Nga Mero Baze, 11 Maj 2013
Qysh në fillim duhet thënë se kandidimi i Edi Ramës në Vlorë, është një vendimet më të mira që ka marrë për zgjedhjet e 23 qershorit. Duke qenë qarku që i jep më shumë vota të majtës, dhe pjesa e Shqipërisë, e cila është në kufijtë e shpëtimit nga rrënimi historik dhe mbyllja e perspektivës së zhvillimit, kandidimi i njeriut që synon të bëhet kryeministër, i bën nder kësaj pjese të Shqipërisë.
Përtej kësaj rëndësie që ka për Vlorën kandidimi i kryeministrit të ardhshëm, kanë një rëndësi po aq të madhe mesazhet politike që ai duhet të japë si kandidat për kryeministër, të cilat duhet të rrezatojnë në gjithë Shqipërinë.
Për këtë arsye Vlora është një qark perfekt, pasi aty më shumë se kudo tjetër bashkohen të gjitha sfidat e Shqipërisë dhe modelet e dështuara apo të rrezikshme të zhvillimit që janë eksperimentuar.
Së pari, Vlora dhe gjithë miliardat e investimeve në turizëm që janë bërë aty, janë vënë në pikëpyetje nga qeveritë e deritanishme të kthehen në piramidë, pasi aty përplasen dy prioritete: prioriteti i Berishës për ta bërë Vlorën një port industrial, me TEC dhe depozita nafte dhe prioriteti i investitorëve privatë që synojnë turizmin. Këto dy prioritete asgjësojnë njëra-tjetrën dhe Edi Rama duhet të japë një përgjigje të qartë për këtë.
Së dyti, Vlora është problematika më ilustruese e mafies së tokave dhe skandalit të përdorimit të pushtetit politik për projekte zhvillimi klienteliste. Nga Narta deri në Ksamil, mafia e tokave ka bërë kërdinë me pronësinë e vjetër të tokës, duke shpallur pronarë gjithfarë njerëzish të lidhur me pushtetin, që nuk i lidh asgjë me ato prona. Që nga Ksamili e deri në Nartë, zhvillimi është vënë në pikëpyetje së pari nga pronësia mbi tokën dhe nga etja e familjes në pushtet për të pushtuar bregdetin. Edi Rama duhet të japë një përgjigje për këtë.
Së treti, Riviera Shqiptare ka 8 vite që trajtohet si pronë private e fëmijëve të Sali Berishës, ku dhëndri i tij bënë projekte dhe shet influencën e vet mbi këto projekte të vizatuara në bregdet, sikur të ishte pronar i tij. Fakti që atij i janë dashur 8 vjet për të “studiuar” një bregdet, do të thotë që atij i është dashur të sillet si njeriu që ka në dorë licencimin e zhvillimit të bregdetit në favor të klientëve të tij. Edi Rama duhet t’i japë një përgjigje kësaj sfide, jo me një Jamarbër të ri, por me një ide të qartë, të thjeshtë dhe shpëtimtare.
Së katërti, bregdeti i Vlorës ka filluar të përjetojë simptomat e para të betonimit dhe modeleve të shëmtuara dhe të dështuara të Golemit, Shëngjinit dhe Durrësit. Kryeministri i ardhshëm duhet të bëjë gjeste që të dëshmojë se nuk do ta lejojë atë.
Së pesti, Vlora ka një model të klientelizmit politik të pushtetit që dikton duke thyer rregullat dhe duke mposhtur dhe pushtetin lokal. Kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, ka ndërtuar në emër të vjehrrit të vet një kompleks pallatesh në Ujë të Ftohtë në Vlorë, jashtë çdo norme dhe rregulli në këtë vend. Ai ka hyrë në ujë dhe ka ndërtuar dy pallate, me leje nga Bashkia e Vlorës, e cila ka qenë nën presionin e pushtetit për të shkëmbyer pallatet e Lulëzim Bashës me fonde publike për qytetin.
