Gruaja Sot: Atrofi e Qorrsokak

0
35


Nga Atena Bishka, 31 mars 2012

Profesori i gjinekologjisë: Ai e filloi kursin e leksioneve si vijon: Zotërinj, gruaja është një kafshë që urinon një herë në ditë, defekon një herë në javë, menstruon një herë në muaj, lind një herë në vit dhe kopulon sa herë t’i jepet rasti.’ Mendova se ish një fjali e drejtpeshuar për bukuri.”

W. Somerset Maugham, Blloku i Një Shkrimtari (A Writer’s Notebook, 1949)

Shumëkush do ta ketë ndjekur serialin amerikan “Sex and the City” (Seksi dhe Qyteti), në qendër të të cilit është jeta dhe miqësia e katër newyorkezeve, diku në fund të 30-ave e fund të 40-ave në mbarim të shekullit të 20-të, seksualisht të çliruara, por shpesh të papërmbushura romantikisht; të pashme e të zonjat profesionalisht; të pavarura ekonomikisht, por po aq të varura e obsesive ndaj burrit si kryeobjektiv; gjithnjë duke ndërruar partnerë po aq lehtë e në mos edhe më shpesh se këpucët takëlarta, aksesorët ekstravagantë a fustanet e mbrëmjeve; dëshpërimisht në kërkim të dashurisë e vijimisht të mbetura peng kacavarur dramash sentimentale. Në njërën prej serive, Carrie Bradshow, kryeheroina dhe rrëfimtarja e serialit, pyet mendueshëm: “Vallë a jemi thjesht të pazonjat për të ndërtuar lidhje romantike, apo s’jemi tjetër veçse lavire?”

Prej Amerikës Veriore e deri në Shqipëri, serialë të tillë, sikurse edhe gjithë industria shumëbilionëshe e filmit mainstream Hollywoodian; e argëtimit dhe e reality shows (të cilat janë tani motorë fitimi komercial e zvetënimi publik të pashoq edhe për televizionet shqiptare); e muzikës alla JLo, Rihanna a Lady Gaga; e kozmetikës dhe reklamave, ushtrojnë pushtet e trysni të pallogaritshme mbi psikën tonë. Një peizazh i tillë, i tejngopur në imazhe që përftohen në rrethprerjen e kulturës pop-porn, luan rol të dorës së parë në “lavirizimin” e gruas dhe shndërrimin e saj, sidomos të adoleshentes, në objekt seksual. E ballafaquar me një imazheri të tillë, gruaja e zakonshme, mbetet gjithnjë e torturuar e në limbo midis pamundësisë për ta shndërruar veten në faksimile të perfeksionit me të cilin imazhi ia penetron mendjen, dhe lakmisë e dëshirës së paplotësueshme në mos obsesionit të patjetërsueshëm për t’u njejtësuar a për t’i ngjarë imazhit me çdo kusht.

