Nga Enton Palushi
Protestat e dhunshme në Kirgistan, që sollën dhe rrëzimin e presidentit Bakijev, janë një nxitje për të bërë një krahasim me qeverisjen në Shqipëri.
Edhe presidenti i Kirgistanit e ka emrin e mesëm Sali.
Edhe djali i tij është mpleksur në afera korruptive.
Edhe Bakijev erdhi në pushtet në vitin 2005, përmes atij që u quajt “revolucion portokalli”, duke luajtur kartën e antikorrupsionit.
Edhe Bakijev akuzohet se ka dështuar në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Edhe Bakijev akuzohet për vjedhje votash në zgjedhjet e vitit 2009.
Edhe Bakijev është një njeri që i pëlqen të jetë konstruktiv, të punojë njësoj si me rusët, si me kinezët, e pastaj të prehet në krahët e amerikanëve, të cilët kanë një bazë të rëndësishme ushtarake në këtë vend.
Edhe Bakijev kishte rrëzuar nga pushteti një të korruptuar, që nuk e kishte pasur dhe aq “armik”.
Protestat në Kirgistan e morën një shkëndijë nga rritja e çmimit të energjisë, një problem që është në krye të axhendës së protestave të opozitës sonë.
Por protestat në Kirgistan kanë nxitur aktivistët e të drejtave të njeriut, të kërkojnë nga mediat dhe qeveritë perëndimore, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, që të kenë parasysh disa gjëra kur të përballen me të tilla raste. Këto kërkesa vlejnë më së miri dhe në rastin e Shqipërisë.
Ata kanë kërkuar që në asnjë rast këto lëvizje të mos etiketohen më si revolucione. Nëse do të quheshin revolucione, kjo do i nxiste udhëheqësit që do vijnë pas ndryshimit të pushtetit, ta kenë “dorën” më të rëndë kur vjedhin, për shkak se e kanë të “përligjur” korrupsionin, pasi kanë bërë revolucion.
Së dyti, ata kanë kërkuar që të “qenurit” konstruktiv, të mos jetë një motiv për të lejuar qeverisjen e liderve të tillë të korruptuar. Sipas aktivistëve, korrupsioni i tyre është më i rrezikshëm se tolerimi i disa bazave ushtarake dhe fjalët e mira me fqinjtë.
Së fundmi, dhe çka është më e rëndësishme, ata kanë kërkuar që kur bëhet fjalë për standardet zgjedhore, të mos ketë asnjë tolerim.