Feja e shqiptarit është politika

0
74

Sandra Agaj

Viti 2012 është shpallur “Viti i Pavarësisë”. Dhe me të drejtë 100 vjetori i pavarësisë përveçse krijon një atmosferë festive, dashur pa dashur të ushqen sadopak atë ndjenjën e patriotizmit. Ndjenjë kjo që për hir të së vërtetës ka kohë që në shoqërinë e sotme është krijuar një hendek midis të qenit idealist, patriot dhe prirjes për të qenë individualist. Sot, të jesh patriot nuk do të thotë më shpresë, si një herë e një kohë, por përkundrazi një individ i pashpresë që i duhet të lërë mënjanë idealet dhe natyrshëm të bjerë në humnerën e thellë të politikës.

Se çfarë mund të thuhet për politikën në Shqipëri mjafton të kalosh në rrugë, të ulesh për një kafe apo të shkosh në punë dhe patjetër do të ndeshesh me debate të tilla të cilat nisin si biseda të rastit dhe në fund përfundojnë në konflikte sa qesharake aq edhe keqardhëse. Të tilla reagime ndonëse në pamje të parë si një dhunim i figurës së “kulluar” të politikanëve, janë një lloj revolte e brendshme që duket sikur merr jetë kur bashkohet me një tjetër zë të pafuqishëm, siç janë zërat e mbytur të qytetarëve.

Çfarë mund të bëjnë këta qytetarë, këta turma të sfilitura të cilët kërkojnë të ardhmen në një vend të vdekur e të tjetërsuar në një kufomë të kalbur dhe të mbuluar mes pluhurit të korrupsionit, të varfërisë dhe drejtësisë së mohuar? Kur Tuholsky ka thënë “Politika është një zanat si gjithë të tjerët” me siguri nuk ka nënkuptuar politikën në kuptimin e mirëfilltë të saj dhe atë çfarë ajo përfaqëson. Me siguri nuk ka nënkuptuar politikën shqiptare që në themelet e saj bazohet në qeverisjen me anë të popullit në interes të politikanëve.

Jam e bindur se nuk ka dashur të japë shembullin e një shteti që funksionon si një monopol në duart e biznesmenëve të cilët nuk dinë gjë tjetër përveçse të vjedhin, të shpërdorojnë, të varfërojnë ata të mjerë që edhe pse të uritur, të zhgënjyer, të poshtëruar morën guximin përsëri të besojnë se mund të ketë dritë në fund të tunelit, se vota e tyre mund të ndryshojë këtë gjendje të padurueshme dhe mund të sigurojë një copë buke sa natën të mos flenë me barkun bosh.

Ende besojnë se larg çdo konflikti, larg çdo urrejtje midis partive politike kanë ende një mundësi për të qenë të barabartë mes të barabartëve. Është 100-vjetori i pavarësisë dhe përsëri të duket si një iluzion dhe tepër larg asaj që mund të quhet një vend demokratik, ku ekziston harmonia midis njerëzve dhe partive politike. Mjafton të kthehesh qindra vjet mbrapa për të kuptuar se si janë dashur qindra vjet lufëtra për tu krijuar një shtet të konsoliduar.

Mund të vazhdojmë gjatë këtij rrugëtimi e të shkruajmë mijëra fjalë e lëvdata pa fund dhe me një ndjenjë sublime për të gjithë ata patriotë, heronj të cilët gjithë jetën e tyre ia dedikuan dhe punuan me qëllimin e vetëm që Shqipëria të ishte e lirë dhe e begatë. Por ajo çfarë na mbetet të bëjmë është të shpresojmë se do te vijë dita kur feja e shqiptarit të jetë me të vërtetë shqiptaria dhe se Shqipëria do jetë e të gjithë shqiptarëve dhe jo interesave fisnore të politikanëve.