Arben Rrozhani, 03.05.2010
Ajo që po ndodh në Shqipëri është shumë familjare në ish-Lindjen komuniste. Gjashtë vite më parë mijëra ukrahinas ngritën çadrat, u binin daulleve dhe kërcenin nëpër rrugë duke shpresuar se do të kishin udhëheqës të ndershëm dhe një ekonomi të fortë.
Protesta ishte kundër presidentit Viktor Janukoviç, të cilin një vendim i Gjykatës së Lartë të Ukrainës e nxorri se kandidatura e tij për president në vitin 2004 ishte plot manipulime. Ky ishte revolucioni portokalli dhe ai hyri në histori, paçka se drejtuesit e tij nuk ditën të mbeten udhëheqësit e popullit.
Vërtet ish-presidenti Jushçenko, apo ish-kryeministrja Timoshenko humbën sepse zhgëjyen ukrahinasit e vitit 2010, por për ta revolucioni portokalli ishte i begatë, sepse për ta solli shumë gjëra, si demokracinë, lirinë e fjalës dhe zgjedhje demokratike fryt i të cilave ishte edhe rokada e pushtetit shkurtin e kaluar me riardhjen në pushtet të Janukoviç dhe largimin e ish-liderëve të revolucionit portokalli.
Nën shembullin e “portokallisë” ukrahinase kanë ndodhur shumë revolucione në vendet ish-komuniste. Në Gjeorgji e quajtën revolucioni i “trëndafilave”, ndërsa në Kirgistan i “tulipanëve”.
Në Shqipëri nuk ndodhi diçka e tillë. Ose më saktë u tha se do të ndodhte, por ishte e gënjeshtërt. Një vit pas revolucionit portokalli në Kiev, në Tiranë do të rimerrte pushtetin Sali Berisha.
Një lloj Janukoviçi, që luante me sloganet e Jushçenkos. I sprovuar me pushtetin, dinak dhe demagog. Fitoi nën logon e duarve të pastra, ndryshimit të madh, rritjes ekonomike për vendin dhe shqiptarët, por sidomos dinjitetit të tyre.
Për katër vite Shqipëria u zhyt më keq se çfarë e kishte marrë Berisha në vitin 2005 dhe shqiptarët e panë vehten në pranverë-verën 2009 se ishin edhe më të varfër dhe më pa dinjitet se nën rregjimin e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano, të cilin kryeministri pasardhës e etiketonte me neveri në publik si kryekleptokrat, por sot në 2010 e ka mentarin kryesor në skemën e qeverisjes dhe të dobësimit të opozitës së majtë. Në qershorin 2009 Berisha nuk e fitoi pushtetin nga vota e popullit.
Ashtu si në 2005, ai nuk e mori votën popullore, por luajti me Kodin Zgjedhor dhe mbi të gjitha me armën e përhershme, që ka përdorur të për ardhur dhe mbetur në pushtet: manipulimin e rezultateve në qendra zgjedhore dhe në kutitë e votimit.
Ajo është arma më e dashur e tij për pushtetin, ndaj nuk është e habitshme për askënd pse nuk pranon ta lëshojë atë.
Mbetja e Berishës në pushtet ishte një goditje e rëndë për demokracinë në vend.
Falë koalicionit me një parti që kishte përfaqësuuar të majtën deri ditën e fundit të fushatës elektorale, z.Berisha ka patur guximin të etiketojë mandatin e dytë qeverisës si të të gjithë shqiptarëve, qeverinë e integrimit dhe të afrimit me Europën.
Ai u mbështet nga Shtëpia e Bardhë, dy vite më parë, duke marrë ftesën dhe më pas anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por kjo nuk ë bëri Shqipërinë më të mirë dhe më të sigurtë për veten dhe për rajonin dhe zgjedhjet e manipuluara të 28 qershorit 2009 ishin një goditje e rëndë për vlerat demokratike që mundohet të përçojë në botë aleanca euroatlantike.
Ai është mbështetur edhe nga shumë vende të BE-së në rrugën drejt marrjes së fletës për anëtarësim në BE-së, tek të cilat prej kohësh është munduar të imponohet, duke u kërkuar pranimin e kandidaturës së vendit, që renditet i fundit në Ballkan për përmbushjen e reformave ekonomike dhe ligjore, ndërsa nuk ka përmbushur kriteret fondamentale siç janë lufta kundër korrupsionit qeveritar, të përhapur në çdo qelizë të administratës shtetërore, krimin e organizuar që mbijeton falë lidhjes me kastën e lartë në pushtet, trafikun e drogës, duke e lidhur lehtësisht qeverinë e Tiranës me enklava narkotike të tipit Lazarat dhe së fundi kriteri politik: moszgjidhja e krizës politike, e cila prej 10 muajsh mban peng zgjidhje politike në vend.
Deri më sot zgjidhja i është lënë ekskluzivisht qeverisë së z.Berisha, por zgjedhja e tij ka qenë moszgjidhja: një komision hetimor parlamentar ku partia që ka pushtetin do të bëjë edhe hetimin (!).
Ndërsa OSBE/ODIHR-I e ka quajtur të mbyllur qëndrimin e tij, që në fakt është i saktë, kur thotë se në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, pra një e treta, numërimi ishte i keq ose shumë i keq, Parlamenti Europian duhet të ndërmarrë një tentativë tjetër, dhe jo me një dërgatë parlamentarësh që vijnë, shohin dhe ikin.
PE, duke zbatuar qoftë edhe standartet për ish-republikat sovjektike duhet të ketë kurajën të thotë se sa të papërputhshme janë për një qeveri që flet në emër të Europës, e drejta e votës dhe vjedhja e saj.
Publiku shqiptar beson se kjo do të ndodhë dhe e shpreh këtë si në një sondazh online, kur 60 për qind shprehen se protesta maratonë e opozitës për hapjen e kutive do të sjellë zgjidhjen e krizës dhe ky do të jetë revolucioni i kutisë.