(Po jua nis këtë fragment nga libri në proces publikimi, siç m’u bë e njohur, e që vjen si tribut modest nga autori R. Lahi për aviacionin shqiptar, dhe paratitulluar apo me titull pune, “Dinozaurët e fundit” – s.guraziu)
…ti djalosh që lexon tani “Dinozaurët e fundit” duhet të dish se burrëria është vënë në provë në të gjithë brezat që kanë formuar karakterin shqiptar…
…ishte një akt vetmohimi jo i paparë në historitë e ndeshjeve me eksplozivët; ne njohim rastet e Mic Sokolit nga Malësia e Gjakovës, Selam Musait nga Salaria e Vlorës, Aleksandër Matrazov nga Moska dhe… ja dhe rasti i pilotit më të mirë që kishte regjimenti i Farkës, atij burri vetullzi, ballëpastër, që ecte duke buzëqeshur mëvete dhe me një ecje prej balerini, kryemjeshtër i njohjes së territorit, instrukltorit fluturues të disa brezave pilotësh, Ndue Logut nga Dukagjini…
“PLANZHON” MBI GRANATËN PA FITIL
Riza Lahi
Më 13 shtator 1986, ndërsa bëheshin qitje në poligonin e regjimentit të Farkës, ushtari elbasanas Fatmir Skilja, i shushatur, nuk e vërviti granatën luftarake por e lëshoi pranë, para këmbëve të tij dhe ajo, tanimë pa fitil, po rrokullisej drejt grupit më ushtarë, mes të cilëve ndodhej dhe një luan.
Ky luan ishte ish-piloti Ndue Logu që u hodh me trupin e tij mbi 100 kg e mbi 180 cm të gjatë; që u hodh “planzhon” drejt vdekjes së tij të sigurtë për të bllokuar djallin e zjarrtë, që kushedi se sa jetë ushtarësh do të merrte pas atyre fare pak sekondave që i kishin mbetur pa vjellë tërë masën e tmerrëshme të vdekjes, ngërthyer në grushtin me llokma të metalta.
Granata plasi nën barkun e heroit, duke bërë fërtele gjitha të brendshmet e viganit nga Shoshi i Dukagjinit, rritur në shtëpinë e fëmijës, por duke shpëtuar gjithçka tjetër përqark.
Ishte një akt vetmohimi jo i paparë në historitë e ndeshjeve me eksplozivët; ne njohim rastet e Mic Sokolit nga Malësia e Gjakovës, Selam Musait nga Salaria e Vlorës, Aleksandër Matrazov nga Moska dhe… ja dhe rasti i pilotit më të mirë që kishte regjimenti i Farkës, atij burri vetullzi, ballëpastër, që ecte duke buzëqeshur mëvete dhe me një ecje prej balerini, kryemjeshtër i njohjes së territorit, instrukltorit fluturues të disa brezave pilotësh, Ndue Logut nga Dukagjini.
Ndue Logu mundi ta merrte diplomën me rezultatet më të larta që mund t’i jepte një shkollë ushtarake në Bashkimin Sovjetik; mundi ta merrte në Batajsk – si pilot helikopteri por dhe ai, në vitin skandaloz 1961 u kthye në atdhe së bashku me 18 pilotë të tjerë, pavarësisht se dy prej këtyre djemve qenë “thyer”.
Ti djalosh që lexon tani “Dinozaurët e fundit” duhet të dish se burrëria është vënë në provë në të gjithë brezat që kanë formuar karakterin shqiptar.
| – – – – – – – – – –
| – – – – – – – – – – – –
***
Në brezin e pilotit, të rriturit në shtëpinë e fëmijës, ja, qenë thyer dy djem Shqipërie. Aristotel P. dhe Ilia K. Ata vendosën të mos ktheheshin më në tokën që i kishte lindur por, në planin e tyre të braktisjes, ata kishin parashikuar edhe një masë që rrallë mund t’i binte ndër mënd ndonjërit nga djemtë e hedhur dhe me gjellët pa kapak – të fshiheshin sa më larg.
Kur Ndue Logu vetë i 18-ti udhëtonte për në atdhe me zemër të mbushur dhe të thyer për Aristotelin dhe Ilian, një grup tjetër djemsh shqiptarë që do të kthehej pas tyre, po bridhnin nëpër rrugët e qytetit me thika të fshehura.”Ishim gjashtë veta. Ishim në grup. Nëse do të hasnim kund njërin apo të dy nga dezertorët, secili do të hante në një kohë 6 të ngulura thike në emër të atdheut dhe popullit që e kishin braktisur” – më tha njëri prej ekzekutorëve të mundëshëm.
