Strategjia e Berishës dhe Hafijet në Media

0
39

Bledar H. Prifti

Bledar H. Prifti, 28.04.2010

Pjesa dërrmuese e analistëve politik në mediat Shqiptare janë, direkt ose indirekt, shërbëtorë dhe hafije të regjimit. Arsyeja që i quaj këta analistë “hafije të pushtetit” nuk ka të bëjë me kontradiktat ideologjike apo vlerësimet normative, por me mbështetjen që ata i japin pushtetit edhe në raste, pasi ky i fundit ka shkelur haptazi ligjet, kushtetutën, dhe sovranitetin e vendit.

Këta analistë implementojnë në mënyrë të kamufluar strategjinë e pushtetit Berisha për të përmbushur babëzinë për pushtet absolute politik dhe ekonomik dhe duke çoroditur dhe gënjyer mbarë popullin. Ata janë pararoja e propagandës qeveritare që përpiqen të largojnë vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale si varfëria, papunësia, korrupsioni, krimi, manipulimi dhe vjedhja e votës së popullit.

Strategjia e Berishës për të mbajtur pushtetin, për të çorientuar opinionin publik, dhe për të sulmuar dhe shkatërruar opozitën implementohet në media përmes hafijeve të pushtetit në tre drejtime kryesore: (1) përmes njehsimit të figurës politike të liderit socialist, Edi Rama, me atë të liderit demokrat, Sali Berisha; (2) përmes personalizimit të politikës dhe kauzës politike të opozitës socialiste për drejtësi, demokraci dhe transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit; dhe (3) përmes pretendimit se largimi nga politika i Berishës do të ishte një “tragjedi” për PD-në (për disa mbase edhe për vendin dhe politikën kombëtare).

Së pari, njehsimi i figurës së liderit socialist, Rama, me atë të liderit demokrat, Berisha, është një komponent i strategjisë Berisha që promovohet fuqishëm sot në media përmes këtyre analistëve.

Berisha dhe hafijet e tij në media e kanë kuptuar se të njehsosh dhe të sulmosh, në të njëjtën kohë, si Berishën dhe Ramën do të thotë të ruash status quo-në politike, pra do të thotë të mbash Berishën në pushtet, dhe e bënë më të vështirë për popullin të ndajë “miellin nga krundet”.

Lexoni në gazeta dhe shikoni në televizione se si mbështetësit dhe sponsorizuesit monetar të fushatave elektorale dhe pushtetit Berisha ngulmojnë të barazojnë Ramën me Berishën.

Shikoni sa të lumtur bëhen përkrahësit e Berishës kur këta soj analistësh barazojnë Ramën me Berishën. Për ta ky është misioni i tyre! Nuk ka rëndësi, nëse sulmohet apo jo Berisha. Nëse sulmohet opozita dhe lideri i saj, situata politika do të vazhdonte ishte e njëjtë dhe pushteti Berisha do të ngelej i paprekur.

Paralel me këtë strategji lëshohen absurditeti, naiviteti, dhe monstruoziteti intelektual edhe klithma e tyre: “Mirë hajde se po e heqim Berishën nga pushteti se është hajdut dhe autokrat, por kë do të vëmë në vend të tij se ata janë të gjithë njëlloj?!” Dhe kjo klithëm lëshohet pasi këta maskarenj dhe bashibozuk të medias kanë shpenzuar një kohë të mjaftueshme duke mashtruar dhe tallur opinion publik se gjoja Rama na qenka njëlloj si Berisha.

Klithin kështu, pasi kanë implementuar strategjinë e Berishës dhe pasi kanë hamendësuar dhe profetizuar në mënyra nga më intrigueset rreth jetës familjare dhe politike të liderit socialist, Rama.

Së dyti, personalizimi i politikës dhe kauzës socialiste për demokraci dhe transparencë është një strategji tjetër e Berishës për të sulmuar opozitën dhe lidershipin e saj.

Hafijet dhe shërbëtorët e pushteti në media propagandojnë në mënyrë absurde dhe diabolike se gjoja kauza për transparencë, drejtësi, dhe demokraci nuk i shërben interesave të shoqërisë Shqiptare por interesave të Ramës dhe mbështetësve të tij.

Këta syresh e dinë shumë mirë që kauza e iniciuar dhe mbështetur nga Rama dhe opozita socialiste, për më shumë, është kauza e vet popullit të rraskapitur nga vuajtja, varfëria, korrupsioni, edhe hajdutëria dhe vendosja e pushteti në funksion të interesave të familjes pushtetare dhe klaneve të tyre.

Në sinkron dhe vijimësi të strategjisë Berisha, këta sharlatanë mediatik nuk ngurojnë të lëshojnë nëpër media të njëjtat klithma si ato që dalin nga parlamenti i Jozefinës. Ata janë të gatshëm të sulmojnë personalisht dhe familjarisht këdo që do të mbronte kauzën e opozitës dhe mbarë shoqërisë për një shtet demokratik të së drejtës dhe për transparencë të proceseve zgjedhore.

Nëse dikush kërkon dhe “lufton” për transparencë, drejtësi, dhe demokraci, ai/ajo do të sulmohej dhe etiketohej, midis të tjerash, si komunist; bile do t’i kujtonin edhe gjyshin partizan apo komunist.

