Barrikadë njerëzore përballë mbretërisë së pashpallur

0
53

Intervista

Mitungu kundër rrënimit, 30 prill 2010

Kreu i opozitës: Zëvendësimi në gjykata? Shpresojmë që Presidenti të mos bëhet palë

Kështu u shpreh dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë intervistës së tij në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla. “Ne jemi në protestë, sepse ligji nuk është zbatuar. Kur në bashkëpunuam me palën tjetër, në funksion të disa interesave të mëdha të vendit, për t’i dhënë mundësi një shansi historik që Shqipëria të kryente zgjedhje të lira dhe të ndershme, e bëmë këtë duke realizuar detyrën tonë që ishte hartonim një ligj sa më të mirë”, u shpreh Rama.

Një protestë pa kufij kohorë, një organizim i gjithanshëm që do të mbajë Tiranën të ndezur nën thirrjet e pandalshme të qytetarëve të ardhur nga i gjithë vendi. “100000 njerëz nuk do të rrinë aty ditë e natë, gjithsekush është i lutur të rrijë, por aty do të ketë gjithnjë njerëz që do të rrinë”, u shpreh Rama, duke zbuluar një moment teknik të protestës së sotme. Sa i takon zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, Rama tha se shpreson që Presidenti të mos bëhet palë me asnjë në përzgjedhjen e emrave. PS-ja, vijoi ai, garanton pjesëmarrjen në këtë proces, nëse ai nuk do të jetë një farsë.

Në të vërtetë interes ngjall prononcimi i tij për sa i përket liberalizimit të vizave, i cili është kthyer ndër të tjera edhe në një element propagandistik akuzues ndaj lëvizjes së opozitës. “Vizat do të hiqen në fund të dhjetorit. Shpresa ishte që të mund të përshpejtohej sadopak procesi, por edhe këtë qeveria nuk e bëri dot. Prandaj është e tepërt të thuhet se protesta jonë ndikon në liberalizimin e vizave, e cila është një axhendë europiane”, deklaroi Edi Rama në një përgjigje të parë të qartë dhe neutralizuese për të gjithë tymnajën e ngritur nga qeveria në këtë drejtim.

Por përtej retorikës politike dhe taktikës propagandistike, kryetari i Partisë Socialiste ka formuluar një akuzë, që sintetizon në vetvete të gjithë tipologjinë e sjelljes së qeverisë aktuale. Dhe në të vërtetë kjo akuzë mund të cilësohet si elementi më kumbues i apelit publik të opozitës, që i bën jehonë një shqetësimi të vjetër të qytetarëve ndaj Sali Berishës. “Po shkojmë drejt një mbretërie të pashpallur. Ka një Kushtetutë, që oborri i Kryeministrit e shkel sa herë që do, ka një ligj që është i ndryshëm për njerëzit e afërt me të”, u shpreh Edi Rama në një formulim të pakontestueshëm të raportit që sundon sot mes qeverisë dhe publikut.

Pak gjë mund të shtohet në rrafshin argumentues rreth qëndrimeve të opozitës socialiste; sipas fjalëve të kreut të saj, por edhe përmbajtjes së fushatës disamujore, retorika politike e ka reduktuar dhe thjeshtuar qartë objektivin kryesor; PS-ja kërkon ndryshimin politik, ose më mirë ajo është në mbështetje të çdo skenari, përveçse mbajtjes së qëndrueshmërisë. “Skenari i vetëm është rezistenca dhe mjeti i vetëm që na ka mbetur është protesta”, u shpreh Rama po dje gjatë një interviste për BBC. Duke analizuar ecurinë e situatës që prej zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe ngjarjet pararendëse si marrëveshja për Kushtetutën, kreu i selisë rozë nuk i ka shtuar në thelb asgjë deklarimeve të muajve të fundit.

Konsistenca e tyre qëndron në faktin se përgjegjës i krizës është manipulimi elektoral i organizuar në shkallë të gjerë nga ai që sot drejton qeverinë e Tiranës, Sali Berisha. Sipas Ramës, kërkesa këmbëngulëse për hapjen e kutive është jo vetëm një e drejtë e PS-së, por edhe një qëndrim parimor, një rrugë për t’u dhënë shqiptarëve të vërtetën e 28 qershorit. Pikërisht zbulimi i saj dhe dalja në sipërfaqe e adresës së saktë politike të votës së shqiptarëve ka bashkuar rreth PS-së një spektër në zgjerim të partive politike të majta, por edhe të qendrës.

Edhe pse praktikisht ky koalicion buron nga interesi i përbashkët i cenuar në zgjedhjet e fundit, në vetvete ai ruan edhe vlerën e korrektimit të “gabimeve” të bëra në procesin e fundit elektoral. Lidhur me analizat që qarkullojnë së fundmi, se synimi afatshkurtër i Ramës në kuadër të protestës është një rikandidim i tij në Bashkinë e Tiranës, ai i ka dhënë një përgjigje mohuese, edhe pse e ka justifikuar këtë me kontekstin dhe kohën në të cilën shtrohet ky diskutim.