Skandali i dietave
Fejzi Braushi, 26.04.2010
TIRANË – Skandali i dietave në Kuvend përfshin edhe kryetaren e këtij institucioni, Jozefina Topalli. Ashtu si gjithë deputetëve të djathtë, kryeparlamentarja Topalli në 7 muajt e fundit, në kundërshtim me ligjin “Për statusin e deputetit”, i ka njohur vetes luksin e përfitimit të një shume të konsiderueshme prej 73.2 mijë lekësh të reja çdo muaj si shpenzime në formën e dietave për ardhjen nga Shkodra ku “banon” në Tiranë, ku merr pjesë në jetën parlamentare. Ndërkohë që shpenzimet e tjera, ato të telefonit dhe karburantit, ndryshe nga çdo i zgjedhur tjetër, për shkak të detyrës si kryeparlamentare, i gëzon pa limit.
Shpenzimet
Kursimet e bëra nga mbajtja e rrogave të deputetëve socialistë për gjatë periudhës së bojkotit i kanë dhënë mundësi kryetares së Kuvendit që të “shpërblejë” deputetët e djathtë pa përjashtuar as veten e vet me dieta të ekzagjeruar. Kështu, zyra e financës duket se ka qenë e prerë në përllogaritjet e ndarjes së këtij kursimi, pasi e ka trajtuar kryeparlamentaren me dieta mujore me të njëjtën shumë që ka trajtuar edhe gjithë deputetët e tjerë të shumicës qeverisëse. Gazeta ka mundur të sigurojë së fundi edhe tabelat zyrtare të lëshuara nga zyra e financës për shpenzimet dhe pagën e kryetares Jozefina Topalli.
Për të 6 muajt e fundit, duke filluar nga tetori, kryetares së Kuvendit, si dhe gjithë të zgjedhurve të tjerë të djathtë, i është akorduar një dietë fikse prej 73.2 mijë lekë të reja, çka presupozon se ajo është trajtuar me ditët e plota të dietave, ashtu siç përcakton ligji për të gjithë deputetët që nuk jetojnë në Tiranë dhe do të duhet të vijnë në kryeqytet për të marrë pjesë në jetën parlamentare. Ç’ka në rastin e Topallit, ashtu si dhe në rastet e shumë të zgjedhurve të tjerë, nuk rezulton të jetë një referim shumë i saktë ligjor, pasi dihet tashmë që ajo jeton në Tiranë, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit.
Përllogaritja
Ndërsa vendimi i Kuvendit i vitit 2003, i cili i ka dalë në bazë të ligjit “Për Statusin e deputetit” përcakton se “përfitojnë dietë 12 ditë në muaj deputetët që banojnë jashtë qytetit të Tiranes dhe 6 ditë në muaj deputetët që banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë zonën jashtë këtij qyteti”, kryetarja e Kuvendit duket se e ka klasifikuar veten e saj në grupin e parë, pavarësisht se jeton në Tiranë. Kjo pasi në rast se do të kishim respektim të ligjit “Për statusin e deputetit” dhe pikërisht pikës 2 të nenit 14 të tij, kryetarja e kuvendit do të trajtohej me dietë me një masë prej 4 për qind të vlerës së pagës mujore të saj, çka nga llogaritë del diku tek 8.9 mijë lekë.
Në rast se do të pjesëtonim shumën prej 73.2 mijë lekësh që evidentohet në lajmërimin e shpenzimeve të Topallit me masën e dietës prej 8.9 mijë lekësh që asaj i takon si kryeparlamentare, i bie që ajo është trajtuar me dietë për me shumë 8 ditë çdo muaj ose me 2 ditë më shumë. Megjithatë në përcaktimin e shumës prej 73.2 mijë lekësh të reja, duket se zyra e financës e cila ka bërë dhe përllogaritjen nuk ka marrë parasysh aspak këtë kriter që përcakton ligji, pasi ajo ka qenë taksative, pra e barabartë, për të gjithë deputetët e djathtë dhe jo një shumë që ka dalë nga shumëzimi masës së dietës ditore me numrin e ditëve për të cilat i është njohur një shpenzim i tillë. Ndërkohë, deputetët socialiste vazhdojnë të trajtohen me një dietë qesharake prej 18.3 mije lekësh në muaj e papërcaktuar në asnjë vendim apo ligj konkret që flet për statusin e deputetit.
Dhjetori, Topalli mori 170 mijë lekë “gabim” për karburantin
Shpenzimet e Kuvendit rezultojnë se kanë arritur kulmin në muajin dhjetor. Nga krahasimi i tabelave të lajmërimeve të kreditimit të shpenzimeve të kryeparlamentares Jozefina Topalli në 6 muajt e fundit, rezulton se në muajin Dhjetor ajo ka marrë plot 244.7 mijë lekë, përveç rrogës prej 222.5 mijë lekësh të tjera. Nga detajimi që zyra e financës i ka bërë shumës së llogaritur si shpenzime për këtë muaj, vërehet se 169.3 mijë lekë Topallit i janë njohur si rimbursim për karburantin pavarësisht se transporti i saj kryhet me mjetet dhe shpenzimet e institucionit, 73.2 mijë si dieta dhe 2.2 mijë për pjesëmarrjet në mbledhjet e Byrosë.
Por duket se një interesim i deputetëve të majtë për këtë skandal, ka detyruar kryetaren e Kuvendit që të japë urdhër që ti hiqet sërish kjo shumë e akorduar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka detyruar zyrën e financës që në tre muajt e mëpasshëm, pra Janar, Shkurt dhe Mars ti mbajë kryetares nga llogaria e saj e shpenzimeve lekët e dhëna në dhjetor shpenzime për karburantin, duke e konsideruar atë një shumë të dhënë gabim.
