Kadare, qeveria, Pakti i rrëzuar

0
35

Prof. Asc. Dr. Myslim PASHA, 24.04.2010

Rrëfimi hijerëndë që bën Kadare për Eskilin dhe tragjikët e tjerë grekë, është shëmbëllimi më i ndriçuar i miqësisë dhe dashurisë me fqinjët tanë. Por, atë ditë kur ndodhi piskama raciste në bulevardin e Athinës, atje, po në atë shesh ku dolën fjalë të rënda antishqiptare, ai duhet të shkonte dhe t’ua rimbante leksionin eskilian, si vijim të veprës së tij madhore, ashtu, me urtësinë e tij të lakmueshme. Por nuk e bëri këtë. Nuk vajti në Ëorkshop-in modern, sepse aty jashtë skenës dhe korit antik vijonin thirrjet barbare.

Kadare e ktheu mbrapsht një ftesë në emër të universit kombëtar. Apo ishte ndonjë zbulesë që e kanë gjenitë, të cilët në origjinalitetin e tyre të admirueshëm, dinë se si flasin. Dhe iu tha shkoqur, si vetëm ai di të thotë se “vlerësoj se në këtë klimë të zhveshur nga çdo shenjë qytetërimi …me keqardhje… s’mund të vij”
Ndërkohë në Parlamentin gjysmagjel të shqiptarëve hapej një hartë varrimesh të hershme dhe kufijsh të hamenduar dhe ngrihej varreza e ushtarëve të rënë; dhe pas fjalëve të rastit, për qëndrimin human të shqiptarëve u ngritën edhe nja dy çamë të sotëm, që derdhën lot të palotuar. Ishte ajo ditë që zhvillohej parada në Athinë dhe kori i tragjedive antike i binte kryq e tërthor Ballkanit për të rigjetur edhe njëherë, fjalën “barbar” për shqiptarët.

“Bjeri pragut të dëgjojë dritarja” – na thotë urtia. Kështu një fjalë e Kadaresë në prag duhet të bëjë të dëgjojë gjithë oda shqiptare. Jo se duhet të sillemi me armiqësi ndaj fqinjit.. Por, me kryet lart. “Se atë që ecën me qafën e ulur, e dhjesin mizat”… – thotë prapë urtia.

Në gjykimin e njeriut gjenial të letrave shqipe – e para – ish ftesë: “ec të dëgjosh e të shikosh spektaklin”. Se atë e ka ndërtuar qeveria (ajo është regjisore). Ajo vetë e ka miratuar atë paradë shtetërore, – pra nuk mund të ishte e pa kontrolluar, në të gjithë hollësitë e saj – ndaj kush mund t’i hajë ato të tjerat se janë “një çetë neoandartësh” si e quan M.Nano. (shiko: gazeta, Shqip)

Tani le t’i kthehemi kësaj “qeverisë sonë të pykave” se si me kryet lart dhe me hap rreshtor, doli në siujdhesën e Karaburunit – e si në festat Dionisiake, me ca maska e biçim-maska, si në një ceremoni, i blatonte fqinjit hapësirë detare dhe shtratdet; një det për festën e nesërme. Nuk qasi në diskutim asnjë institucion studimor shqiptar. Të këtillët u futën në guvën që u tregoi Berisha i sotëm. Nuk dëgjuan zërin e thellësive që sillte kumte historike, gjeologjike, gjeografike, arkeologjike, turistike, etnografike, antropologjike, juridike… hartografike.

Dhe nuk vunë veshin të dëgjojnë, të ndijojnë, kur ndanin detin, po në të kundërt u bashkuan me histerinë qeveritare të gogolëve të shpikur të ksenofobisë, se “s’është asgjë ky racizmi që dëgjuam, por ksenofobia që e gjetëm në fjalorë dhe almanakë, na kërcënon …” – dhe pastaj në buzëqeshje cinike, duke e pasur mendjen e syrin dhe veshin, tek fqinji ( …a më dëgjon apo jo se ç’u thash unë ekstremistëve nacionalistëve e të lajthiturve… – …pra, a e more e vesh se si po të buzëqesh, hiç mos e çaj kokën edhe pse në Bulevardin tënd të madh na thonë “shqiptarë, o ju dërra!”

