëndia!”
Ky ish fjalimi që u mbajta,
Krejt i improvizuar,
Mirëpo Kolbi në gazetë
Ma nxori të censuruar.