Të gjitha këto të lidhura ngushtë me hiperseksualizimin dhe pornografinë, që sot po konsumohet më fort se kurrë falë Internetit (ose pornografia gonzo) vijnë duke ripërkufizuar ose më mirë shtrembëruar ndjeshmëritë, shijet dhe normat e sotme shoqërore e seksuale, duke e kthyer seksualitetin në gjimnastikë e plasticitet pa emocion e kontakt shpirtëror, e duke prishur kështu çdo premisë për barazi, dinjitet dhe respekt pa të cilat s’mund të ketë marrëdhënie të shëndetshme intime midis sekseve. Filmi “Shame” (Turpi) i 2011-ës me regji të Steve McQueen sa i vështirë për t’u parë, aq edhe vepër e kulluar arti, më vjen në mend si shembull ilustrues. Karakteri kryesor, Brandon (Michael Fassbender), një burrë i ri në të 30-at, që punon në një nga grataçielat prej qelqi e çeliku të një Manhattani të terrët si sekreti i tij, i suksesshëm por i çinteresuar e pa pasion, i pashëm e truphollë, që vrapon hap-lehtë nën tingujt e Variacioneve Goldberg të Bach-ut (regjistrim i pianistit kanadez Glenn Gould, 1955), zë-ëmbël e fjalëpak, me sy si liqej të thellë të heshtur trishtimi, jeton pa salltanet – peng i obsesionit të tij vetë-shkatërrues. Nga njera anë pasuri disqesh e muzike klasike që rrjedh mrekullueshëm prej gramafonit; nga ana tjetër bollëk masturbimi sa herë është vetëm e në çdo cep që të ndodhet, seks me prostituta që i porosit me pagesë në shtëpi si të ishin pizza a ushqim kinez, seks në rrugë e në hotel, me të panjohura që i josh në bare, me lavire në mejhane e rrugë, me punëtore seksi hard-core, me homoseksualë e transvestitë të New York-ut të nëndheshëm; edhe akoma, bollëk pornografie: porno në revistat pranë shtratit, në komunikim ndëraktiv në Internet mbi tryezë të bukës, në laptop mbi shtratin e thjeshtë, madje porno deri edhe në kompjuterin e zyrës ku punon! Brandon, që është aq i ndjeshëm sa nuk e ndal dot currilin e hollë të lotit kur e motra këndon ”New York – New York” duke i kredhur tingujt e njohur në kadifenë e një melankolie prekëse si vetë jeta e tyre, përndryshe këqyr çdo femër si të ishte pajisje seksi e masturbimi, si valvë për t’u çliruar prej vetë-përçmimit, si alkool që shuan e ndez etjen e pijanikut, si kokainë për të droguarin. Por, brenda rrethit vicioz të vuajtjes prej varësisë seksuale dhe peshës së turpit e sekretit, s’i ka mbetur grimë aftësie për të ndërtuar komunikim, marrëdhënie intime njerëzore, të kuptimta, shpirtërore e gëzimsjellëse…

Qëkur muret ideologjikë u shembën, edhe kufijtë gjeografikë sot kapërcehen gjithnjë e më lehtë, Shqipëria do s’do importon prej shoqërive të zhvilluara edhe probleme e lëngata si ato që u përmendën më sipër – probleme të cilat sa u takon çështjeve që kanë të bëjnë me gruan iu mbivendosen një grupi tjetër problemesh ekzistuese, veçanërisht të mprehta për shoqëritë në zhvillim, sikurse: dhuna e krimi në familje, keqtrajtimi fizik e psikologjik, trafikimi e prostituimi, diskriminimi dhe keqpërfaqësimi i gruas në institucionet drejtuese. Por ballafaquar me këto probleme, lëvizjet që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të gruas sot janë në gjendje krejt të mjeruar e apatike.

Më kanë bërë përshtypje kohët e fundit dy lëvizje relativisht të vona: “SlutWalk” në perëndim dhe “Femen” në lindje. Ndërsa të dyja pretendojnë të shpien përpara luftën për të drejtat e grave, e para rreket të sigurojë vemendjen publike me anë të semantikës së fjalës “Slut” (bushtër, lavire, kurvë, kuçkë, e përdalë), e dyta vizualisht, nëpërmjet ekspozimit publik të kraharorit femëror.

