– Nga Afrim Krasniqi, GSH, 21.04.2010
Presidenti amerikan Xh. Bush në vizitën e tij në Shqipëri më 2007 i kërkoi publikisht Tiranës zyrtare të jetë më aktive në ndikimet pozitive ndaj institucioneve politike dhe vetë politikanëve vendimmarrës shqiptar në shtetet fqinje. Këshilla e tij e thënë për herë të parë në formë publike, i adresohej kryesisht politikanëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe më tej edhe atyre në Malin e Zi apo në zonën e Preshevës. Cdo delegacion i lartë perëndimor që vjen në Shqipëri përsërit të njëjtin refren: vlerësime për rolin konstruktiv në politikat rajonale dhe kur ka probleme, kërkesën për ndikim në politikat shqipfolëse në rajon.
Pra, cdo vend perëndimor i njeh Shqipërisë një rol kujdestar dhe një përgjegjësi të vecantë në politikat rajonale shqipfolëse. Ky rol nuk është vetëm diplomatik. Në Kushtetutën e Shqipërisë theksohet detyrimi i shtetit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Pra, është një detyrim diplomatik, politik dhe kushtetues.
Që të përmbushet një rol kujdestar dhe ndërmjetësues do të duhet që dy ose më shumë palët e përfshira të njohin përgjegjësitë e secilës palë, pra në rastin tonë, edhe përgjegjësinë e Tiranës zyrtare për të qenë më aktive me këshilla dhe konsultime, në mënyrë që të arrihet vendimarrja e duhur konsensuale, sidomos për cështje që kanë të bëjnë me sigurinë, bashkëpunimin dhe projektet perëndimore të rajonit. Nga ana tjetër, përmbushja e këtij roli kërkon edhe nga vetë pala kryesore të jetë e vemendshme, aktive dhe serioze në misionin e saj. Pra, kërkon nga Tirana zyrtare që problemet shqiptare në rajon ti trajtojë jashtë kornizave të ftohta protokollare, me një sens të thellë përgjegjësie dhe me axhendë prioritare.
Nga deklarata e presidentit Bush kanë kaluar 3 vjet. Kosova është bërë shtet, pavarësia është njohur nga shtetet më të mëdha demokratike, Shqipëria është pranuar në NATO, Maqedonia ndodhet me njërën këmbë në NATO dhe Mali i Zi ka bërë hapa domethënës drejt integrimeve. Në leximin politik gjithcka ka shkruar mirë, rajoni po ndryshon me shpejtësi e vetë shqiptarët, për shkak të së kaluarës izoluese, aktualisht janë përfitues direkt të këtyre ndryshimeve. Gjithësesi këto arritje në thelbin e tyre janë rezultate të proceseve historike, të pandalshme, sic janë integrimet euro atlantike. Natyrisht ka vend për entuziazëm, por ajo që do të duhej të konsideroj sukses madhor nuk janë arritjet që vijnë për shkak të rrjedhave historike e politike, por ato që vijnë për shkak të kontributeve reale vendore.
Shteti shqiptar dhe shqiptarët vendimmarrës në rajon mund dhe duhet të bëjnë një bilanc të arritjeve, synimeve afatgjata, hapësirës për më shumë sukses dhe vetë shanseve të humbura. A mund të bënte më shumë Shqipëria për zgjerimin e njohjës së pavarësisë së Kosovës? A mund të kishte një zë më institucional për të drejtat shqiptare në komunat e Serbisë Jugore dhe në Malin e Zi? A mund të kishte një politikë më produktive në integrimin real shqiptar në sistemin kushtetues në Maqedoni? A mund të kishim një diplomaci më efektive për sigurimin e lëvizjes së lirë në BE edhe për shqiptarët? Këto e dhjetra pyetje të tjera nuk janë cështje të debatit lokal, por të debatit kushtetues dhe bëjnë pjesë në atë që quhet, interes madhor kombëtar.
Zhvillimet e këtyre viteve na lejojnë të arrijmë në disa përfundime kritike. E para, ende shteti shqiptar nuk ka një strategji, një strukturë apo një plan të qartë veprimi e ndjekjeje të politikave, zhvillimeve dhe tendencave rajonale, përfshirë hapësirat shqiptare. Shqiptarët jashtë kufirit shtetëror konsiderohen ende si diasporë dhe jo si element drejtues ose formues të shteteve respektive, pra si partner shtetërorë dhe shtetas shqiptar.
Shumica e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar nuk kanë fare këshilltarë, zyra apo ekspertizë mbi politikat shqiptare në rajon. Në parlament nuk kemi ende një seancë debati rreth të ardhmes shqiptare në rajon, komisionet parlamentare nuk e kanë pasur dhe as e kanë në axhendë këtë problematikë, qoftë edhe në forma simbolike të saj. Asnjë parti shqiptare në Tiranë nuk ka marrëdhënie institucionale me partitë në Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi; ftesat janë personale, nuk ka seminare, konferenca, vizita të ndërsjellta, shkëmbime, konsultime dhe as nisma të përbashkëta në nivel europian. E njëjta gjë vlen edhe për ministritë, për institucionet qëndrore e publike, për grupet e shoqërisë civile apo edhe për median.
Duke mos funksionuar institucionet ndërshqiptare gjithcka varet nga marrëdhëniet individuale, pra lidhjet midis emrave dhe personave të vecantë, e për pasojë, marrëdhëniet mbeten peng i këtyre raporteve midis liderve. Psh, në varësi sesi janë marrëdhëniet midis Berishës e Ramës, Thaqit e Haradinaj, Ahmetit e Thaqit, Bardhit e Dinoshës lexohen edhe marrëdhëniet midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe më pas edhe ato midis hapësirave shqiptare. Tradita e zëvendësimit të institucioneve me emrat është sa joefiksase, aq edhe e paqëndrushme, dhe në themel, një traditë e vjetër fisnore që nuk ka të bëjë aq shumë me demokracinë dhe përgjegjësitë ndaj qytetarëve e interesave të tyre.
