Kazazët, familja që u shkatërrua nga komunizmi

0
66

Shumë familje në Shqipëri mund të thonë se u persekutuan nga diktatura e egër komuniste.

Por Kazazët e Shkodrës ishin ata që u rrahën, u masakruan, pushkatuan, persekutuan, vdiqën nën tortura, humbën totalisht jetët e tyre. Sot, pas shumë vitesh, familja kërkon të rimëkëmbet e megjithatë e shkuara ka lënë gjurmët e saj shumë thellë

SHKODËR – Persekutimi tepër i rëndë gjatë viteve të diktaturës komuniste dhe ndjenjat atdhetare janë tiparet kryesore të familjes shkodrane Kazazi.

Të parët e tyre kanë qenë punues mëndafshi, andej nga ka ardhur dhe mbiemri Kazaz, i cili nuk është i pranishëm vetëm në Shkodër. Ata kujtohen si udhëheqës e sidomos si personat e parë që kundërshtuan komunizmin duke udhëhequr kryengritjen e Postribës, të parës lëvizje antikomuniste.

Pasardhësit e kësaj familjeje tregojnë atë që kanë përjetuar vetë dhe kanë dëgjuar të trashëguar nga paraardhësit e tyre. Gjylia, Ixhlali dhe Remi janë tre gra të moshuara, bija të këtij fisi, të cilat rrëfejnë për gazetën “Shekulli” kalvarin e vuajtjeve dhe ngjarjeve që kanë përjetuar dhe se si diktatura komuniste i shkatërroi totalisht duke iu hequr gjithçka.

Zanafilla

Gratë kthehen tek personi që mbajnë mend si më të hershëm në fis e pikërisht Hamz Kazazin, i cili në 1834-n ishte pjesërisht udhëheqës i kryengritjes shkodrane të këtij viti. Duke qenë kundërshtar edhe me armë i turqve, në vitin 1859 ai u internua në Anadoll.

Më parë Hamzai kishte qenë 20 vjet në Egjipt dhe prej atje ishte kthyer sërish në Shkodër. Ai ka qenë dhe komandant rojesh tek Bexhisteni dhe ka mbledhur taksat, kjo pas luftës së Miletit.

Është plagosur në luftë tek vendi i quajtur Guri i Gjonit dhe ka pasur luftëtarë të njohur, siç ishte dhe Oso Kuka. Në hyrje të qytetit të Shkodrës, afër Urës së Bunës, ndodhet ende lapidari që përkujton rezistencën shkodrane dhe emrin e Hamz Kazazit. Por Hamz Kazazi është edhe personi i parë i fotografuar nga Pjetër Marubi në vitin 1858 në Shkodër, që shënon dhe fotografinë e parë shqiptare.

Djali i Hamz Kazazit, Et’hemi, ka qenë pjesëtar i drejtuesve të qytetit që njiheshin me emrin parija e qytetit dhe ka marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit dhe Luftën e Miletit.

Ai është një ndër firmëtarët e protestës kundër copëtimit të tokave shqiptare, në Hot e Grudë, protestë kjo që komiteti shqiptar ku ishte anëtar dhe Et’hem Kazazi ia dërgoi Kongresit të Berlinit.

Djali tjetër i Hamz Kazazit, Alia, në vitin 1863 ishte anëtar i këshillit të administratës së guvernaturës së Shkodrës.

Fisi Kazazi ka pasur si profesion fillimisht qepjen e veshjeve tradicionale popullore dhe pronat e tyre u shtrinë në qytetin e Shkodrës në lagjen “Parrucë” ku kishin dyqane, hotele, por dhe toka në disa fshatra, si: Trush, Berdicë, Kosmaçë, Shtoj e Vrakë.
Bujaria e Bektash Agës

Bektash Kazazi ose Bektash Aga ka qenë i njohur për mikpritjen e bujarinë e tij. Pasardhëset e fisit Kazazi, Gjylia, Ixhlali dhe Remi tregojnë se Bektash Kazazi dhe shtëpia e tij në Parrucë janë përmendur ndër breza pasi aty ndaleshin e priteshin udhëtarë të ndryshëm, edhe pse nuk shërbente si han.