SlutWalk e ka origjinën në Toronto të Kanadasë. Janarin e 2011-s një punonjës policie gjatë një bisede në Universitetin e York-ut për parandalimin e krimit dhe sigurinë e jetës në kampus, këshilloi vajzat studente të mos visheshin si “lavire” (slut) nëse dëshironin të evitonin rrezikun e sulmeve seksuale ose përdhunimit. Ai citohet të ketë thënë: “Më kanë thënë se s’duhet të flas kështu, por megjithatë, gratë s’duhet të vishen si ‘lavire’, nëse s’duan të viktimizohen.” Fjalët e policit doemos nuk tingëlluan mirë, sidomos në një vend si Kanadaja me ndjeshmëri të lartë sa i takon lirive e të drejtave të grave, të cilat edhe pse jo të përkryera, janë të çmuara nga shoqëria e nga më të avancuarat në botë. Ndërsa ka gjithnjë vend të diskutohet se në ç’mënyrë e shohin dhe e përdorin gratë trupin e vet edhe veshjen, ajo që mbetet e padiskutueshme është se përdhunimi është i papranueshëm edhe i dënueshëm pavarësisht sa seksualisht joshëse të jetë veshja e një gruaje. Nga ana tjetër, nuk më vjen t’u vë vizë të kuqe fjalëve të policit me një të rënë të lapsit, sado jo të mençura të jenë – tek e fundit, a nuk është dera e jashtme e pakyçur ose dritarja lënë hapur që ekspozon shtëpinë njëfarësoj edhe ftesë e ndjellje për hajdutin a keqbërësin, pavarësisht se, nëse vjedhja ose keqbërja ndodh, kurrsesi s’mund e s’duhet të fajësojmë viktimën?

Pikërisht ky incident me policin e pafat shërbeu si shtysë për lindjen sakaq të protestës “SlutWalk” (që në shqip do ta sillja si “Parakalim Laviresh”), në përgjigje flakë për flakë të këshillës poshtëruese “Mos u vish si lavire!”. Me qindra vajza e gra, shpesh çupëlina të veshura me décolleté a bustier, me bark të zbuluar e funde të supershkurtra, me geta rrjetëpeshku a pantallona superskinny (të ngushta tub), u derdhën rrugëve të Torontos. Qëllimi i “Parakalimit të Lavireve”, siç u shprehën organizatoret, ishte të solidarizoheshin e t’i dilnin për zot fjalës “Slut”, fjalë e përdorur historikisht si damkë që mëton t’i bëjë gratë të ndihen të turpëruara për seksualitetin e vet. Kësisoj protestueset deshën të tregojnë se e “pranojnë” etiketën si të ishte dorashkë dueli ndaj kulturës së trivializimit të përdhunimit dhe të faturimit të fajit viktimës. Ideja ishte pak a shumë kjo: Nëse quan lavire një grua, ke cilësuar kështu gjithë gratë! Në disa prej sloganeve të protestuesve shkruhej: “Është trupi im ‘hot’, e bëj ç’të dua me të!”, “Mos na tregoni si të vishemi, thuajuni burrave të mos përdhunojnë!”, “Lavire krenare”, “Krenari laviresh”, etj. Deri edhe vetë superfeministja Glora Steinem (78 vjeç) e bekoi lëvizjen “Parakalimi i Lavireve”, duke thënë se gratë e reja po e shpien përpara feminizmin sipas mënyrës së tyre, me problemet e ditës. Lëvizja “SlutWalk” u përhap shpejt falë medias sociale në shumë qytete të Kanadasë e Shteteve të Bashkuara, madje edhe gjetiu në Britani, Australi, Izrael e gjetkë. Mësoj se është përhapur edhe në Indi, paçka se atje problemi i vrasjes së fetuseve (feticide) dhe foshnjeve femra (infanticide) ose vrasjes së gruas për arsye nderi (siç ndodh edhe në Shqipëri) as që ka të krahasuar me hallet e SlutWalk-ut, e paçka se vajzat e gratë indiane përdhunohen edhe kur vishen me shallvare e tunikë (salwar kameez) që u mbulon gjithçka veç fytyrës, duarve e këmbëve, e jo si studenteshat që protestojnë me bustier e fishnet në rrugët e Torontos, Londrës, Bostonit e tani që shkruaj edhe në Tel Aviv.