Burri ka kohë për t’u turpëruar edhe në rini, edhe në burrëri, edhe në pleqëri. Dezertori ka vetëm një emër; është një cilësi që bashkon si me një komandë karaktere, ngarje, periudha historike dhe rrethana gjithfarëshe.
Ndue Logu u ngrit si një lapidar prej mali në burrërinë e tij.
Unë nuk di ndonjë pilot tjetër, që populli t’i ketë kënduar një këngë kaq të veçantë dhe në një rrethanë kaq të veçantë, siç ka qenë njëra e krijuar gjatë ndërmarrjes mbarëpopullore për elektrifikimin e plotë të vëndit. Pas vrasjes në aksionin e rinisë së një vajze prej Dukagjinit, e quajtur Shkurte, pas kësaj nxitjeje mbarëpopullore, nisën të ndizeshin drita edhe në zona ku kishin jetuar prej mijëra vjetësh me kandil, bishtukë a pishë të ndezur.
“Llampa e ndezur shfaqej në çdo shtëpi si fytyra e Shkurtes”, shkruante një poet nga më të njohurit e asaj kohe. Elektrifikimi i Dukagjinit, kësaj monade shqiptare, ka qënë një punë e bërë me hare të paparë dhe në mënyrë të jashtëpërfytyrueshme, duke shfrytëzuar energjitë e pashterrëshme që gjeneron një shpirt i rënë në dashuri. Pilotët bënë çudira në atë kohë për të aritur që të ndizej drita mes dhomës si “fytyra e Shkurtes”. Dhe, populli i këndoi Ndue Logut një këngë, kështu:
“Paj, kush ishte, more njaj piloti?
Bash Ndue Logu, nji djalë prej Shoshi”.
Ndue Logu dolli i paaftë nga një sëmundje profesionale pilotësh – “lumbago”. Por ai , në kohën e “indondatave” të dëborës nuk linte fluturim pa shkuar duke fluturuar përmbi borë drejt zonave veriore e veri-lindore në atë dimër të v. 85. Ani, si pasagjer rrinte, ama, ky njohës i mrekulleushëm i terrenit, ndihmonte papushim ekipazhet, megjithëse… tanimë mund të rrinte në një depo, zyrë, me një reflektor te këmbët, se ishte “shef armatmi”.
Në një periudhë u bë bujë e madhe, e jashtëzakonshme – Shqipëria e perçeve të dikurshme, e gjakmarrjeve të dikurshme, e dhunës ndaj gruas shënoi një nagjarje që është përsëritur vetëm një herë. Katër vajza të Institutit të Kulturës Fizike, pikërisht Flora Toto, Polikseni Vjeshta, Drane Cara dhe Vezire Meta, u hodhën që nga qielli mbi Tiranë me parashutë. Parashutisti që i hodhi vajzat ka qënë shefi i kësaj arme, pionieri i parashutizmit shqiptar, Shaban Danaj.
Po piloti që i hodhi, cili qe? Ndue Logu, që u varros me 14 shtator 1986.
Mbase… mbase, përveç bustit të heroizimit të tij, ngritur nëpër zemrat e atyre që e njohën, në emër të kontibuteve të tij për ushtrinë shqiptare, për artin e fluturimit, për devocionin e kryerjes së detryrave ajrore por, sidomos, për “planzhonin” e tij të fundit drejt vdekjes në emër të jetës së të tjerëve, do të ishte gjëja më normale dhe në përputhjen me aliazhin e artë të traditës sonë të vjetër dhe të botës moderne ushtarake, që Ndue Logu, ta kishte një bust.
Një bust në mes të repartit ku ai dha jetën, apo në Shosh, në Shkodër, në shtëpinë e fëmijës apo në ndonjë rrugë të Tiranës…
15 prill 2013
P.s.
Kjo pjesë rënqethëse që sapo lexuat nuk do të ishte shkruar kurrë nga dora ime, pa kontributin, shtyrjen, nxitjen, këmbënguljen dhe pasionin deri në përgjërim të e pilotit Niazi Nelaj, nga Kalivaçi i Tepelenës, ish-shkruesi i historisë së regjiemntit të Farkës
(Autori, Riza Lahi)