Filozofia e re e shkollës së sotme : Kreativiteti

0
67

Arjan Th. Kallço

Kur flasim për shkollën kemi gjithmonë parasysh mjedisin e parë të rëndësishëm të formimit të nxënësve që në dy dekadat e fundit ka marrë jo pak goditje që ia kanë tronditur themelet asaj. Tek ne u bë një revolucion i vërtetë, shpesh kësaj fjale ia kanë frikën tek e dëgjojnë, por kur veprojnë mundohen t’ia zbutin kuptimin, që përmbysi traditën e shkuar dhe “të vjetër”. Dialektika e zhvillimit të vendit kaloi përmes ndryshimeve sasiore në shkollë që duhet të çonte në ndryshime cilësore të niveleve dhe standarteve europiane. Në këtë pikë shkolla shqiptare pësoi një regres dhe në vend që të forconte tiparin e saj të ri dhe modern, bëri hapa prapa, pra e thënë më qartë, dështoi e gjithë poltika arsimore e një vendi që deri pak kohë më parë shkollën e kishte patur në qendër të vëmendjes.

Teorizimi se shkolla duhet të ketë më shumë formë dhe mjete sesa përmbajtje, interneti po propogandohet si një arritje e padiskutueshme dhe që duhet marrë shembull Ballkani, janë vetëm hipoteza që nuk të shpihen kurrësesi në hopet cilësore që po bën shkolla italiane. Ngërçi i qeverisjes së mëparshme, duket se po i vjen fundi, pasi qeveria Monti e ka identifikuar problemin dhe po përpiqet të rifitojë kohën e humbur. Lëvizja e një shoqërie nuk mund të lërë jashtë vëmendjes lëvizjen bazë mbi të cilën ajo ngrihet, diturinë, prandaj thuhet se lëvizja është e nëndhshme, karsike, e pavarur, refraktare ndaj burokracisë dhe shpesh me drita të forta. Në këtë lëvizje rrethi nuk përfundon këtu, porn ë të përfshihen edhe dy elementë të tjerë që janë familja dhe shoqëria.

Lëvizja më e re në Itali ka në qendër të vëmendjes fenomenet brenda shkollës, tradita e së cilës reziston dhe kërkon ristartim, sikur të kishte trokitur viti 0- shkruhet një prej gazetave më të mëdha. Cili titull do t’i shkonte më përshtat asaj: shkollë-fshat, shkollë-shesh debatesh apo shkollë-komunitet? Pa çantë dhe në ëeb? Libra të botuar apo book in progress? Në Brindizi 23,4% e të rinjve e braktisin shkollën, një përqindje tepër e lartë kjo në kohën e internetit dhe që bie ndesh me tendencat e progresit. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes, pasi projekti “book in progress” e fitoi qytetarinë e vet, edhe pse me hapa të vegjël si fillim, në 70 shkolla dhe po përhapet kudo në të gjithë gadishullin. Është një vorbull e tërë që nga didaktika për fëmijët e deri tek teknologjia në ndihmë të shkollës që të mos ketë analfabetë, por që të rigjejnë motivimet, sipas dëshirës së mësuesve dhe pedagogëve që po i shkruajnë vetë tekstet shkollore, bile edhe falas.

Librat kushtonin shumë dhe lindi ideja që manualet t’i shkruanin dhe botonin vetë, duke u mbështetur tek përvoja dhe kompetencat e viteve të gjata në punë. Me këtë ide synuan edhe t’i reduktonin shpenzimet për familjet e nxënësve të tyre. Librat u miratuan, u botuan dhe shitën me pak euro. Më tej familjet duhet të blinin nga një pc për fëmijët tyre nga kusimet e librave. Librat kushtuan 35 nga 350 që ishte shuma që duhej shpenzuar, pra rreth 300 euro në dispozicion për ta blerë atë. Më tej mbërrijnë edhe dërrasat ndërkative, krijohet rrjeti dhe mësimet mund të ndiqen edhe nga shtëpia. Hapësira nga fizike po shndërrohet dalëngadalë në virtuale. U krye një punë e madhe pa pushim për t’i realizuar librat, duke vënë në dispozicion dijet e viteve dhe u shmang kështu blerja libërave që gjenden në treg.