Nuk është e tepërt të theksohet se nga mungesa e sjelljes racionale, nismave dhe projekteve konkrete, palët e trajtojnë palën tjetër jo si pjesë të një familjeje dhe interesi madhor, por si një fqinj të zakonshëm e të njëjtë me fqinjët e tjerë që flasin një tjetër gjuhë. Vetë zëdhënësit e shtetit shqiptar, politikanë e diplomatë, duke imituar qëndrimet ndërkombëtare mbi zhvillimet në rajon, në fakt ndikojnë në uljen e ndikimit të Tiranës zyrtare dhe njëherësh, edhe të peshës së saj në rajon. Kur SHBA deklaron se Tirana ka rol kujdestar në politikat ndërshqiptare dmth Shqipërisë i kërkohet një rol aktiv, lider brendashqiptar, si një partner i frymës dhe projekteve perëndimore të rajonit. Pra, i kërkohet një sjellje e ndryshme nga ajo që ka bërë e po bën, jo thjesht një imituese formale e tezave perëndimore, një zë i thatë që nuk merr nisma, por prêt e komenton nismat e të tjerëve.
Elementi i dytë i dukshëm është trajtimi reciprok i aktorëve politikë në hapësirat shqiptare si aktorë të jashtëm dhe identitete të ndryshme. Psh, asnjëherë nuk ka ndodhur që në Tiranë të ftohen njëherësh për vizitë krerët kryesorë të politikës shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi, Preshevës apo edhe të vetë Kosovës. Frika politike prej akuzës për Shqipërinë e Madhe është kthyer në letargji dhe alergji nga detyrimi kushtetues për mbrojtjen e interesave e të drejtave shqiptare.
Për shembull, në Tiranë zhvillohen shumë konferenca rajonale mbi ekonominë, politikën, mbrojtjen, arsimin, sportin, kulturën, etj, por nuk ka ende një konferencë të tillë me tematikë hapësirat dhe aktorët ndërshqiptarë. Kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë e Madhe sa ka të bëjë me mendjen e madhe dhe vizionin e ngushtë politik.
Elementi i tretë është mungesa e partneritetit dhe veprimit serioz reciprok. Psh, në Tiranë ka shumë politikanë drejtues të cilët në Prishtinë e Tetove kërkojnë vasalë besnikë, jo partnerë seriozë. Gjithashtu edhe në Shkup e Prishtinë ka një numër politikanësh që më lehtë preferojnë të shkojnë në një ambasadë cfarëdo të një shteti perëndimor për të ngritur problemet e tyre sesa për ta bërë këtë me Tiranën zyrtare.
Natyrisht që Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, secili ka identitetin dhe interesin e vet, por secili ka edhe përgjegjësinë kushtetuese, morale dhe politike të dyanshme, minimalisht për bashkëpunim dhe koordinim në ato cështje që qëndrojnë mbi interesat e ditës. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. Presidenti i Shqipërisë ishte së fundi në parlamentin maqedoni, foli shqip dhe me tone kritike për nivelin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, por në sallë mungonin deputetët e një partie politike shqiptare.
Cili mund të jetë interes më i madh i një partie shqiptare në Maqedoni sesa të mbrohet me fjalët e kryetarit të shtetit shqiptar ne tempullin e përfaqësimit politik, sic është parlamenti? Natyrisht, janë inatet, sjelljet joserioze dhe pragmatiste që lindin e kanë shpjegim vetëm në mjedisin ballkanik të Tetovës ose Shkupit. Në këtë mënyrë, koncepti i kujdestarisë pozitive përkthehet kështu gabimisht në konceptin e vasalitetit dhe shërbimit ose e ansjellta, koncepti i afrimit me shtetin amë përkthehet gabimisht në koncept të cënimit të sovranitetit, pavërësisë dhe identitetit politik.
Nga bojkoti shqiptar i Presidentit shqiptar në Shkup vetëm shqiptarët nuk dolën të fituar. Nga konfliktet ndërshqiptare në Ulqin vetëm shqiptarët nuk dalin të fituar. Nga akuzat dhe sjellja e ashpër e politikanëve në Prishtinë vetëm shqiptarët nuk dalin të fituar. Nga izolimi e vetizolimi i shqiptarëve në Preshevë vetëm shqiptarët nuk fitojnë. Nga krizat politike personale e partiake në Tiranë vetëm shqiptarët nuk fitojnë. A nuk është kjo një panoramë kritike që kërkon reflektim të thellë, ndryshim të madh, fillimisht në mentalitet e mënyrë sjelljeje e më pas në projekte konkrete institucionale?
Të gjithë liderit kur flasin citojnë Kenedin kur ai thotë se qytetarët amerikanë duhet të pyesin vetën cfarë kanë bërë për Amerikanë dhe jo e anasjellta, por deri tani, pak prej tyre për të mos thënë asnjë, nuk i drejton të njëjtën këshillë vetes, rrethit të bashkëpunëtorëve, partisë që drejtojnë dhe militantëve që u shkojnë pas për pushtet e pasuri. Gjithësesi në shoqëritë shqiptare në rajon ka një shumicë qytetarësh që duan të besojnë se ka ardhur koha që vendimmarrësit e tyre, përpara se të miqësohen me Beogradin apo Athinën, të flasin, komunikojnë dhe respektojnë më shumë njeri tjetrin.