Bektash Kazazi ka qenë 12 vjet kryetar bashkie në kuadër të Vilajetit të Shkodrës. Ixhlal Kazazi tregon një ngjarje të rrëfyer nga të parët e saj që lidhet me Bektashin.

“Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, disa trupa nga Kosova që po shkonin drejt Hotit për të luftuar kundër copëtimit, duke ecur në Pazar njohin Bektash Kazazin që po kalonte.

Ata ndalen dhe nuk ia presin rrugën. Kjo tërheq vëmendjen e tij që shkon dhe i takon dhe në respekt të veprimit të bërë prej tyre, i fton të gjithë në shtëpinë e vet. Në shtëpinë e tij ndaleshin e priteshin të njohur e të panjohur. Për të mos bërë dallime mes atyre që vinin në këtë shtëpi bujare, edhe jorganët ishin në të njëjtën ngjyrë”,- tregon Ixhlali.

Një tjetër episod që lidhet me Bektash Kazazin është dhe afishimi përpara bashkisë së vjetër në Shkodër i fotografive të sulltanëve të Turqisë me rastin e një feste të tyre. Kjo ishte bërë pa dijeninë e Bektash Kazazit që ishte kryetar bashkie.

Ndërsa kalon rrugës dhe sheh njerëzit e mbledhur përpara fotografive të ekspozuara, me shkopin e tij i rrëzon në tokë figurat duke urdhëruar heqjen e tyre. Pas vdekjes së tij, bashkia i lidhi një pension familjes për të ndihmuar në rimëkëmbjen e saj.

Muho Kazazi

Muharrem Kazazi është një tjetër figurë e njohur e kësaj familjeje. Ai ishte në krye të protestuesve shkodranë në vitin 1916 kundër disa reformave të qeverisë austriake dhe kjo shkaktoi dhe internimin e tij në Austri. Muharrem Kazazi ose siç thirrej shkurt Muho Kazazi ka marrë pjesë dhe në Luftën e Koplikut më 1920-n.

Ndonëse ai vetë nuk ishte i arsimuar, pesë djemtë e tij i dërgoi në shkollë të lartë jashtë vendit. Janë pikërisht këta djem që do të angazhoheshin në jetën politike dhe do të ndëshkoheshin nga regjimi komunist.

Kështu, Jupi do të diplomohej për ekonomi në Itali, Hamiti do mbaronte studimet për ushtarak në Athinë, Seiti do të kryente studimet për drejtësi dhe do të bëhej gjykatës, Haliti e Zeneli do ishin ushtarakë të lartë. Nga 5 djemtë e Muho Kazazit, Haliti, Jupi e Seiti do vriten nga komunistët, ndërsa Zeneli e Hamiti do bëjnë shumë shumë vite burg e internim politik.

Familja e Abdullah Kazazit, internimi mizor

Abdullah Kazazi, një tjetër pjesëtar i kësaj familjeje, ka qenë i njohur si pajtues gjaqesh dhe pjesëmarrës në luftën e Koplikut. Edhe pse jo i angazhuar politikisht, ai ishte simpatizant i Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kundërshtar i pushtimit fashist.

Pas çlirimit ai burgoset që në fillimin e vitit 1945 bashkë me djalin e tij 22-vjeçar Rasimin, i cili më 1944-n ishte angazhuar me rininë e Ballit Kombëtar për të ndihmuar kosovarët.

Gjylie Mesi (Kazazi) tregon për familjen e saj, babanë Abdullahun, e pushkatuar me rastin e Kryengritjes së Postribës dhe vëllanë, Rasimin, të vdekur në tortura të hetuesisë komuniste dhe për kushërinjtë e vrarë që akoma nuk kanë varr.

Rrëfimi: Tim eti e kushërinjve s’u dihen varret

“Babai u pushkatua në kryengritjen e Postribës ku u ekzekutuan nga komunistët 18 persona dhe ende sot nuk i dihet varri. Vëllai 22 vjeç u torturua aq shumë dhe u lanë të shkonte në shtëpi vetëm sa për të vdekur.