Një punë që të ringjall pasionin për punën-shprehen vetë mësuesit. Një motivim edhe i punës së tyre, duke larguar orarin fiks dhe atë monotoni të jetës në shkollë. Projekti “book in progress” po bëhet një realitet i kapshëm dhe tepër komod, kështu që do t’i detyrojë botuesit e librave shkollorë që t’i rishohin çmimet e librave. Që prej tre vitesh në një shkollë afër Romës, vend i migracioneve dhe imigracioneve, po eksperimentohet një didaktikë e veçantë, bazuar tek koncepti i komunitetit. Mësimi ka dy fjalë që janë në rend të ditës : pritje dhe integrim, përvojat janë të ndryshme për çdo nxënës që e frekuenton atë. Ka edhe mësime frontale, midis të cilëve bisedat që lidhen me kujtimet për të shkuarën dhe origjinën e tyre. Klasat janë të formuara me moshat nga 2-14 vjeç dhe në qendër është ideja e përqasjes globale të mësimdhënies, e krijimit të kooperativave learning dhe më i përparuari dhe më i shpejti ndihmon të tjerët, për më tepër që ka edhe nxitje për ekselencat.

Metoda “pa çantë” të fut në klasa të ndriçuara, pa katedra, plot me materiale të çdo tipi, sepse asgjë nuk shkon në shtëpi, por mbetet aty në shkollë. Ka disa ndarje për diskutimet, për vetëkorrigjimet e detyrave, laboratorë dhe klasa të hapura, mësime të gjata deri 90 minuta që të mos fragmentizohet koha e të mësuarit, që arrihet në mënyrë krijuese përmes teatrit, fotografisë, grafikës, muzikës. Për të mbërritur tek përmbajtja çdo fëmijë zgjedh mediumin, mjetin e vet që preferon dhe përmes fleksibilitetit mëson që të mësojë. Pra një llojë didaktike që i jep më shumë mundësi lirie që të mësojnë duke u ushtruar. Sipas drejtueses së shkollës nxënësit merren në ngarkim nga mësuesit dhe ndiqen çdo ditë hap pas hapi. Është një lloj rimotivimi, bëhen më shumë orë, kërkohet më shumë impenjim, kalojnë në shkollë një pjesë të madhe të ditës. Ka mësues që përballë këtij ndryshimi të theksuar cilësor, koncepti tradicional i shkollës duket se po merr fund, kërkojnë të largohen, por ka edhe të tjerë më të guximshëm që zgjedhin programin e mësimeve në atë shkollë, duke marrë parasysh riskun dhe natyrën e punës.

Ministri i ri arriti rezultate ku dështoi i mëparshmi dhe përmes projektit Vales, Vlerësim dhe Zhvillim i Shkollës, ka marrë mbështetjen e mbi 1000 shkollave. Nga shkurti i një viti më parë duket se ka kaluar një shekull, klima në shkolla u qetësua dhe modeli i vlerësimit ka marrë konsensusin e bazës. Financimi me 70 mijë euro nga projekti synon që të përmirësojë performancën e çdo shkolle që e përkrah këtë realitet të ri. Projekti parashikon tre faza :

a- analizë të shkollës si sistem kompleks,
b- realizimi i veprimeve për përmirësim
c- vlerësimi për të çmuar rezultatet

Sipas mësuesve duket se është një metodë më bindëse. Në këtë frymë, në këto modele të shkollës, ku teknologjia jo vetëm është bërë padrone, por të ofron edhe metodat efikase të realizimit të qëllimit themelor, ecja me hapin e kohës është e vetmja alternativë e mundshme, duhet të përpiqet që të ringrihet nga kaosi edhe shkolla shqiptare, duke e çliruar nga pasha e reformave “politike” që deri më sot nuk kanë dhënë asnjë rezultat cilësor. Të vjen keq kur ende konstaton se në vend të bëjë para në konsolidimin e standarteve, po ikën prapa.

Arjan Th. Kallço – Pedagog i Gjuhës Italiane
Universiteti Fan S. Noli Korçë