Çdo gjë për të larguar imazhin e krizës nga zyra

0
38

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Të gjitha energjitë politike dhe administrative kryeministri Sali Berisha po i harxhon për spostimin e çadrave tutje dritares së zyrës së tij. Me një sjellje prej struci, kryeministri i vendit, vazhdon të këmbëngulë për të mos e parë krizën në sy, madje në këtë rast as me sy. Ai ndjehet i shqetësuar më shumë nga ideja se zyra e tij ku ai ka grumbulluar gjithë pushtetet e këtij vendi është rrethuar nga çadra, të cilat kanë më shumë mbështetje popullore se ai.

I shqetësuar nga kjo pamje vizive duket se Berisha nuk ndjehet i qetë, jo nga kriza, por nga imazhi i saj. Duke u përpjekur ta fshehë për 10 muaj krizën para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar, tanimë është i tronditur, jo nga ballafaqimi real me të, por nga ballafaqimi fizik. Çadrat përballë zyrës së tij dhe mijëra qytetarë që e kanë kthyer atë në vend pelegrinazhi duket se janë shqetësimi i ditës i kryeministrit. Ai nuk është i shqetësuar për zgjidhjen reale të krizës transparencën e zgjedhjeve dhe fundin e ngërçit politik në vend.

Ai thjesht do të vazhdojë të mos e ketë krizën para sysh. Këto tetë muaj ai ka investuar shumë për këtë. Për 10 muaj rresht, si në asnjë mandat tjetër qeverisës në Shqipëri, Berisha kontrolloi median duke futur në rresht pronarët e saj, me qëllim që të fshihte këtë krizë. Për 10 muaj rresht, ai ka bërë gjeste të pashembullta antidemokratike, shpesh diktatoriale, që të nënshtrojë çdo faktor opozitar me të, vetëm që kjo krizë të mos i shfaqej para zyrave të tij. Ai ka shkatërruar biznese të tëra me gjoba marramendëse, ka shkatërruar media dhe ka nënshtruar shumë figura politike, vetëm që të mos ekzistonte asnjë faktor publik që të fliste për këtë krizë.

Dhe pas 10 muaj investimesh politike të tij, me kosto të rëndë për demokracinë shqiptare, ai është i tronditur se kriza iu rishfaq edhe pse ai bëri gjithçka që ajo të mos bëhej prezente për publikun. Sot Sali Berishës i kanë shkuar dëm miliona euro për t’i mbyllur gojën medias, dhjetëra nëpunës të përdorur si xhandarë për ta shkatërruar atë, i kanë shkuar dëm dhjetëra personalitete politike që ka përdhunuar duke i kthyer në ushtarë, i kanë shkuar dëm miliona euro të paguara për lobizëm me qëllim që kriza politike në Shqipëri të mbahej fshehur.

Sot Sali Berishës i kanë shkuar dëm, por me kosto të rëndë për Shqipërinë, përdormi i parave të buxhetit për të blerë pushtetin, i kanë shkuar dëm dhe me kosto për Shqipërinë bilancet negative me lirinë e shtypit, lirinë ekonomike dhe gjestet poshtëruese në raport me fqinjin jugor, siç ishte falja e territorit ujor apo përulja ndaj çdo kërkese poshtëruese të tyre. Ai bëri gjithçka që së paku 8 muaj pas zgjedhjeve, të gjithë të pajtoheshin me idenë, se Berisha e meriton pushtetin edhe me vota të vjedhura, pasi i vuri të gjithë në rresht. Dhe pikërisht kur tani mendonte se po ia arrinte, para zyrës së tij i janë shfaqur çadrat e popullit opozitar, që e kanë rrethuar si një pasha mesjetar në kështjellën e tij.

Dhe reagimi i tij është shumë i sinqertë. Nuk kërkon as të ndërpritet greva, as të ushtrohet dhunë mbi ta, vetëm të ikin nga Bulevardi, të mos i shfaqen para sysh sa herë hap dritaren e zyrës apo përpiqet të dëgjojë lajmet në ekranet e blera në zyrën e tij. Kjo gjë duket se e ka bërë keq. Ndaj ka dy ditë që po përdor policinë dhe po investohet vetë, vetëm që të largojë opozitën nga Bulevardi, të largojë imazhin e krizës nga zyra e tij. Por tani është vonë. I vetmi vend pas Bulevardit nga ku mund të lëvizin ato çadra, janë oborri i Kryeministrisë. Kjo do të dëshmonte se Berishës i vjen keq për qytetarët, të cilët nuk kalojnë dot lirshëm në Bulevard.

Ajo që shqetëson sot Berishën dhe ajo që shqetëson qytetarët në të vërtetë janë dy gjëra të ndryshme. Mbi 200 mijë shqiptarë që mbushën të premten Bulevardin qendror dhe ata që janë ngujuar prej katër ditësh para tij, kanë hedhur në erë përpjekjen 10 mujore të Berishës për ta fshehur krizën dhe për të trukuar opozitën. Opozita e ka çuar krizën para zyrës së tij dhe ai tani po ndeshet me dështimin e tij të madh, atë të mos fshehjes dot të krizës.