Të ndalemi për një çast te fjala “Slut”. A ka kuptim edhe a është e mundur të negociohet e të dialogohet për fjalën “slut” ose “lavire” për t’i dhënë asaj vlerë sadopak pozitive? Gail Dines, autore e librit “Toka e Pornos: Si e ka grabitur pornografia seksualitetin tonë” (Pornland: How Porn Has Hijacked Our Sexuality) , vë në dukje se fjala lavire ose bushtër nuk mund të ketë veç konotacion negativ për vajzat e gratë. Në të vërtetë, fjala “slut” ose “lavire” nuk ka qenë fjalë me të cilin gratë kanë emërtuar veten. Përkundrazi, është term i krijuar prej burrave mizogjenë si etiketë për gratë e që ka në themel të kuptimësisë shenjimin e të “pistës” dhe “ndytësisë”. Prandaj, vëren Dines, gratë s’kanë arsye të kërkojnë ta ripronësojnë si të tyren një etiketë ngjitur përbuzshëm nga burrat, e që i ka shërbyer klimës së dhunës e viktimizimit të gruas. Në fakt në anglisht fjala “Slut” nuk ka gjegjëse ekuivalente për meshkujt. Për meshkujt seksualisht hiperaktivë në anglisht përdoren zakonisht fjalë si “stud” (hamshor), ose “player” (mashkull që manipulon e josh për të përfituar seksualisht), fjalë që këta meshkuj, ndryshe nga femrat, jo vetëm nuk i marrin si ofenduese, por përkundrazi i perceptojnë si shënuese statusi të dëshiruar dhe ledhatuese të sedrës prej mashkulli që gjuan femra për seks. Sa më shumë femra/bushtra e fitore në gjueti seksuale, aq më i lartë statusi e krenaria mashkullore prej hamshori në komunitet.

Me këtë rast mendova t’i hedh një sy fondit të fjalëve të ngjashme në shqip. Fjala lavire duket se ekziston vetëm për të cilësuar femra. Nuk ka gjegjëse për meshkuj. Kërkova për fjalë të tjera të ngjashme te Fjalori i Shqipes së Sotme (Botimet Toena, Tiranë, 2002; botimi i parë 1984; hartuar nën drejtimin e prof. Androkli Kostallarit – kryeredaktor). Gjeta fjalën “kurvë” përkufizuar si “femër e përdalë, lavire” dhe “kurvëri” përkufizuar si “dukuri e shëmtuar kur femrat shesin trupin e tyre për të siguruar mjetet e jetesës”. Aha! Kurvëri na qenkërka një dukuri e shëmtuar që na paska të bëka vetëm me femrat, por jo me meshkujt! Për çudinë time nuk gjeta as fjalën “kurvar” (nuk di nëse gjendet në botime të tjera të fjalorit). Kaq e rrallë dhe e papërdorshme të jetë vallë ajo fjalë? Unë vetë, për herë të parë e kam dëgjuar në vitet e gjimnazit nëpër trotuare prej gojësh adoleshentësh gangsterë ose gjysëmgangsterë, tek i drejtoheshin njeri-tjetrit ose ndonjë rivali. Por edhe gratë e përdornin (edhe besoj vijojnë ta përdorin) për të shenjuar burra. Nuk e paska dëgjuar ndonjëherë “kurvarin” as kryeredaktori, as shpura e gjuhëtarëve ndihmës që kanë mbledhur gjithfarë fjalësh poshtë e përpjetë Shqipërisë, prej të cilave sot shumë syresh pak i hyjnë në punë kujt, apo druheshin se ndyenin fjalorin a bënin pis burrat? Nuk paskërka e nuk paska patur vallë Shqipëria ndonjëherë kurvarë? Vetëm kurva të ketë patur? Mesa duket, po, si mot mot edhe sot në shekullin e 21-të! Shqipëria ka patur e ka kurva me fishek në pajë, kurva që i shet babai, që i shet vëllai, që i tregëton tutori rrugëve të Tiranës, rrugëve të Romës, rrugëve të Athinës… rrugëve të Europës. Shqipëria ka kurva që i dhunon, i rreh e i pret, i vret dhe ia bën gjyqin me shpullë, grusht, thikë a plumb ballit (ndonjëherë edhe me sëpatë a motosharrë) i nderçmi, i plotëfuqishmi, e pronari që është herë baba, herë vëlla, herë burrë, herë tutor, herë i fejuar a herë i vluar! Por, ndonjëherë është pikërisht kryeministri dora vetë që e ekzekuton verbalisht e publikisht gruan, madje jo gruan dokudo por gruan kryeprokurore, pa drojë, krejt si trim hamshor i vërtetë: “Lavire Bulevardi”! (Vini re: Gratë shqiptare nuk e patën ndjeshmërinë të organizonin lëvizjen “Laviret e Bulevardit”, sikurse simotrat kanadeze që organizuan sakaq lëvizjen “Parakalimi i Lavireve”, edhe jo sepse kryeministri kanadez Harper ua shau një funksionare të lartë shteti përpara kamerave, por vetëm sepse një polic ofroi një këshillë të pa menduar, në fund të fundit në mirëbesim, në një sallë modeste universitare – këshillë për të cilën kërkoi ndjesë sakaq!)