Janë dhe kushërinjtë Haliti, Jupi, Seiti e Osmani që janë vrarë dhe akoma sot nuk dihet ku janë trupat e tyre. Babai qëndroi në burg 1 vit e gjysmë dhe më kanë treguar se si gjatë kësaj kohe një roje me automatik në dorë i ka thënë se me këtë armë kam vra nipin tënd, Halitin.

Babai i ka kërcy sipër dhe ia ka marrë armën, ka dashtë me e qëllu, por gjatë përleshjes i ka rënë karikatori. Atëherë kanë ndërhyrë rojet e tjera që e kanë rrahur aq shumë, sa i kanë thyer kockat. Kur e kanë çuar për ta pushkatuar tek varrezat e Rrmajit, thonë se nuk ka mundur të lëvizë, por e kanë çuar në krahë, ndërsa rrobat i ka pasë gjithë gjak.

Dërgimi i ushqimeve në burg

Kam qenë 13 vjeçe dhe shkoja tek burgu me çu bukën për babën. Aty vinin dhe të tjera gra që sillnin bukën për njerëzit e tyre të burgosur, pasi ishte caktuar një orar i vetëm, madje po të kalonte një minutë më shumë nuk e pranonin ushqimin dhe i burgosuri nuk hante. Në radhën tek burgu dëgjoja që flisnin lehtë duke thënë se i kanë nxjerrë në gjyq apo dhe i kanë pushkatuar se u dëgjuan armë në mëngjes.

Rrinim në radhë dhe kur roja hapte dritaren e vogël për të marrë ushqimin, kur përmendej emri i të burgosurit, në shumë raste ushqimi kthehej prapa, se ai ishte ekzekutuar. Ishte një tmerr kur sapo thoje emrin, përgjigja ishte “është ekzekutuar” dhe shtyhej prapa ushqimi që kishe sjellë. Këtë e provova dhe unë kur sapo thashë emrin e babës, më thanë është ekzekutuar.

U ktheva në shtëpi duke qarë gjithë rrugës, madje dikush më ndaloi dhe më pyeti pse qaja dhe i tregova se më kanë pushkatuar babën. Sapo hyra në shtëpi, motra më doli përpara dhe më pyeti se pse nuk e morën ushqimin e babës, duke menduar se isha vonuar në orar.

Por, nëna menjëherë tha se do ta kenë pushkatu, pasi e kishte parandier nga një ëndërr që kishte parë dhe kishte dëgjuar të shtënat e armëve. Pas kësaj na nxorën nga shtëpia dhe u shpërndamë nëpër të njohur e të afërm.

U bashkuam pas 5 vitesh dhe u rikthyem në një pjesë të shtëpisë, pasi kishim një raport për motrën e sëmurë që vdiq. Vëllanë tjetër Sabrinë e burgosën dhe e dënuan 101 vjet, më pas bëri 20 vjet burg politik në Burrel”.

Persekutimi i grave të familjes

Gjashtë femra, nëna dhe 5 motra dolëm në rrugë pa të ardhura. Hoqën triskat dhe isha 15 vjeçe kur u detyrova të filloj punë në fermë. Motra më e madhe ishte e sëmurë me tuberkuloz në kocka dhe vdiq 18 vjeçe, pasi nuk kishim ushqim. Nëna ishte e sëmurë, motra tjetër vdiq sa u martua.

Një tjetër motër, Fejzija, u martua në Shkozet të Durrësit ku vazhdon të jetojë, por edhe atë e ndoqën persekutimi dhe fatkeqësitë pasi i zuri makina vajzën 18-muajshe dhe pas 20 vitesh po kështu dhe burrin. Ne nuk e ndihmonim dot, se nuk kishim.

Puna për mbijetesë

Bashkë me motrën Remin nuk i jemi nënshtruar të keqes, kemi punuar me kazmë e lopatë për dhjetëra vite derisa dolëm në pension.

Shoqëria është sjellë mirë me ne, edhe pse kishin frikë me ndejtë shumë afër se ishim të deklasuara, sidomos disa që ishin komunistë. Kam punuar në Shtoj të Ri në fermë, më hoqën së bashku me tre të tjera. Më dërguan në Grudë me punu tek fusha e aviacionit.