Ndërsa Kadare i përgjigjet një ftese, ashtu njëtrajtshëm, i kursyer, i ftohtë, i besueshëm, ky Berisha i sotëm, në vendin e vet, s’përfill gjeohistorinë dhe legjendën dhe lëndon gjeohapësirat ujore detare, në brinjë të Buthrotit, duke i shkelur syrin atij Tjetrit për t’i thënë se “a më sheh si shkel mbi gjeohistorinë time për historinë tënde…”
Vetëm kaq do të duhej që “qeveria e pykave” të binte. E ajo vetë do t’i shkulte pykat nga trungu që ishte bërë për t’u çarë.

Pse heshtet tani për atë gatim djallëzor të një Pakti të rrëzuar Detar? Pse heshtet sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sikur të tregohej një përrallë me bajlozë të sajuar ?! Apo pse ishte një lojë djallëzore, që edhe pse nuk u doli për mbarë, t’u themi ‘miqve’ se “ka ndikime politike të mbrapshta”, apo t’u themi, siç thoshte një analist grek “se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duhet të jetë nën ndikimin turk…” (!)

Kësisoj ecet me hap rreshtor në Bulevardin e hamenduar të Berishës së Sotëm, me një Shtab të Përgjithshëm, i cili u ndodh në “luftë” (jo prej vërteti, por ama në përpjekje diplomatike për ndarje gjeohapësirash detare) dhe e humbi atë. Dhe ky Shtab i Përgjithshëm që e humbi atë betejë, “marshon krenar” në paradën shqiptare, se “mjafton që jemi në NATO dhe jemi “të certifikuar, të mbrojtur në atë nivel të lartë…”. “Nivel të lartë”? Duke mos njohur as historinë e kufijve tanë detarë?

E pastaj, nis të marrësh mësime gjeostrategjike, gjeopolitike, e taktike në kohë moderne, po s’ke sy të shohësh rrethanat gjeohapësinore shqiptare, kur për to dhe vetëm për to, ai Shtab rri si roja.

Në këtë dëshpërim të sotëm, u dashka të rrojmë me frymën gjoksrrahëse të Berishës. I hipur në kalin e tij alpin, ky vijon t’i grahë në vrapin simbolik që e ka për zemër, dhe harron se ne tanimë në Europë nuk jemi në saj të galopit të kalit të tij, por të stërmundimit tragjik të shqiptarëve që duke mos u ndihur nga politikanët e tyre, pa viza dhe pa pakte, kaluan kufijtë dhe u shprishën gjer në Pole. Mbeten shumë prej tyre në borë, e ranë në atë Det që blatohej. Dhe tani thërritet gëzueshëm Vizat, Vizat, Vizat kur jemi turpërisht të vonuar!

Ndërkohë që dëgjojmë zërin e Kadaresë, na qasen ca momente shkëndijuese të sofrës së historisë së re. Shfaqet Gjykata Kushtetuese, e cila nuk prêt t’i diktojë askush rrotull saj veçse dinjiteti dhe interesi kombëtar. E befas, edhe ajo, në çast sulmohet nga atavizmi i pykës së sotme shqiptare.

* * *

Një libër për Paktin Detar

Doli nga shtypi libri ” Deti që nuk falet” i Kolonel (R) Prof. Myslim Pashaj, i cili i përcillet lexuesit me trajtesa dhe përfytyrime të cilat zgjojnë një interes të veçantë.

Kush do të ishte ajo shtysë dhe prej kujt drejtimi do të vinte? Kush do të ishte ajo erë që do të frynte? Një bashkësi e tërë, për herë të parë do të njihej prej tronditjejes që do t’i sillte Pakti Detar, dypalësh Shqipëri-Greqi. Ky libër na sjell përballjen dhe sfidat: (1) për të takuar Ligjin e Detit dhe (2) për të kundërshtuar një Padrejtësi që ishte bërë në të Drejtën Ndërkombëtare.

