Poezi nga Vaso Papaj

0
62

NATË PA GJUMË
(Poezi e lodhshme)

Vaso Papaj

Përbri më je, në divan
E s’arrij t’i nxjerr të gjitha ato që brenda kam.
Ç’të pëlqen ty,
Më mirë ta them vetëm me sy.
Mos ndoshta po na vjen gjumi?
Po gjumi le të rrijë aty.

“Ferri i çarë” s’mbaron aq lehtë,
Rrëqethës dhe i vërtetë.
Hidhe mbi divan dhe lermë të të vështroj.
Më shumë se sa mes fletëve, mes syve të lexoj.
Ferret që kaluam më mirë se aty s’kam si i takoj.

Po kam një skutë në zemrën time,
Ku era s’ka fryrë kurrë
Dhe pse nga larg vijnë ca gjëmime,
Kemi akoma vite.
Eja!
Le t’i kalojmë aty.
Gëzim kanë për t’na prurë.

Mjaft!
Rri ulur dhe dëgjo!
Seç më dolën mbrëmë ca vargje…
Mos për pendim?
S’janë nga ato.
E ç’pendim?
Ti e di, kujdesin tim.
As gotën s’e kam zakon.
Dua syve të tu të zhytem
Dhe kur gjumi s’më lejon.

Nata, parfumin shpërndan, skaj më skaj,
Të zhytem dua brenda saj.
S’dua të më shohë njeri
Edhe në ëndërr qofsha.
Një si unë, poet i çartur,
do të donte të të merrte për dore.
Majë s’do kishim lënë pa vajtur.
Dhe të shembeshim një shtrati brenda.
Oh, sa shumë, ma paska ënda!
Të prek dhembje, nostalgji,
Por çdo gjë ka dhe kufi.
Shihmë në sy!
S’më ke thënë kurrë një gënjeshtër.
Ndryshe me ty, një herë s’do kisha darkuar
Se me gënjeshtrën si qefin
Me kohë në botën tjetër do të kisha shkuar.

Vrapon kështu pas eres
Dhe si një flutur më ngjason.
E kthen kokën hera-herës
Dhe sesi,
Me bisht të syrit, prej shpatullash seç më gozhdon.
Në ke frikë të ikësh larg, fluturo mbi dorën time.
E di mirë se çfarë mendon,
Kurrë s’do të doje e vetme fluturime.
Të ikesh larg vetëm, është sikur të kesh vdekur,
Por mos u çudit, unë kurrë s’do të të le,
Nga pas kam për të të ndjekur.

Ja kështu, si flutur ngrihesh e ikën,
Përtej në dhomë vetëm,
Por vetmisë tënde s’ia kam frikën.
Jam këtu
Dhe në atë mur kurrë nuk dua të t’gozhdoj.
Nese jashtë s’do t’kisha dale,
Ta provoja fluturimin
Ngrirjes së lëkures time nga nata,
S’do ia kisha ditur kurrë çmimin.
Nata-nënë kërkon të numërojë yjet e tua.
S’ka për të humbur asnjë.
S’të gjen asgjë po të jesh me mua.

Por vetë nata tashmë është duke vdekur
Mos është budallallëk!
Të kërkosh të ndalësh lotët duke qeshur?

Ta kam thënë:
Mos do që të të marr prej dore, zemër?
Mos do të fluturojmë mbi çatira e tarraca?
Ta shikojmë qytetin nga lart, shtrembër?
Për ta prishur këtë qetesi, të bëhemi laraska?
Kra, kra, kraaaa…

Joooo, joooo…,
Shih nga dritarja!
U nis i fundit traget,
Ngadalë po afrohet edhe një mëngjes tjetër,
Na pret.
Me drojtje po troket.
Dhe qielli është krejt i qetë.
Edhe hëna qetë-qetë rrëshket.
Natën e mirë, shpirt!
Dritën po e shuaj,
Gjumë të lehtë!…

