Shkruan: Enver Robelli
Ndoshta politikanët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni mendojnë se nuk është lajm që restoranti i një shqiptari është shpallur më i miri në botë për vitin 2010. Ndoshta as që e kanë regjistruar si lajm, sepse janë të zënë me obligimet e tyre të përditshme, siç është kalimi i orarit të punës dhe i kohës së lirë nëpër restorante. Sidoqoftë – lajmi është publikuar, të gjithë të interesuarit e kanë kuptuar, lexuesit kanë mësuar se restoranti ”Noma“ në Kopenhagë të Danimarkës, pronë e René Rexhepit, një shqiptar me origjinë nga Tetova, ka zënë vendin e parë në mesin e 50 restoranteve më të mira në botë.
Këtë përzgjedhje e ka bërë revista britanike “Restaurant Magazine“; përzgjedhja njihet edhe si “The S. Pellegrino World’s 50 Best Restaurants”.
Gjatë tri ditëve të fundit pothuajse të gjitha gazetat në Evropë kanë shkruar për këtë ngjarje. Shumica e tyre nuk harruan të theksojnë se René Rexhepi është shqiptar, se i ati i tij kishte ardhur nga Tetova në Danimarkë, ku ishte martuar me një daneze.
Triumfi i René Rexhepit është mbase lajmi më i mirë për imazhin e shqiptarëve në botë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Një shqiptar tani përmendet në kontekst pozitiv në të gjitha anët e globit. Kjo ndodh rrallë, sepse vendet e prejardhjes së shqiptarëve, Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë nuk prodhojnë pothuaj kurrë lajme pozitive, nëse si lajm pozitiv nuk e shohim pasurimin e politikanëve nga resurset shtetërore.
E udhës do të ishte që politikanët në Prishtinë e Tiranë, në Shkup dhe Tetovë ta përgëzonin dhe ta dekoronin me medaljet më të larta René Rexhepin për fitoren e tij madhështore në Londër. Sepse as spoti i Shqipërisë në CNN për turizmin në detin Jon dhe në Adriatik, as spotet e agjencisë “Saatchi & Saatchi“ për evropianët e rinj të Kosovës nuk e përmirësojnë imazhin e shqiptarëve më shumë se lajmi se një restorant, pronë e një shqiptari, shpallet më i miri në botë.
René Rexhepi është një shqiptar që e rrëzon përtokë mentalitetin racist të antievropianëve shqiptarë, të cilët vajtojnë kundër ”Evropës kurvë“, e cila s’po i heq vizat. Kur e mori çmimin në Londër René Rexhepi kishte veshur një fanellë me fotografinë e Aliut, një pjatalarësi nga Gambia, një shtet në Afrikën Perëndimore. “Aliu është po aq i rëndësishëm për funksionimin e restorantit sa unë, por atij nuk ia dhanë vizën“, tha René Rexhepi. Në çastin e triumfit më të madh në karrierën e tij të deritanishme shqiptari evropian, René Rexhepi, protestoi pse punëtorit të tij, pra Aliut nga Gambia, nuk ia dhanë vizën që edhe ai të ndajë gëzimin bashkë me punëtorët e tjerë të restorantit “Noma“.
Me tërfurk drejt Evropës?
Nëse politikanët shqiptarë në Ballkan nuk e përgëzojnë dhe nuk e nderojnë René Rexhepin, atëherë ekziston mundësia që këtë ta bëjë Qeveria e Maqedonisë, siç ka vepruar edhe në rastin e Nënë Terezës. Arsyeja pse politikanët shqiptarë në Ballkan e injorojnë triumfin e René Rexhepit është se në shoqëritë shqiptare nga Saranda në Mitrovicë heronj dhe modele orientuese sociale janë luftëtarët me alltia, politikanët e korruptuar dhe mafiozët.
Ky mentalitet i opingës nuk është në gjendje të shikojë përtej gardhit të kalbur të torishtës. Përfaqësuesit e këtij mentaliteti dinë të pështyjnë, të shpifin dhe të ankohen pse Evropa oksidentale nuk po i pranon si të tillë, me opinga, me tërfurk dhe me thikë në brez. E pse po e pranon René Rexhepin? Pse i ka pranuar qindra të rinj shqiptarë të tjerë të angazhuar në punë të rëndësishme publike në Evropë? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse këta njerëz të rritur dhe të socializuar në Evropë dashurinë për lirinë, demokracinë dhe tolerancën e kanë mishëruar në veprat e tyre.