Tabelë
Paga mujore e kryetares së Kuvendit 222.5 mijë lekë
Dieta ditore 4% qind e pagës ose 89 mijë lekë
Shuma e përfituar si dietë 73.2 mijë lekë
Ditët e trajtuara me dietë më shumë se 8 ditë
Telefoni celular pa limit
Transporti me mjetet e Kuvendit
Vendimi i Kuvendit i vitit 2003
III. Përfitojnë dietë 12 ditë në muaj deputetet që banojnë jashtë qytetit të Tiranes; 6 ditë në muaj deputetët që banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë zonën jashtë këtij qyteti, si dhe 6 ditë në muaj të gjithë deputetët e tjerë.
IV. Deputetëve u paguhet për shërbime telefonike 17 000 lekë në muaj, ndërsa kryetareve të komisioneve të përhershme dhe kryetarëve të dy grupeve parlamentare më të mëdha 20 000 lekë në muaj.
* * *
21 prill
Zbulohen super-dieta të firmosura nga J. Topalli
TIRANË – Rrogat e gjashtë muajve të 64 deputetëve të PS-së në periudhën e bojkotit parlamentar nuk kanë qenë të ardhura që mbetën në buxhetin e shtetit. Një pjesë e mirë e tyre i është dhënë deputetëve të mazhorancës, përmes dietave tejet të fryra, lekëve për karburantin apo telefonin, dhe që në total përbëjnë një shumë që në disa raste ia kalon edhe rrogës, që ata marrin.
Kjo situatë vazhdon ende, ku deputetë të PD-së favorizohen nga kryetarja e Kuvendit në mënyrë krejt antiligjore, ndërsa homologët e tyre socialistë janë bërë pre e penalizimeve pa fund, edhe kur bëhet fjalë për shpenzimet që ata kryejnë në përmbushje të detyrimeve dhe të përgjegjësive të ngarkuara nga detyra që kryejnë. Gazeta “Shekulli” disponon faturat e lajmërimit të kreditimit të shpenzimeve të muajit mars për disa deputetë të djathtë dhe të majtë, ku natyrisht evidentohet qartë ndryshimi i përfitimit financiar i të zgjedhurve socialistë, si dhe abuzimi që në këtë rast bën kryeparlamentarja në shpenzimin e buxhetit të institucionit të Kuvendit. Nga krahasimi i këtyre tabulateve vihet re se të gjithë deputetët socialistë për muajin mars janë trajtuar financiarisht vetëm me 18.3 mijë lekë për dieta, ndërsa nuk u është kompensuar asnjë lek qoftë për karburantin ashtu edhe për telefonin.
Ndryshe nga ata, kolegët e tyre të djathtë përveç dietave të majme që arrijnë deri në 74 mijë lekë të reja, janë trajtuar financiarisht edhe për karburantin që kanë konsumuar në udhëtimet e tyre, për telefonin celular, çka në total në disa raste shuma ka shkuar deri në 160 mijë lekë të reja. Kështu, deputeti socialist i Beratit, Erion Braçe, ka mundur të marrë si kompensim për shpenzimet e muajit mars vetëm 18.3 mijë lekë dhe këto të detajuara vetëm si dieta dhe nuk i është paguar kompensuar as karburanti dhe as telefoni, megjithëse kjo parashikohet në ligjin “Për statusin e deputetit”.
Ndërkohë që kundërshtari i tij i të njëjtit qark, Lefter Maliqi, pavarësisht largësive të barabarta nga Tirana ka marrë në total 140 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë si dieta (një deputet që banon në Tiranë i paguhen 6 ditë dieta me nga 30 mijë lekë, ndërsa një deputeti që banon jashtë Tirane i njihen 12 ditë të tilla), 40.5 mijë për karburantin, 17 mijë për telefonin, si dhe 9 mijë lekë për pjesëmarrjen në komisione. Në rastin e Maliqit duhet të theksojmë se nga deklarata e tij e pasurisë në ILDKP rezulton se ai ka shtëpi në Tiranë.
Pra, nga krahasimi i të dhënave duket qartë trajtimi me dy standarde që Kuvendi i bënë deputetëve të të njëjtit qark, pavarësisht se ligji parashikon një trajtim të barabartë mes tyre. Një tjetër rast është ai deputetit Taulant Balla, i cili ashtu si Braçe ka marrë vetëm 18.3 mijë lekë për dieta, duke mos iu njohur as kompensimi i karburantit dhe as i telefonit. Ndërsa kolegu i tij i të njëjtit qark, Luçiano Boçi, ka përfituar në total 139 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë lekë dieta, 37.8 karburant, 17 mijë lekë telefon dhe 10.8 mijë lekë nga komisionet.
Pra, sërish vihet re fenomeni i favorizimit të deputetëve të djathtë. Një rast akoma më flagrant përbën ai i deputetit Igli Cara, i cili pavarësisht se është deputet i Durrësit, pra vetëm 30 km larg Tiranës, ka mundur të marrë në total 132 mijë lekë, nga të cilat 73.2 mijë si dieta, 33.3 mijë për karburantin dhe 17 mijë lekë për telefonin. Pabarazia mes deputetëve të djathtë dhe të majtë bëhet edhe më e madhe në rastin e deputetëve të zonave të largëta.
Kështu, ndërsa deputeti socialist Qemal Minxhozi ka përfituar si dietë vetëm 18.3 lekë, kolegu i tij i djathtë i të njëjtit qark Bedri Hoxha ka marrë plotë 160 mijë lekë të reja si dieta, karburant, telefon dhe për pjesëmarrjen në komisione, ose thënë ndryshe rreth 300 mijë lekë më shumë sesa rroga që ai merr si i zgjedhur.