Edi Rama duhet të tregojë se nuk ka ndërmend të bëjë pazare për politikë dhe duhet ta shembë atë kompleks, i cili nuk respekton asnjë ligj të shkruar të shtetit shqiptar. Vetë Berisha çirret se nuk do të lejojë ndërtime 100 metra afër bregut, ndërsa “kollovari” i tij ka ndërtuar 20 metra brenda ujit. Edi Rama duhet ta shembë jo vetëm pa asnjë kompleks politik, por duke theksuar mbi të gjitha faktin që ai pallat është produkt i shëmtuar i politikës. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë dhe në Sarandë, Ksamil, Borsh, Himarë, Qeparo e Dhërmi, aty ku klientelizimi politik po krijon shëmtitë e para.
Së gjashti, kandidimi i Ramës në Vlorë duhet të jetë pa kompleks një shenjë e mbështetjes së qeverisë së re për jugun e vendit, i cili është persekutuar realisht, jo nga ndonjë frymë anti-jugore, por nga mungesa e interesit elektoral të Sali Berishës. Rruga drejt jugut, e nisur qysh më 2005 nga Fatos Nano, ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që Berisha ka asfaltuar çdo katund të humbur në veri. Një vëmendje reale ndaj jugut është një vëmendje ndaj industrisë më të madhe të pritshme në vend, turizmit, i cili për fat është i tëri i destinuar të zhvillohet në qarkun e Vlorës. Është e vërtetë se kryeministrat e këtij vendi kanë pasur vëmendje së paku për zonat e tyre elektorale. Sali Berisha në Kavajë, në vitet e para, e më pas Fatos Nano në Sarandë, kanë çuar realisht investime, por nuk kanë nxitur zhvillim. Koncepti i investimeve për Vlorën duhet të jetë në sinkron me nxitjen e zhvillimit dhe jo nën modelin e pjesës tjetër të bregdetit ku është investuar me miliona, por nuk është zhvilluar, por rrënuar.
Së fundmi, kandidimi i Ramës në Vlorë ka dhe anën e tij politike. Kandidimi i tij atje dobësoi realisht fuqinë e të zgjedhurve lokalë të Vlorës dhe ish-deputetëve të Vlorës dhe prodhoi dhe një reaksion kundër tij përmes daljes së Arben Malajt si i pavarur. Edi Rama duhet të provojë se shkon aty si lider për të shtuar vota dhe për të arritur rezultatin e pritshëm 8 me 4 për koalicionin e majtë. Është detyrë e tij të provojë se është në lartësinë e një lideri, që prodhon mbështetje dhe e kthen Vlorën në një bastion të së majtës, dhe një lider që sfidohet.
Ashpërsia me të cilën Berisha po përpiqet të dominojë fushatën me klientelizmin e tij për shkak të prezencës së Kokëdhimës në listë, apo mosrespektimi sa duhet i kritereve krahinore dhe fetare në listën e Vlorës, mund të tejkalohen vetëm nga demonstrimi i fortë i lidershipit të Edi Ramës. Ai duhet të sillet në Vlorë si kryeministër dhe si lider i së majtës, dhe jo si një bashkiak që premton shëtitore, pallate apo rrugë të asfaltuara. Ndryshe do të ngecë në rrjetën e mërive dhe sfidave lokale të qytetit.
Vetëm të sjellurit si kryeministër dhe lider i së majtës i jep jo vetëm kuptim kandidimit të tij në Vlorë, por i jep kuptim dhe të ardhmes së tij në politikën shqiptare, si një njeri që mund të shpëtojë nga rrënimi pjesën më të vlefshme të Shqipërisë, që është një hap larg greminës. Dhe nën këtë model ka arsye të rrezatojë modelin e tij të ri të shtetarit dhe politikanit në gjithë Shqipërinë.