Kuptimësia e saktë dhe implementimi dypalësh diplomatik, do të vihej në tavolinë, për të kënaqur interesat e ndërsjellta por edhe drejtësinë e Ligjit të Detit. Sfida bëhej edhe më e madhe, sepse këtu kishim të bënim me një fushë me shumë dimensione që përfshinte në vete shumë nënfusha të tjera. Aty kish kufij historikë, jurisprudencë, marinë detare, oqenografi, pasuri nënujore si naftë e gaz, peshkim, arkeologji, projekte të transportit të energjisë në brigjet Apenine, gjeologji, gjeografi, mjedis dhe në tërësi interesa kombëtare.

Qeveria mori një grusht të befasishëm, megjithate, ajo me buzëqeshje cinike, e hodhi poshtë, me sharje, përbaltje, pëbuzje dhe një besim të plotë se gjithçka ishte një sajesë, e ndërtuar dhe frymëzuar nga armiqë politikë, kur në të vërtetë kishim të bënim me Ligjin e Detit, dhe ndërjen e kufijëve detarë. Ky ishte një projekt profesional në tri fusha : (I) Diplomaci (II) Ligji i së Drejtës Ndërkombëtare Detare dhe (III) Hartografi. Del tanimë e qartë se për tri këto fusha aktorët shqiptarë ishin të papërgatitur, e në të gjithë krahët, po kaq të tronditur.

Kjo ndodhi sepse autori i këtij libri dhe i studimit përkatës u paraqit jo thjesht si një roja i interesave kombëtare, por si një roja i profesionit, i kulturës dhe formimit të tij. Kjo ishte pak a shumë e pazakontë, për një mjedis shqiptar kur shumë institucione studimore, janë kredhur në një gjumë letargjik të frikshëm. Në këtë vështrim, ky libër, është vijim i një vepre që u mbrojt para një auditori me një ndjeshmëri të lartë, por edhe që mbriti deri në kullën Rojtare të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Aty u mbyll perdja e kësaj shfaqeje duke u dhënë verdikti, për një drame e cila ishte luajtur nga aktorë shqiptarë, që kishin qënë në fund, të gjithë humbës, duke ekspozuar për herë të parë në historinë e Ligjit të Detit, se si brenda një shteti, lozte absurdi i madh, i erozionit që e prodhonte vetvetja shqiptare.

Autori, për herë të parë paraqet një përvojë të re se ligjet ndërkombëtare janë një instrument i diplomacisë, por që mund të ndërthuren të dyja: politika dhe ligji ndërkombëtar. Është konsideruar si diçka heretike që të quhej përcaktimi i kufijëve detarë, vetëm si një sfidë diplomatike.

Botimi ” Deti që nuk falet” ruan një përpjestim të lakmueshëm të shkencës së hartografisë që i shërbeu implementimit të ligjit, me vet Ligjin e Detit, duke u bërë për herë të parë, një lëndë, e cila ra në duar të një drejtësie të vërtetë, si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e cila me vendimin e saj nuk ruajti vetëm të Drejtën Detare Shqiptare, por në radhë të parë, tiparin thelbor të parimësisë së lartë, duke mos e lënë atë të përlyhet, si jo rrallë, ka ndodhur në Shqipëri.

Në libër do të gjeni studim, përjetime publiçistike, esse intervista të cilat e bëjnë atë të larmishëm dhe të lexueshëm nga një lexues i gjerë. Teksa del botimi ” Deti që nuk falet” i Prof. Myslim Pashës, që rrëfen, atë betejë të pabarabartë, ne s’kemi si rrijmë si ndoca spektatorë të përhumbur, por si pjesë e mitit dhe e mbijetesës së racës sonë, gjejmë në të dinjitetin kombëtar që qeveria shqiptare, për shkaqe që s’është vendi t’i analizojmë, nuk e ruajti dot.

Botimi i tanishëm i Pashajt është pjesë e shpirtit tonë të qëndresës, në rrugën e gjatë të progresit, në integrimin Europian dhe Botëror, si pjesë edhe e trashëgimisë sonë që nuk mungon.

Libri është botuar me kontributin financiar të avokatit Alban Mësonjësi, gazetarëve Adrian Thano e Mero Baze dhe ish-zv.shefit të Shtabit të Ushtrisë, Armand Vinçani. Ai do shpërndahet nga Shtëpia Botuese MAX.