Preç Zogaj, 02.05.2010
Pse erdhën aq shumë në atë bulevard? A mos vallë për të marrë pushtetin? Unë e di se po të mund të flisnin të gjithë me radhë në atë foltore të lartë të demokracisë, do të thoshin: “…Jo, zotëri! Nuk kemi ardhur për ta marrë, por për ta kontestuar pushtetin që nuk vërteton dot legjitimitetin në kutitë e votimit! Arsyeja e protestës qëndron mbi pushtetin. Ne jemi këtu për me shumë. Ne kërkojmë me shumë…”
Kërkohet pikësëpari t’i komunikohet sërish qeverisë dhe kryeministrit Berisha, kësaj radhe me zërin gjëmimtar të një mase akoma më kompakte dhe akoma më të madhe qytetarësh, se ia ka detyrim opozitës së tij dhe popullit mbarë, transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo është zgjidhja e parë, por tashmë jo e vetmja, për të paqtuar vendin dhe ndaluar rrokullisjen.
Akoma me shumë, kjo protestë madhështore ka ardhur për të dhënë një lajm të mirë, një sihariq: nuk ka vdekur, por jeton Shqipëria që bërtet kur e prekin në nder, domethënë në votë; nuk ka vdekur por ka rilindur Shqipëria që lëshon flakë kur i cenojnë liritë, në radhë të parë lirinë e lirive, që është ajo për të zgjedhur; ekziston populli që ngrihet për ligjin e tij, që është buka dhe nderi i tij. Ekziston populli i zgjidhjeve.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë të ngrihen kaq shumë njerëz për votën dhe ligjin. Një stad i ri i qytetërimit dhe demokracisë mori jetë në 30 prill. Zgjidhja e krizës është e pashmangshme. Nuk ekziston më alternativa e moszgjidhjes.
Secili prej shqiptarëve përballet sot me sfida nga me të ndryshmet, deri me sfidat e mbijetesës ekonomike, që janë ndër më të rëndat. Jeta jonë shpeshherë vishet me dëshpërim për shkak të vështirësive, cinizmit dhe kalbëzimit. Por ka një gjë, pa të cilën jetës i mungon gjithë shija e të jetuarit; ka një gjë pa të cilën nuk ia vlen të jetosh në njëfarë mënyre: janë zgjedhjet e lira. Manipulimi i tyre kërkon të zhdukë individin dhe kjo është një gjemë e madhe për vendin dhe shoqërinë. Kurse çlirimi i zgjedhjeve çliron zgjidhjet. Kjo është bindja që bashkon shqiptarët. Ky është misioni i njerëzve të lirë. Ky është misioni i opozitës.
Me gjithë çfarë ka ndodhur, me gjithë çfarë është shkruar në raportet e ndërkombëtarëve, me gjithë çfarë ka dalë në dritë përgjatë këtyre muajve ku kutia emblematike e Ruzhdijes kërkon gjithandej simotrat e saj jo të pakta në mbarë vendin, zgjedhjet e 28 qershorit nuk kanë këllqe për të mbajtur krizën. Prej tetë muajsh vendi nuk gjen paqe dhe kriza vetën thellohet. Pse? Sepse qeveria “Berisha 2” nuk ka dalë nga kutitë e votimit, por nga kombinacionet dhe lojërat në ato tryezat ku votat u numëruan keq dhe shumë keq dhe mandej në tryezën ku votat që një parti si LSI i kërkoi “për të shporrur” kryetarin e qeverisë, ( “largimi” u dukej një fjalë e butë drejtuesve dhe elektorëve të saj), u përdoren për ta mbajtur atë, kryetar qeverie!
Në zgjedhje vendos populli. Politikanët kanë për detyrë të sillen ashtu siç votohen. Politikanët nuk mund të bëjnë e nuk duhet të bëjnë gjë tjetër veçse të lexojnë verdiktin e popullit. Ky ka qenë dhe është rregulli i madh i paqes. Populli shqiptar nuk i ka njohur dhe nuk i njeh fituesit e vërtetë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në rastin me të mirë fituesi mund të ndodhet në kutitë e mbyllura të votimit. Por edhe me rezultatin që është shpallur nuk ka fitues. Dhe ndoshta nuk ka pasur fitues realë në ato zgjedhje. Populli mund ta ketë nxjerrë barazim atë garë. Është një gjë që ndodh, edhe pse rrallë. Bota demokratike e ka njohur këtë precedent dhe ka krijuar edhe formulat qeverise adekuate që i përgjigjen një situate të tillë. Devijimi nga këto përvoja dhe zakone gjeneron vetëm krizë. Askush nuk pranon të trajtohet si humbës kur nuk ka fitues.
Protesta qytetare dhe greva e urisë, si një formë ekstreme e vendosmërisë së opozitës, janë vendosur përballë qeverisë dhe kryeministrit Berisha për të kërkuar zgjidhjen politike të krizës. Le t’i dëgjojë qeveria të gjithë, por le të dëgjojë në radhë të parë popullin opozitar të Shqipërisë, le të dëgjojë miqtë tanë amerikanë që sugjerojnë hapjen e kutive të kontestuara, ata e dinë ku na pikon, ata s’na kanë lenë kurrë në baltë, miqësia me SHBA-në është një nga pasuritë e mëdha që kemi si komb.
Protesta që ka nisur në Tiranë është një investim qytetar për ta ruajtur e zhvilluar këtë miqësi, për të ruajtur e zhvilluar anëtarësimin e vendit në NATO, për të rimarrë tempin e duhur në rrugën e integrimit europian. Protestat për një kauzë lirie e lartësojnë imazhin e një populli po aq sa fama e bijve të tij me të shquar.
Por, në rast se gjendja e papërfytyrueshme e kutive e turpëron faqen e këtij vendi, – çfarë ka gjasa të jetë e vërtetë po të llogarisim koston e lartë të refuzimit të qeverisë, – atëherë le t’i kthehet kryetari i Partisë Demokratike leximit korrekt të verdiktit të zgjedhjeve, ashtu siç u shpall nga KQZ-ja e tij, le të lexojë barazimin midis partive që u votuan si qeveri dhe partive që u votuan si opozitë, le të vendosë me opozitën e tij kushtet e rikthimit të parakohshëm të zgjedhësve shqiptarë në kutitë e votimit.
Qeveria është vonuar për të përqafuar njërën nga dy zgjidhjet e mësipërme. Nesër do të jetë akoma më vonë…
“Ka nje pa te cilen nuk ja vlen te jetosh ne nje fare menyre: jane zgjedhjet e lira, gjithe shija e te jetuarit.”
Z. Preç !
Kemi jetuar per me teper se 40 vjet pa keto zgjedhje te lira, kemi votuar 100% per politikane si puna jote dhe ja ku jemi gjalle.
Kemi festuar 1 Majin dhe tani idhulli juaj thote: 1 maji, he 1 maji, Nato nuk e feston 1 majin.
Preç, zgjohu nga gjumi! Qe te zgjohesh nga gjumi ke nevoje te kthehesh ne Lezhe.
Comments are closed.