PROTESTA E INTEGRIMIT, VOTËS SË LIRË DHE E DEMOKRACISË

0
57

Andrea Stefani

Andrea Stefani

“Protestat masive mbeten e vetmja alternativë për t’u rikthyer qytetarëve shqiptarë të drejtën e votës së lirë”. Mbetet e vërtetë. Po kush e ka thënë këtë? Mos vallë Edi Rama? Jo, është Sali Berisha, që sot shfaqet si kryekundërshtari i protestave të opozitës. E ka thënë në vitin 2004, një vit para rikthimit në pushtet dhe kur mëtonte të mposhtte Kryeministrin e atëkohshëm, Fatos Nano, atë që e akuzonte si “padrinon” e korrupsionit dhe të mafies.

Sot opozita do të derdhet në Tiranë të protestojë për votën e grabitur dhe kjo është një provë e atij mashtrimi antiliri mbi të cilin u themelua pushteti i dytë i Kryeministrit Berisha. Premtoi votë të lirë dhe ndërtoi një sistem të grabitjes së votës “me Kushtetutë” dhe me vendim gjykate. Nuk është aspak një rastësi që sot Berisha kërkon aleancën e Fatos Nanos, pikërisht të atij që e akuzonte si armik të votës së lirë.

* * *

Propaganda berishiste është mobilizuar si askurrë për t’i ekspozuar protestat e opozitës si penguese për integrimin e Shqipërisë në BE dhe madje penguese deri edhe për heqjen e vizave. Këto akuza nuk janë as më shumë dhe as më pak, por shpallje e opozitës (një zakon i vjetër ky i diktaturave dhe tiranëve), armike të popullit. Në të vërtetë, ai që po e pengon integrimin e Shqipërisë është si përherë në këto 20 vjet, pushteti dhe politika autoritariste e Sali Berishës, që nuk rresht së tentuari për të vënë nën zap çdo pushtet dhe për të dhunuar çdo liri e të drejtë, përfshirë atë që është themelore për demokracinë, të drejtën e votës.

Protestat jo vetëm që nuk janë pengesë për ndonjë integrim, por në të kundërtën, janë shpresë, janë përpjekje për të arritur ato standarde lirie dhe drejtësie, pa të cilat nuk mund të ketë kurrë integrim. Protestat e opozitës janë sot një përpjekje për të krijuar, tej raporteve false të integrimit vetëm në letra, standarde reale të europianizimit të Shqipërisë, për ta bërë Shqipërinë si Europa. Nuk ka angazhim politik më pozitiv dhe më pro vlerave europiane sesa ky i opozitës, përfshirë edhe protestën e saj për votën e lirë. Kriza e sotme politike ka për fajtor jo opozitën, por pushtetin që pasi manipuloi me dinakëri procesin zgjedhor, krijoi pabesisht alibinë “kushtetuese” të moshapjes së kutive për të maskuar vjedhjen e votave.

Kjo taktikë djallëzore, në themel të së cilës qëndron (si përherë në taktikat e autoritaristit Berisha) kapja e gjyqtarëve dhe e institucioneve, nuk rezultoi aq e suksesshme në mashtrim sa edhe ç’shpresonte pushteti. Pavarësisht dezinformimit galopant nga qeveria, e vërteta e gjeti rrugën e saj dhe sot është shtuar skepticizmi i perëndimorëve lidhur me këtë ndalim që çuditërisht “Kushtetuta” i bëka parimit të transparencës së votës. Provë për këtë është edhe mesazhi që Bill Delahunt, kreu i nënkomitetit për Europën në Kongresin e SHBA, i dërgoi pak ditë më parë Kryeministrit Berisha, ku e nxit, ndër të tjera, që të hapë “kutitë e kontestuara të votimit”.

Në mesazh, Delahunt i shpjegon Berishës se transparenca e zgjedhjeve i shërben forcimit të demokracisë në Shqipëri. Por ai nuk e di se pikërisht kjo është ajo që nuk do Berisha. Sepse të pranojë transparencën e kutive, do të thotë të denoncojë mekanizmin e marrjes së një pushteti të pamerituar, grabitjen e vullnetit të sovranit. Prandaj, me gjithë këmbënguljen në rritje të zërave nga Perëndimi për transparencë deri edhe hapje të kutive (tri ditë më parë edhe komisioneri Stefan Fule ripërsëriti nevojën për transparencë), Berisha dhe berishistët vazhdojnë të këmbëngulin në përrallën se transparenca “nuk lejohet nga Kushtetuta”.

