Rrëzimi i Berishës, interes kombëtar!

0
62

Politikë

Berisha: Duke i terhequr veshin  

Këto 2-3 vjetët e fundit regjimi i Sali Berishës dhe i grupit të tij, e kanë dëmtuar shumë pamjen e Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Pushteti, shteti shqiptar, Shqipëria, nuk perceptohen sot në Evropë dhe në SHBA-të si një pushtet, si një shtet bashkëkohor, por si një parashtet, si një parashtet anakronik, i tejkaluar tashmë edhe në vendet e tjera ballkanike. Demokracia e Sali Berishës perceptohet si e ashtuquajtur demokraci rurale! Pas 23 vjetësh demokraci Shqipëria ka një pushtet anakronik, primitiv, autokratik, sepse vendi ynë në të vërtetë vazhdon të jetë i sunduar nga një parti (PD), madje prej një njeriu, Sali Berisha.

Udha dhe aspirata e shqiptarëve për t’u bërë një ditë një vend perëndimor si gjithë Evropa, ka shumë gjasa të jetë e shënjuar nga një karakteristikë e fortë deperëndimizmi kronik me burime dhe ndikime të brendshme, por edhe me nxitje e legjitimim transnacional. Shpeshherë këtë kaos, nxitje dhe legjitimim të çakërdisë politike të brendshme në Shqipëri e shkaktojnë vetë institucionet europiane dhe partnerët e mëdhenj ndërkombëtarë perëndimorë, të cilët kur i aviten rastit shqiptar, pësojnë zaptim të gjymtyrëve institucionalë, politikë, strukturorë, ligjorë dhe ekonomikë, nga ngërçi i deperëndimizimit spontan. Kriteret dhe indikatorët mbi të cilët perëndimorët na vëzhgojnë, bashkëpunojnë apo partnerizojnë me Shqipërinë tonë, janë kaq jodomethënëse dhe kaq jojetësore në realitetin politik, saqë vetvetiu takojnë më parë rënien, deformimin, joefektivitetin dhe zbehjen e tyre, sesa ngjizje demokracie lirindërtuese dhe ndikimin për ngritjen, inkurajimin dhe formimin e shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura të cilat të jenë në shërbim të qytetarit dhe jo qytetari në shërbim të tyre. Shoqëria shqiptare ka mungesë përgatitjeje dhe terreni për demokraci apriori, për shkak të trashëgimive të forta të së shkuarës. Në krye të shtetit janë sekretarët e partisë, e bijtë e tyre si Sali Berisha. Mentaliteti i tyre është komunist.

Ata e duan pushtetin se vuajnë nga sindroma “se çdo të bëhet me pasurinë time po të mos jem në pushtet”? Sali Berisha, banda që ai drejton është lidhur me mafien, vret policët, njerëzit që luftojnë mafien, krimin, korrupsionin, të cilën e ka futur në sistem. Ky këndvështrim plotëson një shpjegim logjik vetëpërmbushës, sipas të cilit një vend si Shqipëria ka udhë të gjatë, me pengesa të mëdha, drejt demokracisë, ngaqë klasa politike “ka mentalitet dhe kulturë të gabuar”, ajo është këmbëkryq në çdo qelizë funksionale të shoqërisë dhe “kultura e drejtë” i ka shanset shumë të vogla për të ngritur kokë, pikërisht për shkak të mungesës së demokracisë. Pa shtet të së drejtës, pa institucione të pavarura, nuk ka demokraci. Kështu që në dallim nga vendet e tjera post-komuniste, për rastin e Shqipërisë, me realitetin e “shtetit të dobët” nuk bëjmë asnjë gabim ta pranojmë në paqe si një kualifikim të vërtetë.