Punët më të rënda ishin për ne, jo vetë me punu tokën, por dhe me spërkatë me pompë në krah apo me punu me tokmak. Kujtoj një drejtues ferme që pyeste brigadierin për ne se “si po e kalojnë ato”, ndërsa ai iu përgjegj se “kudo që t’i çoni, e çajnë malin me punë se janë nevojtare”.

Na dërguan të punojmë në ferma gjithmonë në zona të largët si në Bullake të Trushit ku bënim 3,5 orë në këmbë për të shkuar dhe punuam 1 vit. Pastaj na prunë në fermë në Qafë-Hardhi me shartu pemë frutore. Kemi punuar dhe në Bajzë ku shkonim në mëngjes dhe vinim në 9 të mbrëmjes”.

Remi, motra e Gjylies tregon se si një herë kur Gjyli u sëmur me stomak dhe mungoi tre ditë në punë, i thonin asaj të bënte normën e mbjelljes së duhanit dyfish, edhe pse kjo nuk paguhej. “Në Bajzë na çonin me zetor nga Kopliku ku kontrolloheshim më parë, pasi ishte zonë kufitare.

Një vit jam shkëputur nga ferma dhe kam punuar në Zhuga. Bashkë me mbesën, vajzën e vëllasë dhe gruan e kushëririt Jup Kazazi punonim aty, dhe kishte një avantazh se i bënim normat dhe paguheshim më mirë se në fermë.

Më kujtohet se pas një viti na thirrën të triave në drejtori dhe na thanë se jeni të pushuara, me justifikimin e shkurtimit të vendeve të punës. U kthyem në fermë. Punonim ku na çonim dhe kalonim dhe ujin në këmbë deri në brez në lumin Kir për të shkuar në punë në Bardhaj”.

Jup Kazazi, organizatori i Kryengritjeve të Kelmendit e Postribës

Familja Kazazi numëron 6 të pushkatuar nga komunizmi, 6 të dënuar politikë, pa folur për persekutimin e gjithë fisit. Jup Kazazi është një prej figurave më të njohura të kësaj familjeje.

Që në moshë të re, kur ishte gjimnazist dallohet për atdhetarizëm dhe më 1926-n është ndër kryesorët në demonstratën para bankës që kontrollohej nga italianët. Arsimohet në fakultetin ekonomik në Beograd, por duke u shprehur hapur kundër poltikës serbe për Kosovën, dëbohet nga ai vend dhe vazhdon studimet në Torino duke shfaqur prirje antifashiste.

Kthehet në Shqipëri si një ekonomist i përgatitur dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja: serbokroatisht, italisht, frëngjisht e anglisht. Atë e zgjedhin kryetar të klubit “Djelmënia” në Shkodër. Radhitet në krahun e nacionalistëve, tek Balli Kombëtar dhe më 1942-shin ishte anëtar qeverie me kryeminsitër Hasan Dostin.

Madje më 1942-n, Hasan Dosti dhe Jup Kazazi i dërguan peticion qeverisë fashiste të Romës për autonominë e Shqipërisë, për të drejtën e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe lirimin e të burgosurve politikë. Përgjigjja negative e qeverisë italiane dhe dënimi me pushkatim i të rinjve komunistë bënë që Hasan Dosti dhe Jup Kazazi në mënyrë demonstrative të japin dorëheqjen.

Jup Kazazi, kujtojnë pasardhësit e kësaj familjeje, e priti me entuziazëm rezolutën e Mbledhjes së Mukjes për bashkimin e shqiptarëve në luftën antifashiste. Ai kërkohej nga fashistët italianë dhe qëndronte në ilegalitet. Në gusht të vitit 1943, forcat e Ballit Kombëtar të drejtuara nga Jup Kazazi morën pjesë në luftën e Reçit kundër fashistëve ku në ndihmë u erdhën dhe forcat partizane.

Jup Kazazi mbajti lidhje e bashkëpunoi me anëtarët e Misionit Ushtarak Britanik që e patën vlerësuar lart në shkrimet e tyre luftëtarin patriot shkodran, që diti të diferencojë në aleancën e madhe antifashiste, krahun demokratik anglo-amerikan ndaj atij ruso-bolshevik. Në prag të vendosjes së diktaturës komuniste shumë eksponentë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit u larguan nga Shqipëria.

