Nga Ulsi Manja, 10 Prill 2012
Cilido jurist që ka dëgjuar sqarimet juridike të Kryeministrit në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së në lidhje me mandatin e deputetes Rudina Seseri, jam i bindur që ka ndjerë dhimbje të madhe jo për Kryeministrin sepse ai ka 22 vjet që bën “ish pa patur pula”, por për ata deputetë qyqarë të PD-së që e mbajnë veten për juristë të zotë madje ca syresh prej tyre e shesin veten edhe për konstitucionalistë të mëdhenj por që kanë zgjedhur të bëjnë strucin dhe ti thonë amin gjithë asaj sallate juridike që po gatuan Kryeministri i cili këtë radhë në vend të Ristanit ka zgjedhur Kryetaren e Kuvendit zonjën Jozefinë.
Kryeministri Berisha mund të ketë njëmijë e një arsye për të bërë politikë apo zhurmë me mandatin e deputetes Seseri, si bie fjala të vjedhë përkohësisht një mandat të opozitës për të bërë të mundur të zgjedhë Presidentin, të fusë opozitën në grackën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, të mundësojë zgjedhje të tjera në Bashkinë e Fushë-Krujës, të nervozojë opozitën dhe ta tërheqë atë në një debat që më tepër se sa zhurmë kërkon të spostojë vëmendjen e shqiptarëve nga kriza e rëndë ekonomike dhe arka e shtetit bosh, të prishë marveshjen për reforma në funksion të integrimit dhe pastaj të fajsojë opozitën për dështimin e radhës në marjen e statusit të vendit kandidat e shumë e shumë nga ato mbrapshti që di të pjellë vetëm mendja e Kryeministrit tonë, por e vërteta juridike dhe zgjidhja e konfliktit në lidhje me mandatin e deputetes Seseri është e qartësuar si kristali nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, Rregullorja e Kuvendit dhe vendimi nr.37 datë 23.06.2000 i Gjykatës Kushtetuese të R.SH.
Në këtë rast nuk është në krizë juridike as Parlamenti dhe as KQZ siç kërkon ta shesë në tregun politik dhe mediatik zonja Topalli por në qendër të krizës është vetë zonja Topalli që në cilësinë e Kryetares së Kuvendit dhe të Kryetares së Këshillit për Mandatet të Kuvendit që refuzon të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit duke mbajtur peng një mandat të opozitës.
Rasti i mandatit të deputetes Seseri është i zgjidhur qartësisht nga nenet 71/2 gërma “b” dhe 72 të Kushtetutës, neni 164 i Kodit Zgjedhor dhe vendimi nr.37 datë 26.03.2000 i Gjykatës Kushtetuese që ka interpretuar papajtueshmërinë e dy mandateve dhe çelësin e zgjidhjes kjo kornizë ligjore ja ka dhënë Kryetarit të Kuvendit.
Zonjës Topalli nuk po i kërkohet as të japë dhe as të heqë mandate deputetësh sepse ato i ka dhënë populli me votën e tyre dhe as të marë atributet e gjykatës , asaj thjesht po i kërkohet të zbatojë detyrat e saj funsionale siç ka përcaktuar Kushtetuta dhe ligji.
Neni 164 i Kodit Zgjedhor sqaron se në rastin e gërmës “b” të nenit 72/2 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara Komisionit përkatës të Kuvendit heqjen dorë nga mandati dhe në këtë rast Kuvendi jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ për krijimin e vakancës dhe mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse me vendim të KQZ vendim i cili i njoftohet kandidatit vijues dhe botohet në fletoren zyrtare.
Deri në këtë pikë gjithçka është shumë e qartë. Deputetja Seseri me të drejtën që i jep neni 71/2 gërma”b” e Kushtetutës dhe në zbatim të procedurave të parashikuara në nenin 164 të Kodit Zgjedhor dhe në Rregulloren e Kuvendit ka hequr dorë me shkrim nga mandati i saj duke depozituar kërkesën në Komisionin përkatës të Kuvendit të R.SH.
Znj. Topalli si Kryetare e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pasi ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor ka njoftuar KQZ për vakancën e krijuar nga dorëzimi i mandatit të deputetes Rudina Seseri dhe KQZ në përputhje me nenin 164/ 2 të Kodit Zgjedhor ka marë vendim për kalimin e mandatit të deputetes Seseri kandidatit vijues të listës në atë zonë zgjedhore z. Gjon Bardhi vendim i cili i është njoftuar këtij të fundit.
Në momentin që është njoftuar me vendimin e KQZ-së, z. Gjon Bardhi është paraqitur në Këshillin për Mandatet të Kuvendit të Shqipërisë dhe njëlloj si znj. Seseri ka hequr dorë nga fillimi i ushtrimit të mandatit pa bërë betimin si deputet pasi në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 ka marë një mandat nga qytetarët e Fushë-Krujës për të drejtuar Bashkinë e këtij qyteti.