“Dobësia e shtetit”, si një tipar i politikës shqiptare, ka dy përmasa të ndryshme. Së pari, dobësia nënkupton shtrëngesa dhe pamundësi të mëdha në kapacitetet e shtetit. E thënë me fjalë më të qarta, monopoli i shtetit për ushtrim të autoritetit, instrumenteve dhe mekanizmave të tij të ligjshme është i gjymtuar, i sabotuar për shkak të konkurrencës që bëjnë ”aktorë jo shtetërorë” (disa prej të cilëve deklarojnë se janë vetë shteti). Së dyti, por jo me më pak rëndësi, shteti i dobët nuk mundet të afrojë dhe sigurojë parimet e “shtetit të së drejtës” apo “sundimit të ligjit”, tek e fundit nuk mundet as t’i inkurajojë apo përforcojë këto parime, edhe pse shumë politikanë të tipit S. Berisha shpallin slogane të tipit: “do të vendosim diktaturën e ligjit”, “do mbrojmë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë”, etj, etj.

Ndaj dhe përdorimi i etiketimeve të ndryshme për t’i përshkruar këto fenomene të vërejtura në vendet ish-komuniste dhe posaçërisht në Shqipërinë tonë, sikundër: “oligarki”, “feudalizëm”, “bajraktarizëm, “gangsterizëm, apo “basizëm”, etj, është vetëm nënvijëzimi i rëndësisë që kanë këto veçori të para si realitet jetësor në këto vende. Nëse “shteti i së drejtës”, “sundimi i ligjit” është i dobët, apo nuk do të ekzistonte fare, si p.sh. rasti i rënies totale të shtetit, kur ra regjimi i vjetër komunist në vitet 1990-1992, rasti tragjik i vitit 1997 dhe rasti famëkeq i rënies disaorëshe i shtetit më 14 shtator 1998, ai menjëherë mbushet e plotësohet apo zëvendësohet nga “sundimi arbitrar”. Nëse gjykatat e kanë të pamundur të zbatojnë vendimet e tyre për çështjet e adresuara ligjërisht në to, atëherë konfliktet vetvetiu zgjidhen nëpërmjet “sipërmarrjes së dhunshme të vetëgjyqësisë”. Kryeministri shqiptar dhe qeveria që ai drejton nuk njeh shtet, president, gjykata, prokurori, institucionet e pavarura; shteti, ligji, pushteti është Saliu.

Në shtetin e së drejtës që kërkojmë të ndërtojmë, me këtë person nuk mund ta ndërtojmë. Qeveria asnjëherë nuk ka dhënë e nuk jep llogari para parlamentit.

Atëherë procesi i vendimmarrjes nuk varet nga përfaqësuesit e popullit, por nga radhët e ngushta pranë “familjes” apo “oborrit” të liderit, qoftë ky i djathtë apo i majtë, në qeveri apo në opozitë. Nëse partitë politike janë të paafta për të ndërlidhur elitat me masat, atëherë funksionet vendimmarrëse dhe politikbërëse do të kryhen nga “makineria politike” e bazuar në klientelizëm.

Shqipëria post-komuniste është e tejmbushur me shembuj të të gjitha elementëve të mësipërme. Qartësisht nga kjo mazhorancë, këtu po ndodh gradualisht rivendosja e kapaciteteve të shtetit pa i dhënë fare jetë e krahë “shtetit të së drejtës”, “sundimit të ligjit”, gjë kjo që nuk sjell aspak mbizotërimin e institucioneve formale në vend. Teoritë e demokratizimit, me ndonjë përjashtim të rrallë, prej një kohe të gjatë e kanë të nënkuptuar ekzistencën dhe domosdoshmërinë e “shtetit të së drejtës”, “sundimit të ligjit”, ose si vetvetiu, ose si të instaluar nga ndikimet e jashtme gjatë procesit të tranzicionit, për shkak të integrimit evropian, internacionalizmit apo globalizmit. Përsëri në rastin e Shqipërisë post-komuniste eksperienca është e veçantë në respekt të të gjithave sa më sipër, sepse:

1.- Trashëgimia komuniste (elita e klasës politike me mentalitet komunist), ka zhvilluar një mbizotërim të qëndrueshëm dhe të fortë të institucioneve informalë, qoftë në nivelin e vendimmarrjes dhe politikëbërjes, qoftë edhe në nivelin e jetës së përditshme të një qytetari të zakonshëm.