Maj 2013

DRITËN NUK E NDALIN XHAMAT, QELQURINAT E SYVE…

I nderuarI z. Papaj,
une e lexova poemen tuaj, poemthin e “pagjumësisë”, poemthin e dialogut… mbështjellur mjeshtërisht me diç të bardhë, do të thosha si letër e markës së mirënjohur “monolog”…

// të flasësh me diçka (hipotetike si subjekt, qoftë dhe metafizik) apo me dikend (si person imagjinar, le të jetë kushdo… Xhulieta, le të jetë Sapho, le të jetë muza, le të jetë dhe ajo Dulçineja e Kishotit fisnik… aspak s’ka rëndësi, secili ka një orientir…) dhe në të njëjtën kohë e gjithë barra e komunikimit poetik të na përshfaqet pothuaj si “meditim” është patjetër kristalizim diku ne askundesi, si atribut i rezonancës poetike, i ndjesisë së kulluar…

// …dhe ja, le t´i hedhim anash të gjitha të tjerat “formalitete”, le të jetë një vjershë dhe “dekadente” (për nga ndërtimi, dmth. gjoja të mos na jetë aspak “moderne” – çfarë ka moderne, çfarë është në fakt “moderne” me ndjenjat!, përpos me stilet, me veshjet, me të jashtmen, a nuk janë ndjenjat tona po ato të njëjtat si dikur të Apollonit, të Bajronit, të…, vallë mos ndjenjat na e paskan përshkuar dhe ato një rrugë evolutive sipas ndonjë “darwin/izmi” poetik?! – pastaj çfarë është vetë stili si “stil”, hm?!)…

//…le t´i injorojmë gdhendjet, veglurinat a mjetet stilistike, bagazhin e fjalëve (të cilat fjalë poetët patjetër se i përzgjedhin jo vetëm sepse disa sosh “bartin” më shumë, ndjenjë e kuptimësi, janë më të “fuqishme” se disa të tjera, por një pjesë të tyre… dhe thjesht për t’i ikur “ordinaritetit” gjuhësor), le ta lëmë anash rimën, muzikën apo tingullimën etj etj etj…

//…pra le ta lëmë sallë NDJESINË lakuriq, cullak aty vetëm mbi një “divan gjethesh” si një Venerë e turpëruar, le t´i fusim të gjitha këto të tjerat në një strajcë të jorelevancës…

// …prapeseprapë do ta ndiejmë atë rezonancën, atë përhapjen e “valëve”, do ta ndiejmë forcën komunikuese, do ta ndiejmë se ajo thënia e dikujt është e saktë (nuk më kujtohet tani për momentin se kush e pati thënë): por… “poezia shpesh depërton dhe nëpërmjet dritares së jorelevancës”… sepse dritën nuk e ndalin xhamat, qelqurinat e syve tanë vërtet asgjë nuk ndalin, asgjë që nuk ndalet (e shpirtit) – edhe ndjenja poetike është si ato rrezet që “depërtojnë” nëpër një dimension fizik (xhamat psh), dhe natyrisht, ajo sillet konform me ca rregulla e ligje të universit poetik…

Prandaj unë se perse dëshiroj të besoj qe fjalët te cilat m’i keni nisur / si këto më poshtë / së bashku me poezinë tuaj, janë e njëjta dëshirë komunikimi me pastërtinë e “syve”, pakashumë ngjashëm siç e bënë dhe “venera” e pafajshme e poezisë suaj!

“…keto jane fjale te sinqerta nga nje njeri qe edhe per shume gjera mund te mos jete i nje mendje me ju. Shume gjera mund te konsumoheshin ndonje here sy me sy. Gjithsesi kenaqesia ime eshte e pafundme kur lexoj te tilla pena – Edhe nje here ju falenderoj, Vaso Papaj”

Përzemërsisht, dhe urimet e mia për përmbylljen e vëllimit tuaj “Koncert nën narkozë”… uroj që të shfaqet në qarkullim, të botohet sa më më parë,
senad guraziu