Andrea Stefani
Në themelet e Shqipërisë dergjet legjenda e kalasë së Rozafës. Prej saj mësojmë se tre vëllezër ndërtonin pa pushim muret e kalasë ditën, por ato ju shembeshin, po pa pushim, natën, nga forca të mistershme dhe të errëta si vetë nata. Mjerisht e sotmja na ndihmon të kuptojmë më mirë natyrën e forcave shkatërruese që e shndërronin punën ndërtuese të vëllezërve në një sfilitje thuajse sizifike. Muret që ndërtoheshin ditën i shkatërronin natën, jo forca të magjepsura por fisi përbri apo komshiu, që për një shkak ose një tjetër, e kishte xhelozi apo inat atë punë ndërtimtare. Sot kemi një provë se shkatërrimi i asaj që ndërton kundërshtari (komshiu politik) mbetet ende armë e preferuar e politikës.
Kryeministri i sotëm, Sali Berisha, është ai që po e ngre në art këtë lloj destruktiviteti, duke vënë në shërbim të tij, inxhinierë, juristë, burokratë, qytetarë deri edhe vetë “ligjet”. Dhe me epshin e tij për të shkatërruar çdo bëmë të kundërshtarit politik për hatër të pushtetit, po shkatërron vetë shtetin shqiptar, duke e bërë të ngjajë me kalanë e Rozafës.
* * *
A nuk ndodhi kështu me mbikalimin e Zogut të Zi? A nuk u shkatërrua, në funksion të luftës politikepër të Bashkinë e Tiranës, një vepër ndërtuese, duke përdorur lloj-lloj yçklash “juridike” dhe “urbanistike” dhe që i kushtoi publikut mbi 1 milion dollarë? Por mbi të gjitha, a nuk u shkelën ligjet (provë është një vendim gjykate që e shpalli të paligjshëm shkatërrimin e mbikalimit) mbi të cilat themelohet shteti i së drejtës? Nuk ka tashmë asnjë dyshim që destruktiviteti si politikë shpuri në shkatërrimin jo vetëm të mbikalimit, por edhe të vetë së drejtës.
Dhe kjo u arrit sepse pushteti, qeveria, Kryeministri arritën të bëjnë zap, të rrënojnë deri integritetin profesional të disa juristëve, inxhinierëve, arkitektëve dhe jo pak institucioneve. Sapo pushteti ua bëri me shenjë, ata nisën të sjellin “argumente” kundër mbikalimit. Shembulli më tipik i një konformizmi të tillë të rrezikshëm (sepse aty ku përballë qeverisë mungon oponenca teknike dhe ligjore, “demokracia” mund të përdoret kundër demokracisë) dhe mungese ekstreme e integritetit profesional u bë një arkitekte apo inxhiniere që, edhe pse kish firmosur për realizimin e projektit të Zogut të Zi, më pas, kur i tha partia dhe qeveria, firmosi të kundërtën, për shkatërrimin e tij.
Rrënimi i integritetit të specialistëve, i aftësisë dhe rezistencës së tyre për t’i thënë jo liderit, Kryeministrit, pushtetit, vetëm sepse ashtu imponon kredoja e tyre profesionale, shkatërrimi i kësaj vendosmërie për të mbrojtur lirinë për të bërë atë që thonë ligjet e profesionit dhe jo atë që diktojnë interesat e një pushteti apo Kryeministri, është një nga rrënimet më të mëdha që ka mundur të kryejë autoritarizmi berishist, bash në themelet e shtetit të së drejtës.
* * *
Dhe a nuk e shohim sot të përsëritet pikë për pikë në rastin e sheshit “Skënderbej”? A nuk shohim përsëri juristë, inxhinierë, burokratë, “qytetarë” që duke braktisur integritetin e tyre si profesionistë dhe njerëz, t’i thonë jo një projekti që para dy vjetësh i kanë thënë po? I kanë thënë dikur, sepse ashtu i tha edhe pushteti berishist dhe sot i thonë jo, përsëri sepse ashtu i thotë pushteti berishist. Autoritarizmi, pushteti absolut nuk pengohet vetëm me gjykata të pavarura, por edhe nga integriteti qytetar dhe profesional, ky pushtet i eterik, i shpërndarë dhe i padukshëm, që i bëhet kufi dhe barrierë ambicieve destruktive të çdo pushteti, si edhe vetë liria.
Në të kundërtën, autoritarizmi merr forcë nga konformizmi i specialistëve, burokratëve, inxhinierëve, arkitektëve me intrigat, kthesat apo gjarpërimet e tij. Ai bëhet edhe më i fuqishëm, më i kamufluar me “ligj”, me “arkitekturë” madje edhe me “demokraci” nga një konformizëm që është, në fakt, një lloj skllavërie masive, e fshehtë dhe me pranga të padukshme por, disa herë, të pathyeshme se vargonjtë e çeliktë.
Shohim sot të dalin arkitektë dhe të deklarojnë se projekti i sheshit “Skënderbej” është i keq, deri edhe antishqiptar, antidemokratik. Po ku ishin këta këtu e dy vjet më parë kur projekti ekspozohej nga Bashkia për muaj me radhë në qendër të Tiranës? Përse nuk e denoncuan këtë projekt kaq fort sa sot? Përgjigjja është e thjeshtë: Sepse dy vjet më parë kishin marrë urdhër tjetër nga politika, nga pushteti berishist ose, se nuk kishin marrë urdhër të sulmonin “Skënderbeun”. Sepse në vitin 2008, kur edhe është miratuar projekti belg për sheshin si në jurinë ndërkombëtare ashtu edhe në KRT të Bashkisë së Tiranës, ekzistonte një tjetër klimë politike mes PS dhe PD.
