“KURBINIT” ( Poemë)
Nga thellësia e kohnave të kalueme
emni yt
krenarisht u ruejt ndër shekujt
Kurbin
tokë e Ilirëve Arbanë
ndërthurun me ngjarje historike
të madhërishme
me gojdhana
legjendare
e kangët e bukura të trimnisë
të këndueme nga belhollat zana
me lahutën e malsisë.
Akoma
ndër malet e fushat e tua
jehojnë luftat e albanëve ilirianë
kundër legjioneve romake
ndigjohet trokitja e kalorsisë kurbine
ushton kushtrimi i rrebtë i Kastriotit
dhe i princave Skuraj
që përhapët anëmbanë.
Ndigjohet vringëllima e shpatës fitimtare
të Gjergjit të Madh
të Skendërbeut
kryezotit
që me burrat e Kurbinit dhe Kruetanë
mburojë iu banë Kombit Shqiptar
Europës
Krishtënimit mbarë!.
Gjokset e bijve të tu
Kurbin
nuk iu tremben shigjetave tartare
të janiçërëve të Stambollit
nuk iu përkulën dhunës dh’egërsisë
të hordhive gjakatare të Anadollit
kryelartë përherë
kala e pamposhtun e shqiptarizmit
qëndrove
krahinat e tjera
pate pranë
mirditorë trima
e burrat kruetanë.
I bane ballë me guxim vetmohues
diktaturës mizore
që të pllakosi në kohën e gurit
e deshi të njollosë
lavdinë e Flamurit
që madhërisht u shpalos
prej bijvë të tu luftëtarë
prej burrave të Kurbinit
me Gjin Pjetër e Skurajt
në Milot
ku
me germa t’arta
shkruhej historia jote
për jetë e mot !
Mbi truellin tand mijavjeçar
u ngritën kishat e para kristiane
u derdh gjaku i dëshmorve të parë të fesë
Shën Vlashi pëshkop
u flijue martir
që në Sebaste kish selinë
e në shpellat e maleve laçiane
gjeti strehim
nga persekutimi i romakut mizor
ish shekulli i katërt
pas lindjes së Krishtit hyjnor!
Ndër vite u ngrite në kryengritje
e gjithmonë në ballë të ka pri
ajo dera e Skurajve fisnike
me kala e kulla të rrënueme
prej taborreve të turkut të zi
e nuk u dorëzue kurrë
tuj luftue për atdhe e për liri.
Në malin e Laçit ngrihej
hyjnore
kisha e Shna Ndout të mrekullisë
dhe lart në malin e Skurajt në Shna Premte
mbahej e ndezun e gjallë
gjuha shqipe
me shkollën e pare
nën sundimin barbar t’osmanllisë.
Nga Sebaste te Laçit pati origjinë
Klementi i njëmbëdhjetë
papa i madh reformator
që për atdhe quente Shqipninë
dhe iu përkushtue Kombit Arbnor
me mish e me shpirt
kur ish koha e territ kobnor
të pushtimit t’egër të Turkisë
kur në këtë trevë të Kurbinin,
ndizej lufta e lirisë
e Skuraj printe si gjithmonë
në ballë të luftimit
me burrat e fisit të madh të Pervizit
që gjoksin i vunë Lirisë
që u gjetën atje në Lidhjen e Prizrenit
me Abdyl Frashërin e shumë patriotë
për t’i dalë Shqiptarisë zot.
Pushka anëmbanë krisi
u sulën hordhitë turke të Dervish Pashës
dhe kullave të Skurajve u vunë flakë përsëri
e gjithë veriut me shpi për shpi
por nuk mposhtej zogu i shqipës
as nuk mposhtejshin bijt e Kurbinit kurrë
në luftën e vendosun për liri!
Gju për gju me Gjin Pjetrin
Plakut ligjëvenës
at Shtjefën Gjeçovi
radhiste Kanunin e Lek Dukagjinit
Kanunin e maleve shqiptare
dhe Patër Klement Milaj
shkruente historinë e Kurbinit
shkruente për Gjin Pjetrin
për burra luftëtarë
për lufta e beteja
qysh nga Pllana e Zheja
deri te Skuraj e Tallajbeja
për burrat laçianë milotas
zhenjanë lesteras e shllaznianë
malbardhas shkopetas gallatas
gurrzakë e bregamatas
që në t’aguem të 28 nandorit mes Milotit
t’ati viti vitit të ‘dymbëdhjetë
mbi vidhin e madh të Kokajve
shpalosnin Flamurin e Kastriotit
me fjalën e rrebtë trimnore
të Gjin Pjetrit
dhe me krismen e gjashtës së tij mizore
e të treqint pushkëve breshëri
të treqint burrave luftëtarë
të Kurbinit e Krujës mbarë
Rroftë Liria
Rroftë flamuri kuq e zi !
Kurbin
të jeshë kurdoherë krenar
se ke nxierrë princa e luftëtarë
njerëz të ditun e shejtorë
prijsa dhe udhëheqës popullorë
shkollarë
burra shteti e gjeneralë
luftëtarë e trima të rrallë
që përballë vështirësisë
gjithmonë
i dolën zot Shqipnisë.
Të jeshë kryenaltë Kurbin
kurdoherë
kohna të tjera kanë me ardhë
do të lartësohet historia jote
do të kumbojë e parreshtun
frymëzuese
e papërmbajtun
fjala e bijve të tu mendimtar
heroizmi tyne i papërmbajtun
në vitet e ardhshme
lavdi – plote !Lek Pervizi, Bruksel 2012
Publikue ne http://kosova.albemigrant.com/?p=6722