Nëpunës do të festojnë për të papunët

0
43

Preç Zogaj

nga Preç Zogaj, 29 Prill 2010

Në datën 1 maj, një ditë pas protestës së opozitës, qeveria ka planifikuar të organizojë në Tiranë një koncert festiv, të cilin do ta paraqesë si një miting të mbështetesve të saj, ashtu siç bëri në 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Qëllimi është po ai: të kundërballancohet protesta e opozitës; të bëhet asgjë, duke e thjeshtuar me një festë të qeverisë. Në arithmetikë, thjeshtimi i dy numrave të njëjtë të një thyese i fshin të dy numrat.

Për analogji strategët e qeverisë kanë mendimin se thjeshtimi i festës me protestën është rruga më e mirë për të fshirë protestën. Festa në këtë rast është ka vlerën e një kurbani. Kërshëria këtu nuk është të dimë a e asgjëson vërtetë festa protestën. Kjo, në princip, nuk ndodh kurrë.

Festat dhe protestat janë gjera krejt të ndryshme. Kërshëria e madhe, më saktë pikëpyetja e madhe është tjetër: si mund t’i shkojë ndërmend një qeverie t’u kundërvihet me koncerte dhe sfilata protestave popullore të organizuara nga opozita e saj?

Të merremi vesh: qeveria mund të organizojë spektakle, parade, festivale, manifestime, lojëra… Të gjitha këto janë të nevojshme për të mbushur jetën shpirtërore të popullit, por nuk bën vaki që një qeveri demokratike të këndojë me gjysmën e popullit për të zhurmuar protestat e gjysmës tjetër. Nuk e bën qeveria, por nuk e bën parasëgjithash vetë ajo pjesë e popullit që nuk është në protestë.

Sjellja fisnike e shkëshillon shprehjen publike te gëzimit, kur fqinjët e tu të nepërkëmbur , të poshtëruar, të papunë apo të uritur janë në rrugë për të drejtat e tyre. Ca më shumë, sjellja fisnike e ndalon shprehjen publike të gëzimit si një sfidë ndaj atyre që nuk kanë gëzim, por hidhërim në shpirt.

Këto janë zakone të mirësjelljes që s’kanë të bëjnë fare me faktin nëse janë ose nuk janë të drejta kërkesat e protestuesve. Kjo është edukata e shoqërive të arrira që janë e duan të jenë pjesë e botës së lirë.

Qeveritë e Shqipërisë harrojnë se injorimi i rregullave të pashkruara të sjelljes fisnike e demokratike dhe zevendësimi i tyre me gjeste “politike” të stampës së vjetër diktatoriale, i bëjnë një dëm të pallogaritshëm aspiratës sonë për integrim në Europë, duke na treguar më pranë sw kaluarës komuniste se sa së ardhmes europiane.

A ju kujtohet mitingu i korrikut 1990 në Tiranë menjëherë pas arratisë së madhe të shqiptarëve ne ambasadat e huaja? Në një akt të madh poshtërimi, rregjimi thirri njëqindmijë vetë a me shumë në sheshin “Skenderbej”.

Njëherë e një kohë, në vitet e para të demokracisë, na vinte turp edhe ta kujtonim dhe as që mund ta merrnim me mend se 2 korriku i Ramiz Alisë dhe Xhelil Gjonit do të shërbente si një lloj modeli i qeverive “Nano” dhe “Berisha” për të kontrastuar protestat opozitare.

Në mars të vitit 2004, për të zhvlerësuar e sfiduar protestën “Nano ik” të opozitës, qeveria e asaj kohe trasferoi nga Elbasani në Tiranë, pas me shumë se dymijë vjetësh, festën pagane të pranverës.

Qeveria i numëroi atë ditë si mbështeteës të saj dhe si karshiqarë të opozitës tërë gratë dhe burrat që u ngjiten atë ditë në kodrat e liqenit të Tiranës për të shijuar muzikën dhe diellin. Deri këtu edhe kapërdihej ajo farsë-festë, sa kohë që shumë njerëz po gëzonin. Por të tilla ” festa” të rregjimit nuk mbarojnë kurrë në momentin kur kthehen në shtëpi njerëzit e thjeshtë.