Në atë kohë gatuheshin reformat “historike”, që thuhet se bënë të mundur hyrjen në NATO, ndryshohej me konsensus deri edhe Kushtetuta e Republikës. Në atë kohë nuk ishte në leverdinë politike të Kryeministrit Berisha, t’i fuste shkopinj nën rrota Bashkisë për sheshin. Në atë kohë, edhe pse në media u lakua shumë projekti për sheshin, nuk pamë, as dëgjuam as arkitektë, as juristë, as ministra, as urbanistë, as qytetarë dhe as gazetarë të formulonin kundërshtime kaq të forta sa sot. Të gjithë këto zëra që sot ulërasin kundër “Skënderbeut” heshtën. Sepse kështu qe urdhri i politikës. Por në demokraci ka një aksiomë: Kush hesht pranon.
Dhe kush hesht në kohën kur duhet të flasë, humbet një shans që s’para vjen më. Për më tepër, kur dihet që demokracia dhe drejtësia nuk ecin gjithnjë paralel. Kur demokracia nuk vepron në kohën e duhur mund të bëhet destruktive për drejtësinë. Dhe në fakt një gjë e tillë po ndodh edhe në rastin e sheshit “Skënderbej”. Zëra që nuk u shprehën atëherë kur duhej të flisnin, duke shfrytëzuar hapësirat e demokracisë, i kundërvihen sot “demokratikisht” një projekti që është miratuar tashmë në një zinxhir institucionesh të specializuara të shtetit. Pse? Sepse tashmë Berisha nuk është më në konsensus por në konflikt pushteti me Ramën. Muajt e mjaltit të bashkëpunimit kanë marrë fund.
Prandaj befas dëgjojmë zëra që duan të anulojnë “me demokraci” dhe “ligj” një projekt që është ekspozuar me kohë për oponencë publike, që është miratuar me juri ndërkombëtare, që është miratuar në KRT të Bashkisë së Tiranës. Kjo do të thotë që të shkatërrosh me “demokraci” një të drejtë të fituar me anë të një procesi të rregullt burokratik, do të thotë t’ia kundërvësh demokracinë shtetit, ligjit dhe lirisë që buron nga respektimi i ligjit. Por sikundër thekson Fareed Zakaria, aplikimi i demokracisë në disa fusha nuk është gjithnjë i dobishëm, për të mos thënë i dëmshëm për vetë demokracinë. Ka disa institucione, si Bankat Qendrore, që mund të kryejnë misionin e tyre në dobi të demokracisë dhe publikut, duke funksionuar në mënyrë jo demokratike pra, duke i lëvizur interesat e parasë jo sipas dëshirë së njërit apo tjetrit grupim politik apo qytetar.
Sikur Banka e Shqipërisë të vepronte demokratikisht, duke iu bindur planeve të qeverisë (dhe kështu ndodhi pak a shumë në vitin në kohën e piramidave financiare) paratë e shqiptarëve do t’i merrte lumi. Ne shtojmë se ka momente kur aplikimi i një “demokracie” të vonuar, është me pasoja destruktive për shtetin dhe të drejtën. Pra edhe për lirinë. Në këtë rast për lirinë e pushtetit lokal, të cilën, pushteti berishist kërkon ta mbysë me “demokraci”, “urbanistikë” dhe nacionalizëm primitiv. Në rastin e sheshit “Skënderbej” nuk është demokracia, vullneti lirë qytetar dhe profesional që kundërshton, por “demokracia” e përdorur si maskë kundër lirisë nga një pushtet autoritarist. Mes zërave që kundërshtojë projektin belg mund të ketë edhe të ndershëm, që nuk janë pjesë e ndërgjegjshme e komplotit berishist.
Por, duan apo s’duan, ata i bën vegla të këtij komploti autoritarit, vetë përputhja e heshtjes apo kundërshtimit të tyre, me nevojat e ciklit politik berishist. Kanë heshtur për sheshin kur pushtetit i leverdiste të heshtin dhe po kundërshtojnë kur këtij pushteti i leverdis të kundërshtojnë. Por duke bërë këtë, i kundërvihen së drejtës së mpiksur në vendime institucionesh, jurish dhe këshillash, që kanë me ligj atribute të miratojnë projekte të tilla. Shkurt i kundërvihen shtetit, duke tentuar të zhbëjnë, të shkatërrojnë produktin e një procesi tashmë legjitim. Me ose pa vetëdije janë bërë aleatë të një sulmi të pashembullt autoritarist kundër së drejtës që Gjykata Kushtetuese ia ka njohur që në vitin 2006 pushtetit lokal, për të miratuar “lejet e ndërtimit për objekte të rëndësishme në qendrat e qyteteve”.
Dhe një nga këto objekte të rëndësishme është edhe sheshi “Skënderbej” për projektin e të cilit dje Berisha tha të ndërtohet, por sot thotë të shkatërrohet. Ashtu sikundër dje i tha Fatos Nanos “ik”, ndërsa sot i thotë “mik”. Dhe rrjedhoja e këtij gjarpërimi të autoritarizmit nuk është thjesht pengimi i një projekti, por ajo që mbetet natyrshëm objektiv i çdo autoritarizmi, shkatërrimi i lirisë dhe së drejtës së tjetrit, në këtë rast, të pushtetit lokal në Bashkinë e Tiranës. Është destruktiviteti legjendar i Rozafës, në ditët e deklarimeve dhe përpjekjeve të sinqerta, por edhe të atyre hipokrite, për integrimin e Shqipërisë me botën e ligjit dhe të lirisë.