2.- Ndikimi i ndërkombëtarëve, sidomos i institucioneve të BE-së, për lindjen dhe përforcimin e “shtetit të së drejtës”, “sundimit të ligjit” dhe në ndërtimin e institucioneve formale, ka qenë shpeshherë kontraversal, dygjuhëshprehës, me shumë pak flagrancë perëndimore. Në rastin e Shqipërisë, edhe pse regjimi politik në dukje, normë dhe procedurë është konkurues, në terma elektoralë prapëseprapë roli i institucioneve formale është larg mundësive për të mbizotëruar. Këtu konkurrenca politike është e “mbijetuar”, pavarësisht mungesës së shtetit të së drejtës. Sali Berisha ka një pushtet të pa kufizuar, kanë qenë të shpeshta masat ndëshkuese, që në bazë të rregullores u janë dhënë deputetëve opozitarë që kanë shkelur etikën parlamentare gjatë diskutimeve, por trajtimi ka qenë më tolerues kur shkelje të tilla janë bërë të shpeshta nga Sali Berisha dhe deputetët e tij.

Dhe, në mënyrë të veçantë, në opinionin publik ka lënë shije të keqe fakti që nga zonja Jozefinë nuk i është tërhequr qoftë edhe një herë vërejtje kryeministrit, i cili shpesh herë shpërthen me terma që kapërcejnë çdo normë (përdor vokabular rrugaçi) dhe jo vetëm të etikës parlamentare. Në zbehjen e prestigjit të parlamentit është edhe sjellja provokuese e znj. Jozefinë, parlamentarëve, niveli shpesh herë i ulët i debateve, mungesa e edukatës minimale qytetare që vërehet në parlament.

– Në karrierën tënde zoti Berisha kanë ndodhur shumë gjëra: humbe një palë zgjedhje lokale vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të marsit 1992. Më pas humbe një referendum, të cilin e shpike për të pasur një kushtetutë personale. Ndërkohë kishe zënë të kontrolloje gjithçka, Partinë Demokratike, parlamentin, qeverinë, policinë, ushtrinë, bankat, institucionet, administratën, shërbimin sekret, i cili u bë një strukturë e ndyrë përndjekje ndaj opozitës. Këtë pushtet diktatorial e përdore për të vjedhur zgjedhjet e 26 majit 1996 e për të rrahur deputetët opozitarë dy ditë më vonë. U desh falimentimi i firmave piramidale që toka të fillonte të rrëshqiste nën këmbë. Për të shpëtuar veten, fute vendin në luftë, provokove kaosin, hape depot e ushtrisë dhe pas kësaj gjete strehë në opozitë, ku edhe aty nuk le gjë pa bërë për tetë vjet me radhë.

Pas tetë vjetësh shfrytëzove lodhjen e shqiptarëve prej një qeverie të korruptuar, shfrytëzove edhe përçarjen e kundërshtarëve dhe rierdhe në pushtet për të rindërtuar nga e para atë që nuk të lanë ta çoje deri në fund herën e parë. Këtë radhë erdhi me idenë e përkohshmërisë, ndaj iu fut plaçkitjes, mobilizoi edhe gruan e fëmijët për të bërë para, por shumë shpejt gjërat i dolën nga kontrolli (djali i rezultoi ortak në një biznes ilegal, i cili një ditë ia bëri bum dhe la 26 të vdekur). Më pas doli me idenë e pushtetit të përjetshëm dhe kështu nuk e pati të lehtë të vriste në bulevard katër qytetarë të pambrojtur, të parrezikshëm për fajin e vetëm se nuk e donin qeverinë.