Por harrojnë se i vetmi komunist i vërtet i ngelur sot në Shqipëri është kryeministri Sali Berisha. Shumëkush mund të pyesë: “Si ka mundësi që klasa e të persekutuarve nga regjimi komunist dhe ‘revolucioni komunist’ u udhëhoq dhe mban për idhull një ish-komunist?”; “Kur është përjetuar ndonjëherë ky paradoks në ndonjë vend tjetër të botës?”

Gjithashtu, të persekutuarit e regjimit komunist duhet ta dinë se ato kuti të zeza të diktaturës komuniste mund t’i hapte Sali Berisha gjatë pushtetit te tij 1992-1997 pasi kishte mbështetjen e pakufizueshme të popullit Shqiptarë dhe qeverisë Amerikane. Por ashtu si me kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit, Berishës nuk i interesonte të hapte ato kuti të zeza të komunizmit sepse ai vetë kishte qenë sekretar i partisë komuniste dhe rrezikonte të komplikonte të shkuarën e tij komuniste.

Kutitë e 28 qershorit nuk janë të ndryshme nga kutitë e zeza të komunizmit. Historia ka treguar ngaherë se nuk ka diktatorë apo hajdutë që të pëlqejë transparencën apo demokracinë pasi transparenca nuk është gjë tjetër, por zbulimi dhe nxjerrja në dritë e krimeve dhe barbarisë politike dhe ekonomike.

Komponenti i tretë i strategjisë është deklarimi nga këta analistë i hipotezës se largimi nga politika i Berishës do të ishte një “tragjedi” politike për PD, dhe, për disa, mbase edhe për vendin. “Nëse ikën Berisha,” thonë këta analistë, “PD-ja do të shkatërrohej dhe do të bëhej inekzistente si forcë politike.”

Ky mendim i këtyre analistëve duket më shumë si një mendim i kohës së komunizmit kur “proletariati” mendonte se vdekja e “shokut Enver” do të ishte tragjedi për partinë dhe kombin Shqiptarë.

Kushdo do të çuditej nga këto deklarata absurd dhe groteske të këtyre analistëve. Këto thënie nuk bëjnë gjë tjetër por mbështesin “kultin e njëshit” dhe ndihmojnë në instalimin në krye të shtetit të pushteteve diktatoriale dhe autokratike.

Por “proletariatit” të kohës së komunizmit mund t’i falet ajo thënie për shkak të injorancës dhe influencës së theksuar të ideologjisë dhe determinizmit, kurse kjo gjë nuk mund t’i falet analistëve të sotëm të cilët nuk janë të limituar në ideologji dhe njohuri politike. Por, përse do të ishte tragjedi për PD (“mbase edhe për vendin”) largimi i Sali Berishës nga politika?

Mos vallë do të ishte tragjedi ikja e Berishës, sepse kjo do i hapte rrugë rikthimit të vërtet në PD të figurave si Eduart Selami, Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Shenasi Rama, dhe mijëra intelektualëve dhe studentëve të dhjetorit të larguar nga Berisha me metoda Enveriste?

Mos vallë do të ishte “tragjedi” ikja e Berishës sepse kjo do të finalizonte epokën e qeverisjes nga diktati i dyshes Berisha-Nano, qeverisjet e të cilëve i shkaktuan këtij populli tragjedi nga më të ndryshme, duke filluar me “Firmat Piramidale” dhe “Otranton” dhe duke mbaruar me “Grushtin e Shtetit” dhe “Gërdecin”?

Mos vallë do të ishte “tragjedi” largimi i Berishës sepse kjo do i hapte rrugën një politike ndryshe dhe më progresiste, konsensuale, dhe produktive se ajo e dy dekadave të fundit? Mos vallë do të ishte tragjedi ikja e Berishës sepse kjo do i hapte rrugën krijimit të një klase politike të re me një tërësi vlerash dhe filozofi politike krejt të ndryshme nga (anti)vlerat dhe (pseudo)filozofit politike të klasës së vjetër?

Mos vallë do të ishte largimi i Berishës një tragjedi sepse kjo do të bënte të mundur shkatërrimin dhe çrrënjosjen e një sistemi autoritar dhe të korrupsionit ekonomik dhe politik të instaluar prej dy dekadash nga dyshja Berisha-Nano? Mos vallë do të ishte largimi i Berishës një tragjedi, sepse kjo do t’i jepte jetë politikës, ekonomisë, dhe shoqërisë Shqiptare?

Propaganda mediatike e hafijeve të pushtetit është një vazhdimësi, direkte ose indirekte, e strategjisë Berisha për të ruajtur pushtetin, hegjemoninë e vlerave të klasës së vjetër politike, dhe për të shkatërruar politikisht Edi Ramën dhe klasën e re politike të vendit e cila sapo ka lindur.

Kjo strategji përfshin (1) portretizimin e figurës politike të Edi Ramës si e njëjtë me figurën politike tejet e vjetruar të Sali Berishës, (2) portretizimin e kauzës popullore për demokraci dhe transparencë të vullnetit të popullit si kauzë individuale e Ramës dhe e opozitës socialiste për pushtet, dhe (3) portretizimin e largimit nga politika e Berishës si një “tragjedi” politike për PD.

Parë nga ky këndvështrim, përplasja midis Berishës dhe Ramës nuk mund të konsiderohet thjesht si një përplasje individësh për pushtet por si një përplasje vlerash dhe filozofish politike krejtësisht të kundërta. Si e tillë, kjo betejë politike ka përfshirë në arenën e saj të gjitha forcat dhe sferat e shoqërisë dhe politikës shqiptare, arenë ku hafijet e pushtetit në media janë më të përhapur dhe më aktiv se kurrë.