Shekulli, 19.04.2010
Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se nuk ka afat për mbylljen e protestave:
“Mbaron me fitoren e njerëzve, që nuk kërkojnë privilegje”
TIRANË – Edi Rama e ka nisur fjalën në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë së tij, me citimin e rilindasit të madh Fan Noli. “Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s’dinë të organizojnë, as organizatorët nuk i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kolltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe ryshfeti“, – citoi dje nga Fjala e Nolit, Edi Rama.
Kryetari i opozitës theksoi se ngulmimi i pushtetit për t’i mbajtur kutitë e mbyllura është prova më e mirë se në kuti fshihet jo vetëm fitorja PS-së, por sipas tij, edhe arma e korruptimit të zgjedhjeve. “Me atë armë Sali Berisha kërkon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme pasi vrau ato që shkuan. Pa e nxjerrë që aty dhe çmontuar njëherë e mirë atë armë vrastare për lirinë e zgjedhjeve, në këtë vend nuk ka shanse reale për asnjë liri zgjedhjeje”, – tha ai.
Rikthimi në PS
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përshëndetur dje rikthimin në “shtëpinë” e tyre të ish drejtuesve të LSI-së. “Sabit Brokajt, Pëllumb Xhufit, Ndre Legisit, Fatos Klosit, Mustafa Muçit e plot të tjerëve që e refuzuan përfshirjen në punët e qeverisë së pykave dhe u qëndruan besnikë atyre dhjetëra mijëra socialistëve të gënjyer nga shpresa se do ta nxirrnin pykën Sali me pykën Ilir”,- tha Rama.
Një përshëndetje i është drejtuar edhe aleatëve tradicionale Skënder Gjinushi, Vangjel Dule e Paskal Milo, apo edhe të rinjve si Spartak Ngjela, Preç Zogaj e Nard Ndoka. “Erion Veliaj na ka mbetur nën renë vullkanike në Bruksel, urojmë kthim të mbarë. Jemi të gjithë bashkë në këtë betejë sepse duam që çdo shqiptar, i majtë ose i djathtë, burrë apo grua, nga jugu a nga veriu, pavarësisht çdo dallimi, të fitojë lirinë e të drejtën e të qenit i barabartë përpara ligjit e shanseve për shkollë, punësim, mirëqenie që jep një demokraci reale”,- tha ai.
Kriza ekonomike
Kryetari i PS-së ka sqaruar dje se kriza e ekonomisë shqiptare nuk është pjesë e krizës financiare globale. “Ajo është pjellë e politikës shkatërruese ekonomike të qeverisë së pykave që, siç thotë Noli i madh, shoqërohen vetëm me pyka e me dallkaukë, dhe padyshim, në radhën më të parë, e kryeministrit pykë”, – shtoi ai.
Njerëzit, sipas tij, duhet ta dinë se në fund të vitit 2009 borxhi i Shqipërisë kapi 60 % të prodhimit dhe pasurisë kombëtare të vendit. “Në vlerë të plotë borxhi ynë ka arritur 6.6 miliardë dollarë. Ndërsa vetëm në vitin 2009 dhe vetëm për hesapet e pushtetit në kurriz të çdo qytetari ky borxh është shtuar me më shumë se 630 milionë dollarë.
Të gjitha këto para të marra borxh nuk rëndojnë gjetkë, po drejtpërdrejt mbi çdo familje shqiptare. Dhe shqiptarët duhet ta mësojnë se 1 janari i vitit 2010 e gjeti çdo familje me një borxh 8,700 dollarë, ndërsa secilin me një borxh 2,060 dollarë. Përfshirë këtu edhe 38 mijë fëmijët e lindur në vitin 2009, kur për llogaritë elektorale të pushtetit borxhi i çdo familje u rrit me 750 dollarë, ndërsa borxhi i çdo shqiptari u shtua me 180 dollarë.
Kjo do të thotë me një fjalë të vetme se më shumë lekë që mund të përdoreshin për të rritur rrogat, pensionet e mirëqenien e njerëzve, do të shpenzohen për të larë borxhin e përbashkët që na e rrit përditë një pushtet që mendon e punon vetëm për vete”,- tha ai.
Protestat
Ka vetëm një rrugë, sipas Edi Ramës, për të dalë nga situata aktuale. “… Ne jo vetëm do të protestojmë çdo ditë, jo vetëm do të mblidhemi më të shumtë se asnjëherë më parë në 30 prill në Tiranë për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara që të shpëtojmë zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm do ta kthejmë 1 majin në ditën e një beteje demokratike në rrugë kundër pushtetit të papunësisë e të varfërimit të përditshëm të shqiptarëve, por nuk do të ndalemi deri në largimin e qeverisë në rast se qeveria nuk do të largojë publikisht duart nga kutitë ku mban mbyllur zgjedhjet dhe zgjidhjet për demokracinë, drejtësinë, ekonominë e këtij vendi”, -tha Rama. Kryetari i PS-së nuk dha afat për mbylljen e protestave
“Dashamirësve u them mos kërkoni t’jua themi ne kur e ku mbaron kjo betejë në rrugën e protestës, sepse po të dinim këtë atëherë kjo nuk do të qe betejë po fushë për t’u mbjellë me lule. Prandaj nëse e ndjeni dhimbjen e njerëzve, nëse ju dhemb ku vend siç na dhemb neve, ejani në rrugën e protestës për ta përshpejtuar fundin e betejës.
E cila s’dihet kur e s’dihet ku, po dihet me siguri si mbaron: Me fitoren e njerëzve që nuk kërkojnë privilegje, po vetëm lirinë për të zgjedhur dhe të drejtën për të jetuar e punuar si të barabartë përpara ligjit e mundësive që ofron demokracia, pavarësisht ngjyrës së qeverisë”, – tha ai. Për këtë arsye, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që me 30 Prill të mblidhen në bulevardin e Tiranës, me njerëzit dhe për njerëzit.
Xhufi: Kontribut në PS, por jo pjesë e saj
TIRANË- Pëllumb Xhufi, një nga ish- drejtuesit e LSI-së, që u bë pjesë e kongresit të Partisë Socialiste, deklaroi dje se do të kontribuojë për Partine Socialiste, pa u bërë pjesë e strukturave të saj.
Në një prononcim për mediat, Xhufi sqaroi se aktualisht nuk do të anëtarësohet në PS. Në kongresin e djeshëm të PS-së ishin edhe figura të tjera të njohura që dikur kanë kontribuar në lëvizjet politike të LSI-së, si Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Fatos Klosi dhe Mustafa Muçi. “Ne përbëjmë një grup individësh, që kemi qenë me funksione në LSI dhe u larguam nga kjo parti për çështje parimore.
Sot unë jam një i ftuar dhe kam qenë i nderuar që mora pjesë, pavarësisht se unë kam marrë pjesë në shumë tubime, që nga viti 1990, vazhdimisht, të çdo krahu. Këtu mora pjesë me kënaqësi sepse gjykoj që PS-ja si partia më e madhe e opozitës ka potencialin, motivimin, për të rregulluar gjëra në këtë vend i cili realisht po shkon në një rrugë pa krye. Unë kam pasur ftesë edhe për të marrë teserën e PS-së dhe për tu bërë pjesë edhe në forumet të një niveli në PS, por nuk kam ndërmend të angazhohem në këtë sens”,- tha Xhufi.