Ato, në fakt, fillojnë kur largohen njerëzit. Vazhdimi i tyre është një festë e shpërdorimit të pushtetit, pasi ia ka dalë edhe njeherë të ” mbledhë me shumë njerëz se opozita”. Treguesit e korrupsionit dhe keqadmnistrimit janë rritur ndjeshëm, sa herë që qeveria ka organizuar ndonjë festë të madhe kundër opozitës.

Edhe të shtunën, me 1 maj, në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, do të shohim padyshim në sheshin “Skenderbej” nëpunës që i presin si ujët e pakët këto lloj ngjarjesh që inskenohen si provë force e qeverisë.

Të hënën e tutje s’do të ketë bir nënë t’i gjejë në krye të detyrës. Ata nuk ndjejnë ndonjë detyrim për tu shërbyer me përkushtim qytetarëve. Kanë kuptuar se përpara se të jenë nëpunës, qeveria i do militantë, mitingashë. Pjesmarrja e tyre e detyrueshme në mitingje është vetë shkatërrimi i shërbimit publik në Shqipëri.

Por ky është një diskutim tjetër. Në këtë moment na intereson të vënë në dukje një përçudnim tjetër të festës qeveritare të 1 majit pasneser, që nuk është si festa e 8 dhjetorit 2009 . Në 8 dhjetor qeveria e kishte nje justifikim. Duke qëne një qeveri e qendrës së djathtë, i shkonte të investohej për festën e pluralizmit.

Pavarësisht se dihej pse e bënte. Kurse 1 maji është dita dhe skena më e papërshtatshme për qeverinë për të bërë antiprotestën e opozitës.

Për vetë natyrën e ditës së 1 majit , që ka lindur si festë e punëtorëve dhe u përket e gjitha punëtorëve, me festën e saj politike qeveria e uzurpon dhe e dhunon këtë festë.

Për ta thënë me fjalë të tjera, në 1 maj 2010, në kulmin e krizës ekonomike që po kalon vendi, kur ushtria e të papunëve rritet frikshëm çdo orë dhe çdo ditë për shkak të tkurrjes dhe falimentimit të qindra bizneseve, qeveria propozon dhe organizon një festë ku dhjetra e qindra nëpunës do të festojnë për të papunët e vendit.

E gjithë kjo është me shumë se cinike, është përtej djallëzisë. Mua me duket se është shprehje e një çoroditjeje të madhe përballë problematikës që ka hapur kriza politike tetëmujore.

Çdo qeveri ka mbështetës. Madje shumë. Por qeveria nuk punon me mbështetës si opozita. Qeveria është e të gjithëve, posaqë është qeveri e zgjedhur me votë. Ajo e ka detyrim trajtimin e kërkesave të një proteste.

Megjithese nuk është e natyrshme, në raste të veçanta qeveria mund të thërrasë në rrugë mbështetesit e saj, por këtë e bën hapur, pa u fshehur prapa gishtit, duke i ftuar njerëzit të dalin për të shprehur politikisht mbeshtetjen për të.

Qeveria “Berisha” mund ta bente kete para 30 prillit apo pas 1 majit. Por jo me 1 maj, djalli e mori.E shtuna parashihet të jetë dita e një zallamahije të madhe në Tiranë.

Qeveria do të valwvisë koncertin e vet politik. Opozita do të vazhdojë protestën e nisur një ditë më parë. Disa lëvizje sindikaliste do të përpiqen të marrshojnë në bulevard me kwrkesat e tyre. Një miniaturë e romanit “Viti i mbrapshtë” i Kadaresë, në variantin e Shqipërisë në NATO.

Kemi shpresë se palët do të evitojnë pikat e takimit dhe fërkimit në zonën e ngushtë ku do të vërviten. Por nuk ka dyshim se bota do të qeshë me ne. Dhe ky 1 maj, për fat të keq, do të na vonojë në çeshtjet e vizave dhe integrimit më shumë se ato ligjet që nuk i kemi miratuar apo zbatuar ende.

Vleresimet themelore për një vend kandidat si Shqipëria janë ato që nuk thuhen kurrë hapur, por ndihen në shijen që u lemë partnerëve perendimore me sjelljen tonë. Neqoftese nuk kuptojmë këtë, jemi shumë me larg Europës se sa na thonë.

Nga: Preç Zogaj