Albin Kurti: Bashkimi kombëtar, i domosdoshëm

0
46

TemA Online, 30 Mars 2012

Hapi i parë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve duhet të fillojë me Kosovën e Shqipërinë dhe më pas, të ndihmohen edhe shqiptarët që u copëtuan në konferencën e Londrës më 1913. Kështu vlerëson lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në një intervistë për televizionin Alsat-M.

“Le të fillojmë prej hapit më të domosdoshëm dhe më të rëndësishëm tash për tash, Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, më pastaj duhet të ndihmohen shqiptarët në Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë Perëndimore në Iliridë, duhet të ndihmohen që të organizohen sa më mirë, ty mund të të takojë e drejta, por e drejta nuk realizohet nëse s’ke organizim. Nuk po mendoj shqiptarët në Maqedoni pa Shkupin, deri para 30 vjetëve është konsideruar që qyteti me më së shumti shqiptar ka qenë Shkupi”, deklaroi Kurti.

Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, Kurti tha se shqiptarët në Maqedoni duhet të bashkohen dhe të organizohen, si në aspektin kulturor, arsimor, politik, e po ashtu në atë socio-ekonomik, pasi pa organizim, sipas Kurtit nuk ka të drejta të realizuara dhe ato mbeten formale dhe nuk aktualizohen. Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria kanë për obligim t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Maqedoni.

“Nëse ne lejojmë që shqiptarët në Maqedoni të ballafaqohen me Qeverinë Gruevski ndaras prej Kosovës e Shqipërisë atëherë do të prodhohen Brodeca të ri. Ne kemi nevojë që të kemi sa më shumë organizim dhe aktivitete i cili edhe ndihmohet dhe mbështetet prej Tiranës dhe Prishtinës, këtë gjë duhet ta kërkojnë shqiptarët e Maqedonisë edhe më shumë”, tha Kurti.

Albin Kurti tha se Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni më shumë ka pasur efekte për të çarmatosur shqiptarët se sa realizimin e të drejtave.

“Kur do të shkruhet historia se çfarë bëri kjo Marrëveshje e Ohrit, do të dalë që efekti kryesor ka qenë demilitarizimi i UÇK-së, nuk do të dalë se fituam këtë apo atë të drejtë sepse shqiptarët atje mbeten të diskriminuar në përfaqësim, konkretisht në gjykata, administratë, shërbyesit civil nëpër ministri, polici, nëpër ndërmarrje të ndryshme, në përgjithësi shqiptarët mezi mbërrin në 10 për qind, ndërkohë në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë janë më shumë se çereku i popullsisë”, u shpreh ai.

Kurti tha se ajo çfarë duhet të zhvillohet tek shqiptarët në Maqedoni, është sofistikimi dhe afirmimi i kritikës. Qytetarët shqiptarë sipas tij, me mendje kritike duhet të kundërshtojnë dimensionin nacional shovinist të shtetit maqedonas, i cili po i shfrytëzon dhe po i shtyp shqiptarët.

“Nuk duhet të kemi iluzione që Qeveria Gruevski do të jetë ndonjëherë falënderuese për shqiptarët që po rrinë urtë, për shqiptarët që nuk po organizohen, për shqiptarët që nuk po i kërkojnë të drejtat e tyre, për shqiptarët të cilët nuk po punojnë e angazhohen në përgjithësi. Ne në këtë rast nuk e fitojmë as falënderimin e tjetrit, por vetëm dëmtimin e vetes tonë dhe sa më herët vetëdijesohemi, emancipohemi për këtë do të jetë më mirë”, theksoi Kurti.

Lideri i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në emisionin ‘Rruga Drejt’ tha mbrëmë se nëse Greqia ka arsye një herë që mos t’ia njohë shtetit të Maqedonisë emrin, shqiptarët kanë dyfish apo trefish më shumë arsye që mos t’ia pranojnë emrin Maqedonisë. Ai tha se shqiptarët duhet t’i bëjnë të qarta kompromiset që kanë bërë, dhe se në çdo kohë t’i tërheqin mbrapsht ato, gjithmonë përmes gjuhës së të drejtave politike civile dhe socio-ekonomike në rrafshin universal të konventave evropiane dhe ndërkombëtare.