Skënder Minxhozi
Që Sali Berisha dhe Edi Rama do t’i jepnin politikës shqiptare të njëjtin nerv dhe sens polemike të ngjashëm me atë të kohërave kur Berisha dhe Nano anatemonin njëri-tjetrin e luftoheshin pa kursyer asgjë, kjo u kuptua shumë shpejt, menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të bashkisë në postin e kreut të PS-së, në vitin 2005. Qysh në zgjedhjet e shkurtit 2007 u kuptua se dualizmi më i ri i politikës shqiptare do ta nxirrte jetën politike nga hullia e kompromiseve të viteve të shkuara, për ta futur në atë të polemikës, konfliktit dhe përballjes së skajshme.
Sot po shohim vetëm shfaqjen më të re të kësaj marrëdhënie asnjëherë të qetë e normale, mes dy personave dhe dy forcave politike që kanë trazuar të gjithë historinë e shekullit të vjetër e të ri në këtë vend. Protesta e fundit e opozitës dhe greva e befasishme e urisë që ka zënë shkallët e zyrës së zotit Berisha, është, në këtë kuptim, diçka e pritshme dhe e logjikshme, për mënyrën sesi u formësua dhe sesi nuk po zgjidhet konflikti më i fundit për çështjen e kutive.
Pozita dhe opozita kanë përgjegjësi për fatet e vendit. Në pozitat respektive, në peshën dhe dimensionin e detyrave që ndajnë në funksionimin e një shteti demokratik. E parë kështu, nuk është një detaj pa rëndësi të kujtohet se kjo betejë në mes të sheshit po konsumohet në një raport të zhdrejtë forcash dhe përgjegjësish. Berisha është në qeveri, Rama në opozitë. Ky pozicion institucional përcakton edhe përgjegjësitë për krizën, vullnetin e angazhimin për të dalë nga impasi. Duket e thjeshtë dhe në fakt është e thjeshtë. Parimisht kuptohet, sepse në praktikë edhe gjëja më e thjeshtë në këtë vend, disa herë rezulton e vështirë dhe me kosto që në vende të tjera as që mund të imagjinohen.
Shqipëria ndodhet në një moment delikat për të ardhmen e saj. E tepërt të kujtohet procesi për vizat dhe për statusin e ri pranë BE-së. Një situatë e komplikuar e brendshme do të prekte në mënyrë të paevitueshme ritmet dhe cilësinë e këtyre proceseve. Kokëfortësia dhe stili alla shqiptar i të bërit politikë, në kushtet kur jemi të vrojtuar si shtet, tamam si personazhet në shtëpinë e “Big Brother”, është një dritëshkurtësi me pasoja potencialisht historike.
Dje, Kryeministri e vendosi sërish në plan të dytë grevën e urisë, në një përpjekje të sforcuar për ta reduktuar impaktin e saj në jetën publike. Natyrisht që ai një qëllim e ka arritur. Pra, të vonojë reagimin zyrtar dhe përfshirjen formale të shumicës në këtë krizë, e cila, nga ana tjetër, në terren ka marrë tashmë përmasa të mëdha dhe të rrezikshme. Mazhoranca vendosi të mbajë sërish një marrëdhënie “sanitare” me opozitën, të ofrojë mjekë dhe ilaçe për grevistët, duke refuzuar të reflektojë më gjerë rreth asaj çka përfaqëson sot politikisht instalimi i opozitës në çadra para Kryeministrisë dhe duke e konsideruar indirekt si të pamjaftueshëm presionin që buron nga një gjest i tillë publik i kundërshtarit.
A është ky një qëndrim proporcional dhe i drejtë? Nga të gjitha anët që ta shohësh, i tillë nuk është. Qeveria duhet të bëjë një hap konkret përpara. Përsëritja e refrenit të gjykatave, kur fjala është jo më vetëm për transparencën e zgjedhjeve, por edhe për stabilitetin e këtij vendi, tingëllon e vjetruar dhe e tejkaluar. Zgjedhjet e 28 qershorit tashmë janë vetëm pjesërisht shkaku i konfliktit, kush nuk ka sy ta shohë gabohet rëndë. Këtu ndodhemi tanimë përballë një konflikti të ndezur politik, i cili po implikon rëndë pjesën e mbetur të proceseve dhe ngjarjeve të dy vjetëve të ardhshëm. Me atributin e qenies në timonin e shtetit, shumicës i imponohet objektivisht më shumë përgjegjshmëri, maturi dhe hapje, sesa palës tjetër. Sepse edhe hapësirat e manovrimit të qeverisë në këtë krizë kanë qenë dhe janë më të mëdha sesa ato të opozitës.
Nuk është lënë gjë pa thënë për konfliktin elektoral gjatë nëntë muajve të fundit. Argumente, kundërargumente, fakte, shembuj, analogji dhe anë të ngjashme apo kontradiktore me zgjedhjet e mëparshme ose edhe me situata të ngjashme jashtë vendit. Mesa duket asgjë nuk ka pasur efekt. As fjalët, as misionet e ndërkombëtarëve, as tryeza e Presidentit, as paralajmërimet kilometrike të Brukselit, Uashingtonit dhe kryeqyteteve të tjera me peshë.
Megjithatë tashmë ndodhemi në një fazë tjetër. Në fazën “terminale” të një krize politike, klasike për jetën tonë politike edhe në të shkuarën, kur protagonistët i kap ngërçi i çuarjes në ekstrem të punëve, me shpresën se pala tjetër do të tërhiqet në momentin e fundit. Si në lojën e njohur, ku dy veta shihen ndër sy dhe fiton ai që i ul i pari sytë. Agravimi eventual i situatës në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, do të sillte në kohë reale në sytë e të gjithëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, një impakt shumë herë më të madh sesa debati i zakonshëm që kanë konsumuar përditë pozita dhe opozita rreth zgjedhjeve.
Tani nuk ka më filtra, gjithçka luhet në ajër të hapur, para kamerave, 24 orë në 24. Tashmë kemi dalë jashtë podiumeve të partive dhe foltores së Kuvendit. Politika ka zbritur në rrugë. Dhe kur politika zbret në rrugë, ne shqiptarëve (por edhe të huajve që na njohin), nuk na lindin kurrë parandjenja të mira.