Filloi ikja e dytë e turpshme e Berishës

1
21

Mimoza Dervishi

Ka nisur zyrtarisht ikja me turp e Sali Berishës, i cili me sa duket po e provon edhe një herë se nuk di të ikë ndryshe. Koncerti i fundit i tij dhe partneriteti me Cilin (jetën), nuk e shpëton dot dhe s’ka më as forcë të mbledhë njerëzit në shesh. Ata fatkëqij që bënë sikur dëfryen, ishin thjesht punëtorët e administratës në Tiranë dhe rrethe, që u morën me dhunë, nën kërcënimin e heqjes nga puna. Shqipëria tjetër, e papuna, e varfra dhe e rrënuara, ishte 5 hapa më tutje, qindra mijëshe, e fyer nga ky maskarallëk i fundit, por e frymëzuar dhe më e vendosur se kurrë për të rifituar lirinë e votës dhe jetën në liri.

Mitingu opozitar pa limit, që startoi më 30 prill, është një shprehje e atij vullneti që u vodh në kuti dhe që sot është derdhur nëpër rrugë. Kutitë mund t’i mbash mbyllur, por rrugët jo.
Fakti që ky miting u lajmërua vetëm një muaj më parë, fakti që është mitingu më i madh opozitar shqiptar i të gjitha kohërave, tregon se populli është në këmbë dhe gati në çdo moment.

Ka vetëm një lajm sot: Protesta është në pikën e saj pa kthim pas. Numri tejet i lartë i protestuesve, rreth 200 mijë, është një shifër alarmante dhe mjaft domethënëse. Do kisha dashur që ndërgjegjësimi i qytetarisë shqiptare të arrinte majat dhe ndoshta kjo do ndodhë në ditët në vijim. Me këtë nuk parashikoj shumë dhe nuk dua shumë, por vetëm që ata që u nxorën me dhunë në koncertin funebër të Saliut, të kishin bërë një mbrapa kthehu dhe të bashkoheshin me protestuesit. Ashtu sikur do doja që mediat, ato pak të sakta që ende kanë mbetur në këmbë, të bojkotonin një maskaradë të tillë, sepse është fyese për të gjithë.

Por jetojmë në kohën e Saliut ende, që nuk pjell veçse perversitete. Sidomos në media. Ka një rrezik për përsëritjen e perversitetit të parë, asaj dukurie të shëmtuar që ndodhi në prag të 28 qershorit, kur media dhe analistë, iu sulën opozitës dhe kryetarit të saj. Sigurisht pasi pranonin nëpër dhëmbë se Berisha është një e keqe e madhe, që s’kemi ç’t’i bëjmë, që ka djegur, vrarë, rrënuar, por fajet më të mëdha i ka Rama që përdor SMS.

Kompleksimi i atyre analistëve që s’kanë asnjë lidhje apo përfitim nga pushteti, nuk dihet se nga vjen, nga qytetaria apo paaftësia. E rëndësishme është të mos përsëritet i njëjti gabim, që sot jo vetëm e ka çuar vendin në këtë pikë të mjerueshme, por po mbyll dyert e mediave dhe po pret “koka” një nga një. E rëndësishme është të kuptohet se kur klientët e pacipë të pushtetit, nuk kompleksohen, të mbrosh opozitën dhe një kauzë të drejtë, veçse të nderon dhe të jep të gjitha arsyet për të qenë krenar.

Kur shihja Olta Xhaçkën pak para se të futej në grevën e urisë, bëra me mend llogarinë sa vjeç duhet të ketë qenë në ‘91-shin, kur një grevë e tillë për liri dhe demokraci frymëzoi shqiptarët dhe ndërroi regjimet. Me siguri fare e vogël, por me prindër me shpresa të mëdha për atë dhe moshatarët. Sot, pas 20 vjetësh, ajo dhe të tjerë deputetë socialistë detyrohen t’i hyjnë një sakrifice sublime për të njëjtën kauzë që mbeti mes rrugëve të vështira të tranzicionit dhe që u tërhoq zvarrë nga një komunist hibrid, ashtu sikur regjimi që ai ka ngritur sot në Shqipëri. Po, po, një regjim hibrid, term i cili përcakton ca vende të botës së tretë, të lëna në mëshirë diktaturash dhe fatesh.

Kur i thashë tim biri 9-vjeçar që shqiptarët janë në protestë sot, më pyeti për çfarë. I thashë se u kanë vjedhur votën, por dhe se janë shumë të varfër. Vjedhjen e votës nuk e kuptoi dot menjëherë, sepse ka lindur dhe është rritur në një vend, ku vota dhe liria është vërtet e shenjtë. Pas shpjegimit tim mesa munda, i hutuar nga kjo gjëmë, më tha: “Call the americans, they should help” (Telefono amerikanët, ata do ta ndihmojnë këtë vend, me siguri).

Të dytën, varfërinë, e kuptoi menjëherë, sepse ka disa muaj që percepton me sytë e tij Shqipërinë e mjerimit. Dhe nuk ka nevojë të shohë shumë, mjaftojnë lypësit në rrugë, sidomos ata që janë të mitur, mjaftojnë edhe fytyrat e vrara të shqiptarëve të palumtur. Unë kam frikë t’ia tregoj pjesën tjetër, atë të listave të ushqimeve, atë të njerëzve që vrasin veten nga varfëria, e sidomos atë pjesë që detyron fëmijët me dhunë, të dalin në miting e të brohorasin për diktatorin Sali. Por jam shumë krenare t’i tregoj që shqiptarët nuk janë budallenj dhe nuk janë një komb pa ndërgjegje qytetare. Marshimi i 30 prillit pikërisht këtë tregoi.

Kur ora e së shtunës po afronte te 12-a, ekranet e lajmeve u ndanë më dysh dhe në njërin krah shfaqeshin skafandra të frikshme, në tjetrin ca femra me inteligjencë zero, që tundeshin të paguara nga paratë e shqiptarëve pa bukë. Mora pultin e turpëruar dhe e çova te “Çufo TV”, sepse nuk ia shpjegoja dot fëmijës tim, ç’lidhje kishin dy pamjet e së njëjtës rrugë. Më tha i lënduar, ktheje te protesta, se nuk është koha për përralla. Atëherë i shpjegova Saliun dhe në fund më tha, pse njerëz të tillë janë dhe kaq të shëmtuar fizikisht.

Berisha, ky përbindësh që duke cikur përmasat false të Çiljetës dukej dhe si një plak horr, po jeton sot orët e këqija të një ikje të dytë. Me turp, siç di të ikë vetëm ai. Por edhe siç ka nisur karrierën e tij, si komunist, duke festuar 1 Majin.

Prandaj në Tiranë ka shumë arsye të protestohet sot.

1 COMMENT

  1. Qe nga Amerika ku ndodhesh je mesuar te besh te njejten gje: SHPIF NE EMER TE SHPIFJES.
    Ky eshte stili juaj i kritikes sipas Realizmit Socialist.
    Lereni djalin tuaj te gjykojë vete kur te rritet, dhe jam i sigurte qe nuk ka per te pase mendimet tuaja, dhe mos vere fjale ne gojen e djalit qe nuk jane te hijshme per te. Nje dite kur t’i lexoje ka per t’i ardhur turp prej teje.

Comments are closed.