TemA, 9 Prill 2012
Kjo më poshtë është fjala e mbajtur nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit të PD
Së pari dëshiroj t’u informoj ju mbi vizitën që sapo kreva në Turqi. Shpreh mirënjohjen time më të thellë për kryeministrin Erdogan, këtij miku të shquar të kombit shqiptar dhe njërit prej reformatorëve më të mëdhenj në historinë e kombit mik turk, për ftesën që më bëri dhe për pritjen vëllazërore që më rezervoi gjatë qëndrimit tim. Falënderoj përzemërsisht për pritjen që më rezervoi, bisedimet që zhvilluam, kryetarin e parlamentit dhe trupën e deputetëve të miqësisë, që më pritën miqësisht në parlamentin e Turqisë, të falënderoj kryetarin e dhomës së biznesit të Turqisë, por edhe kryetarin e unionit të dhomave të tregtisë në Shqipëri.
Kjo vizitë ishte një rast i veçantë për mua që të shprehja mirënjohjen më të thellë në emër të shqiptarëve udhëheqësve më të lartë të vendit mik në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 100 vjet përpjekje të shqiptarëve për të konsoliduar pavarësinë janë shoqëruar nga qindra e mijëra vendime në interesin më të mirë të shqiptarëve. Kjo është e vërteta historike e 100 vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kombeve tona.
Marrëdhëniet kanë njohur një zhvillim të fuqishëm në 20 vitet e fundit në të gjitha fushat dhe po ecin në lartësinë e ndjenjave miqësore që ekzistojnë, që kombet e vendet tona ushqejnë për njëri- tjetrin. Ajo që është ndër më pozitivet është zhvillimi i fuqishëm vitet e fundit i marrëdhënieve ekonomike që kanë qenë pak si më mbrapa. Turqia ka një zhvillim ekonomik nën qeverisjen e Erdogan me një rritje ekonomike të shkëlqyer. Gjatë këtyre viteve investimet turke janë rritur me 9 herë. Turqia ka mbështetur fuqishëm Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjithë përpjekjet që kanë bërë e bëjnë për liri.
Në këto takime u diskutuan marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, por një vend të veçantë në fushën e energjisë pasi ajo është përparësia kryesore e qeverisë sonë. Mora garanci të plotë nga Erdogan se qeveria e tij mbështet plotësisht projektet që mundësojnë kalimin e gazit nëpër Shqipëri. Në këtë mënyrë do shfrytëzojmë potencialin e madh të kësaj lëndë. Kjo mbështetje ka qenë konstante gjatë gjithë këtyre viteve. Por kjo mbështetje është sot më e fuqishme se kurrë. Unë dua të shpreh edhe njëherë falënderimin për këtë mbështetje.
Gjatë vizitës biseduam për bashkëpunimin në fushën e turizmit. Turqia ka njohur rritjen më të jashtëzakonshme të turizmit në këto vite. Kanë një ekspertizë të shkëlqyer në shërbime. Kam besim se premtimet që mora për inkurajimin e investitorëve turq në turizëm do bëhen realitet siç janë bërë në fushat e tjera.
Janë marrëdhënie që prekin çdo fushë, arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen. Turqia ka dhënë mbështetje thelbësore për anëtarësimin në NATO.
Pata kënaqësinë të ftoj mikun tim dhe të shqiptarëve të marrë pjesë në festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ftesë që u pranua me kënaqësi dhe jam i bindur se ky premtim do bëhet realitet. Në Turqi ajo që është presje në rrafshin pozitiv, në atë vend e atë shtet ka më shumë shqiptarë se në Ballkan. Ky është realiteti. Historia e dy vendeve është një histori që daton në shekuj. Natyrisht shqiptarët ndjehen krenarë me Skënderbeun dhe kanë të drejtë, por nuk mund të injorojnë se edhe Barbarosa ishte shqiptar dhe ishte zot i detrave në kohën që jetoi. Shqiptarët janë krenarë me Lekën, por nuk mohojnë se Sinan Pasha zotëroi hapësirën nga deti Balltik në detin e Jemenit.
Shqiptarët janë krenarë me Naimin, por është fatlum fati që Samiu, që shkroi librin e shenjtë të shqiptarisë është themelues i turqishtes moderne.
Por, le ta lëmë mënjanë se perandoria është në arkiv, 100 vitet janë vitet e bashkëpunimit dinjitoz mes dy vendeve.
Meqenëse disa patriotë pa atdhe janë ndjerë të lënduar se pse unë kam folur për lidhje gjaku, u them atyre zotërinjve se cila është origjina e fiseve ilire dhe cila është origjina e fiseve turke është qartësisht e njohur. Por, të mendosh se vetëm gjaku i fiseve qenka lidhja e vetme e gjakut është qesharake. Janë mbi 6 milionë shqiptarë në Turqi. Me miliona martesa dhe është botërisht i njohur pasioni i turqve për të marrë shqiptare. E kanë këtë. Për tu dhënë shqiptarëve më pak, e kanë këtë. Po këtë e kanë parësore ata. Atëherë çfarë tu themi ne, që nuk kanë gjak shqiptar, që nuk kanë gjak të përzier?
Unë dua t’i garantoj këta të nderuar zotërinj se jam krenar me ta sepse ata janë krenarë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu në vend që të krenohen, ndjehen të lënduar. Jo kanë lidhje gjaku, por të fuqishme. Tani si u gjetën aty 6-7 milion shqiptarë, është çështje e historisë, por nuk mund të mohohet. Është e njohur tendenca e emigracionit shqiptar, jo më kot ata arritën në nivelet më të larta të perandorisë. Një komb që zuri karrigen e kryeministrit 42 herë të asaj perandorie. Këto janë në arkiva.
Një miku im, Teodoros Pangallos, e kisha dy herë mik se ishte shqiptar. Tani duhet të mohojmë ne? Jo, përkundrazi, është një faktor pozitiv sepse ne jemi ata që themi gjaku ujë nuk bëhet. Kjo është e vërteta. Ndaj këtyre zotërinjve u them shkruani sa të mundni dhe protestoni, ne do të qëndrojmë kudo që të ketë lidhje gjaku kombi, ne jemi krenarë. Po ku u themelua Rilindja jonë? Rilindjen tonë e themeluan shqiptarët në vende të tjera dhe i bënë kombit shërbimin më të madh.