Nuk kam dëgjuar që SlutWalk të ketë zgjuar interes në Shqipëri. Interes duket të ketë më shumë për lëvizjen Femen të vajzave gjoks-zbuluar ukrainase, bjonde e flokëgjata, shalëgjata e belëholla, bustet prej atletesh a top-modelesh të të cilave nuk kanë munguar si porcion periodik pornografik në faqet online të gazetave tona – paçka se diskutimi e komentimi mungon krejtësisht. Lëvizja “Femen” krijuar në 2008-ën në Kiev të Ukrainës, u konceptua në formën e protestave topless kundër turizmit seksual, agjencive ndërkombëtare të martesave, seksizmit dhe problemeve të tjera sociale. Qëllimet e lëvizjes (që gjenden te wikipedia) tingëllojnë me të vërtetë të admirueshme: të zhvillojë cilësi lidershipi, intelektuale dhe morale te gratë ukrainase dhe të ndërtojë imazhin e Ukrainës si vend oportunitetesh të mëdha për gratë! Kërkova websitin e tyre, edhe ç’të shikoj? Foton e një bukurosheje të re e të freskët nudo — të ish fanitje kokëposhtë mbërritur prej Summer of Love e 1967-ës, apo vegim së prapthi prej Festivalit të Woodstock-ut të 1969-ës? Bjondina e bukur me siguri do të shkëlqente ku e ku më shumë se Kate Moss në pasarelë ose ndoshta në revistën Playboy, madje me gjithë grushtat kanosës, që më shumë se protestues më ngjanë të ishin erotizues.

Po si është e mundur që protestojnë vetëm nimfa bukuroshe? Po gratë e tjera, të patonifikuarat, të mbipeshat, të dhjamurat, të rrudhurat, të pabukurat – këto vallë nuk duan të kenë të njejtat të drejta? Nuk kanë se për ç’të protestojnë? Nuk duan ato të zhvillohen intelektualisht, moralisht, në mos edhe lidershipisht? Femen një gjë e ka arritur më së miri: tërheqjen e vemendjes. Në fakt, a ka mënyrë më të mirë për të thithur vemendje, kapërthyer vështrime, e ndezur imagjinatë mashkullore sesa eskpozimi i busteve si statuja të bardha mermeri vashash të reja bjonde? Nëse lëvizja do të arrijë diçka, unë them se do ta shtojë e fuqizojë më shumë turizmin e seksit ne vendin e vajzave të bukura. Rroftë protesta!

