ResPublica.al, 13 maj 2013
Për shkak të krizës ekonomike në Europë dhe frenimit të rritjes në Kinë, Indi, Brazil, etj, një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare po shitet këto ditë 96 dollarë. Në pak javë ka ndodhur një ulje e çmimit ndërkombëtar me 32 përqind për fuçi. Ndërsa në tregun tonë një litër naftë shitet me 1.850 lekë te vjetra litri, njësoj sikur çmimi në tregjet ndërkombëtare të ishte 160 dollarë për fuçi.
Po të kishte ndodhur e kundërta, (rritje e çmimit), brenda dy ditëve ajo do të pasqyrohej menjëherë tek ne, madje me një rritje edhe më të madhe nga ajo ndërkombëtare. Tregtarët shqiptarë të karburanteve thonë se në Shqipëri ulja e madhe po frenohet nga shtrenjtimi i dollarit. Kjo nuk është aspak e vërtetë, pse grosistët shqiptarë furnizohen nga vendet e euros dhe nuk mund të justifikohen nga vlera e këmbimit të dollarit.
E verteta është që këto javë në Itali nafta është ulur 30 përqind, në Francë po ashtu, në Gjermani 32 përqind. Edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi nafta është ulur me rreth 30 përqind. E gjithë Europa dhe konsumatorët e saj po përfitojnë nga çmimet e ulta. Vetëm tek ne tregu i ka veshët e shurdhër dhe sytë qorr. Asnjë lëvizje nga qeveria, nga strukturat e saj të mbrojtjes së konsumatorit, nga edhe vetë Autoriteti i Konkurrencës. E.Shehu