– Prezantohet përmbledhja poetike “Occurrence on Earth” (Ngjarje në tokë) e Preç Zogajt, në përkthimin e Gjekë Marinajt –
Nga Astrit Tafa, 18 Nëntor 2011
Në konferencën e përvitshme të Lidhjes Amerikane të Përkthyesve të Letërsisë (American Literary Translators Assocation-ALTA), mbajtur në Kansas City, Missouri, nga data 16-20 nëntor, në programin e leximeve dygjuhëshe të letërsisë bashkëkohore botërore, iu kushtua një vend i rëndësishëm edhe poezisë shqipe.
Në fokus të kësaj ngjarjeje, e para e këtij lloji, ishte paraqitja e vëllimit me poezi të zgjedhura të poetit Preç Zogaj “Occurrence on Earth” (Ngjarje në tokë), përkthyer në anglisht nga poeti dhe studiuesi Gjekë Marinaj, kandidat për PhD (Doktor në Filozofi), dhe botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Dallasit në Teksas, “Mondus Artium Press”.
Fjalën e hapjes e mbajti Drejtori i Qendrës së Studimeve të Përkthimeve të Universitetit të Dallasit, dr. Rainer Schulte, PhD, njëherësh poet shumë i njohur amerikan. “Është e rëndësishme, theksoi ai, që ALTA ka sjellë një nga letërsitë më pak të njohura nëpërmjet një poeti si Preç Zogaj, libri i të cilit “Occurrence on Earth”, na tregon se poezia shqipe është në një stad aq të lartë sa poezia e vendeve më të zhvilluara. Atë nuk do ta njihnim si të tillë pa përkthimin shumë cilësor të kolegut tonë, Pedagogut të Letërsisë Bashkëkohore Botërore pranë Richland College, Gjekë Marinaj”.
Në fjalën e tij prezantuese, Marinaj, pasi falenderoj drejtuesit e ALTA-s për përfshirjen e letërsisë shqipe në këtë eveniment letrar kaq të rëndësishëm në shkallë botërore, tha se Preç Zogaj është njëri nga poetët më të dashur të Shqipërisë, poezia e të cilit shquhet për bukurinë, sinqeritetin dhe pasurinë emocionale të vizionit të tij poetik. “Ndaj, ngaqë është gati e pamundur t’i parashtroj të gjitha arritjet e tij si poet dhe intelektual i angazhuar në politikë, do të kufizohen vetëm në disa fakte që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë e tij letrare”, nënvizoj Marinaj duke vijuar më pas me dhënien e një informacioni kronologjik të inventarit autorial të Zogajt.
Jim Hoggard, aktor i njohur i Teatrit Publik të Dallasit, recitoi trembëdhjetë poezi të Zogajt në anglisht, alternuar me leximin në shqip të këtyre poezive nga vetë autori i tyre. Hoggard tha se ‘ALTA më kishte dërguar trembëdhjetë poezi prej të cilave duhej të zgjidhja dhjetë për të recituar, por e gjeta të pamundur të eliminoja ndonjërën prej tyre ndaj do t’i lexoj të gjitha’.
Pas leximit të poezive të pranishmit, midis tyre profesorë të Universiteteve të ndryshme amerikane dhe botërore, i drejtuan pyetje poetit Zogaj dhe përkthyesit Marinaj në lidhje me poezinë dhe marrëdhëniet e tyre gjatë procesit të përkthimit. Një nga gazetarët e pranishëm, pasi shprehu habinë e tij se si një poezi e një gjuhe të huaj ka ardhur kaq natyrshëm në anglisht sa të mos duket si poezi e përkthyer, pyeti nëse poezia e Zogajt është një standard apo një përjashtim në poezinë e Shqipërisë.
Zogaj u përgjigj se poezia e tij nuk përbënte as standard, as përjashtim në poezinë bashkëkohore shqipe. “Unë, vazhdoj ai, kam një individualitet timin, të cilin ma ka njohur publiku dhe kritika në vendin tim, por Shqipëria ka plot poetë të shkëlqyer, të cilët besoj se do ta frymëzojnë përkthyesin Marinaj për t’i sjellë në anglisht për gjithë lexuesin anglishtfolës në të ardhmen”.
Paraqitja dhe leximi i poezive të Zogajt në konferencën e ALTA-s do tu shpërndahet sipas programit të konferencës universiteteve amerikane dhe së shpejti do të publikohet prej saj në Youtube.
*Kansas City, USA