Por Jup Kazazi dhe katër vëllezërit e tij qëndruan në Shqipëri. Jup Kazazi, në bashkëpunim me nacionalistë të tjerë arriti të organizonte dy lëvizje të armatosura, dy kryengritje popullore, atë e Malësisë së Madhe e vitit 1945 (Këlmend) dhe Lëvizja e Postribës e shtatorit 1946.
Ato qenë të parat kryengritje antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore. Kryengritjet u shtypën me egërsi të madhe. U vranë e u masakruan, u ndoqën, u burgosën e u internuan, me gjyq e pa gjyq, qindra fshatarë, malësorë e qytetarë të Shkodrës.

Ndërkohë, Jup Kazazi sulmohet në shtëpinë e dajës së tij Rifat Koplikut ku ishte strehuar për t’u fshehur. Banesa rrethohet dhe i bëhet thirrje për t’u dorëzuar. Nuk pranon dhe vret veten. Familja e dajës së tij që e kishte strehuar persekutohet duke u burgosur.

Të njëjtin fund do të kishte dhe vëllai i Jupit, Seiti, ndërsa vëllai tjetër Haliti do të pushkatohej nga komunistët, dhe dy vëllezërit e tjerë Zeneli e Hamiti do bënin përkatësisht 17 vjet burgim, 10 vjet burgim dhe 20 vjet internim.

Vetëvrasja e Seit Kazazit

Lidhur me vdekjen e Seit Kazazit, kushërira e tij Ixhlali, në shtëpinë e së cilës ai u vra, rrëfen për gazetën “Shekulli”, ngjarjen: “Seiti ishte plagosur duke luftuar kundër çetnikëve në Kosovë në formacionin e batalionit “Besnik Çano” ku ishte komandant. I veshur si partizan arrin në Shkodër ku strehohet tek shtëpia ime.

Babai Haxhi Adem Kazazi kishte vdekur, dhe jetonim nëna, ne tre vajzat dhe vëllai që ishte i vogël. Seitin e solli aty Rasim Gjyrezin që më pas e vranë komunistët në Krepe, dhe qëndroi aty i fshehur 22 muaj deri kur u vra. Unë isha 7 vjeçe dhe nga frika se mos e tregoja se kush rrinte tek ne, nuk ia thonin emrin Seit, por Zybë.

Madje, dy motrat më të mëdha, të mbuluara me çarçaf që të mos i njihja, më ndalonin në rrugë dhe më pyesnin se kush jam dhe kë kam në shtëpi, për të më provokuar mos tregoja për Zybën (Seitin). Letrat që shkruante Seiti për të mbajtur lidhjet e tij, i dërgoja unë pa e ditur. Ato m’i vendosnin në trup të fshehura nëna e motrat dhe më thonin shko tek një kushërirë, Fatimja, që ishte rrobaqepëse se do të qepte një fustan. Shkoja atje dhe ajo më merrte masat dhe letrat e fshehura pa e ditur unë.

Motrat me çarçaf më shoqëronin rrugës pa e ditur unë. Seitin e mjekonte Bahri Kopliku dhe pasi u shërua për të provuar dhe forcën e krahut që kishte qenë i plagosur dhe për të më argëtuar mua, më merrte në krah dhe ngrinte lart.

Kur u rrethua shtëpia, unë, motra që ishte para meje dhe vëllai u larguam, ndërsa në shtëpi ndejti nëna me motrën e madhe që ishte 23 vjeçe. Seiti fshihej tek një vend i bërë në tavanin e dhomës, mbi dritare. Në katër të mëngjesit, u futën në shtëpi pasi nëna refuzoi t’u tregonte se kishte njeri të fshehur.

Siç tregonte motra, ishin rreth 100 forca që bënë kontroll kudo, nga ora 04 e mëngjesit e deri në orën 15. Seiti ishte i fshehur dhe nga aty ku ndodhej, kontrollonte lëvizjet e tyre. Një polic i kërkon motrës t’i japë ujë tek pusi në oborr dhe kur del aty i thotë që më mirë të tregojnë, pasi së shpejti do të vijë personi që e kishte treguar se ku fshihet Seiti dhe do ta tregonte ai vendin ku ndodhej. Motra nuk ka pranuar.

