Edhe aleat i plaçkitesve, edhe “luftëtar” i korrupsionit?

0
28

Me sjelljet e tij, me gjestet e tij, me deklaratat e tij dhe sidomos me veprimet e tij, ambasadori amerikan Christopher Dell është bërë karikaturë e diplomacisë. Në fund të mandatit të tij, gjatë së cilit u plaçkit edhe më shumë Kosova, Dell i quan të gjithë politikanët të korruptuar, madje edhe shoqërinë kosovare. Por, pyetja themelore është kjo: ç’keni bërë ju, ambasador, kundër plaçkitësve, ju që jeni njeriu më i fuqishëm në këtë vend?

Enver Robelli, 11 Prill 2012

“Shqipëria është vendi i mendjeve të shkurtra, magazinë e fuqisë fizike, një vend që vullnetarisht nuk i nënshtrohet as vetes, as të tjerëve; Shqipëria është element që përherë mohon dhe ku anarkia dhe paligjshmëria janë si të thuash shpirti dhe fryma e jetës”. Para 150 vjetësh kështu mendonte për shqiptarët historiani austriak Jakob Philipp Fallmerayer. Çfarë ka ndryshuar? Për fat të keq shumë pak. Shqiptarët, me ndonjë përjashtim, janë popull harrestar. Para disa ditësh ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, shkundi opinionin me një deklaratë pompoze. I quajti të gjitha partitë të korruptuara, madje krejt shoqërinë. “Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare. (…) Partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë.

Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme. (…) Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit. (…) Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci”.

Mediet tona i dhanë jehonë kësaj deklarate të Christopher Dell-it, fundja çka thotë ambasadori i Amerikës në këtë vend është me rëndësi, sepse pa ndihmën e Washingtonit as që mund të paramendohet liria dhe pavarësia e Kosovës. Menjëherë pas kryediplomatit amerikan doli një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tha: “Unë e dëgjova me kënaqësi të madhe atë farë vështrimi realist, por dhe apokaliptik të ambasadorit Dell, (…), kur tha se Kosovën e ka përfshirë korrupsioni. (…) Personalisht do të isha shumë më i kënaqur që këto gjëra ambasadori Dell, për të cilin kam respekt të veçantë, t’i kishte thënë në fillim të mandatit të tij”. Ky zyrtar i LDK-së na e dëshmoi para diellit dhe Dellit se është pjesëtar i një populli me mendje të shkurtër. E vërteta është kjo: Dell ka folur kundër korrupsionit që në fillim të mandatit të tij në verë 2009.

Konkretisht, ai më 15 janar 2010, me rastin e Ditës së Drejtësisë, para liderëve kosovarë mbajti një fjalim dramatik mbi të metat e shtetit të Kosovës, të cilin e përshkroi si të rrezikuar të dështojë për shkak të keqqeverisjes. Ambasadori, mes tjerash, atëbotë kishte thënë: „Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme. (…) Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe akumuluar pasurinë“.

Me këtë fjalim ambasadori Dell kishte ngjallë shumë shpresa. Njerëzit në Kosovë gëzoheshin që, më në fund, po flitet me gjuhë të qartë kundër korrupsionit. Gëzoheshin që tani nuk do të toleroheshin më korrupsioni dhe keqqeverisja për shkak të stabilitetit. Mes atyre gazetarëve që i kanë duartrokitur fort fjalimit të Dell-it më 15 janar 2010 ka qenë edhe vogëlsia ime. Sot, në fund të mandatit të Dell-it, shohim se sa i madh është hendeku mes fjalëve dhe mosveprimeve të tij. Bilanci i ambasadorit del i trishtueshëm.