Feminizmi dhe seksualiteti në përgjithësi — në një kohë kur sot gruaja ka në dorë kontrollin mbi lindjet me anë të metodave kontraceptive, kur në universitete ka po aq madje edhe më shumë femra sesa meshkuj, kur më shumë gra se kurrë janë të punësuara — një nga betejat më të mëdha, veçanërisht në vendet e zhvilluara por jo vetëm, e ka me industrinë e pop-pornografisë, varësinë ndaj saj dhe ndikimin mbi të dyja gjinitë. E nëse është kështu, Slutwalk e Femen jo vetëm që janë qesharake, por edhe i bëjnë dëm lëvizjes feministe, sepse e largon nga qendra e vërtetë dhe e nxehtëtë nxehta të debatit: Asnjë gruaje, në Toronto, New York, Kiev, a Tiranë qoftë, nuk i bën nder e nuk i shërben fjala lavire, pa përmendur konfuzionin dhe dëmin që përdorimi i kësaj fjale ka mbi vajzat e vogla dhe adoleshente. Abuzimi seksual dhe përdhunimi janë çështje serioze, por lëvizje si SlutWalk ose Femen janë kundërprodhuese e të padobishme, sepse nuk bëjnë veçse zvogëlojnë, banalizojnë dhe pornifikojnë problemet e vërteta me të cilat ballafaqohet gruaja sot. S’krijojnë tjetër gjë veç karnavalit.

Po gratë shqiptare, të cilat po t’i referohem informacionit mediatik rezultojnë të jenë edhe më të diskriminuara dhe më të shtypura sesa 30-40 vjet përpara, e si kurrë ndonjëherë sot janë edhe viktima të dhunës në familje (18 gra të vrara nga burri, i dashuri apo babai gjatë vitit 2011), të diskriminimit, të trafikimit, divorcit, lavirizimit e shndërrimit në mall seksual, pa përmendur hendekun me gratë e Europës ku duan të mbërrijnë – si reagojnë ndaj gjendjes ku ndodhen e ç’bëjnë për të drejtat e tyre? Graria shqiptare duket e lodhur, e munduar dhe e përgjumur. Pa llogaritur ato kryeqytetase që u argëtuan me porno e striptease në një nga klubet e Tiranës, gruaja shqiptare kur nuk feston qejfpaprishur e grarishte, me qofte, torta e aheng “për nga mot gëzuar 8 marsin e luftës për të drejta dhe emancipim”, e shumta shkon të marrë pjesë në aktivitete të lehta argëtuese sportive si p.sh., shëtitije të hareshme me biçikleta pranë liqenit artificial Tiranës, si ajo që u organizua (a që ndoshta ishte thjesht në plan) nga shoqata “Në dobi të gruas shqiptare” nën sloganin “8 Marsi – festë apo protestë?”.

Nuk e di nëse protestat zhurmë-mëdhaja kanë ndonjë dobi, aq më pak spektaklet që manipulojnë qoftë me fjalë (slut) qoftë vizualisht (gjinjtë e zbuluar). Sa për festat tona, këto rrëfejnë për ndjeshmëri e vetë-dijshmëri tejet të ulët – që ndryshe mund të shprehet: “Nuk e dimë e s’arrijmë të nyjëtojmë dot atë që dimë, që ndiejmë, që pësojmë e përjetojmë rregullisht në përditshmërinë tonë.” Edhe pa vetë-dijshmëri e emancipim shoqëror, ligjet e mbrojtjes ndaj dhunës sado të përkryera të jenë a të bëhen, nuk mund të jenë efikase.

Gjendja e gruas shqiptare sot nuk mund të ndryshojë pa ndryshuar Shqipëria, sepse ajo është pasqyrë e Shqipërisë së sotme, peng i kapitalizmit primitiv dhe oligarkisë politiko-financiare, me polarizim të thellë të ardhurash, pa shtresë të mesme, me korrupsion të pashembullt e të pa ndëshkuar, me elitë drejtuese pa etikë… Vetëm kur shpërndarja e të ardhurave të bëhet drejtësisht, kur pabarazia ekonomike të zbutet, kur institucionet shtetërore të mos jenë pronë partish e të funksionojnë duke iu bindur vetëm ligjit, kur lufta kundër krimit të organizuar të jetë e përnjimendtë, kur veprimtaria e shoqërisë civile të mirë-kalibrohet me problemet e shoqërisë, kur edukimi e dija të kthehen përnjimend në shkolla, kur vetëdija qytetare ta kapërcejë stadin foshnjor e të vijë duke u rritur – atëhere gruaja shqiptare do të gjejë dinjitetin, respektin, e vendin e merituar në familje e shoqëri.