Personi erdhi dhe megjithëse nuk donte të njihej, nëna e motra nuk pranuan të dilnin nga shtëpia dhe qëndronin tek tre dritaret, sipër njërës prej të cilave ndodhej i fshehur Seiti.

Personi që e kishte treguar Seitin nuk doli haptaz, por nga dera e dëgjonin teksa u thoshte dritarja e parë, ndërsa motra numëronte të kundërtën. Ndonëse nuk u shfaq haptaz, ato e njohën personin që kishte treguar, pasi kishte qenë ndër ata që vinin në shtëpi dhe e takonin Seitin, pasi më parë ai pyetej se a duhej të lejohej ky person të takohej me të.

Kushdo që vinte dhe nga njerëzit tanë, u thonim se nuk dinim gjë për Seitin dhe me të takoheshin vetëm ata që ai na thoshte t’i linim kur të vinin herën tjetër. Një prej tyre ishte dhe ai që e tregoi.

Menjëherë 50 burra hynë në dhomë dhe Seiti qëllon me armë nga tavani duke vrarë një polic, dhe më pas vret veten.
Nënën e motrën i çuan duke i rrahur në dhomën tjetër, i torturojnë dhe flokët e tyre i kemi gjetur më pas në dorezat e dyerve.

Ato i detyruan të hipin në tavan dhe të ulin nga atje kufomën e Seitit që ishte rreth 100 kg. Nëna e motra tregonin se kur e ulën kufomën, policët e vunë në çardak dhe filluan të kërcenin rreth saj duke kënduar “lule Safo, lule djalë, kemi vrarë një tradhtar”. Nënë Sabijen dhe motër Syrijen i arrestuan, ndërsa kufomën e Seitit e çuan në Zall të Kirit me karrocë dhe akoma nuk i dihet varri.
Persekutimi pas vdekjes së Seitit

Nëna u dënua me 10 vjet burg, motër Syrija pësoi tronditje të madhe dhe pasi e mbajtën 4 ditë në burg e nxorën pasi ishte dhe e sëmurë me tuberkuloz. Për 5 muaj ajo nuk ka mundur të hyjë në shtëpi nga tronditja që pësoi.
Pas 9 muajsh vdiq. Vëllai ishte 14 vjeç dhe nuk e arrestuan. Ai shkoi tek tezja në Tiranë, unë dhe motra u shpërndamë në të tjerë të afërm. Gjithçka që kishim në shtëpi e morën, përfshirë dhe pajat (prikat) e dy motrave.

Unë shkoja një hërë në javë tek burgu, tek sahati i Inglizit, për të çuar ushqim për nënën. Kishim dhe katër djem të xhaxhallarëve të burgosur dhe shkonim bashkë me njerëzit e tyre. “Erdhën reaksionarët” na thonin dhe në rast se ora kalonte 12 e 5 minuta, pasi në 12 ishte orari, edhe pse ishim aty një orë përpara, rojes që na merrte ushqimin, i tekej dhe na i shqelmonte enët duke na e derdhur gjellën. Ktheheshim duke qarë.

Njerëzit kishin frikë të rrinin afër nesh dhe na ndihmonte nusja e dajës dhe ndonjë i afërm tjetër. Kemi punuar nëpër zona të thella. Vëllai Xhemshiti duke qenë se kishte shkollë të mesme mundi të futej një moment në arsim në fshat, por menjëherë e larguan dhe gjithë jetën e kaloi duke punuar në kazmë”

.Më pas u arrestuan Osmani, Bexheti, Bektashi e Ramadani, ku Osmani u pushkatua, pasi e kishin torturuar dhe nxjerrë pastaj tek dera ku e kanë qëlluar duke thënë se deshi të ikte, dhe as atij nuk i dihet varri, ndërsa Ramadani mundi të arratisej tri herë nga burgu.