Dell ka pasur mundësi të ndalojë hyrjen në parlament të njerëzve që njihen si krerë të krimit të organizuar dhe krimeve politike, veçanërisht atyre që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës. Sot ndonjërin prej tyre e shohim duke defiluar nëpër Prishtinë me xhip të shtrenjtë deri në 100 mijë euro. Shohim se si figura të paskrupullta në emër të luftës për liri plaçkitin çfarë u bie në dorë, nga buxheti deri te pasuria publike. Me disa prej tyre Dell është parë duke bërë qejf nëpër lokale nate në Prishtinë e duke u përqafuar.

Si kanakarë të Dellit nëpër mejhanet e Prishtinës shfaqen biçimgazetarë, të cilët, në fakt, janë ndërmjetësues në biznese të ndotura nga korrupsioni. Prandaj, po këta biçimgazetarë, të shpërndarë në politikë dhe në pseudopublicistikë, kanë qenë të parët që e kanë mbështetur ambasadorin amerikan edhe atëherë kur ka bërë gabime trashanike. Para pak më shumë se një viti Dell luajti një rol të dëmshëm me rastin e zgjedhjes së dhunshme të Behgjet Pacollit në postin e presidentit të Kosovës.

Duhet kujtuar më hollësisht këtë episod për të parë se në Kosovë nuk ka demokraci, pordellokraci. Ditën kur u zgjodh Pacolli ambasadori Dell kishte zënë vend në tribunën e nderit. Afër tij ishte ulur (athua rastësisht?) një person me emrin Esad Pushkar – nomen est omen, do të thoshin latinët! Po përse ulej bash afër ambasadorit një person, një Pushkar, që hiqej si këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR)? Pushkar duhej të mbante lidhjen, ai ishte përçuesi i porosive të ambasadorit dërguar kandidatit për kryetar. Kështu Dell hyri në histori si diplomat që zgjodhi një president vendi me SMS, me mesazhe telefonike.

E kemi parë ambasadorin Dell duke e kritikuar vend e pa vend kryetarin e parlamentit, Jakup Krasniqin, por s’e ka çelur gojën ambasadori i SHBA-ve asnjëherë për bizneset e Pacollit që po dyshohet se punojnë me para të pista. As këto ditë Dell nuk ka folur gjë, edhe pse Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetimet ndaj zëvendëskryeministrit Pacolli për konflikt interesi me rastin e nënshkrimit të memorandumeve në Nigeri si përfaqësues i kompanisë “Seagas”. Në një mënyrë Dell i ka amnistuar krerët e institucioneve kur ka thënë se problemi i korrupsionit “ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit”. Jo doemos udhëheqësit, jo Pacollin, jo Hashim Thaçin dhe kamarillën e tij politike dhe krim-ekonomike, e cila tashmë nuk ai di fundin pasurisë së zhvatur.

Është ky grup që bën përpjekje ta shkruajë ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme sipas interesave personale. Për shembull ka pasur nisma që ligji të vlejë vetëm për ata që pasurohen paligjshëm nga dita e miratimit të ligjit. Kështu dora e drejtësisë nuk do t’i rrokte ata që në vitin 1999 ishin zhelanë e sot e ngrohin bythën në xhipa të markës Range Rover dhe nuk e dinë a i kanë 5 apo 6 banesa në Prishtinë, sa hektarë tokë në rrethinën e Prishtinës dhe sa para nëpër banka. Ky sistem është ndërtuar nga Hashim Thaçi dhe është toleruar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell.

Në fund të mandatit të tij Dell e sheh të udhës të arsyetohet për mosveprimet e tij dhe i fyen të gjithë, duke thënë: “Të gjithë jeni të korruptuar”. Me sjelljet e tij, me gjestet e tij, me deklaratat e tij ambasadori Dell është bërë karikaturë e diplomacisë. Ai do të jetë edhe pak kohë këtu dhe opinioni do të jetë tepër kureshtar të shoh se si do të reagojë Dell nëse prezantohen fakte për keqpërdorim buxheti nga ndonjë zyrtar i lartë i shtetit. Me kukama të kota në fund të mandatit nuk luftohet korrupsioni.

*Shkruar per Koha Ditore. Titulli eshte i gazetes Tema