Ç’do të ndodhë pas protestës së sotme?

0
41

Eduard Zaloshnja

Nga: EDUARD ZALOSHNJA

TIRANE- Se ç’do të ndodhë sonte në Tiranë nuk përbën ndonjë pyetje të vështirë për këdo që ka ndjekur sadopak politikën shqiptare. Një pyetje vërtet intriguese është se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim.

Në 20 nëntor të vitit të kaluar, opozita organizoi një protestë vërtet madhështore, e cila, edhe pse nuk realizoi objektivin e saj të shpallur (ose hapjen e kutive, ose dorëheqjen e qeverisë), shërbeu si katalizator i futjes së krizës politike shqiptare në agjendën e kancelarive evropiane. Pesë muaj e dhjetë ditë më vonë do të zhvillohet një tjetër protestë e opozitës, e cila duket se do të ngjajë me atë të 20 nëntorit si një pikë uji që bie fill pas së parës, si në drejtim të objektivit të saj, ashtu edhe të organizimit. Dhe, në qoftë se ajo përfundon shpejt, si paraardhësja e saj, e vetmja gjë që do të realizojë është se do t’u rikujtojë kancelarive evropiane se kriza politike shqiptare ende nuk është zgjidhur.

Por, a mjafton vetëm kaq për të përligjur shpenzimin e energjive dhe burimeve financiare, që kërkon organizimi i një proteste të madhe me pjesëmarrës nga i gjithë vendi?

Me tërheqjen e pjesshme pas 20 nëntorit, udhëheqësi i opozitës hapi derën e negociatave, duke mos e mbyllur përfundimisht derën e protestave. Dhe kur negociatat prodhuan vetëm një komision parlamentar shterpë, i cili nuk do të mund të hapte kutitë, atij i mbeteshin vetëm dy alternativa: ose t’i futej rrugës së gjatë legale që kalon nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, ose të bënte thirrje për protestë.

Rruga e parë, ajo legale, është, në fakt, me më pak rreziqe politike për udhëheqësin e opozitës. Por, si në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore, edhe në politikë, vlen aksioma “Sa më pak të rrezikosh, aq më pak mund të fitosh”. Një proces i gjatë legal vërtet nuk e ballafaqon Ramën me një test të vështirë si ai i pas protestës së sotme, por mund t’ia ulë gradualisht kuotat në “popullin e majtë” dhe, në përfundim të tij, mund të arrihet një zgjidhje deledash për kauzën përcaktuese të opozitës – hapjen e kutive.

Nga ana tjetër, organizimi i protestës së sotme, ndërkohë që nuk përbën një vështirësi të pakapërcyeshme në kushtet kur temperatura politike e “popullit të majtë” është rritur edhe për shkak të faturave të majme të ujit, elektrikut dhe telefonisë, sjell me vete rrezikun e mbylljes së shpejtë të saj, ashtu siç u mbyll protesta e 20 nëntorit. Kuptohet që Rama, duke e marrë përsipër këtë rrezik, si dhe koston financiare e politike të organizimit të protestës, shpreson për një rezultat më të mirë se ai i pas 20 nëntorit.

Duke qenë i vetëdijshëm se thirrjet për dhunë nuk do të toleroheshin nga kancelaritë evropiane, udhëheqësi i opozitës e ka bërë të qartë se rrëzimi i qeverisë me dhunë është jashtë çdo agjende të opozitës. Po ndërkohë, ai ka bërë thirrje për mosbindje civile dhe njerëzit rreth tij kanë deklaruar se opozita e përkrahësit e saj do të vazhdojnë të protestojnë deri në largimin e qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. Ndërsa kjo gazetë raportonte dje se udhëheqësit e protestës po planifikojnë bllokimin e akseve kryesore të Tiranës, duke filluar nga e shtuna e më tej.

Pra, duket qartë se udhëheqja e opozitës shpreson që përkrahësit e saj do të vazhdojnë të dalin në masë në rrugët e Tiranës edhe pas mbrëmjes së sotme. Në qoftë se kjo shpresë i realizohet, udhëheqja e opozitës pa dyshim që do të dalë e fituar politikisht nga nisma për të thirrur përkrahësit e vet në protestë. Vazhdimi i protestës për ditë me radhë mund të shkaktojë nervozizëm te qeveria e përkrahësit e saj dhe, si rrjedhojë, mund të fillojnë përplasje fizike të kontrolluara apo të pakontrolluara me protestuesit. Në këtë rast, ndërhyrja e kancelarive perëndimore për të gjetur një zgjidhje politike do të jetë tejet e fuqishme dhe e shpejtë. Dhe zgjidhja, pa u vonuar, patjetër do të arrihet.

Në rast se qeveria dhe përkrahësit e saj do të jenë në gjendje ta përmbajnë nervozizmin, protesta do të shuhet një ditë, por zgjatja e saj për ditë me radhë do të vinte në lëvizje kancelaritë evropiane për të diktuar një zgjidhje përtej formulës “Gjykata Kushtetuese të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me objektin e hetimit që do të zhvillohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit”. Dhe në kushtet kur Shqipëria është një vend i vogël e i varfër, i cili kërkon me ngulm anëtarësimin në BE – pra, kur është praktikisht një vend me sovranitet të kufizuar – zgjidhja e diktuar nga kancelaritë evropiane, sado me vështirësi, do të pranohet më në fund nga qeveria.

Mendja ta do se Rama ka pasur parasysh pikërisht dy skenarët e mësipërm, kur ka vendosur të zgjedhë rrugën e protestës në vend të asaj legale, që kalon nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Po që protesta e sotme të mos mbarojë si ajo e 20 nëntorit, ku të ardhurit nga rrethet u larguan shpejt nga kishin ardhur (pasi kishin kënduar e kërcyer në bulevard), Ramës do t’i duhet një përkrahje masive disaditore e qytetarëve të Tiranës. Dhe për të parashikuar nëse ai do ta ketë një përkrahje të tillë, ose duhej kryer një sondazh tejet i saktë, ose duhej gjetur një fallxhore me aftësi të mbinatyrshme…

(G.SH/BalkanWeb)