Znj. Topalli si Kryetare e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në momentin që ka marë në dorë kërkesën për heqjen dorë nga mandati i deputetit të z. Gjon Bardhi duhet të kishte ndjekur në raport me KQZ të njëjtën procedurë si në rastin e zonjës Seseri dhe KQZ në bazë të nenit 164 të Kodit Zgjedhor duhet të mandatonte për deputet kandidatin që pasonte në listë z.Gjon Bardhi dhe kjo procedurë parashikohet në vijimësi deri në shterimin e listës së kandidatëve të forcës politike që ka depozituar listën në KQZ.
Mirëpo në këtë moment znj.Topalli njëlloj si Ristani më 8 maj 2011 dhe në mënyrë anti-kushtetuese ka bllokuar procesin kur në fakt Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë asaj çelsin e zgjidhjes.
Kryeministri Berisha dhe zonja Topalli bëjnë diversion dhe kërkojnë të spostojnë vëmendjen e opinionit publik nga problemet e varfërisë dhe papunësisë kur thonë se çështja e mandatit të deputetes Seseri duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese sepse pas vendimit të KQZ z. Gjon Bardhi rezulton me dy mandate përfaqësimi, një si deputet dhe një si Kryetar i Bashkisë Fushë-Krujë.
Marëzia juridike e tyre vazhdon edhe më tej teksa deklarojnë se z.Gjon Bardhi duhet të kishte dhënë dorëheqje nga lista e kandidatëve për deputet përpara se të kandidonte si Kryetar Bashkie njëlloj siç bëri z. Basha kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës, kur në fakt neni 70 i Kushtetutës shprehet qartë se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj”, pra z.Gjon Bardhi në momentin e kandidimit për Kryetar Bashkie nuk mund të hiqte dorë nga një diçka që nuk e kishte sepse mandatin faktik të deputetit ishte duke e ushtruar znj.Seseri, ndërsa z.Basha në momentin e kandidimit ishte deputet i Kuvendit Shqipërisë dhe neni 70 i Kushtetutës domosdoshmërisht i kërkonte dorëzimin e mandatit të deputetit ndryshe mandate aktual do të ishte i pavlefshëm.
Z.Gjon Bardhi nuk ka qënë për asnjë moment në papajtueshmëri mandati kur ka kandiduar në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 edhe pse ka qënë i përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, sepse neni 71/1 i Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve (kupto:KQZ) dhe neni 72 i Kushtetutës parashikon se para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend. Gjithashtu, Kushtetuta e lidh momentin e fillimit të punës së Kuvendit të ri me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve (neni 67/1), por jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e zgjedhjeve. Pra në momentin e shpalljes së rezultait përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, z. Gjon Bardhi nuk ka marë mandat deputeti dhe që nga ai moment ka qënë i lirë për të vazhduar aktivitetin e tij publik apo privat pasi Kushtetuta dhe ligji zgjedhor nuk mund ta mbanin lidhur pas një mandati të paqënë.
Por edhe në rast se z.Gjon Bardhi do të rezultonte me dy mandate të fituara në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin ku asnjëri prej këtyre mandateve nuk është fituar në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit sipas Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.37 datë 23.06.2000 është shprehur në mënyrë të qartë se “Ata që i kanë fituar të dy mandatet sipas ligjeve të mëparshme dhe që i mbajnë njëkohësisht të dy mandatet kanë të drejtë të zgjedhin nëse do të heqin dorë nga mandati i deputetit apo nga ai i kryetarit të bashkisë e komunës”,dhe në këtë rast z. Gjon Bardhi edhe pse ka marë një mandat deputeti të prezumuar si të tillë nga KQZ ka zgjedhur mandatin e Kryetarit të Bashkisë Fushë-Krujë.
Në këto kushte është lehtësisht e kuptueshme se ku fle kriza sepse në rastin në fjalë nuk ka asnjë lloj krize juridike sepse Kushtetuta ( nenet 69, 67/1, 70/2,71/2 dhe 72), Kodi Zgjedhor (neni 164 ) dhe Rregullorja e Kuvendit u kanë dhënë me kohë zgjidhje ligjore këtyre problemeve dhe këto zgjidhje janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese në shumë vendime të saj ndër vite ku për rastin konkret vendimi nr.37 datë 23.06.2000 në lidhje më papajtueshmërinë e dy mandateve është më ekspliciti.
Të vetmit persona ku fle kriza dhe që se pranojnë zgjidhjen që jep Kushtetuta dhe ligji janë vetëm dy persona: Sali Berisha dhe znj. Jozefina Topalli të cilën Kushteuta, Rregullorja e Kuvendit dhe Kodi Zgjedhor e kanë ngarkuar të vërë në lëvizje procedurën dhe të zgjidhë situatën krijuar prej asaj vetë.
Të dy këto personazhe hiqen si respektues të mëdhenj të Kushtetutës, ligjeve, rregulloreve dhe gjykatave, por në fakt asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me fenë e tyre institucionale dhe politike sepse për ta shteti është ashtu siç duan ta bëjnë ata dhe jo vullneti i popullit. Mirëpo në finale këta të dy nuk humbasin njëlloj: Sali Berisha humbet politikisht ndërsa znj.Topalli nëse nuk e zgjidh shpejt dhe në mënyrë kushteuese rastin Seseri mund të përgjigjet edhe penalisht për shkelje me dashje të Kushtetutës dhe ligjit.