* * *

Kapja e drejtësisë dhe përdorimi i saj për të maskuar vjedhjen e votës është kryerrënja e krizës së sotme. Qeveria dhe shumica janë fajtore për krizën, janë shkaktare që opozita është në protestë, sepse refuzojnë transparencën, në një kohë kur janë të gjitha mundësitë, për ta realizuar atë në përputhje të plotë me Kushtetutën. Është thënë me kohë, nëse Berisha nuk do të hapë kutitë në zonat e kontestuara “në respekt të një vendimi të Kolegjit Zgjedhor”, përse nuk lejon hapjen e kutive në disa zona të tjera, që nuk përfshihen në vendimin e kolegjit?

Një formulë e tillë përputhet edhe me premtimin që ai ka bërë publikisht, edhe dje ia bëri shefit të NATO-s, se është i hapur për një transparencë që nuk shkel ligjet e vendit apo Kushtetutën. Nuk ka asnjë vendim gjykate që të pengojë hapjen e kutive në të gjitha zonat zgjedhore, nuk ka asnjë klauzolë në Kushtetutë që ta pengojë një transparencë të tillë. Ndaj ky refuzim kategorik i Berishës kundër transparencës nuk mund të mos krijojë dyshime të forta se vjedhja e votave është një krim prezent jo vetëm në tre zona të kontestuara nga opozita. Edhe rekomandimet që bëhen për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese janë me shumë gjasa kurthe për ta shtyrë çështjen për në “kalendat greke”.

Shanset e këtij skenari i bën më të mundshëm ndërrimi i disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që do të votohen së shpejti me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Dhe nuk mund të ketë iluzione se Berisha mund të tolerojë një shumicë të pavarur në një gjykatë që deri më sot ia ka rrëzuar si antikushtetuese rreth 30 projektligje apo vendime. Si autoritarist i pandreqshëm, ai do përdorë shumicën tiranike në Kuvend për të fituar shumicën në Gjykatën Kushtetuese. Një shumicë që do t’i japë mundësi që në të ardhme ta dhunojë Kushtetutën me gjykatë, ashtu sikundër dhunoi votën e lirë me KQZ dhe Kolegj Zgjedhor.

* * *

Në vitin 2004, Sali Berisha akuzonte Fatos Nanon se po pengonte integrimin e Shqipërisë, duke mos lejuar zgjedhje të lira e të ndershme të cilat ishin përcaktuar nga Këshilli i Europës, Bashkimi Europian dhe NATO (këtë të fundit Berisha parapëlqente ta quante “aleanca e veriut”), si kusht kryesor dhe i prerë për integrimin. Sot opozita është në protestë për të mbështetur integrimin, duke kërkuar votë të lirë, pa të cilën nuk mund të ketë integrim. Dhe po sot, Berisha ka ardhur në pozicionin e Fatos Nanos, armikut të djeshëm dhe mikut të tij të sotëm, duke akuzuar opozitën se po pengon integrimin me protestat e saj.

Të shpresosh se një protestë masive e opozitës do ta bëjë autoritaristin Berisha të reflektojë, do të thotë të ushqesh iluzionin se ai ka disa reflekse demokratike. Por nuk mund të jetë i përgjegjshëm ndaj një kërkese të opozitës dhe elektoratit të saj, kush ka vjedhur votat e opozitës. Ndaj sot Berisha dhe qeveria e tij bëhen gati t’i kundërpërgjigjen mitingut dhe protestës së opozitës me një antimiting të maskuar keq me festën e 1 Majit.

Një tentativë, që përveçse të kujton antimitingjet e Ramiz Alisë në çastet e fundit të regjimit komunist, është provë e nevojës që ndjen regjimi i sotëm për të kamufluar vjedhjen e votave, përveçse me Kolegj Zgjedhor, edhe me “popull”. 1 Maji si antimiting është njëherazi edhe një shantazh që i bëhet lirisë së opozitës për protestë, është premisë potenciale incidentesh që nuk do t’i dëshironte askush, përveçse një pushteti dhe politikani që është mësuar të përfitojë nga incidentet, dhuna dhe deri edhe grushtet e shtetit. Prandaj dhe protesta e opozitës duhet të jetë e gjerë për nga pjesëmarrja, e fortë për nga qëndresa, e paprovokueshme, e pacenueshme në natyrën paqësore dhe dedikimin e saj ndaj demokracisë dhe lirisë.