Arratisja nga burgu e Ramadan Kazazit

Lidhur me arratisjet nga burgu të kushëririt të saj Ramadanit, Ixhlali tregon se ai ishte sportist dhe i njohur jo vetëm si futbollist, por dhe për kërcimin së larti. Kjo e ka ndihmuar të kapërcente muret e burgut 3 metër të lartë, ndërsa vendin ku flinte e kishte maskuar duke vënë këpucët tek këmbët e krevatit dhe mbuluar jastëkun.

“I ka treguar vetë Ramadani motrës sime shumë vite më vonë se si kur është arratis nga burgu, rrugës ka takuar një grua me çarçaf e çadër sepse binte shi. Që të mos diktohej është futur nën çadrën e gruas së panjohur duke i kërkuar të mos fliste as shikonte se kush ishte pasi ndiqej dhe ka ecur me të deri tek shtëpia.

Aty ka hipur në dritare ku ka parë nënën që po flinte në dhomë. Pasi ka qëndruar një vit i fshehur ka mundur të arratisej në Jugosllavi.

Aty e kanë futur në burg duke i thënë se je spiun i shtetit shqiptar. Ka ditë gjuhën sllave dhe ka komuniku me ta. E kanë torturuar në Cetinë. Aty ka njohur një ish-futbollist me të cilin kishin luajtur para luftës dhe i kishte çarë vetullën gjatë lojës. Ai i ka mësuar zanatin e orëndreqësit. Ka mundur të arratisej dhe prej aty dhe ka kaluar kufirin italian.

Në postbllok e ka ndaluar një karabinier italian me të cilin ka folë italisht. Ka rastisur që italiani kishte pasë babanë ushtar në Shqipëri dhe pas kapitullimit të italianëve ai ishte strehuar në familjen e Ramadanit. Karabinieri ka komunikuar në telefon me babanë e tij dhe kur i ka thënë emrin e personit që kishte ndaluar, babai i ka thënë që t’i jepte para, adresën dhe ta linte të kalonte”, tregon Ixhlali.
Vrasja dhe kanuni

Kushëriri tjetër Hasani u largua në vitin 1944 kur ishin akoma rrugët e hapura dhe u kërkoi të vinin dhe të tjerët pasi u thoshte se komunistët i kanë rrënjët e forta. Atij i mbeti familja në Shkodër dhe vetë u vendos në Bari.

Madje, ai ka vrarë një shqiptar që punonte në ambasadën e Shqipërisë në Itali dhe në gjyq po në Itali ka deklaruar se ka zbatuar kanunin e vendit të tij pasi ishte në gjak me komunistët shqiptarë që i kishin vrarë të afërmit.

“Në gjyq, – tregon Ixhlali, – avokati i tij ka paraqitur kanunin e siguruar duke argumentuar se Hasani kishte vrarë sipas ligjeve shqiptare. Shteti shqiptar ka kërkuar ekstradimin e tij, por duke qenë emigrant politik, nuk e kanë kthyer”.

Jeta pas rënies së diktaturës komuniste

Ndonëse është një prej familjeve që ka provuar më egërsisht persekutimin komunist, Kazazët shprehen se nuk kanë zënë atë vend që u takon. Gjylia shprehet se motra e saj në Shkozet të Durrësit vazhdon të jetojë në një magazinë me lagështirë. As babai Abdullahu dhe as vëllai Remzia nuk janë dekoruar. “I kemi bërë letrat, por nuk jemi në gjendje t’i biem prapa nëpër ministri.

Askush nuk na ka ardhë me na thanë se a keni ndonjë nevojë, pasi keni vuajtur më shumë se të tjerët, edhe pse ne nuk kemi nevojë pasi e kemi përballuar jetën edhe atëherë kur e kishim shumë më të vështirë. Kemi qëndruar me dinjitet pa iu nënshtru kujt. Si të persekutuar së tepërmi nuk jemi trajtuar si duhet.

Njerëzit tanë punojnë punë të ndryshme, përfshi dhe ato të rëndomtat. Vetëm nipi, Alija, ishte deputet për një vit dhe kryetar rrethi, tani është në pension. Jemi ndër fiset më të persekutuara egërsisht nga komunizmi”, shprehet Gjylie Mesi (Kazazi).

ANILA DUSHI