Një demonstrim i dhunshëm dhe pashije i socialistëve nuk mund të shndërrohet në demonstrim vrasjeje nga ana e qeverisë. Shteti që vret qytetarët e vet, nuk ka moral të kërkojë mandat të tretë?!… Një shtet i organizuar duhet të dijë të mbrojë veten dhe qytetarët e vet nga një dhunë e lehtë. Nuk vriten njerëzit me lehtësinë e padurueshme. Ato vrasje s’kanë qenë as legjitime, as arsye për ruajtjen e shtetit dhe as për të mbajtur peshën e qeverisjes. Ato vrasje kanë treguar organizim të dobët shtetëror duke përdorur dhunë në emër të ruajtjes së institucionit. Vrasjet janë bërë më shumë për të krijuar frikë tek kundërshtari dhe as sesi për të vendosur qetësi…”

Pikërisht ky njeri ka dalë tani dhe kërkon mandatin e tretë kryeministror!

As më shumë e as më pak, por grupet në pushtet në Shqipërinë post-komuniste të mbretit S. Berisha, ia kanë dalë mbanë t’i përqendrojnë mjaftueshmërisht burime, mundësi dhe instrumente për të parandaluar ndryshimin e pushtetit me mjete elektorale, ndaj edhe së pari eliminojnë iniciativat për vetëpërgjegjësi si pjesë e kornizës së institucioneve formale. Testi i thjeshtë i “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme” mund të jetë i parëndësishëm dhe irreal në momentin kur hyjmë në arsyetimin dhe kuptimin real të “makinerisë politike” dhe “partive të pushtetit”. Nën këto rrethana, rezultatet e zgjedhjeve mbeten në një masë më të madhe në varësi të mundësive që kanë grupet në pushtet për të bërë “mobilizimin administrativ të masave”, ashtu edhe mundësive e aftësive që ka qeveria, kolegji zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me S. Berishën, Ponin, militantët e partisë në pushtet.

As të mos i shkojë njeriut në mend se zgjedhjet nuk do manipulohen. Parimi stalinist që: “Populli voton, Saliu numëron” është vërtetuar. Me këtë qeveri nuk ka vërtetësi e ndershmëri! Për të mos folur këtu për aksesin sistematikisht të padrejtë dhe të pabarabartë të kandidatëve për të bërë fushatë, për të garuar. Por në se zgjedhjet nuk shërbejnë as si një mekanizëm i ndryshimit të pushtetit dhe qarkullimit të elitave, as nuk ndikojnë në politikat qeverisëse, atëherë roli dhe kuptimi i tyre është krejt i ndryshëm nga modeli perëndimor dhe europian.

Qëllimi i Berishës është të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht nga rezultati që do të dalë nga zgjedhjet. Ai ka mobilizuar forcat e tij për të futur duart në kutitë e votimit, për t’i shtuar votues të paligjshëm nga Kosova, për t’i blerë votat dhe për të mobilizuar zyrtarët e tij, për të frikësuar votuesit në qendrat e votimit.

Kush i rrezikon zgjedhjet?

Policia, KQZ-ja, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, listat e zgjedhësve, diversionet me kandidatët etj, duket se janë të gjitha pjesë e një strategjie të Sali Berishës për të influencuar dhe dominuar situatën në zgjedhje dhe për të vjelë rezultatin që ai ka në mendje, rezultat i cili sigurisht është larg preferencave të votuesve shqiptarë. Prej vitit 1994 Berisha nuk ka marrë kurrë votën e shumicës së shqiptarëve. Këtë herë mobilizimi i të gjithë makinerisë shtetërore, përdorimi i aseteve njerëzore dhe financiare publike po bëhet vetëm në funksion të karrierës së tij partiake dhe politike, aq sa nuk kursehen as maturantët të cilët së fundmi dhunshëm po rekrutohen në listat e forumit rinor të PD-së, ndërsa pjesa kriminale e policisë me lidhje nepotike e dominuar nga Tropoja dhe Kukësi, ka nisur fushatën e “korrjeve”.