Të kthehemi te René Rexhepi, heroi më i ri i shqiptarëve në botën e civilizuar. Restoranti i tij ”Noma“ ka triumfuar para restorantit spanjoll “El Bulli“, i cili kishte zënë vendin e parë në katër vitet e fundit.
Rexhepi është i ri, vetëm 32-vjeçar. Zanatin e kuzhinierit e ka mësuar te mjeshtrit e njohur Ferran Adria nga Katalonia e Spanjës, tek amerikani Thomas Keller dhe te francezi Jacques Pourcel. Në moshën 26-vjeçare Rexhepi hapi restorantin “Noma” në Kopenhagë. “Noma” domethënë “nordisk mad”, ushqim nordik, verior. Tani njerëzit vijnë me avion privat në Kopenhagë për të ngrënë drekë apo darkë në lokalin e René Rexhepit, i cili nga gazetat quhet “hero i barishteve”, sepse kreacionet e tij kulinarike përbëhen prej barishteve deri tani jo aq të njohura në kuzhinë. Këto barishte shefi i kuzhinës shpesh i mbledh vetë, në Danimarkë dhe gjetiu, kur është e domosdoshme.
Që nga fillimi i karrierës së tij Rexhepi u përpoq të etablojë një kuzhinë nordike si kundërpol ndaj kuzhinës mesdhetare, e cila dominon në shumë restorante të Evropës. Gazetat gjermane e quajnë René Rexhepin një “Wunderkind” (‘fëmijë të mrekullueshëm’) të kuzhinës. Në muzikën klasike si “Wunderkind” konsiderohet Moxarti. Në kuzhinë duket se është një shqiptar.
Kallamar me akullore
Pak para Samitit mbi klimën, i cili u mbajt vitin e kaluar në Kopenhagë, René Rexhepi i ftoi në kryeqytetin danez kolegët e tij më të njohur, me të cilët kaloi dy ditë duke kërkuar barishte të panjohura në male dhe në plazh, gjithnjë duke diskutuar mbi kuzhinën dhe kontributin që mund të japë ajo për mbrojtjen e klimës.
Ja si duket një drekë apo darkë në restorantin “Noma” në Kopenhagë: 1) kallamar i gjallë me akullore të përgatitur nga dredhëzat e papjekura, kopër, gjizë e freskët, tëlyen dhish me kripë, thërrmija buke të zezë; 2) gaforre nga Norvegjia, midhje, senf deti, portulak (lloj perimesh), përdoret si mëlmesë; 3) tatar i mëzatit bizam (njihet edhe si mëzat-dele), rritet kryesisht në Alaskë, Siberi, Kanada, Norvegji dhe Suedi; 4) langustina daneze (lloj gaforresh) me alga deti; 5) spinaq i avulluar, çaj, djathë, selino; 6) qepë, lëng mishi; 7) gaforre, presh, thërrmija buke; 8) perime turshi me palcë eshtrash, barishte dhe lëng mishi; 9) gjoks rose me gjuhë dhe zemër, barishte, dardhë dhe presh; 10) kastravec, verbena (lloj bari); 11) pluhur arrash, akullore arrash, kajmak, mjedra të terura; 12) boronica, akullore boronice, akullore pishash, gonxhe temjani, bukë e rreshkur.
Natyrisht që meny si kjo apo të ngjashme kanë çmimin e tyre, i cili arrin deri në 135 euro. Por, të ushqehesh në restorantin e René Rexhepit nuk është punë zori, por qejfi. Siç dihet njeriu për shtatë palë qejfe i kalon edhe shtatë kodra. Të hidhëruar pas triumfit të René Rexhepit janë sidomos spanjollët. Restoranti i tyre “El Bulli”, i cili gjendet në qytezën bregdetare Rosas në Costa Brava, me vite ka qenë Olimpi, Nirvana dhe Parajsa e kuzhinës. Tani juria e përbërë prej 800 kuzhinierëve, gazetarëve dhe ekspertëve të kuzhinës e zhvendosi nga froni lokalin “El Bulli” dhe e zgjodhi restorantin “Noma” në krye të listës së 50 restoranteve më të mira në botë.
robelli@bluewin.ch