Kjo është e njëjta metodë që ai ka përdorur në zgjedhjet e mëparshme, kur komuniteti ndërkombëtar tregoi një rast akut verbërie me paramendim. Dhe S. Berisha është i bindur se mund të shkojë larg me përbuzjen ndaj institucioneve demokratike, sepse ai këtë e ka treguar shumë herë edhe në të kaluarën. Dhe nëse të gjitha të tjerat dështojnë, ai thjesht do të përdorë dominimin e tij në KQZ për të manipuluar rezultatin, ashtu siç bëri kur i dhuroi bashkinë e Tiranës Lulzim Bashës.

Ajo që ne dimë është se Sali Berisha është rreziku më i madh për demokracinë në Shqipëri. Nuk jam i pari që them se në politikë duhen parë rezultatet. Të gjithë jemi të bindur që diskutimi për politikën e drejtë (moraliste) dhe të pamoralshme (pragmatiste), nuk nxjerr gjë në dritë, nëse nuk aplikojmë një kriter realist, atë të rezultateve. Dhe këtu them direkt që nga kjo luftë për rezultate në vitet e S. Berishës si udhëheqës ka dështuar, si për paaftësi qeverisëse në mandatin e dytë, po ashtu edhe për gabime strategjike. Është në interes të kombit shqiptar që Shqipëria të çlirohet prej Sali Berishës dhe prej Jozefina Topallit. Pa largimin e tyre prej pushtetit dhe prej Partisë Demokratike, Shqipëria nuk do të bëhet shtet demokratik dhe normal. Derisa të jenë ata në pushtet, Shqipëria do të jetë e pushtuar prej gjuhës vulgare politike, prej sjelljeve të egra, prej shkeljes së kushtetutës e të ligjeve. Xhozi e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në llafehane fyese mesjetare prej krimit, korrupsionit të pandalshëm, nepotizmit më vulgar e më të dëmshëm, prej ndotjes politike të historisë dhe të bashkëkohësisë, prej plaçkitjes së pasurisë së përbashkët kombëtare, prej padrejtësive të gjithfarëllojshme sociale, prej shkeljes së egër të barazisë së dinjiteteve, prej kufizimit të pavarësisë së mediave, sidomos elektronike e prej shumë të këqijave të tjera.

Deri kur parlamenti shqiptar nuk do të ketë më bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

Rreziku i lojës së pushtetit për të na rikthyer në terrenin e politikës jokonkurruese nëpërmjet instalimit të një regjimi të gjymtë dhe të paqartë, mundësisht jo demokratik, mund të jetë zgjedhja më tërheqëse për “elitat politike” post-komuniste shqiptare. Të dhënat në terren janë dyshimnxitëse se krizat ciklike të regjimit në Shqipërinë post-komuniste nuk çojnë drejt demokracisë, por në të tjera rezultate dhe destinacione të tranzicionit. Gjithsesi, e trishtë është e vërteta se aspirata jonë europiane dhe perëndimore po kalon nëpër shtegun e kahershëm dhe të mirënjohur tashmë të deperëndimizimit kulturor dhe sjellor. Një njeri që pandeh se është mbret, është i çmendur!

Ka ardhur dramatikisht koha që shqiptarët të mendojnë seriozisht: Përse këtij populli i dalin gjithherë në krye njerëz kaq të papërgjegjshëm që do të duhej të ishin duke kryer psikoterapi intensive, në vend se duke u marrë me punë më të rëndësishme që mund t’i bjerë njeriut në jetë: menaxhimin e fateve të jetës së bashkatdhetarëve të tyre?!…i lumtur mund të quhet ai popull që ka fatin të zgjedhë si drejtues shtetërorë personalitete të mençura e guximtare, të ndershëm e me integritet intelektual.

Nga Novruz Zejnati

Gazeta “Dita”